Ministri Lamallari: “Smart City” në shkollat e Tiranës nga shtatori, instalohen kamerat me inteligjencë artificiale

Programi “Smart City” për rritjen e sigurisë në shkolla nis zbatimin me vitin e ri shkollor në Tiranë, përmes kamerave të pajisura me teknologji të avancuar dhe inteligjencë artificiale.

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, vizitoi gjimnazin “Qemal Stafa”, një prej institucioneve arsimore ku janë instaluar kamerat e reja, për të parë nga afër funksionimin e sistemit në prag të nisjes së vitit shkollor më 14 shtator.

Sipas ministrit, përdorimi i teknologjisë dhe inteligjencës artificiale do t’u shtohet masave ekzistuese për forcimin e sigurisë në institucionet arsimore, me fokus mbrojtjen e nxënësve dhe personelit të shkollave.

Sistemi i ri do të funksionojë krahas pranisë fizike të Policisë së Shtetit në shkolla. Në gjimnazin “Qemal Stafa” aktualisht shërbejnë dy oficerë policie, të cilët do të vijojnë të jenë pjesë e masave të sigurisë edhe gjatë vitit të ri shkollor.

Programi “Smart City” parashikon përdorimin e teknologjive të reja për monitorimin dhe rritjen e sigurisë në institucionet arsimore, si pjesë e masave për krijimin e mjediseve më të sigurta për nxënësit, mësuesit dhe stafet e shkollave.