Ministri Demo: “Rilindja Urbane 2.0” dhe paketë 65 milionë euro për modernizimin e infrastrukturës dhe shërbimeve vendore

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, në një konferencë për mediat prezantoi nismat, arritjet dhe prioritetet për pushtetin vendor, duke bërë të ditur se qeveria do të prezantojë gjatë kësaj jave një seri iniciativash të reja me fokus përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për qytetarët. Sipas tij, synimi është që bashkitë të mos kufizohen vetëm në përballimin e sfidave, por të rrisin standardin e shërbimeve publike. Në qendër të kësaj qasjeje do të jetë programi “Rilindja Urbane 2.0”, i cili synon transformimin e shërbimeve dhe infrastrukturës vendore gjatë viteve 2027-2029.

Programi do të mbështetet me financim të plotë dhe do të zbatohet në bashkëpunim me njësitë e vetëqeverisjes vendore, duke synuar modernizimin e bashkive dhe përafrimin e tyre me standardet e Bashkimit Evropian. Ministri nënvizoi se qasja e re e sheh bashkinë si një institucion me rol më të gjerë në zhvillimin ekonomik lokal, përmirësimin e infrastrukturës bazike dhe ofrimin e shërbimeve publike, përfshirë transportin urban dhe ujësjellës-kanalizimet.

Në kuadër të Aktit Normativ për ndryshimet në buxhetin e vitit 2026, ministri njoftoi gjithashtu miratimin e një pakete mbështetëse prej 65 milionë eurosh për fuqizimin e pushtetit vendor. Financimi përfshin 35 milionë euro për përmirësimin e infrastrukturës bazike në territor dhe 30 milionë euro për zbatimin e dy programeve prioritare në mbështetje të bashkive. Prej tyre, 20 milionë euro do të investohen për forcimin e logjistikës dhe infrastrukturës së emergjencave, ndërsa 10 milionë euro do të financojnë një program të ri për përmirësimin e transportit urban.

Sa i përket zbatimit të “Paketës së Maleve”, ministri Demo deklaroi se programi tashmë shtrihet në 50 bashki, të cilat kanë miratuar zonat prioritare për zbatimin e tij. Deri tani janë regjistruar rreth 9 mijë aplikime në të gjithë territorin, ndërsa në katër bashki janë miratuar lejet zhvillimore dhe kanë nisur procedurat e zbatimit. Sipas tij, iniciativa synon të nxisë investimet dhe zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm në zonat malore.