Ministri Karakaçi: Impiantet fotovoltaike siguruan 30% të energjisë së konsumuar gjatë qershorit

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, bëri të ditur se 30% e energjisë së konsumuar në vend gjatë muajit qershor u prodhua nga impiantet fotovoltaike. Sipas tij, një nivel pothuajse i njëjtë prodhimi u regjistrua edhe gjatë periudhës korrik–gusht.

Ministri theksoi se energjia diellore po luan një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në balancimin e sistemit elektroenergjetik, veçanërisht gjatë sezonit të verës. Kjo konsiderohet periudha më sfiduese për prodhimin vendas, për shkak të thatësirës dhe rënies së nivelit të ujit në kaskadën e Drinit.

Deri në fund të muajit gusht, prodhimi i përgjithshëm i energjisë nga impiantet fotovoltaike arriti në 868 GWh.

Sipas ministrit Karakaçi, këto të dhëna dëshmojnë efektivitetin e politikave të qeverisë për forcimin e sigurisë energjetike, nëpërmjet rritjes së prodhimit vendas dhe diversifikimit të burimeve të energjisë.

Ai nënvizoi se shtimi i kapaciteteve fotovoltaike po rrit qëndrueshmërinë e sistemit elektroenergjetik dhe po i siguron Shqipërisë më shumë pavarësi energjetike.

Ky progres është pjesë e objektivit strategjik të qeverisë për ta çuar vendin drejt pavarësisë energjetike deri në vitin 2030.