Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 22 Korrik 2026

V E N D I M
PËR
PJESËMARRJEN E PERSONELIT TË FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË ME NJË TOGË KËMBËSORIE,  NË PËRBËRJE TË STRUKTURAVE TË NATO-S, PËR MBROJTJEN E KRAHUT JUGLINDOR TË ALEANCËS (RP-SE), NË KUADËR  TË AKTIVITETEVE TË DDA-SË, NË RUMANI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 7, të   ligjit nr.9363, datë 24.3.2005, “Për dërgimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit, si dhe për mënyrën e procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “ç”, të nenit 11, të ligjit nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dërgimin me mision të një toge këmbësorie, të përbërë nga 30 (tridhjetë) ushtarakë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në përbërje të strukturave të NATO-s, për mbrojtjen e krahut juglindor të Aleancës  (RP-SE), në kuadër të aktiviteteve të DDA-së, në Rumani.
2. Misioni i personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë është kryerja e detyrave në përbërje të Brigadës Shumëkombëshe Juglindore (MNB-SE), në zonën e përcaktuar të përgjegjësisë.
3. Venddislokimi i togës së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë është në strukturat e Brigadës Shumëkombëshe Juglindore, pjesë e Divizionit Shumëkombësh Juglindor të NATO-s, në rajonet Craiova dhe Caracal, në Rumani.
4. Kohëzgjatja e këtij misioni është deri më 15.9.2029, me sistem rotacioni. Periudha e qëndrimit në mision për çdo togë është deri në 6 (gjashtë) muaj, periudhë së cilës i shtohen edhe ditët e qëndrimit për ndërrimin me togën pasardhëse.
5. Ministria e Mbrojtjes, për ushtarakët pjesëmarrës në këtë mision, përballon shpenzimet për:
a) dieta për ditët e qëndrimit në mision, në masën 12 000 (dymbëdhjetë mijë) lekë në ditë, përveç pagës mujore;
b) akomodim;
c) ushqim;
ç) lavanderi;
d) ujë të pijshëm;
dh) energji elektrike;
e) sigurim jete;
ë) siguracion shëndetësor për ditët në udhëtim;
f) siguracion shëndetësor jashtë zonës së misionit;
g) mbështetje shëndetësore;
 gj) shpenzime për telefon, internet dhe shërbime postare;
h) transport të kontingjentit në rrugë tokësore;
i) transport të individëve të shkëputur nga misioni për në atdhe, në rast vdekjeje, sëmundjeje ose thyerjeje disiplinore;
j) aktivitete social-kulturore, në rastet e festave kombëtare, gjatë kryerjes së misionit;
k) çdo shpenzim tjetër për mbarëvajtjen e kryerjes së misionit.
6. Transporti i kontingjentit që merr pjesë në misionin në Rumani, ndërsa nis, ndryshon dhe përfundon detyrën për t’u kthyer në Shqipëri, mbështetja shëndetësore, akomodimi, ushqimi, uji, lavanderia, transporti i individëve të shkëputur nga operacioni për në atdhe, në rast vdekjeje, sëmundjeje ose thyerjeje disiplinore, përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, përveç rasteve kur, në bazë të marrëveshjeve dy ose shumëpalëshe, ku palët janë pjesë, palët e tjera marrin përsipër përballimin e këtyre shpenzimeve.
7. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga fondet e miratuara në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes.
8. Ngarkohet Ministria e Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E KËRKESAVE PËR GJURMUESHMËRINË E BIMËS SË CANNABIS-IT, TË NËNPRODUKTEVE DHE PRODUKTEVE PËRFUNDIMTARE TË SAJ, PËR QËLLIME MJEKËSORE DHE INDUSTRIALE, TË RREGULLAVE PËR ELEMENTET  DHE ETIKETËN E SHENJIMIT, TË PROCEDURËS E TË MËNYRËS SË SHENJIMIT E TË GJURMIMIT, SI DHE TË AUTORITETIT TË AUTORIZUAR PËR REALIZIMIN E SHENJIMIT   E TË GJURMUESHMËRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 34, të ligjit nr.61/2023, “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së cannabis-it dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe të ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Qëllimi i këtij vendimi është të garantojë gjurmueshmërinë e plotë të materialeve të shenjuara të bimës së cannabis-it për qëllime mjekësore dhe industriale, nga importi i materialit mbjellës dhe shumëzues bimor deri në eksport, konfiskim ose asgjësim, duke përfshirë shenjimin (serializimin) dhe identifikimin unik, regjistrimin në kohë reale të ngjarjeve dhe zinxhirin e dokumentuar të posedimit, me synim pajtueshmërinë, mbrojtjen e shëndetit publik dhe parandalimin e devijimit/infiltrimit të paligjshëm.
2. Objekti i këtij vendimi është përcaktimi i kërkesave, elementeve dhe procedurave për shenjimin dhe gjurmimin e materialeve të shenjuara të bimës së cannabis-it për qëllime mjekësore dhe industriale, në të gjitha fazat e veprimtarisë, nga importi i materialit mbjellës dhe shumëzues bimor, kultivimi, përpunimi, prodhimi, magazinimi, transporti deri në eksport, asgjësim apo konfiskim, duke përfshirë marrjen e mostrave për testim, përcaktimi i rregullave dhe specifikimeve të elementeve dhe të etiketës së shenjimit, të mënyrës e të procedurave të shenjimit e të gjurmimit, si dhe përcaktimi i autoritetit të autorizuar për realizimin e shenjimit dhe gjurmueshmërisë.
3. Të gjithë termat e përcaktuar në këtë vendim kanë të njëjtin kuptim me termat e përcaktuar në ligjin nr.61/2023, “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së cannabis-it dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale” (në vijim ligji nr.61/2023). Për efekt të këtij vendimi përkufizimet shtesë kanë këto kuptime:
a) “Asgjësim i etiketave” i referohet asgjësimit fizik të etiketave, i cili realizon dëmtimin e etiketës në mënyrë të pakthyeshme dhe e bën atë të papërdorshme;
b) “Barkod”, një kod vizual linear (1D), i përbërë nga vija të zeza dhe të bardha me trashësi të ndryshme që lejon identifikimin dhe përpunimin e të dhënave në mënyrë elektronike përmes pajisjeve lexuese;
c) “Etiketë”, mjet shenjimi dhe identifikimi i pajisur me teknologjinë RFID, prodhuar dhe shpërndarë nga shoqëria “ALBTrace CO”, sh.a, që përmban barkod ose kod QR dhe të dhëna të tjera, sipas përcaktimeve në këtë vendim dhe që vendoset mbi materialin e shenjuar;
ç) “Fazë”, çdo etapë e aktivitetit, e përcaktuar në ligjin nr.61/2023, që përfshin importin, kultivimin, përpunimin, prodhimin, magazinimin, transportin, eksportin, konfiskimin dhe asgjësimin e produkteve e të nënprodukteve të bimës së cannabis-it për qëllime mjekësore dhe industriale;
d) “Faza të kultivimit”, fazat e zhvillimit të bimës së cannabis-it, që përfshijnë mbjelljen dhe shumimin, periudhën e rritjes intensive të bimës (faza vegjetative), lulëzimin dhe korrjen;
dh)“Kod QR”, një kod dydimensional (2D) në formë matricore, që ruan informacion dhe mund të lexohet nga pajisje lexuese për të aksesuar në kohë reale të dhënat;
e) “Kredenciale të hyrjes”, tërësia e të dhënave të autorizimit për përdorimin e sistemit, që përfshijnë emrin e përdoruesit dhe fjalëkalimin;
ë) “Lot”, një njësi homogjene materiali e përftuar/prodhuar në të njëjtat kushte (origjinë, proces, turn, pajisje dhe interval kohe), e cila identifikohet me një NUI, i cili përdoret për gjurmueshmërinë, marrjen e mostrave dhe vlerësimin e pajtueshmërisë;
f) “Material i shenjuar”, fara, bima mëmë, kloni, fidani, bima, mbetjet,  nënprodukti apo produkti i cannabis-it, si dhe paketimet e tyre në forma të ndryshme (paketa, kontejnerë, thasë etj), të cilët janë të pajisur me etiketë;
g) “Mbetje”, mbetjet apo pjesët e bimëve të cannabis-it mjekësor apo industrial, përfshirë mbetjet pas prodhimit, përpunimit, korrjes apo ato mbi sipërfaqen e tokës, si dhe bimët e mbira vetvetiu dhe ato që nuk përdoren për qëllime tregtimi;
gj)“NUI” (Numri Unik Identifikues), një kod individual i identifikimit që i caktohet çdo materiali të shenjuar, i cili është unik dhe i pandryshueshëm, i gjeneruar dhe i lëshuar nga shoqëria “ALBTrace CO”, sh.a.;
h) “Pajisje lexuese”, pajisja elektronike, e përdorur për të lexuar automatikisht barkodin ose kodin QR të vendosur mbi etiketë dhe mund të jetë:
i. pajisje dore për përdorim manual;
ii. e integruar në një dron ose platformë tjetër monitoruese;
iii. pjesë e një sistemi tjetër të automatizuar për mbledhjen dhe regjistrimin e të dhënave;
i) “RFID” (Identifikimi me Frekuencë Radio), teknologji e identifikimit automatik, që mundëson, nëpërmjet valëve të radios dhe lexuesve elektronikë, leximin në distancë dhe simultan të të dhënave të ruajtuara në etiketën me qark RFID, përfshirë NUI-n. Lexuesi RFID mund të lexojë një ose më shumë etiketa njëkohësisht. Të dhënat e lexuara regjistrohen në sistem;
j) “RFID_EPC “(Electronic Product COde), kodi elektronik i materialit të shenjuar, i ruajtur në memorien EPC të etiketës RFID;
k) “RFID_TID” (Tag Identifier), identifikuesi unik i qarkut RFID, i ruajtur në memorien TID nga prodhuesi i qarkut RFID. Ai është i pashkruajtshëm dhe i pandryshueshëm dhe vërteton autenticitetin dhe lidhjen e përhershme të etiketës fizike me materialin e shenjuar në sistem;
l) “Regjistër”, regjistri kombëtar i aktivitetit të licencuar dhe të lejuar të bimës së cannabis-it, sipas parashikimeve të nenit 13, të ligjit nr.61/2023;
ll)“Sistem”, sistemi i gjurmueshmërisë që siguron gjurmimin, në përputhje me përcaktimet në ligjin nr.61/2023 dhe aktet nënligjore në fuqi;
m) “Subjekt”, subjekti i licencuar apo i lejuar për kultivimin, përpunimin e bimës së cannabis-it dhe prodhimin e nënprodukteve dhe produkteve të  saj për qëllime mjekësore apo industriale;
n) “Terren kultivues”, një material ose përzierje materialesh, natyrore ose të prodhuara, që siguron mbështetje fizike dhe furnizim me ushqyes për rritjen e bimëve, që mund të përfshijë tokë natyrale, torfë, perlit, vermikulit, fibra kokosi apo substrakte të tjera, që krijojnë kushte të përshtatshme për rritjen e bimëve në një ambient kultivues, duke lejuar rregullimin e lagështisë, ajrimit dhe ushqyesve.
4. Autoriteti i autorizuar për realizimin e shenjimit dhe gjurmueshmërisë, sipas ligjit nr.61/2023, “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së cannabis-it dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale”, është shoqëria “ALBTrace Co”, sh.a.
II. KËRKESAT PËR GJURMUESHMËRINË
1. Kërkesat për gjurmueshmërinë zbatohen nga çdo subjekt i licencuar dhe i lejuar, në vijim subjekti, sipas legjislacionit në fuqi, duke përfshirë të gjitha fazat.
2. Gjurmueshmëria garanton përputhshmërinë me rregullat dhe kuadrin ligjor në fuqi, shëndetin publik dhe parandalimin e devijimit dhe infiltrimit të paligjshëm të cannabis-it në zinxhirin e rregulluar, përmes aftësisë rregullatore dhe operacionale për të identifikuar, ndjekur dhe verifikuar në kohë reale origjinën, gjendjen dhe zinxhirin e posedimit të çdo bime, loti dhe pakoje nga fara, kloni, fidani, bima mëmë deri në fazën e asgjësimit, konfiskimit dhe eksportit, duke përdorur identifikues unikë dhe regjistrime të detajuara të ngjarjeve dhe të dhënave në sistem.
3. Gjurmueshmëria realizohet përmes sistemit, i cili siguron regjistrimin dhe pasqyrimin e të dhënave për çdo fazë, duke mundësuar gjurmimin e plotë të bimës së cannabis-it, nënprodukteve dhe produkteve të saj nga origjina deri në eksport, asgjësim ose konfiskim. Sistemi mundëson, gjithashtu, dhe gjurmueshmërinë në drejtim të kundërt, nga faza përfundimtare drejt fazave pararendëse.
4. Për çdo veprim në sistem lidhur me aksesin, ndryshimin, korrigjimin dhe çdo proces tjetër përpunimi të të dhënave duhet të sigurohet gjurmueshmëria, me qëllim garantimin e konfidencialitetit, integritetit, disponueshmërisë, qëndrueshmërisë së sistemit dhe të shërbimeve të përpunimit.
5. Në rastet kur materialit të shenjuar i vendoset një etiketë e re, sipas rregullave të përcaktuara në këtë vendim, NUI i etiketës së re lidhet në sistem me NUI-n e etiketës paraardhëse.
6. Rregullat e administrimit dhe funksionimit të sistemit dhe administrimit të të dhënave janë, si më poshtë vijon:
a) Të dhënat e sistemit, që përfshijnë të dhënat e hedhura në sistem, të gjeneruara prej tij apo të shkëmbyera me databaza/sisteme të tjera, janë të dhëna shtetërore;
b) Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it, në vijim Agjencia:
i. është administrator i vetëm i të dhënave që mban sistemi apo gjenerohen prej tij, si dhe ka akses të plotë për miratimin e veprimeve në sistem lidhur me menaxhimin e të dhënave;
ii. përcakton qëllimet dhe mënyrat e përpunimit të tyre;
iii. ushtron funksionet e mbikëqyrjes, kontrollit dhe inspektimit mbi realizimin e detyrimeve ligjore në lidhje me shenjimin dhe gjurmueshmërinë, si dhe për zbatimin e këtij vendimi;
iv. miraton manualin teknik të sistemit, të hartuar nga shoqëria “ALBTrace CO”, sh.a.;
c) Shoqëria “ALBTrace CO”, sh.a.,:
i. mundëson shenjimin dhe gjurmimin, në kuptim të përcaktimeve në ligjin nr.61/2023 dhe sipas përcaktimeve në këtë vendim;
ii. është ofrues dhe administrator teknik i sistemit të gjurmimit, si dhe përgjegjës për aspektet teknike dhe të sigurisë së sistemit;
iii. është përgjegjës për marrjen e masave teknike dhe organizative për garantimin e sigurisë së sistemit, gjurmimin e aksesit dhe ndryshimeve në sistem, ruajtjen e log-eve dhe auditimin periodik të sistemit;
iv. garanton dhe është përgjegjës për sigurinë, integritetin e të dhënave dhe të aspekteve teknike për ruajtjen e tyre, si dhe parandalon çdo akses të paautorizuar ose humbje të të dhënave;
v. garanton zbatimin e kërkesave për sigurinë, shenjimin dhe gjurmimin, në përputhje me afatet dhe përcaktimet në kuadrin ligjor në fuqi;
vi. ofron shërbimin e pandërprerë ndaj përdoruesve të sistemit dhe Agjencisë, si dhe ndërhyrjen e menjëhershme për zgjidhjen e problematikave;
vii. ofron pa pagesë trajnimet fillestare dhe periodike për subjektet dhe Agjencinë për mënyrën e shenjimit, përdorimit dhe funksionimit të sistemit, si dhe për çdo përditësim që kryhet;
viii. ofron shërbimin e asistencës teknike në distancë dhe në vend   nga ora 8.00-18.00. Ndërhyrja jashtë këtij orari ofrohet për raste kritike, sipas përcaktimeve në manualin teknik të sistemit;
ix. nuk mund të ndryshojë apo të fshijë asnjë të dhënë, pa miratimin paraprak të Agjencisë;
x. vendos në dispozicion pajisjet lexuese për subjektet dhe Agjencinë, të cilat duhet të jenë teknikisht të pajtueshme me sistemin dhe, në rast defektesh, kryen zëvendësimin e tyre brenda 2 (dy) ditëve punë. Në rastet kur zëvendësimi kërkohet për defekte që shkaktohen nga pakujdesia e subjektit, ai paguan koston e pajisjes së re. Për Agjencinë, pajisjet, mirëmbajtja dhe zëvendësimi i tyre duhet të ofrohen pa pagesë nga shoqëria “ALBTrace CO”, sh.a., duke garantuar vënien në dispozicion të tyre, për jo më pak se 6 (gjashtë) grupe monitoruese;
xi. krijon kredencialet hyrëse në sistem për Agjencinë dhe subjektet, sipas procedurave të përcaktuara në kreun IV të këtij vendimi;
xii. siguron shkëmbimin në kohë reale të të dhënave mes sistemit dhe regjistrit dhe anasjelltas, duke garantuar sinkronizimin dypalësh të informacionit;
xiii. me kërkesë të Agjencisë krijon modulet e raporteve, duke e mundësuar gjenerimin e tyre automatikisht dhe drejtpërdrejt nga sistemi;
xiv. harton manualin teknik të sistemit, në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi dhe ia përcjell për miratim Agjencisë;
xv. sipas kërkesës së Agjencisë, vë në dispozicion lexues të integrueshëm me teknologji që mundësojnë leximin simultan dhe deduplikimin e shumë etiketave në të njëjtën kohë, në ambient të hapur, të mbrojtur apo të mbyllur, me mjete teknologjike të siguruara nga Agjencia në bazë të nevojave të saj.
ç) Sistemi siguron:
i. regjistrimin dhe gjurmimin e materialit të shenjuar, si dhe aksesin përmes aplikacioneve mobile dhe ndërfaqeve API;
ii. pasqyrimin në regjistër në kohë reale të të dhënave të administruara prej tij;
iii. regjistrimin dhe ruajtjen e identifikuesve RFID_EPC dhe RFID_TID për çdo etiketë dhe lidhjen e tyre me NUI-n përkatës;
iv. ruajtjen e log-eve të auditueshme dhe të pamodifikueshme, aksesin e bazuar në role të autorizuara dhe ruajtjen e të gjitha të dhënave sipas parashikimeve në kuadrin ligjor në fuqi dhe procedurave të detajuara në manualin teknik të sistemit;
v. funksionalitete të sinjalizimit automatik për shoqërinë “ALBTrace CO”, sh.a., dhe Agjencinë, që evidentojnë mospërputhjen me kuadrin ligjor në fuqi, sipas kërkesës së Agjencisë;
vi. që të dhënat dhe regjistrimet, që lidhen me veprimet e përdoruesve në sistem, të ruhen me qëllim auditimin e tyre për të gjithë periudhën e vlefshmërisë së licencës apo lejes, përfshirë dhe rinovimet, dhe deri në 20 (njëzet) vjet pas përfundimit të licencës, lejes dhe rinovimit të tyre;
vii. gjenerimin automatik, të raporteve dhe statistikave, sipas formateve të kërkuara nga Agjencia;
viii. raportimin, sinjalizimin e mospërputhjeve dhe gjendjen e inventarit, si dhe shkëmbimin në kohë reale dhe automatik të të dhënave me regjistrin apo platforma, sisteme, programe të tjera specifike të miratuara nga Agjencia.
7. Ndalohen përpunimi dhe shkëmbimi i të dhënave personale për qëllime të tjera nga ato të përcaktuara në këtë vendim, si dhe përpunimi i kategorive të të dhënave që nuk janë të domosdoshme për realizimin e funksioneve ligjore të Agjencisë dhe shoqërisë “ALBTrace CO”, sh.a.
8. Sistemi përmban këto kategori të dhënash personale:
a) Gjenealitetet e përfaqësuesit të subjektit;
b) Të dhëna identifikuese të punonjësve të subjekteve;
c) Të dhëna identifikuese të përdoruesve të autorizuar të sistemit;
ç) Gjenealitetet e drejtuesit të automjetit që kryen transportin e produkteve;
d) Gjenealitetet e nënshkruesit të pritësit të materialit të transportuar.
9. Shoqëria “ALBTrace CO”, sh.a., në cilësinë e administratorit teknik të sistemit, merr masat e nevojshme teknike dhe organizative për garantimin e sigurisë, integritetit dhe konfidencialitetit të të dhënave personale, në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.
10. Siguria kibernetike e sistemit garantohet, në përputhje me parashikimet e ligjit nr.25/2024, “Për sigurinë kibernetike”.
11. Përpunimi dhe mbrojtja e të dhënave personale kryhen në zbatim të ligjit nr.124/2024, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”.
12. Në rast të forcës madhore, pushimit të aktivitetit, falimentimit apo krijimit të situatave të konfliktit të interesit, që pengojnë ushtrimin e funksioneve sipas këtij vendimi ose ligjit nr.61/2023, shoqëria “ALBTrace CO”, sh.a., ka detyrimin që të informojë menjëherë me shkrim Agjencinë dhe të bashkëpunojë plotësisht me qëllim që, brenda 10 (dhjetë) ditëve punë nga krijimi i situatës, të sigurohet transferimi i të gjitha të dhënave dhe dokumentacionit që përmban sistemi. Gjatë periudhës së situatës, shoqëria “ALBTrace CO”, sh.a., ka detyrimin të sigurojë vazhdimësinë e shërbimit për sa kohë vendos Agjencia dhe ndërkohë të mundësojë akses të plotë, transferim të log-eve dhe backup-eve çdo pale të re, të përcaktuar nga autoritetet. Në të gjitha rastet e konfliktit të interesit të konstatuara ligjërisht, Agjencia merr kompetencë të plotë për të urdhëruar dorëzimin ose transferimin e sistemit, të të dhënave, dokumentacionit teknik dhe pajisjeve të lidhura me funksionimin e sistemit.
