Paketa e Maleve nis zbatimin, Ministri Demo: Rreth 200 aplikime të miratuara nga bashkitë

Paketa e Maleve ka kaluar në fazën e zbatimit konkret, me rreth 200 aplikime të miratuara tashmë nga këshillat bashkiakë dhe lejet e para të zhvillimit të dhëna për nisjen e investimeve në terren. Deri tani, 52 bashki kanë miratuar mbi 460 zona prioritare, ndërsa në platformën paketaemaleve.gov.al janë regjistruar rreth 1900 aplikime.

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, bëri të ditur se procesi po kalon nga faza e interesimit dhe aplikimit drejt realizimit të investimeve konkrete, me synim nxitjen e zhvillimit ekonomik në zonat rurale dhe malore.

Sipas ministrit, bashkitë po e përdorin Paketën e Maleve si një instrument për adresimin e kërkesave të qytetarëve që synojnë të investojnë në këto zona dhe për krijimin e mundësive të reja për ekonomitë lokale dhe familjare.

Ministri sqaroi gjithashtu procedurën që ndiqet për pronat e përfshira në Paketën e Maleve, duke theksuar se mekanizmi nuk prek pronën private dhe zbatohet mbi pasuritë shtetërore. Procesi parashikon verifikimin e pronës nga bashkia dhe një periudhë 45-ditore të afishimit publik, gjatë së cilës mund të paraqiten pretendime të dokumentuara pronësie. Çdo pretendim i tillë trajtohet përpara vijimit të procedurës.

Paketa e Maleve synon të adresojë problematikat e pronësisë që kanë penguar investimet në zona të caktuara dhe të krijojë mundësi për nxitjen e investimeve, punësimin dhe forcimin e ekonomive lokale.