Ministri Karakaçi: Projektligj i ri për rezervën e hidrokarbureve, masa për përshpejtimin e rindërtimit në Tiranë

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, bëri të ditur pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave se qeveria miratoi projektligjin për rezervën e sigurisë së hidrokarbureve, i cili parashikon kalimin e mbajtjes dhe menaxhimit të saj nga operatorët privatë te një autoritet shtetëror.

Sipas ministrit, projektligji parashikon krijimin e Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Hidrokarbure, i cili do të ketë përgjegjësinë për krijimin, ruajtjen dhe menaxhimin e rezervës së sigurisë. Rezerva do të përdoret në situatat kur krijohen pasiguri në tregun e hidrokarbureve, ka mungesë të produkteve ose ndërprerje të furnizimit. Autoriteti do të kujdeset gjithashtu për qarkullimin periodik të produkteve të magazinuara, në mënyrë që ato të ruajnë cilësitë e tyre.

Projektligji është në përputhje me direktivën përkatëse të Bashkimit Evropian dhe do t’i kalojë Kuvendit për shqyrtim.

Ministri Karakaçi njoftoi gjithashtu se qeveria miratoi ndryshime për procesin e rindërtimit në Tiranë. Për zonën “5 Maji” parashikohet zvogëlimi i zonës së rindërtimit dhe përfshirja e Fondit Shqiptar të Zhvillimit si agjenci zbatuese, me synim përshpejtimin e procesit.

Ndryshime të ngjashme për zona të tjera të rindërtimit në Tiranë pritet të paraqiten për miratim në qeveri gjatë javëve në vijim.