Viti i ri shkollor nis me rregulla të reja për telefonat, veshjen dhe sigurinë

Dita e parë e vitit shkollor 2026-2027 në të gjitha institucionet arsimore parauniversitare publike dhe jopublike do t’i kushtohet orientimit dhe informimit të nxënësve për rregullat, sigurinë dhe organizimin e jetës në shkollë. Udhëzimi i Ministrisë së Arsimit parashikon që nxënësit të njihen që në ditën e parë edhe me masat për ndalimin e përdorimit të telefonave celularë dhe pajisjeve të ndërlidhura me ta, kodin e veshjes dhe rregullat e sjelljes në mjediset shkollore.

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, bëri të ditur se dita e parë do të shërbejë gjithashtu për njohjen e nxënësve me shokët e klasës, mësuesit dhe mjediset e shkollës, si dhe me të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre dhe rregulloren e brendshme të institucionit.

Orientimi do të realizohet nga stafi i institucioneve arsimore, përfshirë mësuesit, mësuesit kujdestarë, punonjësit e shërbimit psiko-social dhe oficerët e sigurisë. Nxënësit do të njihen me laboratorët, bibliotekën, mjediset sportive, hapësirat e përbashkëta dhe shërbimet psiko-sociale, si dhe me rregullat e sigurisë në shkollë.

Pjesë e informimit do të jenë edhe veprimtaritë mësimore dhe programi “Pas Shkolle”, i cili gjatë këtij viti shkollor do të shtrihet në 408 shkolla në të gjithë vendin.

Sipas ministres Kumbaro, organizimi i posaçëm i ditës së parë synon që nxënësit të familjarizohen me mjedisin dhe jetën shkollore që në nisje të vitit, duke e kthyer këtë ditë në një përvojë pozitive që nxit lidhjen e tyre me shkollën dhe dijen.