Ministrja Ibrahimaj: Ekonomia shqiptare u rrit me 3.71% në tremujorin e parë 2026, mbi mesataren e Ballkanit Perëndimor dhe BE

Ekonomia shqiptare u rrit me 3.71% gjatë tremujorit të parë të vitit 2026, duke vijuar trendin pozitiv të zhvillimit dhe duke u renditur mbi mesataren e vendeve të Ballkanit Perëndimor (3.6%) dhe të Bashkimit Evropian (1%). Të dhënat u bënë të ditura nga Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, gjatë një konference për mediat mbi zhvillimin ekonomik dhe treguesit kryesorë të ekonomisë.

Sipas ministres, rritja ekonomike është mbështetur kryesisht nga sektorë si administrata publike, shëndetësia dhe arsimi, ndërtimi, si edhe aktivitetet e pasurive të paluajtshme. Ndërtimi u rrit me 3.33%, tregtia, transporti dhe hoteleria me 1.61%, komunikacioni me 2.48%, aktivitetet financiare me 5%, aktivitetet profesionale me 7.32%, ndërsa aktivitetet e pasurive të paluajtshme shënuan rritjen më të lartë, me 8.9%.

Ministrja bëri të ditur se bujqësia, pyjet dhe peshkimi regjistruan një rënie prej 0.49%, e ndikuar kryesisht nga performanca e blegtorisë dhe peshkimit, ndërsa nënsektori i bujqësisë u rrit me 8.8%. Edhe industria shënoi tkurrje me 2.17%, si pasojë e rënies së aktivitetit në industrinë nxjerrëse dhe atë tekstile, ndërsa sektori i energjisë elektrike u rrit me 8.34%. Në të njëjtën periudhë, eksportet u rritën me 9.36%, ndërsa importet me 7.39%.

Duke u ndalur te investimet e huaja direkte, ministrja Ibrahimaj theksoi se ato vijojnë të mbeten një ndër faktorët kryesorë të zhvillimit ekonomik të vendit. Sipas saj, flukset më të mëdha të investimeve kanë ardhur nga Austria, Italia dhe Holanda.