Shpallen fituesit e Grant 2026, ministrja Ibrahimaj: 16.5 milionë euro të investuara për startup-et në katër vite

U shpallën startup-et fituese dhe inkubatorët/akseleratorët që do të përfitojnë mbështetje financiare në kuadër të programit Grant 2026 të Innovation4Albania (I4A). Për shkak të interesit të lartë për thirrjen, fondi i programit është dyfishuar këtë vit, duke arritur në 6 milionë euro, ndërsa është dyfishuar edhe numri i startup-eve dhe inkubatorëve/akseleratorëve përfitues.

Gjatë ceremonisë së shpalljes së fituesve, në prani të Kryeministrit Edi Rama, Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, theksoi se ndërtimi i një ekonomie moderne nis nga mbështetja e të rinjve që zgjedhin të zhvillojnë idetë e tyre në Shqipëri. Ajo bëri të ditur se në katër vitet e fundit janë investuar gjithsej 16.5 milionë euro në mbështetje të startup-eve, duke tejkaluar angazhimin fillestar prej 10 milionë eurosh të marrë në vitin 2022.

Programi Grant 2026 tërhoqi një interes rekord, me 1219 aplikime në total. Sipas ministres, 189 aplikime u regjistruan nga të rinj e të reja të moshës 18-25 vjeç, trefishi i një viti më parë, ndërsa mosha mesatare e themeluesve të startup-eve në Shqipëri është 33 vjeç.

Ministrja Ibrahimaj vuri në dukje edhe rritjen e pjesëmarrjes së grave dhe vajzave në ekosistemin e startup-eve. Në skemën e këtij viti aplikuan 417 gra dhe vajza, dy herë më shumë se një vit më parë, ndërsa 34.3% e startup-eve të financuara në Shqipëri janë themeluar nga gra, krahasuar me mesataren evropiane prej 16%.

Sipas saj, investimet në ekosistemin e startup-eve synojnë zhvillimin e një ekonomie më inovative, produktive dhe konkurruese, ndërsa mbështetja për sipërmarrjet e reja po shtrihet në të gjithë territorin e vendit, me projekte të financuara në Tiranë, Shkodër, Durrës, Vlorë, Lezhë, Elbasan dhe qarqe të tjera.