Ministri Malaj: Analiza e marzheve, e rëndësishme për hartimin e politikave fiskale që lehtësojnë konsumatorët
Ministri i Financave, Petrit Malaj, mori pjesë në takimin me përfaqësues të supermarketeve dhe furnitorëve kryesorë në vend, të zhvilluar në kuadër të nismës “Pasqyra e Çmimeve”. Në takim ishin të pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj.
Në fjalën e tij, ministri Malaj theksoi rëndësinë e analizimit të marzheve përgjatë gjithë zinxhirit të formimit të çmimit, nga prodhimi ose importi deri te konsumatori final. Sipas tij, kjo analizë do t’i mundësojë Ministrisë së Financave të kuptojë më qartë strukturën e çmimeve dhe të identifikojë hapësirat ku mund të ndërhyhet përmes politikave fiskale, me synim lehtësimin e barrës për konsumatorët.
“Duam të kuptojmë se cilat janë marzhet që aplikohen në zinxhirin e formimit të çmimit, qoftë nga momenti i prodhimit deri te konsumatori i fundit, apo nga importi deri te konsumatori i fundit”, deklaroi ministri.
Ai nënvizoi se procesi do të shërbejë edhe për të evidentuar sektorët që përfshihen në formimin e çmimeve dhe për të vlerësuar nëse marzhet e aplikuara përputhen me realitetin e tregut apo janë abuzive.
Ministri u ndal gjithashtu te ndikimi i zhvlerësimit të euros në të ardhurat buxhetore. Sipas tij, vetëm gjatë shtatëmujorit të parë është regjistruar një mungesë prej rreth 50 milionë eurosh në buxhetin e shtetit si pasojë e uljes së vlerës së importeve.
“Kjo vlerë pritej të përkthehej të paktën në çmime më të ulëta. Jo vetëm që kjo nuk ka ndodhur, por nga analizat e Ministrisë së Ekonomisë rezulton se kemi çmime mesatare më të larta për grupin e produkteve të shportës dhe produktet bazë”, u shpreh Malaj.
Duke kërkuar bashkëpunimin e operatorëve të tregut, ministri theksoi se analiza duhet të realizohet bashkërisht dhe mbi baza vullnetare. Ai bëri të ditur se, në mungesë të bashkëpunimit, institucionet përgjegjëse do të kryejnë verifikime pranë subjekteve për të analizuar mënyrën e formimit të çmimeve.
“Ne do t’i analizojmë dhe do t’i vlerësojmë të gjitha marzhet, në mënyrë që të dimë se çfarë politikash fiskale duhet të ndërmarrim për t’ua lehtësuar sa më shumë konsumatorëve barrën e çmimeve të rritura”, përfundoi ministri Malaj.