13. Tipologjitë e nivelit të aksesit në sistem përcaktohen, si më poshtë vijon:
a) Administratori teknik i sistemit është përgjegjës për aspektet teknike dhe të sigurisë së sistemit dhe nuk ka të drejta regjistrimi apo modifikimi të të dhënave, përveç rasteve të gjenerimit të NUI-ve të paaktivizuara nga sistemi, në vijim të porosisë së kryer, si dhe të rasteve të nevojshme për konfigurime të platformës, rrjeteve apo ndërhyrjeve të tjera në lidhje me sistemin kur për këto jepet autorizim nga Agjencia;
b) Administratori i të dhënave është përgjegjës për krijimin dhe administrimin e të gjithë përdoruesve, mbikëqyrjen, si dhe gjenerimin e raporteve e të statistikave. Administratori gëzon të drejtat e të gjitha niveleve të tjera si regjistrues dhe shikues;
c) Regjistruesi është përgjegjës për hedhjen e të dhënave dhe dokumentacionit dhe mban përgjegjësi për vërtetësinë e të dhënave që regjistron. Regjistruesi ka të drejtë të shikojë të dhëna ekzistuese dhe të gjenerojë nga sistemi analiza, statistika dhe raporte të të dhënave të aksesueshme prej tij. Regjistruesi mund të modifikojë ose të fshijë të dhënat e hedhura në mënyrë të pasaktë, duke dhënë arsyet përkatëse, brenda 24 (njëzet e katër) orëve nga hedhja e tyre. Pas mbarimit të këtij afati, modifikimi mund të kryhet vetëm nga administratori i të dhënave, me kërkesë të regjistruesit. Çdo mosraportim i gabimeve brenda këtij afati konsiderohet shkelje për subjektin;
ç) Shikuesi ka akses vetëm për leximin e të dhënave, pa të drejtë ndërhyrjeje, gjenerimi të raporteve apo modifikimi.
14. Aksesimi i sistemit realizohet nëpërmjet roleve të përcaktuara të përdoruesve, me nivele të diferencuara aksesi, në përputhje me detyrat e tyre funksionale.
15. Të dhënat, që merren nga regjistri, mund të shikohen, por nuk mund të modifikohen apo të fshihen nga përdoruesit dhe administratorët e sistemit dhe të të dhënave.
16. Auditimi i sistemit:
a) Sistemi i gjurmueshmërisë do t’i nënshtrohet auditimeve periodike të pavarura nga subjekte të licencuara të auditimit të teknologjisë së informacionit, të ndryshme nga shoqëria “ALBTrace CO”, sh.a., dhe çdo aktor tjetër me konflikt interesi. Auditimet kryhen jo më pak se një herë në vit, sipas një plani të miratuar nga Agjencia;
b) Raportet e auditimit i dorëzohen Agjencisë.
17. Në rast ndryshimi të autoritetit të autorizuar për shenjimin dhe gjurmimin, shoqëria “ALBTrace CO”, sh.a., është e detyruar të transferojë të gjitha të dhënat e sistemit, përfshirë log-et dhe backup-et, autoritetit të ri brenda 10 (dhjetë) ditëve punë nga data e përfundimit të kontratës ose nga marrja e njoftimit zyrtar, duke dorëzuar të gjitha evidencat e integritetit të log-eve dhe të backup-eve, të shoqëruara me procesverbal transferimi, të nënshkruar nga të dyja palët, në përputhje me standardet ndërkombëtare të sigurisë së të dhënave.
III. RREGULLAT PËR ELEMENTET DHE ETIKETËN E SHENJIMIT
1. Shenjimi kryhet nëpërmjet një etikete, e cila përmban elementet e përcaktuara në këtë vendim dhe vendoset në materialin e shenjuar, sipas rregullave të përcaktuara në manualin teknik të sistemit.
2. NUI është elementi bazë, që lidh barkodin/kodin QR të vendosur në etiketë me të dhënat përkatëse në sistem, duke mundësuar që etiketa të pasqyrojë në kohë reale informacionin e plotë lidhur me materialin e shenjuar në sistem.
3. Etiketa:
a) shërben për identifikimin unik dhe gjurmimin e materialit të shenjuar në të cilin është vendosur, nga origjina deri në fazën fundore të eksportit, konfiskimit apo asgjësimit;
b) është unike, e pareplikueshme, nuk mund të hiqet pa u shkatërruar, si dhe nuk mund të rivendoset pas heqjes;
c) mundëson leximin, edhe pa linjë të drejtpërdrejtë shikimi, dhe shkarkimin e të dhënave përmes barkodit/kodit QR dhe RFID të integruar. Etiketa mundëson:
i. lexim manual selektiv (një etiketë e vetme) nga punonjësi;
ii. lexim të automatizuar në grup të etiketave brenda një zone pune nga pajisje lexuese të autorizuara;
iii. lexim të RFID nga platforma ajrore pa pilot në një distancë të përshtatshme për mbulimin e sipërfaqeve të mëdha;
ç) është e lidhur elektronikisht me etiketat pararendëse dhe pasrendëse nëpërmjet NUI-t;
d) është e ndërtuar, si më poshtë vijon:
i. Në rastet e shenjimit të klonëve, fidanëve, bimës mëmë dhe bimëve të rritura, është e përbërë nga 2 (dy) elemente: etiketa dhe fasheta lidhëse;
ii. Në rastet e shenjimit të paketave, materialeve të ambalazhuara dhe kontejnerëve, ngjitet mbi ambalazh, si dhe përbëhet nga 2 (dy) pjesë me të njëjtin barkod/QR kod secila, njëra prej të cilave është e shkëputshme;
dh) është e personalizuar me ngjyrë të dallueshme sipas qëllimit të kultivimit:
i. mjekësor;
ii. industrial për përftimin e lules;
iii. industrial për përftimin e farës/fibrës;
e) është e lexueshme dhe e përshtatshme në dimensione, sipas formës dhe llojit të materialit të shenjuar, të cilat përcaktohen në manualin teknik të sistemit;
ë) përmbush karakteristikat teknike, si më poshtë vijon:
i. Përbëhet prej materiali të qëndrueshëm dhe rezistent ndaj ujit/lagështirës, nxehtësisë, rrezeve UV, duke ruajtur lexueshmërinë dhe paprekshmërinë e elementeve të shenjimit në të gjitha kushtet ambientale;
ii. Përmban elemente të sigurisë kundër falsifikimit;
iii. Siguron përputhshmëri me standardet ndërkombëtare të aplikueshme dhe të detyrueshme për zbatim nga Bashkimi Evropian;
f) Në sistem mund të marrë statusin:
i. e paaktivizuar;
ii. e aktivizuar;
iii. e çaktivizuar;
4. Etiketa përmban të dhënat e dukshme dhe të lexueshme, si më poshtë vijon:
a) Emërtimin e subjektit;
b) Numrin e porosisë së etiketave;
c) Numrin e licencës/lejes;
ç) Vendndodhjen (njësia administrative, qyteti dhe rrethi i njësisë së prodhimit);
d) Barkodin/kodin QR;
dh)NUI-n;
e) Qëllimin e kultivimit;
ë) Logon e shoqërisë “ALBTrace CO”, sh.a.
5. Etiketa mundëson leximin në kohë reale, përmes leximit të barkodit, kodit QR,  të të dhënave në lidhje me materialin e shenjuar ku ajo është vendosur, të regjistruara në sistem, si më poshtë vijon:
a) Të dhëna të përgjithshme, që përfshijnë etiketën, llojin e materialit të shenjuar, fazën aktuale ku ndodhet materiali dhe gjenealitetet e subjektit;
b) Të dhënat e fazës së importit, që përfshijnë sasinë, numrin e lot-it, datën, dhe skadencën;
c) Të dhënat e procesit të kultivimit, që përfshijnë fazën vegjetative dhe korrjen (ku pasqyrohen data e procesit, aditivët e përdorur, numrat e lot-it, sasitë e përftuara dhe mbetjet e formuara);
ç) Të dhënat e procesit të përpunimit, që përfshijnë sasitë e përftuara dhe mbetjet e formuara, lëndët kimike të përdorura, datën dhe llojin e përpunimit;
d) Të dhënat e procesit të paketimit, që përfshijnë datën e paketimit, llojin e ambalazhit, sasinë dhe peshën e produkteve/nënprodukteve të paketuara, datën e skadencës;
dh)Të dhënat e procesit të konfiskimit;
e) Të dhënat e procesit të asgjësimit, që përfshijnë numrin dhe datën e dokumentit të konfirmimit të asgjësimit nga Agjencia, përmbajtjen e THC-së së materialit që do të asgjësohet, datën, orën e asgjësimit, sasinë dhe peshën e materialit të asgjësuar;
ë) Të dhënat e fazës së eksportit, që përfshijnë numrin dhe datën e autorizimit të eksportit, pikën doganore dalëse nga territori shqiptar, datën dhe orën e mbërritjes në pikën doganore, si dhe destinacionin;
f) Të dhënat e transferimeve, që përfshijnë dokumentin e transportit me të gjitha të dhënat e lëvizjeve nga të cilat gjenerohet ky dokument.
6. Subjekti është i detyruar të përdorë vetëm etiketa të pajisura me elemente të sigurisë dhe identifikimit, të prodhuara dhe të lëshuara nga shoqëria “ALBTrace CO”, sh.a.
7. Përdorimi i etiketave të lëshuara për një subjekt tjetër, i ndryshëm nga subjekti për të cilin janë prodhuar etiketat, është i ndaluar.
IV. PROCEDURA DHE MËNYRA E SHENJIMIT DHE GJURMIMIT
1. Subjektit i jepet e drejta e aksesit dhe përdorimit të sistemit, të cilën duhet ta ushtrojë në përputhje me rregullat e përcaktuara nga legjislacioni në fuqi dhe rregullat e parashikuara në manualin teknik të sistemit.
2. Për dhënien e së drejtës së aksesit dhe përdorimit të sistemit ndiqen procedurat e mëposhtme:
a) Subjekti paraqet kërkesën për krijimin e llogarive të punonjësve, sipas roleve për çdo fazë apo proces, të cilët përfaqësojnë subjektin në lidhje me veprimet që do të kryhen në sistem;
b) Agjencia shqyrton brenda 2 (dy) ditëve punë kërkesën dhe i përcjell, nëpërmjet regjistrit, shoqërisë “ALBTrace CO”, sh.a., njoftimin për miratimin e kërkesës dhe krijimin e kredencialeve për subjektin;
c) Shoqëria “ALBTrace CO”, sh.a., aktivizon aksesin në sistem, sipas tipologjisë së aksesit, brenda 24 (njëzet e katër) orëve, dhe i përcjell subjektit kredencialet përkatëse përmes e-mail-it, të përcaktuara prej tij në kërkesë.
3. Përdorimi i sistemit nga punonjësit e subjektit kufizohet vetëm në fazën/procesin apo veprimet për të cilat ata janë të autorizuar.
4. Subjekti është përgjegjës për çdo veprim të kryer në sistem nga punonjësit e autorizuar prej tij.
5. Subjekti, pasi është pajisur me kredencialet hyrëse të sistemit, kërkon pajisjen me etiketa.
6. Agjencia, pasi vlerëson kërkesën e subjektit, aprovon ose refuzon kërkesën për t’u pajisur me etiketa, brenda 2 (dy) ditëve punë nga data e marrjes së saj, si dhe njofton shoqërinë “ALBTrace CO”, sh.a., për miratimin e kërkesës.
7. Shoqëria “ALBTrace CO”, sh.a., lëshon faturën përkatëse për porosinë e kryer dhe i dorëzon subjektit etiketat jo më vonë se 2 (dy) ditë pune nga kryerja e pagesës së faturës.
8. Subjekti ka të drejtë të porosisë etiketa rezervë për secilën lloj etikete. Etiketat rezervë mbahen nga subjekti të paaktivizuara në një vend të sigurt në njësinë e prodhimit dhe mund të përdoren vetëm pas miratimit nga Agjencia dhe aktivizimit të tyre në sistem, sipas rregullave të përcaktuara në këtë vendim.
9. Shoqëria “ALBTrace CO”, sh.a., gjeneron NUI-t me statusin “e paaktivizuar”, printon etiketat përkatëse dhe kryen dorëzimin e etiketave, sipas një prej mënyrave vijuese:
a) Duke ia dorëzuar një përfaqësuesi të autorizuar të subjektit, i cili paraqitet pranë zyrave të shoqërisë “ALBTrace CO”, sh.a.;
b) Duke ia përcjellë subjektit përmes një ofruesi shërbimesh postare, i cili është i autorizuar për këtë qëllim nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP).
10. Etiketa është e integruar në sistem dhe mundëson që çdo lexim të verifikohet kundrejt statusit të etiketës dhe politikave të vlefshmërisë së saj.
11. Subjekti, pasi merr në dorëzim etiketat, i vendos ato në materialin që do të shenjohet dhe kryen aktivizimin e tyre në sistem, menjëherë pas aplikimit. Etiketat, që nuk janë aktivizuar, konsiderohen etiketa rezervë dhe regjistrohen me këtë status në sistem.
12. Mënyra e aplikimit të etiketës kryhet, sipas përcaktimeve të manualit teknik të sistemit.
13. Në rast humbjeje, vjedhjeje, dëmtimi apo identifikimi të etiketave defektoze, subjekti apo shoqëria “ALBTrace CO”, sh.a., njofton menjëherë Agjencinë, duke specifikuar NUI-n e secilës etiketë, RFID_EPC dhe RFID_TID, kur është e disponueshme, si dhe ndryshon statusin në sistem në “e çaktivizuar”.
a) Nëse etiketa e humbur gjendet nga subjekti, njoftohet menjëherë shoqëria “ALBTrace CO”, sh.a., dhe Agjencia. Në këtë rast, etiketa e humbur i kthehet shoqërisë “ALBTrace CO”, sh.a., jo më vonë se 2 (dy) ditë pune nga gjetja. Kostot e transportit në këtë rast mbulohen nga subjekti.
b) Në rast konstatimi të etiketave të dëmtuara ose defektoze, subjekti ia kthen ato shoqërisë “ALBTrace CO”, sh.a., jo më vonë se 2 (dy) ditë pune nga njoftimi. Kthimi realizohet në të njëjtën mënyrë si dorëzimi. Shoqëria “ALBTrace CO”, sh.a., zëvendëson pa pagesë sasinë e etiketave kur përgjegjës për dëmtimin apo defektin është shoqëria “ALBTrace CO”, sh.a. Kostot e transportit në këtë rast mbulohen nga shoqëria “ALBTrace CO”, sh.a. Në rast faji të subjektit, ky i fundit mban koston e etiketave të reja. Për çdo zëvendësim regjistrohet lidhja e EPC/TID pararendës me EPC/TID të ri dhe arsyeja e ndryshimit.
14. Sistemi sinjalizon menjëherë kur identifikon lexime të etiketave me status “e çaktivizuar”, si edhe çdo mospërputhje ndërmjet RFID_EPC, RFID_TID dhe NUI/barkod/QR kod për të njëjtin material të shënjuar.
15. Në rastet e vendosjes së një etikete të re, sistemi regjistron lidhjen e NUI-t të ri me NUI-n pararendës, si dhe arsyen e vendosjes së etiketës së re.
16. Në përfundim të çdo faze, si dhe pas çdo procesi, që ndryshon kushtet e kultivimit, subjekti regjistron në sistem statusin përkatës të materialit të shenjuar dhe ndryshimet përkatëse. Në rastet kur vendoset një etiketë e re, etiketa e fazës paraardhëse çaktivizohet menjëherë nga subjekti.
17. Procedura e vendosjes së etiketave më qëllim gjurmimin në mënyrë të vazhdueshme dhe të pandërprerë sipas fazave, si dhe përditësimi i statusit në sistem kryhet nga subjekti sipas rregullave vijuese:
a) Gjatë procesit të importit, vendoset etiketa në varësi të llojit të produktit të importuar, si dhe përditësohet statusi dhe të dhënat në sistem që lidhen me etiketën:
i. Për farërat, etiketa vendoset mbi ambalazhin që prek drejtpërdrejt farat;
ii. Për çdo fidan, bimë mëmë dhe klon aplikohet etiketë e veçantë identifikuese;
iii. Për klonin, etiketa vendoset në terrenin kultivues, duke siguruar identifikimin që në fazën e hershme të rritjes;
iv. Për bimën mëmë dhe fidanin, etiketa lidhet në degëzimin e fundit të kërcellit kryesor, në bazën e bimës, duke shmangur kontaktin me terrenin;
b) Gjatë fazave të kultivimit përditësohet statusi dhe të dhënat që lidhen me etiketën në sistem. Mënyra e vendosjes së etiketës në materialet e shenjuara realizohet, si më poshtë vijon:
i. Gjatë mbjelljes dhe shumimit:
i.1. Për farërat e mbjella, subjekti vendos një etiketë mbi terrenin kultivues të parashikuar për rritjen e një numri maksimal prej 100 (njëqind) bimësh, me NUI të lidhur me atë të pakos së farërave të importuara. Etiketa e shoqëron këtë lot deri në fazën e mbirjes dhe kalimit në fidanë. Çdo bimë e re pajiset me një etiketë individuale të vendosur në terrenin kultivues, e cila lidhet me NUI-n e etiketës së lotit të kultivimit pararendës;
i.2. Kur klonet dhe fidanët e importuar transferohen në ambientin e kultivimit, ata pajisen me një etiketë individuale. Në rastin e klonit, etiketa vendoset në terrenin kultivues. Në rastin e fidanit etiketa vendoset në kërcellin e bimës. Etiketa e klonit apo fidanit lidhet me etiketën e lotit të importit;
i.3. Nëse përdoret klon i përftuar nga bima mëmë e kultivuar për të krijuar klone përmes shumimit vegjetativ në njësinë e prodhimit, subjekti aplikon një etiketë individuale të vendosur në terrenin kultivues, NUI i së cilës lidhet me NUI-n e etiketës së bimës mëmë;
ii. Gjatë rritjes intensive të bimës (faza vegjetative), pasi kloni apo fidani i mbirë apo i importuar të arrijë gjatësinë mbi 20 cm, për të mbajtur peshën e etiketës, ajo lidhet në degëzimin e fundit të kërcellit kryesor, në bazën e çdo bime, duke shmangur kontaktin me terrenin. Etiketa  vendoset në mënyrë që të jetë qartësisht e dukshme, e pastër nga papastërtitë dhe mbeturinat, si dhe e lexueshme në çdo kohë nga pajisjet lexuese. Kjo etiketë e shoqëron bimën deri në procesin e korrjes, asgjësimit apo konfiskimit, pa u hequr apo spostuar. Subjekti përditëson statusin e bimës në sistem, duke evidentuar dhe vendndodhjen e bimës në njësinë e prodhimit;
iii. Në rastin e cannabis-it mjekësor dhe cannabis-it industrial për përftimin e lules, me fillimin e lulëzimit, subjekti përditëson statusin në sistem;
iv. Në rastin e cannabis-it industrial për përftimin e farës, me fillimin e formimit të farës, subjekti përditëson statusin në sistem;
v. Kur bimët korren, subjekti i vendos një etiketë të re për lotin e korrur, NUI i së cilës lidhet në sistem me NUI-t e bimëve të korrura;
c) Gjatë fazës së përpunimit përditësohet statusi dhe të dhënat që lidhen me etiketën e lotit në sistem. Kur nga pastrimi dhe përpunimi krijohen mbetje për asgjësim, ato duhet të etiketohen me një etiketë, NUI i së cilës lidhet me NUI-n e materialit të shenjuar prej të cilit shkëputet, si më poshtë vijon:
i. Nëse materiali është cannabis mjekësor apo cannabis industrial për përftimin e lules, pas procesit të korrjes, bimët e korrura vendosen në dhomat e tharjes dhe regjistrohet ndryshimi i statusit në sistem. Pas tharjes, materiali pastrohet, përpunohet dhe ndahet në lule të thata dhe mbetje për asgjësim, ku secili lot pajiset me etiketë të re, të lidhur me NUI-n pararendës dhe regjistrohet në sistem me peshën e tij përkatëse, duke specifikuar statusin dhe destinacionin (përpunim i mëtejshëm, testim, magazinim ose asgjësim);
ii. Nëse materiali është cannabis industrial, i destinuar për përftimin e fibrave, ai i nënshtrohet pastrimit dhe ndarjes para tharjes, duke u ndarë në material për përpunim dhe në mbetje për asgjësim, ku secili lot pajiset me etiketë të re, të lidhur me NUI-n pararendës, dhe regjistrohet në sistem me peshën e tij përkatëse, duke specifikuar statusin dhe destinacionin (përpunim i mëtejshëm, testim, magazinim ose asgjësim). Pas pastrimit dhe ndarjes nga pjesët e tjera, nëse kërcelli i bimës i nënshtrohet një procesi përpunimi, përditësohet statusi i ri në sistem;
iii. Nëse materiali është cannabis industrial, i destinuar për përftimin e farave, ai i nënshtrohet pastrimit dhe ndarjes pas procesit të tharjes, duke u ndarë në fara dhe mbetje për asgjësim, ku secili lot pajiset me etiketë të re, të lidhur me NUI-n e materialit pararendës. Çdo lot regjistrohet në sistem me peshën e tij përkatëse, duke specifikuar statusin aktual dhe destinacionin (përpunim i mëtejshëm, testim, magazinim ose asgjësim);
iv. Materialet e përpunuara hyjnë në proces prodhimi si lot-e të pajisura me etiketë ekzistuese, të cilave u përditësohet statusi dhe të dhënat në sistem kur nuk ndodh ndarja, bashkimi ose transformimi i tyre. Çdo proces, që sjell ndarje, bashkim ose transformim të materialit, regjistrohet në sistem si lot i ri me statusin përkatës, i pajisur me NUI-n që lidhet me atë të lotit/loteve pararendës/e;
ç) Gjatë fazës së magazinimit, transportit të brendshëm, nëse nuk ka ndryshim sasie ose forme, nuk gjenerohet etiketë e re dhe ndryshohet vetëm statusi dhe të dhënat në sistem, duke evidentuar dhe vendndodhjen e materialit të shenjuar. Çdo veprim/proces që sjell ndarje apo bashkim të materialit regjistrohet në sistem si lot i ri me etiketën përkatëse;
d) Gjatë fazës së asgjësimit ndiqet procedura vijuese:
i. Subjekti evidenton materialet për asgjësim dhe, pas marrjes së miratimit nga Agjencia, përditëson statusin dhe të dhënat që lidhen me etiketën në sistem;
ii. Transporti i materialeve që do të asgjësohen në destinacionin përkatës (landfill apo incenerator) kryhet, sipas përcaktimeve në shkronjën “e” të kësaj pike;
iii. Etiketa shkatërrohet bashkë me materialin e shenjuar dhe çaktivizohet në sistem menjëherë pas shkatërrimit, duke mbyllur ciklin e gjurmueshmërisë;
dh) Gjatë fazës së konfiskimit të materialeve të shenjuara përditësohet statusi dhe të dhënat që lidhen me etiketën në sistem, duke ndjekur procedurën vijuese:
i. Agjencia regjistron në sistem statusin e ri të materialit të konfiskuar (nëse ky material është i regjistruar në sistem), numrin dhe datën e urdhrit të konfiskimit, si dhe përshkrimin e materialit dhe gjendjen aktuale të tij;
ii. Për materialet e konfiskuara që do të asgjësohen, ndiqet procedura e përcaktuar në shkronjën “d” të kësaj pike;
e) Për materialin që do të transportohet, pas marrjes së autorizimit nga Agjencia, subjekti ndryshon statusin në sistem dhe plotëson dokumentin e transportit;
ë) Për materialin, që do të eksportohet, pas marrjes së autorizimit, subjekti përditëson të dhënat që lidhen me etiketën në sistem.
