Zëvendëskryeministrja Koçiu: Dyfishohen pagesat për fëmijët me aftësi të kufizuara, nga tetori kontribute për mbi 14 mijë kujdestarë
Pagesa për 10 720 fëmijë me aftësi të kufizuara deri në moshën 18 vjeç, përfshirë edhe fëmijët e verbër, është dyfishuar që nga muaji gusht, ndërsa nga 1 tetori do të mbulohen kontributet shoqërore dhe shëndetësore për 14 657 kujdestarë dhe ndihmës personalë. Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu bëri të ditura masat gjatë një takimi me prindër në Qendrën Multifunksionale në Lezhë, duke theksuar se mbështetja për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe familjet e tyre mbetet pjesë e politikave sociale të qeverisë. Pagesa e kontributeve do t’u mundësojë kujdestarëve dhe ndihmësve personalë të përfitojnë nga skema e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, përfshirë të drejtën për pension, mbështetjen në rast të paaftësisë së përkohshme për punë dhe përfitime të tjera të parashikuara nga kjo skemë. Krahas mbështetjes financiare, po zgjerohet edhe rrjeti i shërbimeve sociale në të 61 bashkitë e vendit. Numri i këtyre shërbimeve është rritur nga 83, rreth një vit e gjysmë më parë, në 98 aktualisht, ndërsa në to angazhohen mbi 800 profesionistë të fushave të ndryshme. Në këtë kuadër, përmes Fondit Social mbështetet shtimi i profesionistëve në qendrat sociale dhe përmirësimi i cilësisë së shërbimeve për fëmijët dhe familjet.