Ministri i Financave: Pagat e magjistratëve duhet të përcaktohen me ligj, Thesari nuk mund të veprojë nën presion
Ministri i Financave, gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend mbi çështjen e pagave të magjistratëve, deklaroi se çdo ndryshim në nivelin e pagave duhet të kalojë përmes procesit ligjvënës dhe të shoqërohet me fondet përkatëse në Buxhetin e Shtetit.
Ministri theksoi se pavarësia e pushtetit gjyqësor është një parim themelor dhe i padiskutueshëm, por zbatimi i vendimeve që sjellin pasoja financiare duhet të bëhet në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin për menaxhimin e sistemit buxhetor.
Duke shpjeguar funksionimin e Thesarit të Shtetit, ai bëri të ditur se ky institucion nuk përcakton pagat, por kontrollon dhe ekzekuton pagesat e paraqitura nga institucionet, pasi verifikon bazën ligjore, dokumentacionin, numrin e punonjësve dhe disponueshmërinë e fondeve buxhetore.
“Nëse një institucion paraqet një pagesë të re ose një rritje të ndjeshme të pagave, Thesari duhet të verifikojë nëse ka bazë ligjore, nëse është miratuar, nëse ka fond buxhetor dhe nëse dokumentacioni është i rregullt”, u shpreh ministri.
Ai dënoi rastet e ushtrimit të presionit ndaj punonjësve të degëve të Thesarit, duke theksuar se marrëdhëniet ndërmjet institucioneve nuk mund të ndërtohen përmes kërcënimeve apo anashkalimit të procedurave ligjore.
Sipas ministrit, Qeveria nuk ka kundërshtuar trajtimin dinjitoz të magjistratëve dhe mbetet e angazhuar për respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, Kuvendi është institucioni që duhet të miratojë bazën ligjore për përcaktimin e niveleve të pagave, përpara se ato të ekzekutohen nga Ministria e Financave dhe Thesari i Shtetit.
“Paratë nuk janë të Qeverisë dhe as të Ministrisë së Financave. Ato janë paratë e qytetarëve shqiptarë. Ministria e Financave është gardiani i financave publike dhe mbrojtësi i parametrave buxhetorë”, deklaroi ministri.
Në përfundim, ai theksoi se çdo vendim buxhetor duhet të merret me përgjegjësi, transparencë dhe në interes të të gjithë qytetarëve, duke respektuar ligjin, ndarjen e pushteteve dhe qëndrueshmërinë e financave publike.