Ministrja Kumbaro në panelin e PISA 2025: Më shumë hapësira që fëmijët të zhvillojnë aftësitë e tyre
Nxënësit shqiptarë tregojnë nivele të larta kurioziteti, këmbënguljeje përballë detyrave të vështira dhe bindjeje për vlerën e arsimimit, sipas gjetjeve të PISA 2025, të diskutuara në ministerialin e vendeve të OECD-së në Bratislavë.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, e ftuar në një prej paneleve ministrore, prezantoi qasjen e Shqipërisë për nxitjen e këtyre qëndrimeve ndaj të nxënit, si dhe masat për krijimin e më shumë mundësive që nxënësit të zhvillojnë aftësitë dhe interesat e tyre.
“Duam të krijojmë më shumë hapësira ku fëmijët mund të kenë sukses”, u shpreh ministrja Kumbaro, duke theksuar se shkolla duhet t’u japë mundësi nxënësve të zbulojnë aftësitë e tyre jo vetëm në lëndët mësimore, por edhe në art, sport, gjuhë apo teknologji.
Në këtë drejtim, ministrja iu referua reformës kurrikulare, e cila do të vijojë deri në vitin 2029, si dhe aktiviteteve që zhvillohen përtej kurrikulës. Mes tyre janë Konkursi Kombëtar i Gjuhës Shqipe, Festivali i Shkencës, olimpiadat kombëtare dhe programet sportive, ku aktualisht rreth 11 mijë fëmijë janë pjesë e ekipeve të volejbollit dhe basketbollit.
Një tjetër çështje e diskutuar në panel ishte përdorimi i teknologjisë digjitale në arsim. Sipas gjetjeve të PISA të referuara gjatë diskutimit nga nënsekretari i Përgjithshëm i OECD-së, František Ružička, nxënësit shqiptarë kanë treguar nivele të ulëta shpërqendrimi nga teknologjia.
Ministrja Kumbaro theksoi se teknologjia duhet të jetë pjesë e procesit të të nxënit, e shoqëruar me edukimin për përdorimin e saj të duhur. Ajo përmendi ndalimin e përdorimit të celularëve në shkolla për të dytin vit radhazi, si dhe objektivin për ngritjen e 1 mijë Smart Labs deri në vitin 2029.
Në panel u prezantua gjithashtu zgjerimi i programit “Pas Shkolle” në 408 shkolla në të gjithë vendin, ku nxënësit mund të përfshihen pas mësimit në aktivitete në art, muzikë, teatër, sport dhe klube të ndryshme.
Diskutimet u zhvilluan pas publikimit të rezultateve të PISA 2025, ku Shqipëria shënoi rritje krahasuar me vitin 2022 me +65 pikë në matematikë, +59 pikë në shkencë dhe +50 pikë në lexim. Sipas rezultateve të publikuara, Shqipëria renditet në nivelet më të larta të Ballkanit Perëndimor në matematikë dhe shkencë.