18. Procedura për asgjësimin e etiketave të dëmtuara (fizikisht apo funksionalisht) është, si më poshtë vijon:
a) Për sasinë e etiketave, për të cilat kërkohet asgjësimi fizik, subjekti i drejtohet me kërkesë Agjencisë, duke specifikuar dhe arsyet përkatëse në lidhje me kërkesën. Kërkesa shoqërohet me fotografi ose pamje filmike;
b) Agjencia shqyrton kërkesën e subjektit për asgjësimin e etiketave dhe, brenda 5 (pesë) ditëve punë nga data e marrjes së saj, miraton ose refuzon kërkesën, duke e njoftuar subjektin. Në rast miratimi të kërkesës, Agjencia njofton shoqërinë “ALBTrace CO”, sh.a. Subjekti merr masa për dërgimin te shoqëria “ALBTrace CO”, sh.a., brenda 2 (dy) ditëve punë nga marrja e konfirmimit nga Agjencia të etiketave, për të cilat është aprovuar asgjësimi. Dërgimi i etiketave kryhet sipas mënyrave të përcaktuara në pikën 9, të këtij kreu;
c) Shoqëria “ALBTrace CO”, sh.a., kryen procedurën e asgjësimit, e dokumenton atë nëpërmjet procesverbalit, i cili ngarkohet në regjistër, si dhe njofton Agjencinë pas përfundimit të procesit. Etiketat e çaktivizuara ruhen në sistem me këtë status, ku evidentohet dhe arsyeja përkatëse e asgjësimit. Ky proces përfundon brenda 2 (dy) ditëve punë nga marrja e etiketave për asgjësim.
19. Subjektet janë përgjegjës për hedhjen e të gjitha të dhënave në sistem, sipas parashikimeve në ligjin nr.61/2023 dhe aktet nënligjore në fuqi, si dhe përcaktimeve në këtë vendim. Moshedhja e tyre në kohën e duhur dhe/ose jo në përputhje me situatën reale përbën shkelje për subjektin. Agjencia, kur konstaton se të dhënat e hedhura apo të modifikuara nga subjekti nuk janë të sakta, e konstaton atë përmes procesverbalit përkatës, i cili ngarkohet në regjistër. Sistemi mundëson korrigjimin e të dhënës përkatëse, sipas autorizimit të Agjencisë.
20. Të gjitha proceset, pajisjet identifikuese, etiketat (barkod, QR kod, RFID), sistemet e të dhënave, si dhe procedurat e sigurisë dhe ruajtjes së informacionit të sistemit realizohen dhe verifikohen, në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare të vlefshme dhe të detyrueshme për këtë fushë, si dhe çdo standard të Bashkimit Evropian në fushën e identifikimit, sigurisë, enkriptimit dhe gjurmueshmërisë. Pajisjet, aplikacionet dhe proceset duhet të jenë të certifikuara ose përputhshmëria e tyre me këto standarde përpara implementimit dhe gjatë funksionimit të sistemit duhet të jetë e verifikueshme.
V. DISPOZITA TË FUNDIT
1. Të dhënat shtesë në sistem, përveç atyre të përcaktuara në këtë vendim, realizohen nga autoriteti përgjegjës i autorizuar për shenjimin dhe gjurmueshmërinë, mbi bazë të një kërkese të argumentuar nga entitetet përgjegjëse, si dhe pas miratimit nga Agjencia të kërkesës dhe mënyrës së implementimit. Efektet financiare për realizimin e ndryshimeve të kërkuara përballohen nga buxheti i entitetit kërkues, përveç rasteve kur këto ndryshime realizohen në kuadër të pjesëmarrjes në projekte kombëtare apo ndërkombëtare.
2. Shoqëria “ALBTrace CO”, sh.a., kryen të gjithë hapat e nevojshëm me qëllim finalizimin dhe miratimin e manualit teknik të sistemit.
3. Vendimi nr.393, datë 10.7.2025, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e     autoritetit të autorizuar për realizimin e shenjimit dhe gjurmueshmërisë”, shfuqizohet.
4. Ngarkohen shoqëria “ALBTrace CO”, sh.a., Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it, si dhe subjektet e licencuara dhe të lejuara për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE, TË PROCEDURAVE    E TË MASËS SË KOMPENSIMIT NË RASTET E PLAGOSJES   DHE DËMTIMIT TË SHËNDETIT TË PUNONJËSVE TË POLICISË SË SHTETIT, SI DHE PËR PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE E TË PROCEDURËS SË TRAJTIMIT TË FAMILJARËVE   TË PUNONJËSVE TË POLICISË SË SHTETIT QË HUMBIN JETËN PËR SHKAK TË DETYRËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 108, pika 2, e 111,   pika 2,  të ligjit nr.82/2024, “Për Policinë e Shtetit”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Ky vendim ka objekt përcaktimin e rregullave, të procedurave e të masës së kompensimit në rastet e plagosjes dhe dëmtimit të shëndetit të punonjësve të Policisë së Shtetit, si dhe përcaktimin e rregullave e të procedurës së trajtimit të familjarëve të punonjësve të Policisë së Shtetit që humbin jetën për shkak të detyrës.
2. Në kuptim të këtij vendimi, me pjesëtar të familjes së punonjësit të Policisë së Shtetit, që ka humbur jetën për shkak të detyrës, do të kuptojmë personat, sipas përbërjes së certifikatës familjare të punonjësit të Policisë së Shtetit, në momentin e humbjes së jetës për shkak të detyrës.
3. Trajtimi financiar që pjesëtarët e familjes së punonjësit të Policisë së Shtetit përfitojnë, në bazë të rregullave dhe të procedurave të përcaktuara në këtë vendim, zbatohet pa krijuar mbivendosje me ndonjë përfitim të mundshëm financiar, sipas parashikimeve të akteve të tjera ligjore dhe nënligjore.
II. NDIHMA E MENJËHERSHME FINANCIARE
1. Pjesëtarët e familjes së punonjësit të Policisë së Shtetit, që jetonin me punonjësin e policisë në kohën e humbjes së jetës, për shkak të detyrës, përfitojnë deri në 10 (dhjetë) paga mujore bruto, e cila përbëhet nga paga për gradë, shtesa për çdo vit vjetërsie shërbimi dhe shtesa për natyrë të veçantë pune, referuar pagës mujore bruto të muajit të fundit.
2. Në rastet kur punonjësi humb jetën jashtë shërbimit, kërkesa për përfitimin e ndihmës së menjëhershme mund të paraqitet nga çdo anëtar madhor i familjes.
3. Për t’u trajtuar me ndihmë të menjëhershme financiare, strukturat e burimeve njerëzore në njësitë shpenzuese në Policinë e Shtetit paraqesin për shqyrtim në komisionin përkatës, të ngritur me urdhër të ministrit të Punëve të Brendshme, dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Procesverbalin e referimit të rrethanave të ngjarjes, në të cilat ka humbur jetën punonjësi, nga strukturat përkatëse;
b) Certifikatën familjare;
c) Certifikatën e vdekjes së punonjësit të Policisë së Shtetit;
ç) Dokument identifikimi për personin që kërkon përfitimin e trajtimit të menjëhershëm financiar;
d) Një deklaratë të familjarëve madhorë të punonjësit të Policisë së Shtetit që ka humbur jetën për shkak të detyrës, ku shprehin dakordësinë që pagesa të bëhet në emër të kërkuesit, për llogari të të gjithë familjarëve;
dh) Vendimin apo vërtetimin, ku prokuroria/gjykata shprehet për shkakun e humbjes së jetës;
e)  Vërtetimin e llogarisë bankare ku do të kreditohen fondet e ndihmës së menjëhershme financiare.
4. Ndihma e menjëhershme financiare përballohet nga buxheti i njësisë shpenzuese në Policinë e Shtetit, sipas dokumentacionit përkatës.
III. ORGANIZIMI I CEREMONISË MORTORE
1. Pas vërtetimit të ndarjes nga jeta të punonjësit të Policisë së Shtetit, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit siguron organizimin e një ceremonie mortore solemne.
2. Planifikimi dhe koordinimi i aktiviteteve lidhur me ceremoninë mortore bëhet në bashkëpunim me një pjesëtar të familjes, kur kjo kërkohet nga pjesëtarët e familjes.
3. Shpenzimet e varrimit vërtetohen, sipas dokumentacionit, si më poshtë vijon:
a) Kërkesës për miratim të shpenzimeve;
b) Faturës tatimore të shpenzimeve për organizimin e ceremonisë mortore;
c) Urdhrit për pagesën e shpenzimeve të ceremonisë mortore.
4. Shpenzimet e shërbimit të varrimit përballohen nga buxheti i njësisë shpenzuese në Policinë e Shtetit, sipas dokumentacionit përkatës.
IV. NDIHMA FINANCIARE NË DITËN PËRKUJTIMORE
1. Pjesëtarët e familjes së punonjësit të Policisë së Shtetit, që ka humbur jetën për shkak të detyrës, çdo përvjetor përfitojnë ndihmë financiare, në masën e një page mujore referuese, e njësuar si pagë mujore bruto, në kohën e dhënies së kësaj pagese.
2. Paga mujore referuese e punonjësit të Policisë së Shtetit përbëhet nga paga për gradë, shtesa për çdo vit vjetërsie shërbimi dhe shtesa për natyrë të veçantë pune që kishte punonjësi, e cila njësohet si pagë mujore bruto, në kohën e dhënies së kësaj pagese.
3. Dhënia e ndihmës financiare në ditën përkujtimore përballohet nga buxheti i miratuar i njësisë shpenzuese në Policinë e Shtetit.
V. PENSIONI FAMILJAR SUPLEMENTAR
Pjesëtarët e familjes së punonjësit të Policisë së Shtetit, që ka humbur jetën për shkak të detyrës, përfitojnë pension suplementar familjar, sipas rregullave dhe procedurave të parashikuara në ligjin nr.10142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
VI. TRAJTIMI ME BURSË PËR SHKOLLIM
Fëmijët e punonjësit të Policisë së Shtetit, që ka humbur jetën për shkak të detyrës, përfitojnë trajtimin me bursë të plotë për shkollim në arsimin parauniversitar dhe atë të lartë, sipas përcaktimeve dhe procedurave për dhënien e tyre në legjislacionin në fuqi për arsimin parauniversitar dhe arsimin e lartë.
VII. TRAJTIMI ME BANESË FALAS I FAMILJARËVE
1. Bashkëshorti/ja dhe fëmijët e punonjësit të Policisë së Shtetit, që ka humbur jetën për shkak të detyrës, kur janë të pastrehë, përfitojnë falas:
a) banesa të ndërtuara nga Enti Kombëtar i Banesave;
b) banesa të siguruara në zbatim të projekteve të investimit të Korporatës së Investimeve Shqiptare, për të cilat me vendim të Këshillit të Ministrave, vihet në dispozicion pasuri e paluajtshme shtetërore në administrim/pronësi të ministrisë përgjegjëse për rendin dhe sigurinë apo entiteteve të tjera publike dhe autorizohet Korporata për shkëmbimin/kompensimin/transferimin e pjesës takuese të saj për realizimin e qëllimit/nevojës publike;
c) banesa të konfiskuara, sipas legjislacionit në fuqi për konfiskimin e pasurive nga krimi i organizuar ose të konfiskuara nga ndërtimet pa leje ose në tejkalim të lejes së ndërtimit;
ç)  banesa të blera, sipas çmimit të tregut nga Policia e Shtetit, nga buxheti i miratuar i Policisë së Shtetit.
2. Banesa transferohet pa kundërshpërblim, në bashkëpronësi të familjarëve të punonjësit të Policisë së Shtetit. Pronësia nuk mund të transferohet nga përfituesit, sipas formave të parashikuara në Kodin Civil në periudhën që familja përfituese ka fëmijë minorenë, dhe, në çdo rast, jo më herët se 5 vjet nga marrja në pronësi. Kontrata e kalimit të pronësisë lidhet nga enti administrues i pasurisë, sipas vendimit të komisionit në Policinë e Shtetit.
3. Kërkesa për të përfituar banesën falas paraqitet në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit nga personi madhor, që ka të drejtën e përfitimit, dhe shoqërohet me dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Dokument identifikimi për personin/personat që kërkon/jnë përfitimin e banesës falas;
b) Certifikatën familjare të muajit të fundit para se punonjësi i Policisë së Shtetit të ketë humbur jetën në krye të detyrës;
c) Certifikatën e vdekjes së punonjësit;
ç) Vendimin përfundimtar nga institucionet e drejtësisë ku provohet humbja e jetës për shkak të detyrës dhe nëse nuk ka një vendim përfundimtar, procesverbalin e referimit nga strukturat përkatëse të rrethanave të ngjarjes, në të cilat ka humbur jetën punonjësi;
d) Informacion nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës që nuk ka banesë në pronësi ose në proces legalizimi, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, për secilin person që ka të drejtën e përfitimit, për të gjithë personat në përbërje familjare të tij dhe se nuk ka pasur banesë kur ka humbur jetën punonjësi i policisë;
dh)Vërtetimin që nuk është aktualisht përfitues nga programet e strehimit social.
4. Për shqyrtimin e kërkesës, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit ngrihet një komision, i cili kryesohet nga zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Komisioni merr vendim për pranimin ose jo të kërkesës, brenda 1 (një) muaji nga momenti i paraqitjes së dokumentacionit të plotë. Komisioni, nëse e konstaton të nevojshme, i kërkon kërkuesit plotësimin e dokumentacionit dhe sqarime mbi dokumentacionin e paraqitur. Në çdo rast, arsyetohet vendimmarrja.
5. Në vendimin e komisionit përcaktohen personat që përfitojnë banesën, struktura dhe sipërfaqja takuese e apartamentit, sipas aneksit nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
6. Vendimi i komisionit përcillet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit pranë Entit Kombëtar të Banesave, Korporatës së Investimeve Shqiptare, Komisionit të Objekteve të Konfiskuara dhe Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara e të Konfiskuara për të vënë në dispozicion banesat e disponueshme që mund të përdoren për trajtimin e familjarëve.
7. Bashkëshortit/bashkëshortes dhe fëmijëve të punonjësit të Policisë së Shtetit, që ka humbur jetën për shkak të detyrës, deri në përfitimin falas të strehimit, iu kompensohet qiraja e banesës, sipas vlerës së përcaktuar në vendimin e Këshillit të Ministrave, që përcakton vlerën minimale të çmimit të referencave të qirave të ndërtesave.
VIII. PUNËSIMI
1. Ministria e Punëve të Brendshme, brenda limitit organik, trajton me prioritet kërkesën për punësim, brenda sistemit të ministrisë, të pjesëtarit të familjes të punonjësit të Policisë së Shtetit, që ka humbur jetën për shkak të detyrës, në përputhje me arsimimin, përvojën dhe kriteret e tjera, të përcaktuara për vendin e punës.
2. Pjesëtari i familjes, që kërkon të punësohet, dorëzon kërkesën pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke specifikuar vendin e punës për të cilin shpreh interesin, duke dorëzuar të gjithë dokumentacionin shoqërues për të vërtetuar përvojën dhe kritere të tjera të nevojshme për vendin e punës.
3. Kërkesat për punësim prioritar, sipas pikave 1 dhe 2, të këtij kreu, administrohen nga struktura e burimeve njerëzore e ministrisë, e cila verifikon plotësimin e kriterit të përvojës dhe kritereve të tjera të nevojshme, si dhe i kërkon kërkuesit të plotësojë dokumentacionin provues për kriteret, brenda një afati të arsyeshëm.
4. Në rastet kur ministria është në pamundësi për të sistemuar me punë familjarin e punonjësit të Policisë së Shtetit, që ka humbur jetën për shkak të detyrës, në vendin e kërkuar prej tij ose kur në kërkesën për punësim prioritar nuk ka shprehje interesi për një vend pune të caktuar, kërkesa, e shoqëruar me jetëshkrimin e kërkuesit, i përcillet Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive.
IX. KOMPENSIMI NË RASTET E PLAGOSJES DHE DËMTIMIT TË SHËNDETIT TË PUNONJËSVE TË POLICISË GJATË OSE PËR SHKAK TË DETYRËS
1. Punonjësi i Policisë së Shtetit, që plagoset apo dëmtohet gjatë apo për shkak të detyrës, kompensohet deri në 8 (tetë) paga mujore për të dëmtuarit rëndë dhe deri në 4 (katër) paga mujore për të plagosurit dhe të dëmtuarit lehtë, e cila përbëhet nga paga për gradë, shtesa për çdo vit vjetërsie shërbimi dhe shtesa për natyrë të veçantë pune, referuar pagës mujore bruto të muajit të fundit.
2. Për të përfituar kompensim financiar, sipas pikës 1 të këtij kreu, strukturat e burimeve njerëzore në njësitë shpenzuese, paraqesin për shqyrtim në komisionin përkatës, të ngritur me urdhër të ministrit të Punëve të Brendshme, dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Procesverbalin e referimit nga strukturat përkatëse të rrethanave të ngjarjes;
b) Vendimin apo vërtetimin, ku prokuroria/gjykata shprehet për shkakun e plagosjes apo dëmtimit të shëndetit;
c) Aktin që kategorizon plagosjen, si të lehtë apo të rëndë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore;
ç)  Certifikatën familjare;
d) Dokumentin e identitetit të personit që kërkon përfitimin.
3. Punonjësi i Policisë së Shtetit, që plagoset apo dëmtohet gjatë apo për shkak të detyrës dhe deklarohet i paaftë për punë nga komisioni kompetent mjekësor, përfiton çdo muaj kompensim financiar, në masën e pagës mujore bruto të muajit të fundit.
4. Për të përfituar kompensim financiar, sipas pikës 3 të këtij kreu, struktura e burimeve njerëzore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, përveç administrimit të dokumentacionit dhe vendimit të komisionit, sipas pikës 2, të këtij kreu, administron edhe vendimin e komisionit kompetent mjekësor për deklarimin e paaftësisë për punë. Kompensimi financiar vazhdon deri në rehabilitimin e aftësive shëndetësore për t’u paraqitur në punë.
X. DISPOZITA TË FUNDIT
1. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, planifikohen dhe përballohen nga buxheti i miratuar për programin buxhetor “Policia e Shtetit” për vitin përkatës.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, sipas kreut V, planifikohen dhe përballohen nga buxheti i miratuar i Institutit të Sigurimeve Shoqërore.
3. Vendimet e Këshillit të Ministrave nr.552, datë 27.11.1999, “Për trajtimin ekonomik e financiar të familjeve të punonjësve të policisë që humbin jetën ose plagosen për shkak të detyrës”, të ndryshuar, dhe nr.563, datë 13.10.2001, “Për dhënie ndihme të menjëhershme për përballimin e shpenzimeve të shërbimit të varrimit”, të ndryshuar, shfuqizohen. Trajtimet e dhëna, sipas këtyre vendimeve zbatohen deri në momentin e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
4. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Financave, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Arsimit, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit,  Instituti i Sigurimeve Shoqërore, Enti Kombëtar i Banesave, Korporata e Investimeve Shqiptare, Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
LIRIM NGA DETYRA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të    ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Znj. Vilma Premti, zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, lirohet nga kjo detyrë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË SHTETIT TË KATARIT, PËR BASHKËPUNIM STRATEGJIK NË FUSHAT ME INTERES TË PËRBASHKËT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shtetit të Katarit, për bashkëpunim strategjik në fushat me interes të përbashkët, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT  TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË   DHE KABINETIT TË MINISTRAVE TË UKRAINËS,          PËR TRANSPORTIN NDËRKOMBËTAR RRUGOR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kabinetit të Ministrave të Ukrainës, për transportin ndërkombëtar rrugor, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare’’.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
MARRJEN E MASAVE PËR HARTIMIN E LEGJISLACIONIT NË FUSHËN PENALE, NË KUADËR TË PROCESIT TË INTEGRIMIT EVROPIAN
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, të ndryshuar, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, dhe të pikës 5, të nenit 16, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Marrjen e masave për hartimin, konsolidimin dhe finalizimin e projektit përfundimtar të Kodit Penal të ri, të ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, si dhe të akteve të tjera të legjislacionit penal, që preken nga këto ndryshime, në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe reformimit të politikës penale në Republikën e Shqipërisë.
2. Ministri i Drejtësisë organizon e ndjek procesin e hartimit të projektakteve dhe të dokumentacionit shoqërues, sipas pikës 1 të këtij vendimi.
3. Për realizimin e procesit sipas këtij vendimi, pranë Ministrisë së Drejtësisë funksionojnë grupe pune ad hoc, të krijuara me urdhër të ministrit të Drejtësisë në ushtrim të kompetencave të tij, për hartimin e projektit përfundimtar të Kodit Penal të ri, të ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale dhe të akteve të tjera të lidhura, në përputhje me pikën 1, të nenit 12, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”.
4. Grupet e punës përbëhen nga ekspertë të strukturave të hartimit të akteve në Ministrinë e Drejtësisë dhe institucione të tjera të interesuara, si dhe nga ekspertë të jashtëm, të fushës akademike, vendas e të huaj, me përvojë në hartimin e projektakteve me rëndësi të veçantë. Grupet e punës asistohen nga një sekretariat teknik, përbërja dhe funksionimi i të cilit përcaktohen me urdhër të ministrit të Drejtësisë, me punonjës të Ministrisë së Drejtësisë ose ekspertë të jashtëm, ose punonjës nga strukturat përgjegjëse për kodifikimin.
5. Ekspertët e jashtëm në grupet e punës dhe anëtarët e sekretariatit teknik shpërblehen në përputhje me legjislacionin në fuqi. Vlera totale për secilin ekspert të jashtëm është jo më shumë se 3 000 000 (tre milionë) lekë për një akt, vlerë e cila përballohet nga buxheti i Ministrisë së Drejtësisë për                         vitin 2026. Numri i ekspertëve të jashtëm dhe masa konkrete e shpërblimit përcaktohet nga ministri i Drejtësisë, bazuar në kontributin real, të dokumentuar, sipas sugjerimit të drejtuesve të grupit të punës ose në dokumentin e dorëzimit të produktit për secilin akt.
