Shqipëria nënshkruan Konventën e OKB-së kundër Krimit Kibernetik
Në Nju Jork, në margjinat e Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, nënshkroi në emër të Shqipërisë Konventën e OKB-së kundër Krimit Kibernetik.
Nënshkrimi riafirmon angazhimin e Shqipërisë për bashkëpunim më të ngushtë ndërkombëtar për të parandaluar dhe luftuar krimin kibernetik, një kërcënim që prek gjithnjë e më shumë qytetarët, bizneset dhe institucionet publike. Konventa krijon një kornizë të përbashkët për bashkëpunimin mes shteteve, përfshirë lehtësimin e ndarjes së provave elektronike dhe forcimin e përpjekjeve për hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve të rënda në hapësirën digjitale.
Ministri Hoxha theksoi se siguria, qëndrueshmëria dhe besimi në hapësirën digjitale janë pjesë e rëndësishme e agjendës kombëtare të transformimit digjital. Ai nënvizoi se mbrojtja e qytetarëve dhe institucioneve duhet të ecë paralelisht me mundësitë që sjell zhvillimi teknologjik.
Shqipëria do të vijojë të bashkëpunojë me partnerët ndërkombëtarë për të kontribuar në krijimin e një mjedisi digjital më të sigurt dhe më të besueshëm për të gjithë.