Ministri Hoxha: Manipulimi i informacionit dhe ndërhyrja e huaj kërkojnë përgjigje të përbashkët ndërkombëtare
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, deklaroi në konferencën “Përballja me Manipulimin e Informacionit dhe Ndërhyrjen e Huaj: Shqipëria dhe Konteksti i Zgjerimit” se manipulimi i informacionit dhe ndërhyrja e huaj përbëjnë një nga sfidat kryesore për demokracitë moderne, duke theksuar se përballimi i tyre kërkon bashkëpunim të ngushtë ndërkombëtar dhe forcimin e rezistencës së shoqërive demokratike.
Ministri Hoxha u shpreh se mbrojtja e demokracisë nuk kufizohet më vetëm te territori dhe institucionet, por shtrihet edhe në hapësirën dixhitale, ku dezinformimi dhe manipulimi i informacionit synojnë të minojnë besimin e qytetarëve, institucionet demokratike dhe median e pavarur.
Duke iu referuar Shqipërisë, ai theksoi se vendi është gjithnjë e më i ekspozuar ndaj këtyre kërcënimeve në fazën përfundimtare të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Sipas tij, Shqipëria duhet të jetë jo vetëm përfituese e mbështetjes së partnerëve, por edhe kontribuuese aktive në përpjekjet e përbashkëta për mbrojtjen e hapësirës së informacionit.
Ministri Hoxha nënvizoi se rezistenca ndaj manipulimit të informacionit nuk mund të ndërtohet vetëm nga qeveritë, por kërkon angazhimin e institucioneve shtetërore, parlamenteve, medias së pavarur, shoqërisë civile, botës akademike, ekspertëve të teknologjisë dhe qytetarëve.
Ministri vlerësoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit mes aleatëve për ndarjen e përvojave dhe ndërtimin e një përgjigjeje të koordinuar ndaj kërcënimeve hibride, duke theksuar se mbrojtja e hapësirës së informacionit është thelbësore për garantimin e lirisë, demokracisë dhe të drejtës së qytetarëve për të marrë vendime të informuara.