Ministri Nufi në Ministerialin CEDC në Slloveni: Shqipëria e angazhuar për forcimin e bashkëpunimit rajonal
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, mori pjesë në Ministerialin e Bashkëpunimit të Mbrojtjes të Evropës Qendrore dhe Ballkanit Perëndimor, në Brdo pri Kranju, Slloveni, ku në fokus të diskutimeve ishte forcimi i bashkëpunimit rajonal në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Gjatë takimit, ministri Nufi theksoi angazhimin e Shqipërisë për forcimin e bashkëpunimit rajonal në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, si edhe koordinimin e ngushtë me aleatët dhe partnerët për paqen, stabilitetin dhe perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, duke kontribuar në një hapësirë evropiane më të sigurt, më të qëndrueshme dhe më të bashkuar. Ministeriali zhvillohet në kuadër të Bashkëpunimit të Mbrojtjes të Evropës Qendrore (CEDC), ku bëjnë pjesë Austria, Çekia, Kroacia, Hungaria, Sllovakia dhe Sllovenia, e cila mban presidencën e CEDC-së për vitin 2026, ndërsa Polonia ka statusin e vëzhguesit.