6. Projektaktet dhe dokumentet shoqëruese të hartuara në kuadër të këtij vendimi paraqiten për shqyrtim e miratim në Këshillin e Ministrave nga ministri i Drejtësisë, në përputhje me procedurat e paraqitjes, shqyrtimit dhe vendimmarrjes, të parashikuara në ligjin nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, dhe në vendimin nr.584, datë 28.8.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores së Këshillit të Ministrave”, të ndryshuar.
7. Efektet financiare përballohen nga buxheti i miratuar për vitin 2026, për Ministrinë e Drejtësisë, në zërin “Shpenzime korente”, të programit 01110, “Planifikim, menaxhim dhe administrim”.
8. Ngarkohet Ministria e Drejtësisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.723, DATË 19.11.1998,  TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR ZBATIMIN E LIGJIT NR.7889, DATË 14.12.1994, “PËR STATUSIN     E INVALIDIT””, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të ligjit nr.7889, datë 14.12.1994,  “Për statusin e invalidit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pika 3, e vendimit nr.723, datë 19.11.1998, të Këshillit të Ministrave, “Për zbatimin e ligjit nr.7889, datë 14.12.1994, “Për statusin e invalidit””, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Shuma mujore e rimbursimit të shpenzimeve për blerjen e karburanteve e të lubrifikanteve është 15 000 (pesëmbëdhjetë mijë) lekë.”.
2. Efektet financiare, në masën 27 000 000 (njëzet e shtatë milionë) lekë në vit, për zbatimin e këtij vendimi, përballohen nga buxheti i shtetit dhe programohen çdo vit në buxhetin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore.
3. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.926, DATË 29.12.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRITERET E VLERËSIMIT TË PRONËS SHTETËRORE, QË PRIVATIZOHET APO TRANSFORMOHET, DHE PROCEDURËN E SHITJES”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 2, të aktit normativ nr.4, datë 9.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve”, miratuar me ligjin nr.9967, datë 24.7.2008, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.926, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore, që privatizohet apo transformohet, dhe procedurën e shitjes”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Kudo në vendim, togfjalëshi “pronë publike” zëvendësohet me “pronë shtetërore”.
2. Kudo në vendim, fjala “genplan” zëvendësohet me togfjalëshin “genplan/planrilevim”.
3. Në kreun I bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Këtij vendimi i nënshtrohen të gjitha pronat e paluajtshme shtetërore dhe pasuritë e luajtshme, objektet e veçanta, mjetet kryesore dhe mjetet e xhiros të ndërmarrjeve shtetërore, asetet e shoqërive tregtare të zbritura nga kapitali i tyre, të cilat plotësojnë kriteret për privatizim, sipas këtij vendimi.”.
b) Paragrafi i tretë, i pikës 2, zëvendësohet me paragrafin, me këtë përmbajtje:
“Në rastet kur për objektet, që janë në pronësi të organeve të pushtetit vendor, është marrë vendimi i këshillit të njësive të qeverisjes vendore për privatizimin/tjetërsimin e tyre dhe këto objekte janë miratuar për t’u përfshirë në procedurë privatizimi, pas nxjerrjes së urdhrit të privatizimit nga ministri përgjegjës për ekonominë, struktura përgjegjëse për privatizimin njofton institucionin administrues/pronar të pronës shtetërore për fillimin e procedurave të privatizimit, me qëllim afishimin e njoftimit përkatës në ambientet e pronës shtetërore, për efekt njohjeje nga ish-pronarët.”.
c) Paragrafi i katërt, i pikës 2, shfuqizohet.
ç) Pikat 3 dhe 4 ndryshohen, si më poshtë vijon:
     “3. Komisioni i vlerësimit të pronës shtetërore, në zbatim të këtij vendimi ngrihet nga ministri përgjegjës për ekonominë. Ky komision ka në përbërje të tij 3 (tre) anëtarë: përfaqësuesin e strukturës përgjegjëse për privatizim, një ekspert vlerësues të licencuar dhe një përfaqësues të ndërmarrjes apo institucionit në administrim/pronësi të të cilit ndodhet prona shtetërore. Komisioni kryesohet nga përfaqësuesi i strukturës përgjegjëse për privatizim.
     Sipas nevojave të procesit të vlerësimit të pronës shtetërore, ministri përgjegjës për ekonominë urdhëron që në komisionin e vlerësimit të marrë pjesë edhe një auditues apo ekspertë të tjerë të licencuar sipas procesit të vlerësimit.
4. Ekspertët vlerësues në përbërje të komisionit të vlerësimit të pronës shtetërore përzgjidhen nga ministri përgjegjes për ekonominë nga lista e ekspertëve të licencuar për vlerësimin e pasurive të paluajthsme, sipas fushës së vlerësimit dhe licensës përkatëse.
Pagesa e ekspertit/ekspertëve vlerësues, si edhe çdo shpenzim për përgatitjen e dokumentacionit të vlerësimit përballohen nga ministria përgjegjëse për ekonominë.
Pagesa e ekspertëve përcaktohet, si më poshtë:
a) 5% e vlerës së objektit të vlerësuar deri në 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë, por jo më pak se 100 000 (njëqind mijë) lekë pa TVSH;
b) 4% e vlerës së objektit të vlerësuar për vlera mbi 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë, por jo më pak se 500 000 (pesëqind mijë) lekë dhe jo më shumë se 1 000 000 (një milion) lekë, pa TVSH.
Pagesa kryhet pas dorëzimit të raportit përfundimtar të vlerësimit dhe pranimit të tij nga struktura përgjegjëse për privatizimin. Në rast se raporti nuk pranohet për shkak të mangësive, struktura përgjegjëse njofton me shkrim ekspertin vlerësues, duke specifikuar arsyet e mospranimit dhe korrigjimet e kërkuara. Vlerësuesi është i detyruar të kryejë korrigjimet dhe ta ridorëzojë raportin. Pagesa kryhet vetëm pas dorëzimit të raportit të korrigjuar dhe pranimit të tij.”.
d)Pika 6 ndryshohet, si më poshtë vijon:
   “6. Për pronën shtetërore, që ka qenë në administrim të një subjekti ose institucioni tashmë të shuar, procedura miratohet me urdhër të ministrit përgjegjës për ekonominë. Komisioni i vlerësimit në këtë rast përbëhet nga 3 anëtarë: një përfaqësues i strukturës përgjegjëse për privatizimin dhe 2 ekspertë vlerësues të licensuar, sipas nevojave të procesit të vlerësimit. Në këtë rast, vlerësimi i ekspertëve mbështetet në këqyrjen faktike të pronës shtetërore.”.
4. Në kreun II bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Pikat 2 dhe 3 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“2. Vlerësimi i objekteve bëhet nga komisioni i vlerësimit në përputhje me vlerën reale të tregut, në zbatim të legjislacionit në fuqi. Komisioni i vlerësimit mban përgjegjësi për vlerësimin e kryer dhe për dokumentet e hartuara e të nënshkruara prej tij (planrilevimi/genplane, situacione, raporte vlerësimi dhe dokumente të tjera përkatëse etj).
3. Me daljen e urdhrit të ministrit përgjegjës për ekonominë për ngritjen e komisionit të vlerësimit të pronës shtetërore, që do të privatizohet apo që do të përfshihet në fondin e kompensimit, komisioni i vlerësimit inspekton dhe verifikon gjendjen reale të objektit dhe më pas ekspertët vlerësues të këtij komisioni, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve përgatitin në 5 (pesë) kopje origjinale genplanin/planrilevimin e pronës shtetërore që do të privatizohet, ku përcaktohen qartë trualli nën objekt, trualli funksional dhe sipërfaqja e përgjithshme. Kur objekti i privatizimit është truall, përcaktohet vetëm sipërfaqja e truallit dhe eksperti vlerësues mban përgjegjësi për hartimin e saktë të këtij genplani/planrilevimi. Institucioni administrues/pronar i pronës shtetërore që privatizohet vendos njoftim në mjediset e tij dhe në vendndodhjen e pronës për efekt njoftimi të ish-pronarëve të truallit, nëse ka.”.
b) Pikat 5, 6, 8, 9, 12/1, 15, 16 e 17 shfuqizohen.
c) Pika 7 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“7. Genplani/planrilevimi i përgatitur në 5 (pesë) kopje nga eksperti vlerësues i përcillet Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, në përputhje me ligjin nr.111/2018, “Për kadastrën”, për të marrë të dhënat e nevojshme për pronën shtetërore që privatizohet, përfshirë kartelën dhe hartën kadastrale, si edhe certifikatën e pronësisë ose vërtetimin për pasuritë në zonat kadastrale që nuk i janë nënshtruar regjistrimit fillestar. Kërkesës/aplikimit i bashkëlidhet një kopje e genplanit/planrilevimit të përgatitur nga ekspertët vlerësues. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, brenda afateve në fuqi të parashikuara nga legjislacioni për shërbimet kadastrale, nga data e marrjes së kërkesës/aplikimit përcjell të dhënat që disponon për pronën përkatëse, përfshirë hartën treguese, kartelën e pasurisë, certifikatën e pronësisë ose vërtetimin hipotekor dhe kufizimet e regjistruara që rrjedhin nga vendimet e Komisionit për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave (KKKP) dhe vendimet gjyqësore.”.
ç) Pikat 10, 11 e 12 ndryshohen, si më poshtë vijon:
     “10. Në rastet kur për vendndodhjen e pronës shtetërore që privatizohet çmimi i truallit nuk figuron në hartën e çmimeve, vlerësimi i pronës shtetërore kryhet sipas vlerës së tregut. Struktura përgjegjëse për privatizimin i vë në dispozicion komisionit të vlerësimit hartën e çmimeve të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, të konfirmuar çdo 6 (gjashtë) muaj nga Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP). Përcaktimi i vlerës së pronës shtetërore, në përputhje me hartën e çmimeve dhe legjislacionin në fuqi, si edhe përzgjedhja e metodologjisë së vlerësimit janë në përgjegjësinë e ekspertit vlerësues, i cili, në bazë të dokumentacionit, harton raportin përfundimtar të vlerësimit të pronës shtetërore.
     11. Afati i dorëzimit të raportit përfundimtar të vlerësimit nga eksperti është jo më shumë se 30 (tridhjetë) ditë nga data e marrjes së urdhrit për ngritjen e komisionit të vlerësimit nga ministri përgjegjës për ekonominë, për ndërtesat, ndërtimet dhe linjat e prodhimit/shërbimit, kur ato shiten së bashku me ndërtesën, dhe jo më shumë se 20 (njëzet) ditë për makineritë, pajisjet, mjetet e transportit dhe elementet e tjera të ngjashme.
    12. Pas plotësimit të dokumentacionit, sipas afatit të parashikuar në pikën 11 të këtij kreu, procedohet, si më poshtë vijon:
a) Komisioni i Vlerësimit, pasi merr të gjitha konfirmimet e nevojshme përgatit dokumentacionin tekniko-ligjor si dhe harton vendimin shoqërues, ku më pas ia përcjell strukturës përgjegjëse për privatizim. Në këtë vendim krahas përcaktimit të qartë të të dhënave identifikuese të pronës, si sipërfaqja e përgjithshme, ajo nën objekt dhe ajo funksionale, vlera e pronës shtetërore, si edhe përputhshmëria me dokumentacionin kadastral për pasuritë shtetërore si edhe për linjat e prodhimit/shërbimit; shprehet edhe për përmbushjen ose jo të kritereve tekniko-ligjore sipas legjislacionit në fuqi për privatizimin e pronës shtetërore.
b) Struktura përgjegjëse për privatizimin, pas marrjes së vendimit të komisionit të vlerësimit për përmbushjen e kritereve tekniko-ligjore për privatizimin e pronës shtetërore sipas legjislacionit në fuqi, shqyrton dhe verifikon dokumentacionin e përcjellë me vendimin e këtij komisioni për vijimin e procedurave të privatizimit. Në rast se dokumentacioni rezulton  në përputhje me legjislacionin në fuqi, struktura përgjegjëse për privatizimin përgatit vlerësimin përfundimtar për përmbushjen e kritereve në referencë të shkronjës “a”, të pikës 12, të këtij kreu, ku propozon fillimin e procedurave të shitjes dhe ia dërgon ministrit përgjegjës për ekonominë. Në rast të kundërt, struktura përgjegjëse për privatizimin kërkon plotësimin e dokumentacionit apo saktësimin e tij në përputhje me kërkesat ligjore, duke e rikthyer dosjen pranë komisionit të vlerësimit me rekomandimet përkatëse. Pas miratimit të ministrit, vlerësimi përfundimtar dhe dokumentacioni tekniko-ligjor dërgohen sipas procedurave të brendshme administrative pranë strukturës përgjegjëse për shitjen e pronës shtetërore.”.
5. Në kreun III bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Struktura përgjegjëse për shitjen e pronës shtetërore pranon dosjen e vlerësimit përfundimtar për pronën shtetërore që do të privatizohet, të dërguar nga struktura përgjegjëse për privatizimin, pas miratimit të ministrit përgjegjës për ekonominë sipas shkronjës ”b”, të pikës 12, të kreut II, të këtij vendimi. Para fillimit të procedurës së ankandit kërkohet informacion mbi vendimet e trajtimit të pronës shetërore nga ATP-ja dhe vetëm më pas do të vazhdohet me ankandin nga struktura përgjegjëse për shitjen e saj.”.
b) Në pikën 2 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
i. Paragrafi i dytë, i shkronjës “a”, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Në këtë rast, struktura përgjegjëse për shitjen e pronës shtetërore bën publikimin e njoftimit në faqen zyrtare të ministrisë përgjegjëse për ekonominë, në mjediset e pronës shtetërore dhe në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare për një afat prej 20 (njëzet) ditësh, vetëm për pronarët e truallit.”.
ii. Në shkronjën “b”, fjala “… komisioni …” zëvendësohet me togfjalëshin “… komisioni i ankandit …”.
 iii.Shkronjat “c” dhe ”ç” ndryshohen, si më poshtë vijon:
“c) Në rastet kur ish-pronarët e truallit, pas afishimit të njoftimit sipas shkronjës “a” të kësaj pike, nuk paraqesin dokumentacionin e kërkuar sipas pikës 11, të këtij kreu, bëhet njoftim në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare, në faqen zyrtare të ministrisë përgjegjëse për ekonominë dhe në mjediset e pronës shtetërore, duke u përcaktuar një afat i ri prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditësh për dorëzimin e dokumentacionit ligjor. Nëse edhe brenda këtij afati të dytë dokumentacioni nuk paraqitet, prona shtetërore kalon për shitje me ankand, sipas procedurave të përcaktuara në këtë vendim. Në rast të realizimit të shitjes së objektit së bashku me truallin, vlera e truallit e përcaktuar sipas hartës së vlerës i kalon drejtpërdrejt ish-pronarit të truallit.
ç) Në rastet kur konfirmohet se objekti që privatizohet nuk ndodhet në truall të subjekteve të shpronësuara, si dhe në rastet kur Agjencia Shtetërore e Kadastrës nuk konfirmon pronësinë e truallit për objektin që privatizohet, objekti i nënshtrohet procedurës së shitjes me ankand, sipas përcaktimeve të këtij vendimi. Nëse në datën e zhvillimit të ankandit paraqitet ish-pronari i truallit me dokumentacionin, sipas pikës 11, të këtij kreu, ai gëzon të drejtën e parablerjes me vlerën fillestare të objektit. Në rastet kur, gjatë periudhës së publikimit dhe para zhvillimit të ankandit, depozitohet pranë strukturës përgjegjëse për shitjen e pronës shtetërore kërkesa e ish-pronarit të truallit, e shoqëruar me dokumentacionin përkatës të pronësisë, procedohet sipas shkronjës “a”, të pikës 2, të këtij kreu, pas konfirmimit të dokumentacionit të pronësisë, të depozituar nga ish-pronari i truallit, nga struktura përgjegjëse e shitjes.”.
c) Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Në ankandet për shitjen e pasurive të shoqërive në likuidim e sipër, të cilat janë të përfshira në kapitalin e tyre, zbatohet e drejta e parablerjes për ish-pronarët e truallit, sipas ligjit nr.133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, të ndryshuar. Procedura e shitjes kryhet sipas përcaktimeve të këtij kreu.”.
ç) Pika 6 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“6. Struktura përgjegjëse për shitjen e pronës shtetërore, pasi ka pranuar dokumentacionin për shitjen e pronës shtetërore, ndërmerr procedurat për publikimin e privatizimit të tij, si më poshtë vijon:
a) Periudha e publikimit zgjat 10 (dhjetë) ditë nga data e botimit të parë dhe realizohet në Buletinin e Njoftimeve Publike, si dhe në faqen zyrtare të ministrisë përgjegjëse për ekonominë.
b) Publikohet lista e pronave shtetërore që do të privatizohen në faqen zyrtare të ministrisë përgjegjëse për ekonominë, me të dhënat përkatëse për çdo objekt.
c) Afishohet njoftimi për zhvillimin e ankandit në mjediset e pronës shtetërore dhe në mjediset e organit të njësisë së vetëqeverisjes vendore në territorin e të cilit ndodhet prona shtetërore që privatizohet, sipas të dhënave të përcjella nga struktura përgjegjëse për shitjen e pronës shtetërore.”.
d) Paragrafi i pestë, i pikës 12, ndryshohet, si më poshtë vijon:
     “Struktura përgjegjëse për shitjen e pronës shtetërore iu ofron për blerje bashkëpronarëve që gëzojnë të drejtën e parablerjes së objekteve. Në rast se ish-pronarët shprehen me shkrim se nuk janë dakord ta blejnë këtë sipërfaqe trualli, struktura përgjegjëse për shitjen e pronës shtetërore i propozon ministrit përgjegjës për ekonominë kalimin e kësaj prone shtetërore pranë Agjencisë së Trajtimit të Pronës për fond kompensimi për ish-pronarët.’’.
dh) Shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 18,  ndryshohen, si më poshtë vijon:
      “a) Për objektet ndërtimore, të cilat kanë dalë në ankand jo më pak se 3 (tre) herë brenda një periudhe 12 ( dymbëdhjetë)-mujore dhe nuk ka pasur shprehje interesi për blerjen e objektit, ministria përgjegjëse për ekonominë e dërgon dokumentacionin në Agjencinë e Trajtimit të Pronës për t’u përdorur si fond i kompensimit fizik’’;
b) Makineritë, pajisjet, mjetet e xhiros, inventari ekonomik etj., të cilat nuk janë shitur, pasi janë zbatuar fazat e shitjes, sipas VAM-it fillestar dhe VAM-it të ulur kthehen nga struktura përgjegjëse për shitjen e pronës shtetërore në strukturën përgjegjëse për privatizim, për të cilat veprohet sipas ligjit          nr.10296, datë 8.7.2010, “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”, të ndryshuar, dhe udhëzimit nr.30, datë 27.12.2011, të ministrit përgjegjës për financat, “Për menaxhimin e aktiveve të njësive të sektorit publik”, të ndryshuar, në zbatim të tij.”.
d) Pika 19 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“19. Komisioni i ankandit kryesohet nga përfaqësues të strukturës përgjegjëse për shitjen e pronës shtetërore dhe përbëhet nga tre anëtarë. Anëtarët e komisionit pajisen me autorizimin përkatës dhe pjesëmarrja e tyre në datën dhe orën e caktuar për zhvillimin e ankandit është e detyrueshme. Në rast mosparaqitjeje të njërit prej anëtarëve në ditën e caktuar për zhvillimin e ankandit, drejtuesi i strukturës përgjegjëse për shitjen e pronës shtetërore plotëson komisionin me një anëtar tjetër dhe vijon procedurën e ankandit.”.
ë) Paragrafi i dytë, i pikës 24, shfuqizohet.
g) Në shkronjën “a”, të pikës 25, bëhen ndryshimet e mëposhtme:
i. Nënndarja “i” shfuqizohet.
ii. Në nënndarjen “ii”, togfjalëshi “… 30 (tridhjetë) …” zëvendësohet me “… 35 (tridhjetë e pesë) …”.
gj) Paragrafi i parë,  i pikës 27, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Pas pagesës së vlerës së plotë të pronës shtetërore (objekti bashkë me truallin), drejtuesi i strukturës përgjegjëse për shitjen e pronës shtetërore nënshkruan kontratën e shitjes me blerësit privatë. Pas lidhjes së kontratës së shitjes kryhet dorëzimi i objektit në mënyrë të detyrueshme nga drejtuesi i institucionit/i ndërmarrjes/ shoqërisë aksionare ose përfaqësuesi i autorizuar i tij, apo përfaqësuesi i organit që ka në pronësi/përgjegjësi administrimi pronën shtetërore. Dorëzimi i objektit të kontratës bëhet te blerësi me procesverbal sipas genplanit bashkëlidhur kontratës së shitjes dhe 1 (një) kopje e procesverbalit dorëzohet brenda 7 (shtatë) ditëve pranë ministrisë përgjegjëse për ekonominë.”.
h) Në fund të pikës 28 shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:
     “Në rast se në dosjen e privatizimit të pronave shtetërore mungon dokumentacioni, struktura përgjegjëse për shitjen e pronës shtetërore ka të drejtë të kërkojë informacion dhe dokumentacion pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave ose Arkivit Shtetëror Vendor, në juridiksionin e të cilëve ndodhet prona shtetërore.”.
i) Në pikën 29, fjalët “… kryetari i degës së shoqërive publike, në prefekturën përkatëse …” hiqen.
j) Në pikën 30, pas fjalës “… qira …” shtohen fjalët “… ose enfiteozë …”.
k) Pika 31 shfuqizohet.
l)  Në pikën 32 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
i. Në fjalinë e parë, të paragrafit të parë, pas fjalës “… kontraktuesit …” shtohen fjalët “… ose subjektit të cilit i ka lindur ose i është transferuar e drejta e parablerjes …” dhe pas fjalës “… qirasë …” shtohen “… ose enfiteozës …”.
ii. Në fjalinë e parë, të paragrafit të dytë, pas fjalëve “… në momentin e marrjes me qira …” shtohen “… ose enfiteozë …”.
iii. Në fjalinë e fundit të paragrafit të dytë, pas togfjalëshit “… kontratës së qirasë …” shtohen ”… ose enfiteozës …” dhe fjalët “… bazuar dhe në vendimin e Komisionit të Shqyrtimit dhe Transparencës …” hiqen.
iv. Në paragrafin e tretë, pas fjalës “… qiramarrësit …” shtohen fjalët “… ose enfiteozëmarrësit …” dhe pas fjalëve “… të cilin e kanë pasur me qira …” shtohen “… ose enfiteozë …”.
ll) Në pikën 33, pas fjalës “… qira …” shtohen fjalët “… ose enfiteozë …” dhe pas fjalës “… qirasë …” shtohen fjalët “… ose enfiteozës …”.
 m)Në pikën 34 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
i. Në fjalinë hyrëse, pas fjalës “… qiramarrëse …” dhe “… qira …” shtohen përkatësisht “… ose enfiteozëmarrëse …” dhe “… enfiteozë …” dhe pas fjalëve “… në kuptimin e ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”…” shtohet fjala “të ndryshuar”.
ii. Shkronjat “a” ndryshohet. si më poshtë vijon:
“a) Qiramarrësi/emfiteozëmarrësi të ketë kryer investime në vlerë mbi 5 (pesë) milionë euro.”.
iii. Në shkronjën “b”, pas fjalës “… qiramarrësi …” dhe “… qirasë …” shtohen përkatësisht “… ose enfiteozëmarrësit …” dhe “… enfiteozës …”.
n) Në pikën 34/2 bëhen shtesa dhe ndryshimi, si më poshtë:
i.  Pas fjalës “… qirasë …” shtohen fjalët “… ose enfiteozës …”.
ii. Në shkronjën “a”, fjalët “… Drejtoria përgjegjëse për monitorimin e kontratave …” zëvendësohen me “… Stuktura përgjegjëse për monitorimin e kontratave …”.
nj) Në pikën 34/3, pas fjalës “… qirasë …” shtohen fjalët “… ose enfiteozës …”.
o) Në pikën 36 bëhet shtesa dhe ndryshimi, si më poshtë:
i. Shkronja “a” ndryshohet, si më poshtë vijon:
     “a) detyrimin e blerësit për të realizuar vlerën e plotë të investimit sipas planbiznesit brenda afatit të parashikuar në kontratën e mëparshme të qirasë/emfiteozës i cili pasqyrohet si kufizim në kartelën e pasurisë.  Përveç kësaj, të dyja palët duhet të vijojnë të përmbushin të gjitha detyrimet e tjera në përmbajtje të asaj kontrate, që kanë të bëjnë me çështjet teknike, ekonomike, të raportimit etj., me përjashtim të detyrimeve bazike të qirasë ngushtësisht si institut i Kodit Civil.”.
ii. Në shkronjat “b” dhe “ç”, pas fjalës ”… qirasë …” shtohen fjalët “… ose enfiteozës …”.
p) Në pikën 37, fjalët “… detyrimin e investimit …” zëvendësohen me  “… vlerën e investimit sipas kontratës së qirasë/emfiteozës …”.
q) Në pikën 43, pas fjalës “… qirasë …” shtohen fjalët ”… ose enfiteozës …”
6. Në shkronjën “a”, të pikës 4, të kreut III/1, në fund të fjalëve “… të  ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, …” shtohet fjala “të ndryshuar”.
