Ministri Nufi: Investimi në dije, profesionalizëm dhe lidership është investim për sigurinë dhe mbrojtjen e vendit

75 oficerë nga Shqipëria dhe Kosova kanë nisur vitin e ri akademik në tre kurse profesionale të Kolegjit të Mbrojtjes dhe Sigurisë. Prej tyre, 65 janë pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe 10 të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Në ceremoninë e nisjes së kurseve, ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, e cilësoi arsimin profesional ushtarak si një investim të drejtpërdrejtë në të ardhmen e Forcave të Armatosura dhe në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit.

“Asnjë kapacitet ushtarak nuk është më i fortë se njerëzit që e drejtojnë, e përdorin dhe e zhvillojnë atë. Prandaj, investimi në dije, profesionalizëm dhe lidership është një prej investimeve më të rëndësishme që mund të bëjmë për sigurinë dhe mbrojtjen e Republikës”, u shpreh ministri Nufi.

Pjesëmarrjen e oficerëve të Kosovës në këto programe, ministri e vlerësoi si dëshmi të forcimit të bashkëpunimit Shqipëri–Kosovë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Sipas tij, në një mjedis sigurie që ndryshon me shpejtësi, përballë kërcënimeve hibride e asimetrike, zhvillimeve teknologjike dhe sfidave të sigurisë kibernetike, Forcat e Armatosura kanë nevojë për drejtues që, krahas njohurive teknike, zotërojnë aftësinë për të analizuar, parashikuar, bashkëpunuar dhe marrë vendime në situata komplekse.

“Arsimi profesional ushtarak nuk është një proces që përfundon me një kurs apo me një diplomë; ai është pjesë e drejtpërdrejtë e ndërtimit të kapaciteteve tona mbrojtëse”, theksoi Nufi.

Ministri nënvizoi rëndësinë e konsolidimit të Kolegjit të Mbrojtjes dhe Sigurisë si institucion elitar i arsimit profesional ushtarak, në funksion të transformimit të Forcave të Armatosura, rritjes së profesionalizmit dhe ndërveprueshmërisë me aleatët.

Në këtë kuadër, ai vuri theksin te bashkëpunimi me vendet aleate dhe partnere përmes lektorëve dhe ekspertëve ndërkombëtarë, shkëmbimit të përvojave dhe përfshirjes së praktikave më të mira në fushat e kërcënimeve hibride, mbrojtjes kibernetike, planëzimit operacional, lidershipit dhe transformimit ushtarak.

Një tjetër hap në këtë drejtim është përgatitja për hapjen, në mars të vitit të ardhshëm, të Kursit të Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen, me pjesëmarrje në rritje nga vendet e rajonit, të NATO-s dhe më gjerë.

“Ambicia jonë nuk është thjesht të jemi pjesë e Aleancës. Ambicia jonë është të jemi një aleat gjithnjë e më i aftë, gjithnjë e më i përgatitur dhe gjithnjë e më kontribuues në sigurinë kolektive dhe në përballjen me sfidat e përbashkëta”, deklaroi ministri Nufi.

Duke iu drejtuar kursantëve, ministri theksoi se përgjegjësia e tyre shkon përtej programit të studimit, pasi përgatitja profesionale lidhet drejtpërdrejt me aftësinë për të udhëhequr, për të marrë vendime dhe për të mbajtur përgjegjësi në shërbim të vendit.

“Në uniformë, profesionalizmi është përgjegjësi; lidershipi është shembull; dhe dija merr vlerën e saj të plotë vetëm kur vihet në shërbim të vendit”, u shpreh Nufi.

Në ceremoni morën pjesë Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjenerallejtënant Arben Kingji; komandanti i Kolegjit të Mbrojtjes dhe Sigurisë, gjeneralmajor Altin Kurti; ambasadori i Republikës së Kosovës në Shqipëri, Skënder Durmishi; si dhe komandantë, pedagogë, instruktorë e të ftuar të tjerë.