Shqipëria forcon rolin e saj në NATO, rriten investimet në mbrojtje dhe mirëpret Samitin e ardhshëm të Aleancës

Shqipëria vijon të forcojë investimet në mbrojtje në përputhje me angazhimet e NATO-s. Buxheti i mbrojtjes për vitin 2025 është realizuar në mbi 99%, ndërsa për vitin 2026 shpenzimet janë rritur në 2.6% të PBB-së, nga 2.2% që ishte parashikuar fillimisht.
Kjo rritje është pjesë e angazhimit të aleatëve për të ndjekur objektivin e miratuar në Samitin e Hagës, që synon arritjen e investimeve deri në 5% të PBB-së për mbrojtjen dhe sigurinë deri në vitin 2035.
Investimet do të orientohen kryesisht drejt modernizimit të Forcave të Armatosura, përmes pajisjeve, sistemeve dhe kapaciteteve të reja, në përmbushje të objektivave të NATO-s. Në këtë kuadër përfshihet edhe marrëveshja me Shtetet e Bashkuara për furnizimin e Forcave të Armatosura me sisteme dhe mjete të reja ushtarake.
Përveç buxhetit të Ministrisë së Mbrojtjes, Shqipëria kontribuon në objektivat e Aleancës edhe përmes investimeve në sigurinë kibernetike dhe në infrastrukturën strategjike, si Korridori VIII, i konsideruar një korridor me rëndësi për sigurinë e NATO-s. Këto investime synojnë forcimin e sigurisë kombëtare dhe përmbushjen e angazhimeve të Shqipërisë në mbrojtjen kolektive.