7. Në kreun IV bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Pikat 1, 2 dhe 3 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“1. Pas lidhjes së kontratës së shitjes, kryhet dorëzimi i objektit në mënyrë të detyrueshme te blerësi nga drejtuesi i institucionit/ ndërmarrjes/ shoqërisë aksionare, ose përfaqësuesi i autorizuar i tij, që ka në pronësi/përgjegjësi administrimi pronën shtetërore. Midis palëve nënshkruhet procesverbali i dorëzimit, sipas genplanit bashkëlidhur kontratës së shitjes dhe 1 (një) kopje e procesverbalit dorëzohet pranë ministrisë përgjegjëse për ekonominë, brenda                     7 (shtatë) ditëve nga data e nënshkrimit.
    2. Për diferencat fizike të lindura ndërmjet periudhës së vlerësimit dhe dorëzimit të objektit mbahet një procesverbal, në prani të drejtuesit të institucionit/ndërmarrjes/shoqërisë aksionare apo përfaqësuesit të tij që ka në pronësi/përgjegjësi administrimi objektin, mbi të cilin evidentohen diferencat fizike, duke pasqyruar edhe shkaqet e krijimit të kësaj diference. Ky procesverbal nënshkruhet nga përfaqësuesi i institucionit/ndërmarrjes/shoqërisë aksionare apo përfaqësuesit të tij, që ka në pronësi/administrim pronën dhe blerësit. Procesverbali bëhet pjesë e procedurës së dorëzimit të pronës.
    3. Institucioni administrues ose pronar i pronës, ku rezultojnë diferenca fizike sipas procesveralit të dorëzimit, në çdo rast ka detyrimin të nxjerrë përgjegjësitë ligjore dhe të bëjë zhdëmtimet e nevojshme në favor të institucionit.”.
b) Pikat 5 e 6 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“5. Në rastet kur për blerjen e objektit janë shpallur fitues bashkëpronarë, me të drejtën e parablerjes apo të ankandit dhe në çastin e nënshkrimit të kontratës, njëri nga bashkëpronarët refuzon nënshkrimin e saj, atëherë zbatohen dispozitat e përcaktuara në Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë.
6. Procesverbali i nënshkruar dorëzohet në ministrinë përgjegjëse për ekonominë. Pas marrjes së procesverbalit, struktura përgjegjëse për shitjen e pronës shtetërore ia kthen vlerën e munguar blerësit, duke u bazuar në diferencat e përligjura, të evidentuara në procesverbalet përkatëse. Drejtuesi i institucionit/ ndërmarrjes/ shoqërisë aksionare ose përfaqësuesi i autorizuar i tij, që ka në pronësi/përgjegjësi administrimi pronën shtetërore që privatizohet, ka të drejtë të marrë ekspertë për dorëzimin e pronës shtetërore, kur vërehen mungesa fizike në njësinë e inventarit. Gjatë procesit të dorëzimit, blerësi ka të drejtë të marrë pjesë ose të autorizojë një përfaqësues të tij.”.
c) Pika 12 shfuqizohet.
ç) Pika 14 ndryshohet, si më poshtë vijon:
     “14. Ngarkohet ministria përgjegjëse për ekonominë të hartojë udhëzimet përkatëse, në zbatim të pikave 1, 2, 3, 4 dhe 6 të kreut I, të kreut II, të pikave 2, 4, 6, 10, 20, 24, 27, 31, 32, 34, 36, 37 të kreut III dhe të kreut III/1 të këtij vendimi.”.
II. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
1. Për të gjitha kërkesat e nisura dhe të papërfunduara para hyrjes në fuqi të këtij vendimi, do të zbatohen dispozitat e këtij vendimi.
2. Ngarkohet Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI,   NGA “ALBCONTROL”, SH.A., TIRANË, TE MINISTRIA   E EKONOMISË DHE INOVACIONIT, TË PASURISË ME NR.6/57-N9, ZONA KADASTRALE 8350, DHE PËR NJË NDRYSHIM   NË VENDIMIN NR.274, DATË 16.5.2018, TË KËSHILLIT  TË MINISTRAVE, “PËR KALIMIN NË PRONËSI NGA SHOQËRIA AEROPORTI “NËNË TEREZA”, SH.A., TIRANË, TE SHOQËRIA “ALBCONTROL”, SH.A., TIRANË, TË DY PASURIVE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në përgjegjësi administrimi nga “Albcontrol”, sh.a., Tiranë, te Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, të pasurisë me nr.6/57-N9, zona kadastrale 8350, me sipërfaqe 317.10 m² (treqind e shtatëmbëdhjetë pikë dhjetë) m2, sipas të dhënave të kartelës së pasurisë, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Në pikën 1, të vendimit nr.274, datë 16.5.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për kalimin në pronësi nga shoqëria Aeroporti “Nënë Tereza”, sh.a., te shoqëria “Albcontrol”, sh.a., Tiranë, të dy pasurive”, të hiqet pasuria me nr.6/57-N9, zona kadastrale 8350, vol.18, f.161, me sipërfaqe 317.10. (treqind e shtatëmbëdhjetë pikë dhjetë) m2.
3. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, shoqëria “Albcontrol”, sh.a, dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
NDRYSHIMIN E PËRGJEGJËSISË SË ADMINISTRIMIT,   NGA MINISTRIA E MBROJTJES TE MINISTRIA     E INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË, PËR AUTORITETIN RRUGOR SHQIPTAR, TË NJË PJESE TË PRONËS NR.760,    ME EMËRTIMIN “ISH-BRIGADË KËMBËSORIE”,     ME VENDNDODHJE NË ZONËN KADASTRALE 1063, BABJE, LIBRAZHD, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.515, DATË 18.7.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË MBROJTJES”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit, nga Ministria e Mbrojtjes te Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, për Autoritetin Rrugor Shqiptar, të një sipërfaqeje trualli funksional dhe të disa objekteve, me sipërfaqe të përgjithshme trualli prej 8 946.51 (tetë mijë e nëntëqind e dyzet e gjashtë pikë pesëdhjetë e një) m2, dhe sipërfaqe të gjurmës së ndërtimit prej 542.11 (pesëqind e dyzet e dy pikë njëmbëdhjetë) m2, pjesë të pronës nr.760, me emërtimin “Ish-Brigadë Këmbësorie”, me vendndodhje në zonën kadastrale 1063, Babje, Librazhd, sipas planit të rilevimit, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, për realizimin e projektit “Zgjerimi i segmentit rrugor Elbasan-Përrenjas-Qafë Thanë (faza IV)”.
2. Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, bashkëlidhur vendimit nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e  listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes”, të ndryshuar, përmasat e pronës nr.760, me emërtimin “Ish-Brigadë Këmbësorie”, me vendndodhje në zonën kadastrale 1063, Babje, Librazhd, zëvendësohen me përmasat e përcaktuara në formularin dhe planin e rilevimit, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
3. Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Autoritetit Rrugor Shqiptar u ndalohet të ndryshojnë destinacionin e përdorimit të sipërfaqes së pronës, të përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojnë ose t’ua japin atë në përdorim të tretëve.
4. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË MINISTRISË SË INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË, PËR OPERATORIN E SISTEMIT TË SHPËRNDARJES, SH.A., TË DISA PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE DHE PËR DISA SHTESA E NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.249, DATË 10.4.2026, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË, PËR OPERATORIN E SISTEMIT TË SHPËRNDARJES, SH.A.”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 3, e 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes, sh.a., të disa pronave të paluajtshme shtetërore, sipas formularit, 11 (njëmbëdhjetë) fletë, planit të rilevimit, 11 (njëmbëdhjetë) fletë, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Në vendimin nr.249, datë 10.4.2026, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes, sh.a.”, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
a) Pronat e përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, i shtohen listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, bashkëlidhur vendimit;
b) Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Lista përbëhet, gjithsej, nga 29 (njëzet e nëntë) fletë formulari, 29 (njëzet e nëntë) planrilevime dhe është pjesë përbërëse e këtij vendimi.”.
3. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Operatori  i Sistemit të Shpërndarjes, sh.a., dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PROGRAMIT KOMBËTAR SHUMËVJEÇAR PËR GRUMBULLIMIN, MENAXHIMIN DHE PËRDORIMIN E TË DHËNAVE NË SEKTORIN E PESHKIMIT                E TË AKUAKULTURËS DHE PËRMBAJTJES SË PROGRAMEVE TË KAMPIONIMIT SHUMËVJEÇAR TË KËRKIMIT SHKENCOR NË DET
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikaves 4 e 5, të nenit 93, të  ligjit nr.64/2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Qëllimi dhe fusha e zbatimit
1. Ky vendim ka për qëllim të kontribuojë në arritjen e objektivave të politikës së peshkimit, duke përcaktuar rregullat për grumbullimin, menaxhimin dhe përdorimin e të dhënave biologjike, mjedisore, teknike e socio-ekonomike në sektorin e peshkimit e të akuakulturës, në përputhje me nenet 23 e 93, të ligjit nr.64/2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar, dhe me kreun VI, të ligjit nr.103/2016, “Për akuakulturen”, të ndryshuar.
2. Të dhënat e përmendura në pikën 1, të këtij neni, grumbullohen vetëm në rastet kur nuk ekziston një detyrim për grumbullimin e tyre, sipas akteve të tjera ligjore në fuqi.
3. Për të dhënat e nevojshme për menaxhimin e sektorit të peshkimit, të grumbulluara, mbështetur në aktet e tjera ligjore në fuqi, ky vendim përcakton vetëm rregullat për përdorimin dhe transmetimin e tyre.
4. Metodat dhe cilësia e grumbullimit të të dhënave është në përputhje me qëllimet e nenit 23, të ligjit nr.64/2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar. Metodat e aplikuara ndjekin këshillat shkencore përkatëse dhe praktikat më të mira. Institucioni përgjegjës për grumbullimin e të dhënave në sektorin e peshkimit dhe të akuakulturës (në vijim institucioni përgjegjës) kryen studime për të eksploruar, për të zhvilluar dhe për të testuar më tej metodat e grumbullimit të të dhënave. Metodat dhe zbatimi i tyre vlerësohen në intervale të rregullta nga organet e pavarura shkencore për të përcaktuar nëse ato janë të përshtatshme për qëllimet e synuara. Institucioni përgjegjës përshtat planifikimin dhe zbatimin e grumbullimit të të dhënave, në përputhje me rezultatet e këtyre vlerësimeve.
Neni 2
Mbrojtja e të dhënave
Përpunimi, menaxhimi dhe përdorimi i të dhënave, të grumbulluara në bazë të këtij vendimi, është në përputhje me dispozitat e ligjit nr.124/2024, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”.
Neni 3
Përkufizimet
Për qëllimet e këtij vendimi, zbatohen përkufizimet e përcaktuara në nenin 4, të ligjit nr.64/2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar. Përveç tyre, zbatohen edhe përkufizimet e mëposhtme:
1. “Anije joaktive”, anije që nuk është angazhuar në operacione peshkimi gjatë një viti kalendarik të caktuar.
2. “Ditë në det”, çdo periudhë e vazhdueshme prej 24 orësh (ose një pjesë e saj), gjatë së cilës një anije është e pranishme brenda një zone të përcaktuar peshkimi dhe është jashtë portit.
3. “Ditë peshkimi”, çdo ditë kalendarike në det, në të cilën zhvillohet një aktivitet peshkimi, pa cenuar detyrimet ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë. Një dalje në det mund të kontribuojë si në shumën e ditëve të peshkimit për veglat pasive ashtu edhe në shumën e ditëve të peshkimit për veglat aktive të përdorura gjatë asaj daljeje në det.
4. “Fushata kërkimore në det”, aktivitetet që përfshijnë monitorimin e stoqeve të peshkut dhe/ose burimeve biologjike detare dhe ekosistemit, të kryera në një anije të përdorur për kërkime të tilla shkencore e të caktuar për këtë detyrë nga institucioni përgjegjës për zbatimin e Planit Kombëtar të Punës, të përcaktuar nga ky vendim.
5. “Fraksion i zënieve”, një pjesë e zënieve totale, siç është pjesa e zënieve të zbarkuara mbi madhësinë minimale të lejuar, pjesa e zënieve të zbarkuara nën madhësinë minimale të lejuar dhe hedhurinat, të ndara në pjesën nën madhësinë minimale të lejuar dhe pjesën mbi madhësinë minimale të lejuar.
6. “Metadatë” nënkupton të dhëna që përshkruajnë karakteristikat cilësore dhe sasiore të të dhënave primare të grumbulluara.
7. “Metier”, një grup aktivitetesh peshkimi, që kanë për target një specie ose grup speciesh të ngjashme, duke përdorur vegla të ngjashme peshkimi, gjatë së njëjtës periudhë të vitit dhe/ose brenda së njëjtës zonë, dhe të cilat karakterizohen nga një model i ngjashëm shfrytëzimi.
8. “Ministri”, ministri përgjegjës për peshkimin dhe akuakulturën.
9. “Ministria”, ministria përgjegjëse për peshkimin dhe akuakulturën.
10. “Peshkimi çlodhës-argëtues” ka të njëjtin kuptim me pikën 64, të nenit 4, të ligjit nr.64/2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar.
11. “Rajoni detar” nënkupton një zonë gjeografike, të përcaktuar në pikën 21, të nenit 4, të ligjit nr.64/2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar, një zonë të krijuar nga organizatat rajonale të menaxhimit të peshkimit.
12. “Sektori i peshkimit” nënkupton veprimtaritë e lidhura me peshkimin tregtar, peshkimin çlodhës-argëtues, akuakulturën, si dhe industrinë e përpunimit të produkteve të peshkut.
13. “Segmenti i flotës”, një grup anijesh me të njëjtën klasë gjatësie (LOA, gjatësia e përgjithshme) dhe që zakonisht përdorin të njëjtin vegël peshkimi gjatë një viti kalendarik të caktuar.
14. “Speciet diadrome”, specie peshqish që migrojnë midis detit dhe ujërave të ëmbla, si pjesë e ciklit të tyre jetësor.
15. “Terren peshkimi”, një njësi gjeografike ku kryhet peshkimi. Njësitë duhet të rregullohen në nivel rajoni detar në bazë të zonave ekzistuese, të përcaktuara nga organizatat rajonale të menaxhimit të peshkimit ose organet shkencore.
16. “Të dhëna primare”, të dhënat e grumbulluara drejtpërdrejt, që lidhen me anije të veçanta, persona fizikë ose juridikë apo kampionë individualë.
17. “Të dhëna të detajuara” të dhëna të bazuara në të dhënat primare, në një formë që nuk lejon identifikimin e drejtpërdrejtë ose të tërthortë të personave fizikë apo juridikë.
18. “Të dhëna të përbëra” të dhëna që rezultojnë nga përmbledhja e të dhënave primare ose të dhënave të detajuara për qëllime të veçanta analitike.
19. “Të dhëna shkencore” të dhënat e përmendura në pikën 1, të nenit 1, të këtij vendimi, të cilat grumbullohen, menaxhohen ose përdoren në kuadër të tij.
20. “Vëzhgues shkencor” një person i emëruar për të vëzhguar veprimtaritë e peshkimit, në kuadër të grumbullimit të të dhënave për qëllime shkencore, i caktuar nga institucioni përgjegjës për zbatimin e Planit Kombëtar të Punës për Grumbullimin e të Dhënave.
21. “Zëniet nga peshkimi çlodhës-argëtues”, të gjitha pjesët e zënieve, të zbarkuara, të hedhura dhe të lëshuara, qofshin të ngordhura ose të gjalla, të zëna gjatë aktiviteteve të peshkimit çlodhës-argëtues.
KREU II
GRUMBULLIMI DHE MENAXHIMI I TË DHËNAVE NË KUADËR TË PROGRAMIT SHUMËVJEÇAR KOMBËTAR
Neni 4
Krijimi i një programi shumëvjeçar kombëtar
1. Programi shumëvjeçar për grumbullimin dhe menaxhimin e të dhënave, i përmendur në pikën 1, të nenit 1, të këtij vendimi, hartohet në përputhje me përmbajtjen dhe kriteret e përcaktuara në nenin 5, të këtij vendimi.
2. Para miratimit të programit shumëvjeçar kombëtar, të parashikuar në pikën 1, të këtij neni, ministria konsultohet me Komitetin për Koordinimin e Kërkimit Shkencor, Teknik dhe Ekonomik (në vijim KKKSHTE) ose me çdo organ tjetër shkencor të përshtatshëm.
3. Programi shumëvjeçar për grumbullimin dhe menaxhimin e të dhënave për sektorin e peshkimit e të akuakulturës detajohet sipas përcaktimeve të shtojcave I e II, të këtij vendimi.
Neni 5
Përmbajtja dhe kriteret për krijimin e programit shumëvjeçar
1. Programi shumëvjeçar përcakton:
a) një listë të detajuar të të dhënave për arritjen e objektivave të kreut V, të ligjit nr.64/2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar;
b) një listë të fushatave kërkimore detare të detyrueshme;
c) pragjet minimale, nën të cilat institucioni përgjegjës nuk është i detyruar të grumbullojë të dhëna në lidhje me veprimtari të veçanta të peshkimit e të akuakulturës ose të kryejë fushata kërkimore në det.
2. Të dhënat e përmendura në shkronjën “a”, pikës 1, të këtij neni, përfshijnë:
a) të dhëna biologjike për të gjitha stoqet e zëna ose objekt i zënieve rastësore nga peshkimi tregtar dhe, kur është e përshtatshme, nga peshkimi çlodhës – argëtues, brenda dhe jashtë ujërave të Republikës së Shqipërisë, përfshirë ngjalat dhe salmonidet në ujërat e brendshme, si dhe specie të tjera diadrome me interes tregtar, me qëllim mundësimin e një qasjeje të bazuar në ekosistem për menaxhimin dhe ruajtjen e peshkimit, sipas nevojave për zbatimin e politikave kombëtare në fuqi në fushën e peshkimit;
b) të dhëna për vlerësimin e ndikimit të peshkimit në ekosistemin detar, brenda dhe jashtë ujërave territoriale, duke përfshirë të dhëna mbi zëniet rastësore të specieve, jo objekt peshkimi, veçanërisht të specieve të mbrojtura sipas legjislacionit në fuqi për peshkimin dhe konventave ndërkombëtare, ku Republika e Shqipërisë është palë, të dhëna për ndikimet e peshkimit në habitatet detare, përfshirë zonat detare të ndjeshme, si dhe të dhëna për ndikimet e peshkimit në rrjetat trofike;
c) të dhëna për aktivitetin e anijeve të peshkimit, brenda dhe jashtë ujërave territoriale, duke përfshirë nivelet e peshkimit, si dhe mbi sforcon dhe kapacitetin e flotës të peshkimit;
ç) të dhëna socioekonomike për peshkimin, me qëllim vlerësimin e performancës socioekonomike të sektorit të peshkimit në vend;
d) të dhëna socioekonomike dhe të dhëna për qëndrueshmërinë e akuakulturës detare, me qëllim vlerësimin e performancës socio-ekonomike e të qëndrueshmërisë së sektorit të akuakulturës, përfshirë ndikimin e tij në mjedis;
dh) të dhëna socioekonomike për sektorin e përpunimit të produkteve të peshkimit, me qëllim vlerësimin e performancës socio-ekonomike të këtij sektori.
3. Të dhënat e përmendura në shkronjën “a”, të pikës 1, të këtij neni, mund të përfshijnë edhe të dhëna socioekonomike e të dhëna për qëndrueshmërinë e akuakulturës së ujërave të brendshme, me qëllim vlerësimin e performancës socioekonomike e të qëndrueshmërisë së sektorit të akuakulturës në vend, përfshirë ndikimin e tij në mjedis.
