Ministrja Ibrahimaj: “Pasqyra e Çmimeve”, transparencë dhe krahasim i çmimeve për konsumatorët
“Pasqyra e Çmimeve”, platforma e re digjitale për transparencën e çmimeve, synon t’u mundësojë qytetarëve të krahasojnë çmimet e produkteve dhe të identifikojnë se ku mund t’i blejnë ato më lirë, ndërsa institucioneve do t’u ofrojë të dhëna më të detajuara për mënyrën se si formohen çmimet përgjatë zinxhirit të furnizimit.
Kryeministri Edi Rama, Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj dhe Ministri i Financave, Petrit Malaj, zhvilluan një takim me përfaqësues të supermarketeve dhe furnitorëve kryesorë në vend, ku u diskutua për transparencën e çmimeve, analizimin e marzheve përgjatë zinxhirit të furnizimit dhe bashkëpunimin me operatorët e tregut për sigurimin e të dhënave të nevojshme.
Ministrja Ibrahimaj bëri të ditur se platforma do të ofrojë informacion në nivel produkti, përtej treguesve të përgjithshëm të inflacionit. Sipas saj, të dhënat do të ndihmojnë në identifikimin e hallkave ku krijohen rritjet e çmimeve, si për produktet e importuara, ashtu edhe për ato të prodhuara në vend.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se inflacioni i importuar ka shënuar rënie gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit. Në këtë kontekst, ministrja theksoi se forcimi i lekut dhe rënia e inflacionit të importuar duhet të reflektohen edhe në çmimet për konsumatorët, ndërsa nevojitet një analizë më e detajuar e faktorëve që ndikojnë në nivelin e çmimeve në tregun vendas.
Për plotësimin e “Pasqyrës së Çmimeve”, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit u ka kërkuar rrjeteve kryesore të supermarketeve të vendosin në dispozicion listat e produkteve më të shitura, përfshirë artikujt e shportës ushqimore dhe produktet e higjienës, si të prodhuara në vend, ashtu edhe të importuara. Ministrja Ibrahimaj bëri të ditur se, pas afatit dyjavor të vendosur për dorëzimin e të dhënave, vetëm një prej rrjeteve të supermarketeve kishte paraqitur listën e kërkuar.
Gjatë takimit u diskutua gjithashtu mundësia e krijimit, sipas një modeli të aplikuar në Greqi, të një liste produktesh me çmime të ulëta për shtresat në nevojë. Sipas propozimit, supermarketet do t’i ofronin këto produkte me marzh minimal ose pa fitim deri në fund të vitit. Edhe për këtë nismë, sipas ministres, deri tani vetëm një subjekt ka paraqitur listën përkatëse. Ajo theksoi se, krahas objektivit për fitim, kompanitë duhet të mbajnë në konsideratë edhe mbrojtjen e konsumatorit dhe interesin publik.