Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi: Angazhim maksimal për vënien nën kontroll të zjarrit në Parkun Kombëtar të Lurës.
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, bëri të ditur se vijon me intensitet të lartë operacioni për menaxhimin e vatrës së zjarrit në Parkun Kombëtar të Lurës, në zonën e Runjës, mbi fshatin Borie Lurë, ku të gjitha strukturat janë angazhuar në koordinim të plotë nga toka dhe ajri.
Sipas ministrit Nufi, prioriteti kryesor i operacionit mbetet mbrojtja e banesave dhe kufizimi i përhapjes së flakëve, ndërsa ndërhyrja po zhvillohet në mënyrë të koordinuar mes strukturave qendrore dhe vendore.
Në terren janë angazhuar rreth 220 forca dhe efektivë, mes tyre trupat e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, Forcat e Armatosura, Policia e Shtetit, Administrata e Zonave të Mbrojtura, shërbimi pyjor, strukturat bashkiake, vullnetarë, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe Prefektura e Qarkut Dibër.
Operacioni mbështetet edhe nga ajri, ku po operojnë dy avionë “Air Tractor”, të përqendruar në ndërhyrjen mbi vatrat më problematike dhe në frenimin e avancimit të zjarrit.
Ministri Nufi theksoi se angazhimi maksimal i të gjitha strukturave do të vijojë deri në vënien plotësisht nën kontroll dhe neutralizimin e vatrës së zjarrit.