4. Për qëllimet e hartimit të programit shumëvjeçar, merren në konsideratë:
a) nevojat për informacion për menaxhimin dhe zbatimin efikas të politikave kombëtare në fuqi në fushën e peshkimit, me qëllim arritjen e objektivave, të përcaktuara në nenin 2, të ligjit nr.64/2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar. Ky informacion mundëson përcaktimin e objektivave të nevojshëm për zbatimin e planeve shumëvjeçare, në përputhje me përcaktimet e ligjit nr.64/2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar;
b) nevojat për të dhëna të rëndësishme, të plota e të besueshme, për qëllime vendimmarrjeje në menaxhimin e peshkimit dhe mbrojtjen e ekosistemeve, përfshirë speciet dhe habitatet e ndjeshme;
c) nevojat dhe rëndësinë e të dhënave për zhvillimin e qëndrueshëm të akuakulturës në nivel kombëtar, duke marrë parasysh karakterin kryesisht lokal të ndikimeve të saj;
ç) nevojën për të mbështetur vlerësimin e ndikimit të masave të politikave në fushën e peshkimit;
d) kostot dhe përfitimet, duke marrë parasysh zgjidhjet me kosto-efektivitet më të lartë për arritjen e objektivave të grumbullimit të të dhënave;
dh) nevojën për të shmangur ndërprerjen e serive kohore për të dhënat ekzistuese;
e) nevojën për thjeshtimin dhe shmangien e dyfishimit të grumbullimit të të dhënave, në përputhje me nenin 1, të këtij vendimi;
ë) kur është e nevojshme, nevojën për grumbullimin e të dhënave për forma peshkimi, për të cilat ka mungesë të dhënash të mjaftueshme;
f) specifikat rajonale dhe marrëveshjet rajonale të lidhura në kuadër të grupeve të koordinimit rajonal;
g) detyrimet ndërkombëtare;
gj) mbulimi hapësinor dhe kohor i aktiviteteve të grumbullimit të të dhënave.
5. Lista e fushatave kërkimore detare të detyrueshme, e përmendur në shkronjën “b”, të pikës 1, të këtij neni, hartohet, bazuar në kërkesat e mëposhtme:
a) Nevojat për informacion për menaxhimin e politikës së peshkimit, me qëllim arritjen e objektivave të saj, të përcaktuar në nenin 2, të ligjit nr.64/2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar;
b) Nevojat për informacion, që rrjedhin nga koordinimi dhe harmonizimi i dakordësuar në nivel ndërkombëtar;
c) Nevojat për informacion për vlerësimin e planeve të menaxhimit;
ç) Nevojat për informacion për monitorimin e variablave të ekosistemeve;
d) Nevojën për të shmangur dyfishimin ndërmjet fushatave kërkimore detare;
dh) Nevojën për të shmangur ndërprerjen e serive kohore për të dhënat ekzistuese.
6. Për stoqet, që janë subjekt i kufijve të zënieve, rregullat për fushatat kërkimore detare, të përmendura në shkronjën “b”, të pikës 1, të këtij neni, bazohen në totalin e zënieve të lejuara në dispozicion për stoqet përkatëse. Për stoqet, që nuk janë subjekt i kufijve të zënies, këto rregulla bazohen në shfrytëzimin total të stokut përkatës.
7. Për stoqet, që janë subjekt i kufijve të zënieve, pragjet e përmendura në shkronjën “c”, të pikës 1, të këtij neni, përcaktohet në bazë të zënieve totale të lejuara të disponueshme për stokun në fjalë. Për stoqet që nuk janë subjekt i kufijve të zënieve, ky prag përcaktohet në bazë të pjesës relative, në shfrytëzim ndaj totalit të stokut në fjalë. Sa i përket sektorit të akuakulturës dhe përpunimit, këto pragje duhet të jenë proporcionale me madhësinë e këtyre sektorëve.
Neni 6
Planet kombëtare të punës
1. Pa cenuar detyrimet ekzistuese për grumbullimin e të dhënave, sipas legjislacionit në fuqi, institucioni përgjegjës i mbledh këto të dhëna në kuadër të një plani pune, të hartuar në përputhje me programin shumëvjeçar kombëtar. Institucioni përgjegjës i paraqet ministrit planin kombëtar të punës, deri në datën 15 tetor të vitit paraardhës të vitit, për të cilin do të zbatohet plani. Në rast se një plan ekzistues vijon të jetë në fuqi, institucioni përgjegjës njofton ministrinë për vijimin e zbatimit të tij.
2. Plani kombëtar i punës, i përmendur në pikën 1, të këtij neni, miratohet me urdhër të ministrit, brenda 31 dhjetorit të vitit paraardhës të vitit, për të cilin do të zbatohet plani. Gjatë miratimit të planit kombëtar të punës, ministri bazohet në vlerësimin e kryer nga KKKSHTE-ja, në përputhje me nenin 9, të këtij vendimi. Nëse ky vlerësim tregon se plani nuk është në përputhje me këtë nen ose nuk garanton rëndësinë shkencore të të dhënave apo cilësinë e mjaftueshme të metodave e të procedurave të propozuara, ministri njofton menjëherë institucionin përgjegjës dhe përcakton ndryshimet që i konsideron të nevojshme. Institucioni përgjegjës paraqet më pas në ministri planin kombëtar të punës, të rishikuar për miratim.
3. Plani kombëtar i punës përmban përshkrime të detajuara, si më poshtë vijon:
a) Të dhënat që do të grumbullohen, në përputhje me programin shumëvjeçar kombëtar;
b) Shpërndarjen kohore dhe hapësinore, si dhe frekuencën e grumbullimit të të dhënave;
c) Burimin e të dhënave, procedurat e metodat për grumbullimin dhe përpunimin e tyre në grupe të dhënash, që do t’u vihen në dispozicion përdoruesve përfundimtarë të të dhënave shkencore;
ç) Kornizën e sigurimit dhe kontrollit të cilësisë, me qëllim garantimin e cilësisë së përshtatshme të të dhënave, në përputhje me nenin përkatës të këtij vendimi;
d) Formatin dhe afatet, në të cilat të dhënat vihen në dispozicion të përdoruesve përfundimtarë të të dhënave shkencore, duke marrë në konsideratë nevojat e tyre, kur këto janë të njohura;
dh) Bashkëpunimin dhe koordinimin në nivel ndërkombëtar e rajonal, përfshirë marrëveshjet bilaterale dhe multilaterale të lidhura për arritjen e objektivave të këtij vendimi;
e) Mënyrën se si janë marrë në konsideratë detyrimet ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë.
4. Gjatë përgatitjes së planit kombëtar të punës, institucioni përgjegjës bashkëpunon dhe koordinon veprimtarinë e tij me institucionet homologe të vendeve të tjera, veçanërisht me ato që ndodhen në të njëjtin rajon detar, me qëllim sigurimin e një mbulimi të mjaftueshëm dhe efikas të grumbullimit të të dhënave, si dhe shmangien e mbivendosjes së aktiviteteve. Në këtë proces, institucioni përgjegjës synon përfshirjen e palëve të interesuara përkatëse në nivelin e duhur. Kur është e nevojshme, bashkëpunimi e koordinimi zhvillohen edhe në kuadër të mekanizmave rajonalë ose ndërkombëtarë përkatës ose jashtë tyre, në përputhje me marrëveshjet dhe angazhimet ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë.
Neni 7
Grumbullimi i te dhënave
1. Metodat dhe cilësia e grumbullimit të të dhënave është të përputhje me qëllimet e nenit 23, të ligjit nr.64/2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar. Metodat e aplikuara ndjekin këshillat dhe praktikat shkencore më të mira. Institucioni përgjegjës zhvillon studime për të eksploruar, për të zhvilluar dhe për të testuar më tej metodat e grumbullimit të të dhënave. Metodat dhe zbatimi i tyre vlerësohen në intervale të rregullta nga organet e pavarura shkencore dhe nga KKKSHTE-ja, për të përcaktuar nëse ato janë të përshtatshme për qëllimet e synuara. Institucioni përgjegjës përshtat planifikimin dhe zbatimin e grumbullimit të të dhënave, në përputhje me rezultatet e këtyre vlerësimeve.
2. Për të dhënat e përcaktuara në pjesët  1, 2, 3 dhe 4, të shtojcës I, të këtij vendimi, të raportuara e të transmetuara sipas vendimit nr.407, datë 8.5.2013, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e një regjimi kontrolli për të garantuar respektimin e rregullave të politikave menaxhuese në peshkim”, të ndryshuar, duke përfshirë, por pa u kufizuar në të dhënat e logbook-ut, për shitjen dhe të dhënat për pozicionin e anijes, i vihen në dispozicion në formë primare institucioneve kombëtare, që zbatojnë planet kombëtare të punës, sipas pikës 1, të nenit 6, të këtij vendimi.
3. Për të dhënat e përcaktuara në pjesët 1, 2 e 3, të shtojcës I, të këtij vendimi, institucioni përgjegjës dakordëson në nivel rajoni detar për të dhënat që do të grumbullohen, bazuar në nevojat e identifikuara të përdoruesve fundorë të të dhënave shkencore, duke përfshirë speciet, stoqet, rajonet, variablat, metodologjinë dhe frekuencën e grumbullimit të të dhënave. Të dhënat e grumbulluara në këtë mënyrë u mundësojnë përdoruesve fundorë të nxjerrin vlerësimet e nevojshme për të gjitha format e peshkimit, periudhat kohore dhe zonat. Nëse nuk mund të arrihet koordinim në nivel rajonal, institucioni përgjegjës mundëson që grumbullimi i të dhënave në nivel kombëtar të bazohet në nevojat e përdoruesve fundorë.
4. Për të dhënat sociale dhe ekonomike, të përcaktuara në pjesët 4, 5 e 6, të shtojcës I, të këtij vendimi, zbatohen përkufizimet e përdorura nga Instituti i Statistikave (INSTAT).
5. Në specifikimin e të dhënave që do të grumbullohen, institucioni përgjegjës merr parasysh pragjet e përcaktuara në shtojcën II, të këtij vendimi, që përcakton listën e fushatave dhe pragjeve të detyrueshme, si pjesë e programit kombëtar shumëvjeçar për grumbullimin dhe menaxhimin e të dhënave në sektorët e peshkimit dhe akuakulturës.
6. Të dhënat që grumbullohen, në zbatim të programit kombëtar shumëvjeçar për grumbullimin dhe menaxhimin e të dhënave në sektorët e peshkimit e të akuakulturës, ndahen në grupe, sipas përcaktimeve të pjesëve 1 deri në 6, të shtojcës I, të këtij vendimi.
Neni 8
 Koordinatorët kombëtarë
1. Ministri cakton nga stafi i drejtorisë përgjegjëse për peshkimin në ministri një koordinator kombëtar për grumbullimin e të dhënave në sektorin e peshkimit e të akuakulturës. Koordinatori kombëtar shërben si pikë kontakti për shkëmbimin e informacionit ndërmjet ministrisë dhe institucioneve kombëtare, si dhe me organizmat rajonalë e ndërkombëtarë përkatës, në lidhje me përgatitjen dhe zbatimin e planit kombëtar të punës, të parashikuar në pikën 1, të nenit 6, të këtij vendimi.
2. Koordinatori kombëtar ushtron këto detyra:
a) Koordinon përgatitjen e raportit vjetor, të parashikuar në nenin 10, të këtij vendimi;
b) Siguron shkëmbimin dhe transmetimin e informacionit ndërmjet institucioneve kombëtare përgjegjëse;
c) Koordinon pjesëmarrjen e ekspertëve përkatës në grumbullimin e grupeve të ekspertëve të organizuara nga ministria ose nga organizmat rajonalë e ndërkombëtarë përkatës, si dhe pjesëmarrjen në mekanizmat e koordinimit rajonal, të parashikuar në këtë vendim.
3. Në rast se në zbatimin e planit kombëtar të punës përfshihen disa institucione, koordinatori kombëtar siguron koordinimin e veprimtarisë së tyre.
4. Ministri emëron koordinatorin kombëtar dhe siguron që ai të pajiset me autorizimin e nevojshëm për të përfaqësuar Republikën e Shqipërisë në mekanizmat e koordinimit rajonal.
Neni 9
Vlerësimi i planeve kombëtare të punës nga KKKSHTE-ja
KKKSHTE-ja vlerëson planet kombëtare dhe projektplanet e punës në pikën 1, të nenit 6, të këtij vendimi. Gjatë vlerësimit, ajo merr parasysh:
a) përputhshmërinë e planeve të punës, si dhe të çdo ndryshimi të tyre, me këtë vendim;
b) rëndësinë shkencore të të dhënave të përfshira në planet e punës, si dhe cilësinë e metodave e të procedurave të propozuara.
Neni 10
Vlerësimi dhe miratimi i rezultateve të planeve kombëtare të punës
1. Institucioni përgjegjës dorëzon çdo vit pranë ministrit përgjegjës për peshkimin dhe akuakulturën një raport për zbatimin e planit kombëtar të punës, në zbatim të rregullave, formatit dhe afateve të përcaktuara nga ministri.
2. Në përputhje me parashikimet e nenit 9, të këtij vendimi, KKKSHTE-ja vlerëson:
a) zbatimin e planeve kombëtare të punës;
b) cilësinë e të dhënave të grumbulluara nga institucioni përgjegjës për grumbullimin e të dhënave në sektorin e peshkimit dhe akuakulturës.
3. Ministri vlerëson zbatimin e planeve kombëtare të punës, në bazë të:
a) vlerësimit të kryer nga KKKSHTE-ja;
b) konsultimeve me organizatat rajonale për menaxhimin e peshkimit, ku Republika e Shqipërisë është palë kontraktuese ose vëzhguese, si dhe me organet ndërkombëtare shkencore përkatëse.
Neni 11
Aksesi në vendet e kampionimit
1. Institucioni përgjegjës siguron që, për kryerjen e detyrave të tyre, personat e caktuar për zbatimin e planit kombëtar të punës të kenë të drejtën e aksesit në të gjitha zbarkimet/zëniet e peshkut në anijet e peshkimit dhe në vendet e tjera të kampionimit, si dhe në regjistrat e bizneseve dhe çdo të dhënë tjetër të nevojshme.
2. Kapitenët e anijeve të peshkimit pranojnë në bord vëzhguesit shkencorë dhe bashkëpunojnë me ta për t’u mundësuar kryerjen e detyrave gjatë qëndrimit në bord, si dhe zbatimin e metodave alternative të grumbullimit të të dhënave, kur është e përshtatshme, të përcaktuara në planin kombëtar të punës, pa cenuar detyrimet ndërkombëtare.
3. Kapitenët e anijeve të peshkimit mund të refuzojnë pranimin në bord të vëzhguesve shkencorë, që operojnë në kuadër të skemës së monitorimit në det vetëm për shkak të mungesës së dukshme të hapësirës në anije ose për arsye sigurie, në përputhje me legjislacionin për sigurinë detare në fuqi. Në këto raste, të dhënat grumbullohen nëpërmjet metodave alternative të grumbullimit të të dhënave, të përcaktuara në planin kombëtar të punës dhe të hartuar e të kontrolluar nga institucioni përgjegjës.
Neni 12
Ruajtja e të dhënave
 Institucioni përgjegjës:
a) siguron që të dhënat primare, të grumbulluara në kuadër të planeve kombëtare të punës, të ruhen në regjistra elektronikë dhe merr të gjitha masat e nevojshme për t’i trajtuar ato si konfidenciale;
b) siguron që metadatat që lidhen me të dhënat primare socioekonomike, të grumbulluara në kuadër të planeve kombëtare të punës, të ruhen në sisteme elektronike të të dhënave;
c) merr të gjitha masat teknike të nevojshme për të mbrojtur këto të dhëna nga çdo shkatërrim aksidental ose i paligjshëm, humbje aksidentale, dëmtim, si dhe nga çdo akses ose shpërndarje e paautorizuar.
Neni 13
Kontrolli i cilësisë së të dhënave dhe verifikimi
1. Institucioni përgjegjës është përgjegjës për cilësinë dhe plotësinë e të dhënave primare, të grumbulluara në kuadër të planeve kombëtare të punës, si dhe për të dhënat e detajuara e të përbëra që nxirren prej tyre dhe u transmetohen përdoruesve të të dhënave shkencore.
2. Institucioni përgjegjës siguron që:
a) të dhënat primare, të grumbulluara në kuadër të planeve kombëtare të punës, të kontrollohen në mënyrë të përshtatshme për gabime, nëpërmjet procedurave të sigurimit dhe kontrollit të cilësisë;
b) të dhënat e detajuara dhe të përbëra, të nxjerra nga të dhënat primare, të grumbulluara në kuadër të planeve kombëtare të punës, të verifikohen përpara se t’u transmetohen përdoruesve të të dhënave shkencore;
c) procedurat e sigurimit të cilësisë, të zbatuara për të dhënat primare, të detajuara dhe të përbëra, të përmendura në shkronjat “a” dhe “b”, të këtij neni, të zhvillohen në përputhje me standardet dhe procedurat e miratuara nga organet shkencore ndërkombëtare, organizatat rajonale për menaxhimin e peshkimit dhe nga KKKSHTE-ja.
KREU III
PËRDORIMI I TË DHËNAVE
Neni 14
Aksesi dhe transmetimi i të dhënave primare
1. Për qëllime të verifikimit të ekzistencës së të dhënave primare, të grumbulluara në përputhje me këtë vendim, me përjashtim të të dhënave socioekonomike, institucioni përgjegjës siguron që ministria të ketë akses në bazat kombëtare elektronike të të dhënave, të parashikuara në këtë vendim.
2. Për qëllime të verifikimit të të dhënave socioekonomike, të grumbulluara në përputhje me këtë vendim, institucioni përgjegjës siguron që ministria të ketë akses në bazat kombëtare elektronike të të dhënave, të parashikuara në këtë vendim.
3. Institucioni përgjegjës siguron që të dhënat primare, të grumbulluara gjatë fushatave kërkimore në det, t’u transmetohen organizatave shkencore ndërkombëtare dhe organeve shkencore përkatëse, në kuadër të organizatave rajonale për menaxhimin e peshkimit, në përputhje me detyrimet ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë.
4. Institucioni përgjegjës siguron që të dhënat e grumbulluara, në kuadër të programit shumëvjeçar për grumbullimin dhe menaxhimin e të dhënave për sektorin e peshkimit dhe akuakulturen, t’u transmetohen sipas nevojës organizatave rajonale të menaxhimit të peshkimit, ku Republika e Shqipërisë është palë kontaktuese, sipas formatit të përcaktuar nga vetë këto organizata.
5. Institucioni përgjegjës siguron, që të dhënat e grumbulluara në kuadër të programit shumëvjeçar për grumbullimin dhe menaxhimin e të dhënave për sektorin e peshkimit dhe akuakulturen, t’u transmetohen sipas nevojës së Bashkimit Evropian, sipas formatit dhe rregullave të përcaktuara nga ministri.
Neni 15
Përpunimi i të dhënave primare
1. Institucioni përgjegjës përpunon të dhënat primare në grupe të dhënash, të detajuara ose të përbëra, në përputhje me:
a) standardet ndërkombëtare përkatëse, kur është e zbatueshme;
b) protokollet e miratuara në nivel ndërkombëtar ose rajonal, kur është e zbatueshme.
2. Institucioni përgjegjës u siguron përdoruesve të të dhënave shkencore dhe ministrisë një përshkrim të metodave të aplikuara për përpunimin e të dhënave të kërkuara, si dhe të karakteristikave të tyre statistikore.
Neni 16
Procedurat për vënien në dispozicion të të dhënave të detajuara dhe të përbëra
1. Institucioni përgjegjës përdor sisteme elektronike të përshtatshme për të siguruar zbatimin efektiv të këtij vendimi. Ai shmang çdo kufizim të panevojshëm në shpërndarjen e të dhënave të detajuara e të përbëra te përdoruesit e të dhënave shkencore dhe palët e tjera të interesuara.
2. Institucioni përgjegjës siguron masa të përshtatshme mbrojtjeje, kur të dhënat përfshijnë informacion, që lidhet me persona fizikë ose juridikë, të identifikuar ose të identifikueshëm, në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.
3. Institucioni përgjegjës refuzon transmetimin e të dhënave të detajuara dhe të përbëra, nëse ekziston rreziku i identifikimit të personave fizikë ose juridikë. Në këtë rast, propozon mënyra alternative për përmbushjen e nevojave të përcaktuara nga përdoruesit e të dhënave shkencore, duke garantuar anonimatin.
4. Në rastin e kërkesave të ndryshme nga ato të parashikuara në pikën 3, të këtij neni, institucioni përgjegjës siguron që të dhënat e detajuara e të përbëra përkatëse të përditësohen dhe t’u vihen në dispozicion përdoruesve përkatës, brenda afateve të përcaktuara në kërkesë, të cilat nuk mund të jenë më të shkurtra se 1 (një) muaj nga data e pranimit të saj.
5. Në rastet e kërkesave të tjera, përveç atyre të përmendura në pikën 4, të këtij neni, institucioni përgjegjës siguron që të dhënat përkatëse të përditësohen e t’u vihen në dispozicion përdoruesve përkatës të të dhënave shkencore dhe palëve të tjera të interesuara, brenda një periudhe të arsyeshme kohore. Brenda 2 (dy) muajve nga data e pranimit të kërkesës, institucioni përgjegjës informon palën kërkuese për kohëzgjatjen e kësaj periudhe, e cila duhet të jetë proporcionale me përmasën dhe kompleksitetin e kërkesës, si dhe për nevojën eventuale për përpunim shtesë të të dhënave të kërkuara.
6. Në rastet kur kërkesa për të dhëna nga përdorues të tjerë të të dhënave shkencore, përveç atyre të përmendura në pikën 4, të këtij neni, ose nga palë të tjera të interesuara, kërkon përpunim shtesë të të dhënave të grumbulluara, institucioni përgjegjës i ngarkon palës kërkuese kostot e përpunimit shtesë të të dhënave, të nevojshme përpara transmetimit të tyre. Kostoja shtesë përllogaritet sipas legjislacionit në fuqi.
7. Ministri miraton zgjatjen e afatit, të përmendur në pikën 4, të këtij neni, me kërkesë të institucionit përgjegjës, në rast se nevojitet më shumë kohë për të vënë në dispozicion të dhënat e kërkuara.
8. Kur kërkohen të dhëna të detajuara, për qëllime publikimi shkencor, institucioni përgjegjës, me qëllim mbrojtjen e interesave profesionale të personave të caktuar për grumbullimin e të dhënave, në kuadër të zbatimit të planit kombëtar të punës, mund të kërkojë shtyrjen e publikimit të të dhënave deri në 3 (tre) vjet nga data e grumbullimit e tyre. Institucioni përgjegjës informon përdoruesit e të dhënave shkencore dhe autoritetin kompetent për çdo vendim të tillë, si dhe për arsyet që e mbështesin atë.
