Ministrja Ibrahimaj: Program kombëtar për përgatitjen e bizneseve shqiptare për tregun unik evropian

Në Tiranë u prezantua Programi Kombëtar për Përgatitjen e Biznesit për Integrimin në Bashkimin Evropian, një nismë që synon të mbështesë sipërmarrjet shqiptare në përgatitjen për tregun unik evropian dhe rritjen e konkurrueshmërisë së tyre në kuadër të procesit të integrimit.

Gjatë aktivitetit, ku ishin të pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit, Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, theksoi se ekonomia dhe përgatitja e biznesit për tregun unik evropian përbëjnë një nga shtyllat kryesore të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Sipas saj, programi synon të ndihmojë bizneset shqiptare të përmbushin standardet evropiane dhe të përfitojnë nga mundësitë që ofron një treg me rreth 450 milionë konsumatorë.

Ministrja bëri të ditur se programi mbështetet në katër shtylla kryesore: vlerësimin e gatishmërisë së bizneseve, informimin dhe ndërgjegjësimin, zhvillimin e aftësive përmes trajnimeve, si dhe rritjen e konkurrueshmërisë nëpërmjet mbështetjes financiare, automatizimit, certifikimeve dhe transformimit dixhital e të gjelbër.

Programi synon të arrijë 48 mijë ndërmarrje gjatë këtij viti, si edhe të krijojë një rrjet ekspertësh dhe një platformë unike dixhitale, e cila do të ofrojë programe trajnimi dhe certifikimi për bizneset. Prej muajit tetor do të nisë një fushatë informimi në terren, përmes së cilës institucionet do të kontaktojnë drejtpërdrejt bizneset për t’i orientuar mbi kërkesat dhe mundësitë që ofron procesi i integrimit në Bashkimin Evropian.

Ministrja Ibrahimaj theksoi se, paralelisht me këtë program, qeveria po vijon reformat për përmirësimin e klimës së biznesit. Sipas saj, në katër vitet e fundit startup-et janë mbështetur me 16.5 milionë euro, ndërsa fondi i garancisë për kreditimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme është rritur këtë vit në 250 milionë euro. Ajo shtoi se janë ndërmarrë gjithashtu investime në arsimin profesional, si dhe janë hartuar strategji të reja për zhvillimin e eksporteve dhe të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.