“Prania Besnike”, ministrat nisin takimet me qytetarët nga java e ardhshme
Nisma “Prania Besnike” do të shtrihet nga java e ardhshme edhe në nivel ministrash, të cilët do të publikojnë kalendarin e takimeve me qytetarët, me synim forcimin e komunikimit të drejtpërdrejtë dhe ndjekjen e problematikave të tyre.
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, bëri të ditur se takimet do të nisin të premten e ardhshme, duke u dhënë qytetarëve mundësinë të adresojnë drejtpërdrejt çështjet që kërkojnë vëmendjen e ministrive dhe institucioneve përkatëse.
Paralelisht, po punohet për ngritjen e sistemit “Pasqyrë Albania”, i cili do të mundësojë ndjekjen e problematikave të adresuara nga qytetarët dhe ecurinë e trajtimit të tyre pranë institucioneve përgjegjëse. Sipas ministres, aktualisht po përdoret një sistem provizor, përmes të cilit evidentohen problematikat sipas numrit dhe natyrës së tyre, si dhe institucionet ndaj të cilave paraqiten më shumë ankesa apo kërkesa, me synim ndjekjen e tyre deri në zgjidhje.
“Prania Besnike” nisi javën e kaluar me takimet e deputetëve me qytetarët. Takimet zhvillohen çdo të premte, në orën 17:00, në vende të përcaktuara paraprakisht, ku qytetarët mund të paraqesin drejtpërdrejt shqetësimet dhe problematikat e tyre.