Neni 17
Sistemet e përputhshme për ruajtjen dhe shkëmbimin e të dhënave
Me qëllim uljen e kostove dhe lehtësimin e aksesit në të dhënat e detajuara e të përbëra për përdoruesit e të dhënave shkencore dhe palët e tjera të interesuara, institucioni përgjegjës, ministria, organet këshilluese shkencore dhe përdorues të tjerë të rëndësishëm të të dhënave shkencore bashkëpunojnë për zhvillimin e sistemeve të përputhshme për ruajtjen dhe shkëmbimin e të dhënave. Këto sisteme synojnë gjithashtu lehtësimin e shpërndarjes së informacionit te palët e tjera të interesuara. Sisteme të tilla marrin formën e bazave rajonale të të dhënave. Planet rajonale të punës shërbejnë si bazë për arritjen e marrëveshjeve për krijimin dhe funksionimin e këtyre sistemeve.
Neni 18
                 Shqyrtimi i refuzimit për vënien në dispozicion të të dhënave
Nëse institucioni përgjegjës refuzon të japë të dhëna, sipas pikës 8, të nenit 16, të këtij vendimi, përdoruesi përfundimtar i të dhënave shkencore mund t’i kërkojë ministrisë të rishikojë këtë refuzim. Nëse ministria konstaton se refuzimi nuk është i justifikuar, i kërkon institucionit përgjegjës t’i vendosë në dispozicion të dhënat për përdoruesin përfundimtar të të dhënave shkencore brenda një muaji.
Neni 19
Detyrimet e përdoruesve të të dhënave shkencore dhe palëve të tjera të interesuara
1. Përdoruesit e të dhënave shkencore dhe palët e tjera të interesuara duhet:
a) të përdorin të dhënat vetëm për qëllimin e deklaruar në kërkesën e tyre për informacion, në përputhje me nenin 16, të këtij vendimi;
b) të njohin dhe të citojnë në mënyrën e duhur burimet e të dhënave;
c) të jenë përgjegjës për përdorimin korrekt e të përshtatshëm të të dhënave, duke respektuar parimet e etikës shkencore;
ç) të informojnë ministrin dhe institucionin përgjegjës për çdo problem të dyshuar, që lidhet me të dhënat;
d) të sigurojnë për ministrin dhe institucionin përgjegjës referenca për rezultatet e përdorimit të të dhënave;
dh) të mos transmetojnë të dhënat e kërkuara te palët e treta pa pëlqimin e ministrisë;
 e) të mos shesin të dhënat te ndonjë palë e tretë.
2. Institucioni përgjegjës informon ministrin për çdo rast të mosrespektimit të detyrimeve nga përdoruesit e të dhënave shkencore ose nga palët e tjera të interesuara.
3. Kur përdoruesit e të dhënave shkencore ose palët e tjera të interesuara nuk i përmbahen ndonjërit prej kërkesave, të parashtruara në pikën 1, të këtij neni, ministri lejon institucionin përgjegjës të kufizojë ose të refuzojë qasjen e këtyre përdoruesve në të dhëna.
KREU IV
MBËSHTETJA PËR KËSHILLIMIN SHKENCOR
Neni 20
Pjesëmarrja në takimet e organeve ndërkombëtare
Ministria cakton ekspertët e saj të marrin pjesë në takimet përkatëse të organizatave rajonale për menaxhimin e peshkimit, ku Republika e Shqipërisë është palë kontraktuese ose vëzhguese, si dhe në takimet e organeve ndërkombëtare shkencore.
Neni 21
Koordinimi dhe bashkëpunimi ndërkombëtar
1. Ministria dhe institucioni përgjegjës koordinojnë dhe bashkëpunojnë me organizatat rajonale për menaxhimin e peshkimit, ku Republika e Shqipërisë është palë kontraktuese ose vëzhguese, si dhe me organet ndërkombëtare shkencore, me qëllim përmirësimin e cilësisë, kohëzgjatjes dhe mbulimit të të dhënave, duke kontribuuar në rritjen e besueshmërisë së këshillimit shkencor, në përmirësimin e cilësisë së planeve dhe të metodave të punës.
2. Ky koordinim e bashkëpunim zhvillohet pa cenuar debatet e hapura shkencore dhe synon promovimin e këshillimit shkencor të paanshëm.
KREU V
DISPOZITA PËRFUNDIMTARE
Neni 22
Monitorimi
Ministri, në bashkëpunim me KKKSHTE-në, monitoron zbatimin dhe ecurinë e planeve të punës, të parashikuara në këtë vendim.
Neni 23
Mbështetja këshillimore shkencore
Në zbatimin e këtij vendimi, institucioni përgjegjës dhe ministria  mbështeten nga KKKSHTE-ja, e cila ofron këshillim dhe ekspertizë shkencore për çështjet që lidhen me grumbullimin, përpunimin e përdorimin e të dhënave në sektorin e peshkimit.
Neni 24
Shfuqizime
1. Vendimi nr.256, datë 24.4.2019, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e rregullave për grumbullimin, menaxhimin e përdorimin e të dhënave në sektorin e peshkimit dhe mbështetjen për këshillimin shkencor për Strategjinë Kombëtare të Peshkimit”, shfuqizohet.
2. Në  datën e anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian, dispozitat e këtij vendimi shfuqizohen.
Neni 25
Hyrja në fuqi
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet nga data 1 janar 2027.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
 PËR
RISHPËRNDARJEN E NUMRIT TË PUNONJËSVE ORGANIKË NË INSTITUCIONET QENDRORE PËR VITIN 2026
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 12, të ligjit nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Numri i punonjësve të Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje reduktohet me 24 (njëzet e katër) punonjës. Numri i përgjithshëm i punonjësve të Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje bëhet 46 (dyzet e gjashtë).
2. Numri i punonjësve të Qendrës për Hapje dhe Dialog “COD” shtohet me 24 (njëzet e katër) punonjës. Numri i përgjithshëm i punonjësve të Qendrës për Hapje dhe Dialog “COD” bëhet 24 (njëzet e katër).
3. Efektet financiare të këtij vendimi fillojnë më 1.9.2026.
4. Ngarkohen Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje dhe Qendra për Hapje dhe Dialog “COD” për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI PROJEKTIT “ZGJERIM I RRUGËS SË KSAMILIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Zgjerim i rrugës së Ksamilit”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit  “kullotë”, me një vlerë të përgjithshme prej 4 741 122 (katër milionë e shtatëqind e dyzet e një mijë e njëqind e njëzet e dy) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 4 741 122 (katër milionë e shtatëqind e dyzet e një mijë e njëqind e njëzet e dy) lekësh, përballohet nga buxheti i shtetit, llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin.
8. Për pasuritë me numra 1/193, 1/194, 1/670, 1/669, 1/672, si dhe 1/671, që miratohen me anë të këtij vendimi, masa e shpërblimit ose e kompensimit do të vendoset në dispozicion të personit që rezulton nga vendimi i formës së prerë të gjykatës, në përputhje me pikën 2, të nenit 16, të ligjit nr.8561,                                     datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”.
9. Agjencia Shtetërore për Shpronësimin kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
10. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
11. Autoriteti Rrugor Shqiptar, pas miratimit të këtij vendimi, aplikon menjëherë pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Drejtoria Vendore Sarandë, e cila brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të vendimit, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për Autoritetin Rrugor Shqiptar për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
12. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimit të aktit të kalimit të pronësisë në favor të shtetit në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për Autoritetin Rrugor Shqiptar për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
13. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Sarandë, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Sarandë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARIT TË PASURISË SË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKET NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIMI I URËS SË FSHATIT METOQ”, BASHKIA SARANDË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarit të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga realizimi i projektit “Ndërtimi i urës së fshatit Metoq”, Bashkia Sarandë.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Sarandë.
3. Pronari i pasurisë së paluajtshme, pronë private, që shpronësohet, kompensohet në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasurinë e llojit “arë”, me një vlerë të përgjithshme prej 49 256 (dyzet e nëntë mijë e dyqind e pesëdhjetë e gjashtë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 49 256 (dyzet e nëntë mijë e dyqind e pesëdhjetë e gjashtë) lekësh, përballohet nga Bashkia Sarandë.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Bashkia Sarandë.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronari i pasurisë së paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohet, për efekt shpronësimi, pasi të ketë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Sarandë.
8. Bashkia Sarandë kryen procedurat për likuidimin e pronarit të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Sarandë.
10. Bashkia Sarandë, pas miratimit të këtij vendimi, aplikon menjëherë pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Drejtoria Vendore Sarandë, e cila brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të vendimit, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Sarandë për pasurinë e shpronësuar, sipas këtij vendimi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasurinë e shpronësuar deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimit të aktit të kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Sarandë për pasurinë e shpronësuar, sipas këtij vendimi.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Sarandë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Sarandë, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Vlorë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIMI I GODINËS SË PARKIMIT NËNTOKËSOR DHE I PARKUT ÇLODHËS, VLORË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i godinës së parkimit nëntokësor dhe i parkut çlodhës, Vlorë”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall”, me një vlerë të përgjithshme prej 7 228 689 (shtatë milionë e dyqind e njëzet e tetë mijë e gjashtëqind e tetëdhjetë e nëntë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 7 228 689 (shtatë milionë e dyqind e njëzet e tetë mijë e gjashtëqind e tetëdhjetë e nëntë) lekësh përballohet nga buxheti i shtetit, llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin.
8. Agjencia Shtetërore për Shpronësimin kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
10. Fondi Shqiptar i Zhvillimit, pas miratimit të këtij vendimi, aplikon menjëherë pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Drejtoria Vendore Vlorë, e cila, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të vendimit, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimit të aktit të kalimit të pronësisë në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Vlorë, si dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.714, DATË 26.11.2025, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPALLJEN E DISA ZONAVE ME PËRPARËSI ZHVILLIMIN E EKONOMISË MALORE NË BASHKINË SHKODËR”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 4, të ligjit nr.20/2025, “Për paketën e maleve”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në  vendimin  nr.714,  datë  26.11.2025,  të Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen e disa zonave me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore në Bashkinë Shkodër”, bëhen këto shtesa:
a) Pas shkronjës “d”, të pikës 1, shtohen shkronjat “dh”, “e”, “ë” dhe “f”, me këtë përmbajtje:
“dh) Zona nr.6, fshatrat Nderlysaj, Lekaj, Gimaj, Nënmavriq, Nicaj-Shale, Abat, Pecaj, Vuksanaj dhe Lotaj, pjesë të njësisë administrative Shalë, Bashkia Shkodër, Qarku Shkodër, me sipërfaqe 4667 (katër mijë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e shtatë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
e) Zona nr.7, fshatrat Ndrejaj, Nikaj-Shosh, Palaj, Pepsumaj dhe Brashtë, pjesë të njësisë administrative Shosh, Bashkia Shkodër, Qarku Shkodër, me sipërfaqe 4458 (katër mijë e katërqind e pesëdhjetë e   tetë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
ë) Zona nr.8, fshatrat Pog, Kir, Gjuraj, Plan, Xhan, Bruçaj dhe Mgull, pjesë të njësisë administrative Pult, Bashkia Shkodër, Qarku Shkodër, me sipërfaqe 11080 (njëmbëdhjetë mijë e tetëdhjetë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
f) Zona nr.9, fshatrat Drisht, Ura e Shtrenjtë, Domen dhe Prekal, pjesë të njësisë administrative Postribë, Bashkia Shkodër, Qarku Shkodër, me sipërfaqe 3183 (tre mijë e njëqind e tetëdhjetë e tre) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH.”.
b) Hartave treguese, sipas sistemit KRGJSH, që i bashkëlidhen vendimit nr.714, datë 26.11.2025, të Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen e disa zonave me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore në Bashkinë Shkodër”, i shtohen hartat treguese, sipas sistemit KRGJSH për zonat nr.6, nr.7, nr.8 dhe nr.9, të cilat i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Bashkia Shkodër për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
  K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.751, DATË 1.12.2022, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR NJË MBROJTJE TË VEÇANTË NGA SHTETI PËR GRATË E PAPUNA ME TRE APO MË SHUMË FËMIJË TË MOSHËS DERI NË 18 VJEÇ”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 58, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.751, datë 1.12.2022, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto shtesa:
a) Në titullin e vendimit, pas togfjalëshit “… 18 vjeç …” shtohen fjalët “… dhe ndihmësit personalë të personave me aftësi të kufizuar …”;
b) Pas pikës 1 shtohen pikat 1/1 dhe 1/2, me këtë përmbajtje:
“1/1. Ndihmësve personalë të personave me aftësi të kufizuar, sipas shkronjave “b” dhe “c”, të nenit 8, të ligjit nr.57/2019, “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, që nuk janë ekonomikisht aktivë dhe nuk përfitojnë të ardhura nga skema e sigurimit të detyrueshëm të sigurimeve shoqërore, periudha e kujdesit ndaj personave me aftësi të kufizuar u njihet si periudhë sigurimi, për efekt përfitimi pensioni pleqërie dhe barrëlindjeje.
1/2. Ndihmësve personalë të përfituesve, sipas nenit 5, të ligjit nr.8098, datë 28.3.1996, “Për statusin e të verbrit”, të ndryshuar, që nuk janë ekonomikisht aktivë dhe nuk përfitojnë të ardhura nga skema e sigurimit të detyrueshëm të sigurimeve shoqërore, periudha e kujdesit ndaj të verbërve u njihet si periudhë sigurimi, për efekt përfitimi pensioni pleqërie dhe barrëlindjeje.”.
c) Pas pikës 3 shtohet pika 3/1, me këtë përmbajtje:
“3/1. Bashkitë përcaktojnë listat e ndihmësve personalë dhe çdo muaj llogarisin e kryejnë pagesën e kontributeve, sipas parashikimeve të ligjit nr.9136, datë 11.9.2003, “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të udhëzimit të ministrit përgjegjës për shëndetësinë dhe çështjet sociale.”.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
3. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 tetor 2026.
K  R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
 DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.54, DATË 5.2.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE, TË PROCEDURËS E TË MËNYRËS SË DHËNIES ME QIRA, ENFITEOZË APO KONTRATA TË TJERA TË PASURISË SHTETËRORE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 5, të aktit normativ nr.4, datë 9.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve”, të miratuar me ligjin nr.9967, datë 24.7.2008, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
 I. Në vendimin nr.54, datë 5.2.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës e të mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontrata të tjera të pasurisë shtetërore”, të ndryshuar, bëhen ndryshimet e shtesat e mëposhtme:
1. Kudo në këtë vendim:
a) togfjalëshi “prona/pronës publike” zëvendësohet përkatësisht me “pasuria/pasurisë shtetërore”;
b) togfjalëshi “dega/degët/degën e shoqërive publike, në/pranë prefekturën/prefekturës/prefekturave/prefekturës përkatëse”  zëvendësohet përkatësisht me “struktura/strukturën përgjegjëse në ministrinë përgjegjëse për ekonominë”;
c) pas fjalës “… genplanin/genplanit/genplanet …” shtohen përkatësisht fjalët “… ose planin e rilevimit/ose planit të rilevimit/ose planet e rilevimit …”;
ç) togfjalëshi “tokat/tokës e/së pafrytshme” zëvendësohet përkatësisht me “tokat/tokës inproduktive”;
d) togfjalëshi “pushteti vendor” zëvendësohet me “njësia e vetëqeverisjes vendore”;
dh) togfjalëshi “organi i pushtetit vendor” zëvendësohet me “organi i njësisë së vetëqeverisjes vendore”;
e) togfjalëshi “tarifa/t dysheme e/të qirasë mujore” zëvendësohet përkatësisht me “tarifa/t dysheme”.
2. Në kreun I të vendimit bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Në pikën 1, fjalët “… nëpërmjet procedurës së konkurrimit.” zëvendësohen me “… nëpërmjet procedurës së konkurrimit ose në mënyrë të drejtpërdrejtë vetëm për rastet e parashikuara shprehimisht në këtë vendim dhe të shoqëruar me një relacion të arsyetuar nga struktura përgjegjëse për lidhjen e kontratave.”;
b) Pas pikës 2 shtohet pika 2.1, me këtë përmbajtje:
“2.1. Përjashtimisht, për llojet e pasurive të paluajtshme shtetërore, të cilat nuk parashikohen në pikën 2, të këtij kreu, dhe për të cilat Komiteti i Investimeve Strategjike (KIS) ka miratuar vënien në dispozicion të pasurive të paluajtshme shtetërore, si masë mbështetëse për realizimin e investimit dhe ka ngarkuar ministrinë përgjegjëse për ekonominë për lidhjen e kontratës, në përputhje me pikën 3.1, të kreut V, të këtij vendimi, do të zbatohen dispozitat e këtij vendimi.”;
c) Në fund të pikës 10 shtohet fjala “… të ndryshuar”.
2. Në kreun II bëhen shtesat dhe ndryshimet e mëposhtme:
a) Në pikën 1 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
i. Në shkronjën “a”, pas fjalëve “… afatin e dhënies me qira” shtohet fjala “… /enfiteozë”;
ii. Shkronja “ç” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“ç) genplanin ose planrilevimin e objektit në 6 (gjashtë) kopje origjinale, i cili të jetë i 3 (tre) muajve të fundit, i hartuar nga një ekspert i licencuar dhe i konfirmuar nga titullari i institucionit, që ka në administrim pronën shtetërore.”;
iii. Shkronja “dh” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“dh) konfirmimin nga institucioni përgjegjës për trajtimin e pronës, në rast se objekti shtetëror është trajtuar me vendim njohjeje/kompensimi/kthim prone, si dhe konfirmimin nga institucioni përgjegjës për regjistrimin e pasurisë së paluajtshme, ku të jenë pasqyruar të gjitha veprimet kadastrale, duke u shoqëruar me kartelë pasurie dhe fragment harte kadastrale, të përditësuar të 3 (tre) muajve të fundit.”.
b) Pika 6 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“6. Njoftimi për publikim për dhënien me qira/enfiteozë të pasurisë shtetërore shpallet 1 (një) herë në buletinin e njoftimeve publike dhe në seksionin e posaçëm të faqes zyrtare elektronike të institucionit, ku përcaktohen të dhënat për objektin, kategorizimin e veprimtarisë, që do të ushtrohet në objekt, afati i dhënies me qira/enfiteozë, pikët vlerësuese për elementet e konkurrimit, dokumentacioni që do të dërgohet, adresa zyrtare elektronike, ku do të dërgohet dokumentacioni, si dhe afati i dërgimit të tij. Ky afat të jetë jo më parë se 7 (shtatë) ditë kalendarike nga data e botimit të fundit.”.
c) Në pikën 7 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
i. Fjalët “… i dorëzohet komisionit …” zëvendësohen me “… dërgohet në adresën zyrtare elektronike të institucionit …”;
ii. Në fund të pikës 7 shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:
“Dokumentacioni i dërguar në adresën zyrtare elektronike të institucionit të jetë origjinal ose i njësuar me origjinalin, i nënshkruar dhe i vulosur në çdo faqe nga përfaqësuesi ligjor ose personi i autorizuar i subjektit pjesëmarrës në procedurë.”.
ç) Në pikën 8 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
i. Fjalët “… i dorëzohet komisionit …” zëvendësohen me “… dërgohet në adresën zyrtare elektronike të institucionit …”;
ii. Në fund të pikës 8 shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:
“Dokumentacioni i dërguar në adresën zyrtare elektronike të institucionit të jetë origjinal ose i njësuar me origjinalin, i nënshkruar dhe i vulosur në çdo faqe nga përfaqësuesi ligjor ose personi i autorizuar i subjektit pjesëmarrës në procedurë në çdo faqe.”.
d) Pika 9 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“9. Komisioni i dhënies me qira ose enfiteozë të pasurisë shtetërore kryen këto detyra:
a) Administron dokumentacionin e dërguar elektronikisht nga ofertuesit, pas përfundimit të afatit të përcaktuar në pikën 6 të këtij kreu;
b) Harton procesverbalin e hapjes së procedurës, ku përshkruan ofertat dhe listën e dokumenteve të dërguara.
c) Brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve bën shqyrtimin e ofertave të paraqitura, verifikon dokumentacionin e paraqitur nëpërmjet platformës elektronike “e-Albania” ose nëpërmjet komunikimit e ndërveprimit ndërinstitucional, sipas përcaktimit në urdhrin e titullarit, dhe vlerëson me pikë çdo element konkurrimi, sipas përcaktimit në urdhrin e titullarit. Ofertuesit me vlerën më të lartë të propozuar i jepen pikët maksimale, ndërsa ofertuesve të tjerë pikët u llogariten në përpjesëtim të drejtë me vlerën më të lartë të propozuar. Në përfundim, ofertuesit renditen në bazë të shumës së pikëve të përfituara. Njoftimi për klasifikimin e ofertave të kualifikuara, sipas renditjes dhe të ofertave të skualifikuara shpallet në seksionin e posaçëm të faqes zyrtare elektronike të institucionit. Ofertuesit kanë të drejtën e ankimit te titullari i institucionit brenda 7 (shtatë) ditëve nga shpallja e njoftimit, i cili, brenda 7 (shtatë) ditëve nga administrimi i ankimit, ngre komisionin për shqyrtimin e ankimit. Komisioni, brenda 7 (shtatë) ditëve nga data e ngritjes së urdhrit të titullarit të institucionit, i propozon këtij të fundit lënien në fuqi ose revokimin e vendimit të ankimuar;
ç) Pas përfundimit të vlerësimit të parashikuar në shkronjën “c”, të kësaj pike, komisioni paraqet te titullari i institucionit raportin përfundimtar dhe propozimin për shpalljen e fituesit.”.
dh) Pika 10 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“10. Titullari i institucionit, që ka të drejtën e lidhjes së kontratës së qirasë/enfiteozës, vendos për subjektin fitues. Njoftimi publikohet në seksionin e posaçëm të faqes zyrtare elektronike të institucionit. Pas publikimit të ofertës fituese, subjekti fitues depoziton fizikisht dokumentacionin, sipas pikave 7 ose 8, të këtij kreu, brenda një afati 7-ditor nga dita e publikimit. Në rast se dokumentacioni nuk depozitohet brenda këtij afati, struktura përgjegjëse për lidhjen e kontratave njofton, nëpërmjet mjeteve zyrtare të komunikimit, subjektin e klasifikuar në vend të dytë, nëse ka.”.
e) Pika 11 shfuqizohet;
ë) Në fjalinë e dytë, të pikës 12, pas fjalëve “Kontratat e qirasë …” shtohet fjala “… /enfiteozës …”;
3. Në kreun III bëhen këto ndryshime:
a) Në shkronjën “a”, të pikës 1, fjalët “… ministrit të Financave dhe Ekonomisë …” zëvendësohen me “… ministrit përgjegjës për ekonominë …”;
b) Pika 3 shfuqizohet.
4. Pika 3, e kreut IV, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Me kërkesë të qiramarrësit/enifteozëmarrësit, për raste të justifikueshme, qiradhënësi/enfiteozëdhënësi mund të rishikojë treguesit dhe afatet e planit të biznesit gjatë zbatimit të kontratës dhe të bëjë ndryshimin e tyre me marrëveshje ndërmjet palëve, duke mos ndryshuar kushtet thelbësore/të veçanta, sipas pikave 3 ose 4, të kreut I, të këtij vendimi, dhe kur në konkurrim ka qenë vetëm një ofertues. Në këto raste, marrëveshja shoqërohet me ndryshimet përkatëse në planin e biznesit dhe kontratë. Specifikimet për rastet dhe procedurat për ndryshimin e këtyre kontratave bëhen me udhëzim të ministrit përgjegjës për ekonominë.”.
5. Në kreun V bëhen shtesat dhe ndryshimet e mëposhtme:
a) Pas pikës 3.1 shtohet pika 3.2, me këtë përmbajtje:
“3.2 Kur pasuritë shtetërore përfshihen në zona me përparësi zhvillimin e turizmit apo në zona të mbrojtura mjedisore, propozimi i kontratës me tarifë simbolike 1 euro/kontrata, pranë Këshillit të Ministrave, bëhet me bashkëpropozim ndërmjet institucionit që ushtron të drejtën e përfaqësuesit të pronarit të pronës shtetërore dhe institucionit që ushtron veprimtarinë shtetërore përgjegjëse për këto zona, në përputhje me legjislacionin në fuqi.”.
b) Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. Para nënshkrimit të kontratës së qirasë/enfiteozës me tarifë 1 euro/kontrata, qiramarrësi/ enfiteozëmarrësi është i detyruar të kryejë pagesën e garancisë së kontratës në një nga format si garanci bankare/kompani sigurimi në masën 2 për qind të vlerës së investimit të marrë përsipër.”.
c) Pika 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“5. Në kontratën me tarifë 1 euro/kontrata vendosen sanksione për rastet kur qiramarrësi/enfiteozëmarrësi nuk realizon kushtet e saj. Bazuar në parashikimet e kontratës për çdo vend pune të pahapur, si mesatare vjetore, subjekti qiramarrës/enfiteozëmarrës penalizohet me 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë. Për efekt të zbatimit të këtij parashikimi, do të konsiderohen vende pune ato të realizuara drejtpërdrejt nga qiramarrësi/enfiteozëmarrësi dhe/ose ato të realizuara nëpërmjet nënkontraktorëve të tij, në objektin e kontratës. Për mosrealizimin e vlerës së investimit të parashikuar në kontratë, subjekti qiramarrës/enfiteozëmarrësi penalizohet me 10 për qind të vlerës së investimit të parealizuar. Ky sanksion do të vendoset pas dorëzimit të pasqyrave financiare vjetore të certifikuara nga audituesi ligjor, sipas rastit. Nëse investimi nuk realizohet, pas 6 (gjashtë) muajve, në rastin e kontratave të qirasë, dhe 12 (dymbëdhjetë) muajve, në rastin e kontratave të enfiteozës, kontrata zgjidhet në mënyrë të njëanshme nga institucioni qiradhënës ose enfiteozëdhënës, duke mbajtur garancinë e kontratës së qirasë/enfiteozës.”.
ç) Pika 6 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“6. Në rastet kur qiramarrësi/enfiteozëmarrësi, gjatë zhvillimit të aktivitetit, kryen investime që plotësojnë kushtet e përcaktuara në pikat 2 e 3, të këtij kreu, dhe ka respektuar të gjitha kushtet e kontratës, ministria përgjegjëse për ekonominë propozon pranë Këshillit të Ministrave kalimin e kontratës në kontratë me tarifë simbolike 1 (një) euro. Para nënshkrimit të kontratës me tarifën 1 euro/kontrata, qiramarrësi/enfiteozëmarrësi është i detyruar të kryejë pagesën e garancisë së kontratës, në përputhje me parashikimet e pikës 4, të këtij kreu. Garancia e mëparshme i kthehet qiramarrësit.”.
6. Në kreun VI bëhen shtesat dhe ndryshimet e mëposhtme:
a) Pas shkronjës “e”, të pikës 2, shtohet shkronja “ë”, me këtë përmbajtje:
“ë) Në rastet kur, pavarësisht kërkesave të përsëritura të njësisë monitoruese të kontratës, për paraqitjen e informacionit e të dokumentacionit të nevojshëm, subjekti qiramarrës/enfiteozëmarrës nuk bashkëpunon apo nuk jep asnjë informacion, njësia monitoruese i propozon qiradhënësit/enfiteozëdhënësit fillimin e procedurave për zgjidhjen e kontratës, në zbatim të legjislacionit në fuqi.”;
b) Shkronja “b”, e pikës 3, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“b) Mbi bazën e të dhënave të regjistrit bëhet raporti përmbledhës për pasuritë shtetërore të dhëna me kontratë qiraje/enfiteoze brenda muajit korrik për të dhënat e 6-mujorit të parë dhe brenda muajit janar të vitit pasardhës. Ministria përgjegjëse për ekonominë bën raportin përmbledhës vjetor në rang vendi dhe një kopje të saj ia dërgon ministrisë përgjegjëse për financat.”.
7. Në kreun VII bëhen këto ndryshime:
a) Në pikën 5, fjalët “… në mbështetje të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar …” zëvendësohen me “… sipas legjislacionit në fuqi për arsimin e lartë…”;
b) Pika 7 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“7. Të ardhurat, që krijohen nga dhënia me qira ose enfiteozë e pasurive në institucionet shtetërore, ndahen, si më poshtë vijon:
a) 20%, ministria përgjegjëse për ekonominë;
b) 80%, në buxhetin e shtetit.”.
8. Në kreun VIII bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Në pikën 3, fjalët “… të ligjit nr.9235, datë 29.7.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar …” zëvendësohen me “… të legjislacionit në fuqi për trajtimin e pronës …”;
b) Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. Në kontratat e qirasë ose të enfiteozës, të lidhura për pasuri me sipërfaqe trualli mbi 500 (pesëqind) m², kur subjekti qiramarrës ose enfiteozëmarrës ka realizuar investime, në përputhje me planin e biznesit dhe në masën mbi 150 për qind të vlerës së truallit, ka respektuar të gjitha kushtet kontratës dhe kanë kaluar të paktën 3 (tre) vjet nga nënshkrimi i kontratës, subjektit qiramarrës/enfiteozëmarrës i lind e drejta të njoftojë ministrinë përgjegjëse për ekonominë, shoqëruar me një raport vlerësimi nga një ekspert vlerësues dhe auditues ligjor i pavarur.
Në kontratat e qirasë ose të enfiteozës të lidhura për pasuri me sipërfaqe trualli mbi 500 (pesëqind) m2, në rastet kur subjekti qiramarrës ose enfiteozëmarrës ka kryer investime në përputhje me planbiznesin, në masën mbi 750 për qind të vlerës së truallit, si dhe kur subjekti ka respektuar të gjitha kushtet e kontratës, i lind e drejta të njoftojë ministrinë përgjegjëse për ekonominë, shoqëruar me një raport vlerësimi nga një ekspert vlerësues dhe auditues ligjor i pavarur, edhe pa u përmbushur afati prej 3 (tre) vitesh i kontratës.”.
c) Pas pikës 4 shtohen pikat 4.1, 4.2 dhe 4.3, me këtë përmbajtje:
“4.1. Struktura përgjegjëse për monitorimin e kontratave shqyrton raportin e vlerësimit të investimeve, duke krahasuar vlerën e truallit të përcaktuar në hartën e vlerës së truallit, sipas legjislacionit në fuqi, me vlerën e investimeve të kryera në objekt, të paraqitur nga subjekti qiramarrës/enfiteozëmarrës, brenda një afati 15-ditor. Në rast se lindin dyshime mbi saktësinë e raportit të vlerësimit, ministria përgjegjëse për ekonominë kryen një ekspertim të dytë nga një ekspert vlerësues dhe auditues ligjor të pavarur. Shpenzimet e ekspertimit, në çdo rast, përballohen nga subjekti qiramarrës/enfiteozëmarrës.
4.2. Brenda afateve të përcaktuara në pikën 4.1, të këtij kreu, titullari i institucionit, me propozimin e strukturës përgjegjëse për monitorimin e kontratave, vendos:
a) konfirmimin e përmbushjes së detyrimit lidhur me nivelin e investimit;
b) njoftimin e subjektit për mospërmbushjen e këtij detyrimi.
Në rast se, sipas shkronjës “a”, të kësaj pike, konfirmohet përmbushja e nivelit të investimit në masën mbi 150 për qind të vlerës së truallit dhe subjekti qiramarrës/enfiteozëmarrës ka respektuar të gjitha kushtet e kontratës, i lind e drejta për të hyrë në procedurë privatizimi me të drejtë parablerjeje të objektit të kontratës së qirasë/enfiteozës, dhe vijon procedurat përkatëse pranë strukturës përgjegjëse për privatizimin e pronës shtetërore. Në çdo rast, subjekti qiramarrës/enfiteozëmarrës ka të drejtë të transferojë të drejtën reale, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
4.3. Për kontratat e qirasë/enfiteozës, të lidhura nga institucionet qendrore apo organet e njësive të vetëqeverisjes vendore, njoftimi i parashikuar në pikën 4, të këtij kreu, paraqitet pranë institucionit monitorues të kontratës së qirasë/enfiteozës. Ky institucion, në rast se konfirmon përmbushjen e nivelit të investimit dhe respektimin e të gjitha kushteve të kontratës, përcjell dokumentacionin pranë strukturës përgjegjëse për privatizimin e pronës shtetërore.”.
9. Në kontratën tip, bashkëlidhur vendimit, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
a) Kudo në kontratën tip:
i. pas fjalës “qira” shtohet “enfiteozë”;
ii. pas fjalës “qiradhënës” shtohet “enfiteozëdhënës”;
iii. pas fjalës “qiramarrës” shtohet “enfiteozëmarrës”.
b) Neni 2 i kontratës tip ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 2
Qëllimi i përdorimit
Qëllimi i kësaj kontrate është dhënia në gëzim të përkohshëm i objektit të përcaktuar në nenin 1, të kësaj kontrate, me të drejtë zhvillimi, sipas planit të biznesit, që i bashkëlidhet kësaj kontrate.”.
II. Për të gjitha kërkesat e nisura dhe të papërfunduara para hyrjes në fuqi të këtij vendimi do të zbatohen dispozitat e këtij vendimi.
III. Ngarkohet Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.10, DATË 15.1.2026, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E NUMRIT TË PUNONJËSVE ME KONTRATË TË PËRKOHSHME, PËR VITIN 2026, NË NJËSITË E QEVERISJES QENDRORE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 18, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të  nenit 12, të ligjit nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pas lidhjes nr.1, bashkëlidhur  vendimit nr.10, datë 15.1.2026, të Këshillit të Ministrave, shtohet lidhja nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Pagesa për punonjësit e përfshirë në emërtesën “Specialist arkivi (DPA)”, sipas lidhjes nr.2, kryhet nga institucionet përkatëse, pas miratimit të listëprezencës dhe shënimeve përkatëse të titullarit të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave. Këta punonjës ushtrojnë veprimtarinë e tyre pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.
3. Ngarkohen institucionet e përcaktuara në lidhjen nr.2 të depozitojnë pranë Ministrisë së Financave detajimin e numrit të punonjësve me kontratë të përkohshme, së bashku me kategorinë e pagës.
4. Efektet financiare të këtij vendimi fillojnë nga data 1.8.2026.
     Ky vendim hy në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
VE NDIM
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.182, DATË 26.2.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E MASËS, TË KRITEREVE, PROCEDURAVE E DOKUMENTACIONIT PËR VLERËSIMIN DHE PËRFITIMIN E PAGESËS PËR PERSONAT ME AFTËSI TË KUFIZUARA, SI DHE TË NDIHMËSIT PERSONAL”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13 e 17, pika 1, të ligjit nr.57/2019, “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 15, të ligjit nr.8626, datë 22.6.2000, “Për statusin e invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pas pikës 1, të kreut III, të vendimit nr.182, datë 26.2.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e masës, të kritereve, procedurave e dokumentacionit për vlerësimin dhe përfitimin e pagesës për personat me aftësi të kufizuara, si dhe të ndihmësit personal”, të ndryshur, shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje:
“1/1. Pagesa mujore bazë e indeksuar për fëmijët me aftësi të kufizuar deri në moshën 18 vjeç rritet në masën 100% mbi vlerën aktuale. Kjo shtesë nuk zbatohet mbi masën e shtesës për ndjekjen e kursit të kualifikimit, arsimit të mesëm të lartë dhe arsimit të lartë, të përcaktuar në pikat 2 dhe 3 të këtij kreu.”.
2. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Shërbimi Social Shtetëror dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 korrik 2026.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.277, DATË 18.6.1997, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRFITIMET NGA STATUSI I TË VERBRIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 17, të ligjit nr.8098, datë 28.3.1996, “Për statusin e të verbrit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pas pikës 4, të vendimit nr.277, datë 18.6.1997, të Këshillit të Ministrave, “Për përfitimet nga statusi i të verbrit”, të ndryshuar, shtohet pika 4/1, me këtë përmbajtje:
“4/1. Pagesa mujore bazë e indeksuar për shkak të verbërisë, te fëmijët deri në moshën 18 vjeç, rritet në masën 100%. Kjo shtesë nuk zbatohet mbi masën e shtesës për ndjekjen e kursit të kualifikimit, arsimit të mesëm të lartë dhe arsimit të lartë, të përcaktuar në pikën 7 të këtij vendimi.”.
2. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Shërbimi Social Shtetëror dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 korrik 2026.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.722, DATË 11.11.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E MASËS, TË KRITEREVE, PROCEDURAVE DHE DOKUMENTACIONIT PËR VLERËSIMIN DHE PËRFITIMIN E AFTËSISË SË KUFIZUAR E TË NDIHMËSIT PERSONAL DHE TË STRUKTURAVE PËRGJEGJËSE E TË DETYRAVE TË TYRE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “c”, të nenit 30, të ligjit nr.57/2019, “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.722, datë 11.11.2019, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në kreun III bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Në fund të pikës 1, fjalët “… dhe kontrollin vjetor mjekësor.”, hiqen;
b) Shkronja “g”, e pikës 4, shfuqizohet.
2. Në kreun IV bëhen shtesa dhe ndryshimi i mëposhtëm:
a) Pas pikës 3 shtohet pika 3/1, me këtë përmbajtje:
“3/1. Pagesa mujore bazë e indeksuar për fëmijët me aftësi të kufizuar, deri në moshën 18 vjeç, rritet në masën 100% mbi vlerën aktuale. Kjo shtesë nuk zbatohet mbi masën e shtesës për ndjekjen e kursit të kualifikimit, arsimit të mesëm të lartë dhe arsimit të lartë, të përcaktuar në pikat 8 dhe 9, të këtij kreu.”.
b) Pika 18 shfuqizohet.
II. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Shërbimi Social Shtetëror dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 korrik 2026.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E STRATEGJISË KOMBËTARE PËR SIGURINË RRUGORE 2026 – 2030 DHE TË PLANIT TË VEPRIMIT 2027 – 2029
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e Strategjisë Kombëtare për Sigurinë Rrugore 2026 – 2030 dhe të planit të veprimit 2027 – 2029, sipas teksteve që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Ngarkohen ministritë dhe institucionet e tjera përgjegjëse të përcaktuara në strategji dhe në planin e veprimit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E TARIFËS DHE PROCEDURAT E PAGESËS SË KOSTOS SË SHENJIMIT DHE GJURMIMIT TË BIMËS SË CANNABIS-IT DHE TË NËNPRODUKTEVE DHE PRODUKTEVE TË SAJ PËR QËLLIME MJEKËSORE DHE INDUSTRIALE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 34, të  ligjit nr.61/2023, “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së cannabis-it dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale”, me propozimin e ministrit të Financave, të ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe të ministrit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Tarifa e shenjimit dhe gjurmimit përfshin:
a) tarifën vjetore për përdorimin e sistemit të gjurmimit;
b) tarifën për shenjimin dhe gjurmimin për çdo bimë të cannabis-it;
c) tarifën për shenjimin dhe gjurmimin për çdo pako.
2. Për zbatimin e sistemit të gjurmimit të farës, të bimës mëmë, të klonit, të fidanit, të bimës, të mbetjeve, të nënproduktit apo të produktit të cannabis-it, si dhe paketimet e tyre në forma të ndryshme (paketa, kontejnerë, thasë etj.), të cilët shenjohen me etiketë, aplikohen këto tarifa:
a) Tarifa vjetore për përdorimin e sistemit të shenjimit dhe të gjurmimit është       7 500 (shtatë mijë e pesëqind) dollarë amerikanë për çdo subjekt të licencuar e të lejuar, pa përfshirë tatimin mbi vlerën e shtuar dhe taksat e tjera të aplikueshme;
b) Tarifa për shenjimin dhe gjurmimin për çdo klon, fidan, bimë mëmë dhe bimë të rritur cannabis-i është 0.53 (zero presje pesëdhjetë e tre) dollarë amerikanë, pa përfshirë tatimin mbi vlerën e shtuar dhe taksat e tjera të aplikueshme, sipas kuadrit ligjor në fuqi;
c) Tarifa për shenjimin dhe gjurmimin për çdo pako, material të ambalazhuar apo kontejnerë është 0.33 (zero presje tridhjetë e tre) dollarë amerikanë, pa përfshirë tatimin mbi vlerën e shtuar dhe taksat e tjera të aplikueshme.
3. Shoqëria “ALBTrace Co”, sh.a., lëshon faturë për tarifën vjetore të përdorimit të sistemit të gjurmimit për çdo subjekt të licencuar ose të lejuar, përpara aksesit të parë dhe për çdo vit kalendarik pasardhës, e cila përmban:
a) shumën në dollarë amerikanë dhe shumën ekuivalente të konvertuar në lekë, sipas kursit të ditës së lëshimit të faturës, publikuar nga Banka e Shqipërisë, në datën e lëshimit të faturës;
b) shumën e tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) të llogaritur në dollarë amerikanë dhe shumën ekuivalente në lekë, sipas kursit të ditës së lëshimit të faturës;
c) llogarinë bankare në Shqipëri të shoqërisë “ALBTrace Co”, sh.a., në të cilën kryhet pagesa.
4. Për çdo porosi në sistemin e gjurmimit në rastet e shenjimit të klonëve, fidanëve, të bimës mëmë dhe të bimëve të rritura, subjekti i licencuar ose i lejuar deklaron sasinë përkatëse. Në bazë të deklarimit, shoqëria “ALBTrace Co”, sh.a., lëshon faturën përkatëse, e cila përmban:
a) sasinë e deklaruar;
b) shumën në dollarë amerikanë dhe shumën ekuivalente të konvertuar në lekë, sipas kursit të ditës së lëshimit të faturës, publikuar nga Banka e Shqipërisë;
c) shumën e tatimit mbi vlerën e shtuar të llogaritur në dollarë amerikanë dhe shumën ekuivalente në lekë, sipas kursit të ditës së lëshimit të faturës, publikuar nga Banka e Shqipërisë;
ç) llogarinë bankare në Shqipëri të shoqërisë “ALBTrace Co”, sh.a., ku kryhet pagesa.
5. Për çdo porosi në sistemin e gjurmimit në rastet e shenjimit të pakove, të materialeve të ambalazhuara dhe të kontejnerëve, subjekti i licencuar ose i lejuar deklaron numrin e pakove për shenjim. Në bazë të deklarimit, shoqëria “ALBTrace Co”, sh.a. lëshon faturën përkatëse, e cila përmban:
a) numrin e pakove, të materialeve të ambalazhuara ose të kontejnerëve;
b) shumën në dollarë amerikanë dhe shumën ekuivalente të konvertuar në lekë, sipas kursit të ditës së lëshimit të faturës, publikuar nga Banka e Shqipërisë;
c) shumën e tatimit mbi vlerën e shtuar të llogaritur në dollarë amerikanë dhe shumën ekuivalente në lekë, sipas kursit të ditës së lëshimit të faturës, publikuar nga Banka e Shqipërisë;
ç) llogarinë bankare në Shqipëri të shoqërisë “ALBTrace Co”, sh.a., ku kryhet pagesa.
6. Çdo subjekt i licencuar ose i lejuar është i detyruar të kryejë pagesën e plotë të çdo fature fiskale elektronike të lëshuar nga shoqëria “ALBTrace Co”, sh.a., vetëm në dollarë amerikanë, brenda 8 (tetë) ditëve nga data e dërgimit të saj në rrugë elektronike, në llogarinë bankare të përcaktuar në faturë.
7. Asnjë etiketë ose kod unik i shenjimit nuk aktivizohet për subjektin e licencuar ose të lejuar, në rast se nuk është kryer pagesa e plotë e shumës së përcaktuar në faturën e lëshuar nga shoqëria “ALBTrace Co”, sh.a.
8. Porosia e kryer nga subjektet e licencuara ose të lejuara i përket vetëm subjektit porositës dhe është e ndaluar shitja, transferimi, tjetërsimi, dhënia në përdorim apo vënia në dispozicion e saj, në çfarëdo forme për subjekte të tjera.
9. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it, shoqëria “ALBTrace Co”, sh.a., si dhe subjektet e licencuara dhe të lejuara për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
TRANSFERIMIN NË PRONËSI TË BASHKISË ELBASAN TË PASURIVE ME NUMRAT 3, 4 DHE 8, NË ZONËN KADASTRALE 3589, DHE PËR DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.416, DATË 11.7.2007, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS PËRFUNDIMTARE TË PRONAVE TË PALUAJTSHME PUBLIKE, SHTETËRORE, QË TRANSFEROHEN, NË PRONËSI OSE NË PËRDORIM, TË BASHKISË ELBASAN, TË QARKUT TË ELBASANIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 7 e 8, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Transferimin në pronësi të Bashkisë Elbasan të pasurive me numrat 3, 4 dhe 8, në zonën kadastrale 3589, sipas formularit, gjithsej, 1 (një) fletë, dhe planeve të rilevimit, gjithsej, 3 (tre) fletë, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij, për t’u përdorur në fushën e zhvillimit ekonomik për ndërtimin e një pike grumbullimi për produkte agroushqimore dhe ndërtimin e serrave për prodhime bujqësore.
2. Pronat e përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, i shtohen listës përfundimtare të pronave të paluajtshme publike shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.416, datë 11.7.2007, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare të pronave të paluajtshme publike shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të Bashkisë Elbasan, të Qarkut të Elbasanit”, të ndryshuar.
3. Bashkisë Elbasan i ndalohet ndryshimi i destinacionit dhe tjetërsimi i pasurive të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi.
4. Ngarkohen Bashkia Elbasan dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU