Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 2 Tetor 2026

P R O J E K T L I GJ
PËR

KËSHILLIN FISKAL TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1
Qëllimi

Ky ligj përcakton kuadrin ligjor për krijimin, organizimin, funksionimin dhe përgjegjësitë e Këshillit Fiskal të Republikës së Shqipërisë (në vijim Këshilli Fiskal), si person juridik publik i pavarur, me qëllim kontributin në disiplinën fiskale, transparencën dhe qëndrueshmërinë e financave publike, në përputhje me kërkesat e Bashkimit Evropian dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.

Neni 2
Përkufizime

Për qëllime të këtij ligji, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Këshilli Fiskal”, institucion i pavarur, i krijuar në bazë të këtij ligji për të monitoruar politikën fiskale e për të kontribuuar në disiplinën fiskale, transparencën dhe qëndrueshmërinë e financave publike.

2. “Parimet dhe rregullat fiskale”, kufizimet numerike dhe procedurale mbi politikën fiskale, të përcaktuara në nenin 4/1, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, duke përfshirë, por pa u kufizuar, në kufijtë e borxhit, objektivat e deficitit dhe tavanet e shpenzimeve.

3. “Ligji organik i buxhetit”, ligji nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

4. “Trajektorja e shpenzimeve neto”, trajektorja shumëvjeçare e shpenzimeve primare neto, siç do të përcaktohet nga Komisioni i Bashkimit Evropian pas anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

5. “Qëndrueshmëria e financave publike”, aftësia e qeverisë për të ruajtur politikat aktuale të shpenzimeve, të tatimeve dhe politikat e tjera, pa vënë në rrezik aftësinë paguese dhe pa cenuar përmbushjen e detyrimeve ose të shpenzimeve të angazhuara.

6. “Qeverisja e përgjithshme”, të gjitha njësitë institucionale të qeverisjes qendrore, të qeverisjes vendore dhe fondet speciale, sipas përcaktimeve të Sistemit Evropian të Llogarive (ESA).

7. “Rreziqet fiskale”, faktorët që mund të shkaktojnë devijime të rezultateve fiskale nga parashikimet, përfshirë goditjet makroekonomike, detyrimet kontigjente të kushtëzuara dhe rreziqet që lidhen me zbatimin e politikave.

8. “Buxheti vjetor”, buxheti i shtetit i Republikës së Shqipërisë, i miratuar nga Kuvendi, për një vit fiskal.

9. “Vendimi i Këshillit të Ministrave për kuadrin makroekonomik dhe fiskal afatmesëm”, raporti për vlerësimet dhe parashikimet makroekonomike e buxhetore, sipas nenit 23, të ligjit organik të buxhetit.

10. “Njësi publike”, për qëllime të këtij ligji, çdo subjekt që është pjesë e qeverisjes së përgjithshme ose kontrollohet prej saj.

11. “Konflikt interesi”, çdo situatë në të cilën interesat privatë të një anëtari mund të cenojnë ose të duket se cenojnë kryerjen e paanshme dhe objektive të detyrave të tij.
Neni 3
Statusi juridik

1. Këshilli Fiskal krijohet si institucion i pavarur dhe i përgjigjet Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

2. Këshilli Fiskal raporton drejtpërdrejt në Kuvend, në përputhje me dispozitat e këtij ligji.

3. Këshilli Fiskal gëzon personalitet juridik dhe i ushtron funksionet e tij në mënyrë të pavarur nga çdo subjekt tjetër publik ose privat.

Neni 4
Fusha e veprimtarisë

1. Këshilli Fiskal monitoron zbatimin e parimeve, rregullave dhe kufizimeve fiskale, të përcaktuara në ligjin organik të buxhetit, vlerëson zhvillimet e politikës fiskale dhe jep opinione të pavarura për qëndrueshmërinë e financave publike dhe rreziqet fiskale.

2. Këshilli Fiskal nuk merr pjesë në formulimin ose hartimin e politikave fiskale dhe buxhetore, nuk harton parashikime makroekonomike, për qëllime të politikëbërjes së qeverisë, dhe nuk ushtron funksione ekzekutive, që sipas legjislacionit në fuqi, u janë ngarkuar ministrisë përgjegjëse për financat ose autoriteteve të tjera publike. Këshilli Fiskal ushtron vetëm funksione të pavarura vlerësuese, monitoruese, analizuese dhe raportuese, në përputhje me këtë ligj.

KREU II
DETYRAT DHE PËRGJEGJËSITË E KËSHILLIT FISKAL

Neni 5
Detyrat e Këshillit Fiskal

1. Këshilli Fiskal përgatit analiza dhe opinione të pavarura, objektive e profesionale lidhur me:

a) zbatimin e parimeve dhe rregullave fiskale, në nenin 4/1 të ligjit organik të buxhetit, si dhe rreziqet për devijimin prej tyre;
b) zbatimin e përcaktimeve të pikave 1 dhe 5, të nenit 4/2, të ligjit organik të buxhetit, si dhe rreziqet për devijimin prej tyre;
c) zbatimin e përcaktimeve të nenit 4/3, të ligjit organik të buxhetit, si dhe rreziqet për devijimin prej tyre;
ç) ndodhjen dhe vlefshmërinë e rrethanave të jashtëzakonshme, të përcaktuara në nenin 4/4, të ligjit organik të buxhetit, të cilat kanë sjellë devijime të përkohshme nga zbatimi i parimeve dhe rregullave fiskale të nenit 4/1, të ligjit organik të buxhetit;
d) projektvendimin e Këshillit të Ministrave për kuadrin makroekonomik dhe fiskal afatmesëm, sipas nenit 23, të ligjit organik të buxhetit, duke përfshirë vlerësimin nëse parashikimet makroekonomike, për të cilat ai mbështetet, janë të kujdesshme dhe të besueshme;
dh) projektbuxhetin vjetor fillestar, si dhe ndryshimet dhe rishikimet e tij, duke përfshirë vlerësimin nëse parashikimet makroekonomike, për të cilat ai mbështetet, janë të kujdesshme dhe të besueshme;
e) raportin e konsoliduar vjetor të zbatimit të buxhetit që i paraqitet Kuvendit;
ë) rreziqet fiskale;
f) konsistencën, koherencën dhe efektivitetin e kuadrit kombëtar buxhetor, duke përfshirë vlerësimin nëse objektivat fiskalë janë në përputhje me njëri-tjetrin, nëse kuadri është efektiv për arritjen e qëllimeve të politikës fiskale dhe nëse procesi buxhetor mbështet realizimin e këtyre objektivave.

2. Pas bërjes së detyrueshme të zbatimit të rregullores (BE) 2024/1263 dhe të rregullores (KE) nr.1467/97, për Republikën e Shqipërisë, Këshilli Fiskal, përveç detyrave të përcaktuara në pikën 1, të këtij neni, kryen edhe detyrat e mëposhtme:

a) Jep opinion për parashikimet dhe supozimet makroekonomike për të cilat bazohet trajektorja e shpenzimeve neto në planin kombëtar fiskalo-strukturor afatmesëm, në përputhje me nenet 11 dhe 15(3) të rregullores (BE) 2024/1263;
b) Vlerëson përputhshmërinë e të dhënave të realizimit buxhetor të raportuara në raportin vjetor të zbatimit të buxhetit me trajektoren e shpenzimeve neto, të përcaktuar nga institucionet përkatëse të Bashkimit Evropian dhe analizon faktorët që qëndrojnë në themel të çdo devijimi prej saj, në përputhje me nenin 23 të rregullores (BE) 2024/1263;
c) Vlerëson mjaftueshmërinë e masave të marra dhe të planifikuara gjatë periudhës së përshtatjes në raport me objektivat përkatës, në përputhje me pikën 5, të nenit 3, të rregullores (KE) nr.1467/97.

3. Ministria përgjegjëse për financat i paraqet Këshillit Fiskal dokumentet e përcaktuara në pikën 2, të këtij neni, së bashku me të dhënat mbështetëse dhe supozimet përkatëse, në format elektronik të editueshëm, brenda një afati kohor të mjaftueshëm për t’i mundësuar Këshillit Fiskal shqyrtimin e tyre dhe përgatitjen e opinionit ose vlerësimit të tij. Opinionet dhe vlerësimet e Këshillit Fiskal publikohen dhe i bashkëlidhen dokumentit përkatës, që u paraqitet institucioneve të Bashkimit Evropian.

4. Analizat dhe opinionet e Këshillit Fiskal, të përcaktuara në shkronjat “d” dhe “dh”, të pikës 1, të këtij neni, janë pjesë përbërëse e dokumenteve përkatëse, që i paraqiten Këshillit të Ministrave ose Kuvendit për shqyrtim dhe miratim.

5. Ministria përgjegjëse për financat i përcjell Këshillit Fiskal, në format elektronik të editueshëm, të gjitha dokumentet dhe materialet shoqëruese përkatëse, përpara paraqitjes për miratim në Këshillin e Ministrave të projektligjit të buxhetit vjetor ose të projektvendimit të Këshillit të Ministrave për kuadrin makroekonomik dhe fiskal afatmesëm.

6. Këshilli Fiskal paraqet opinionin e tij zyrtar për projektligjin e buxhetit vjetor ose projektvendimin e Këshillit të Ministrave për kuadrin makroekonomik dhe fiskal afatmesëm pranë ministrisë përgjegjëse për financat, brenda 10 (dhjetë) ditëve kalendarike nga data e marrjes së dokumentacionit.

7. Nëse në analizat dhe opinionet e Këshillit Fiskal për projektligjin e buxhetit vjetor ose mbi projektvendimin e Këshillit të Ministrave për kuadrin makroekonomik dhe fiskal afatmesëm ka vërejtje negative, ministria përgjegjëse për financat përgatit një relacion shpjegues, si pjesë përbërëse e dokumenteve që i paraqiten Këshillit të Ministrave dhe, në rastin e buxhetit vjetor, komisionit parlamentar përgjegjës për financat, në të cilin shpjegon arsyet e devijimeve, nëse ka, nga analizat dhe opinionet e Këshillit Fiskal. Në raste të tilla, komisioni parlamentar përgjegjës për financat zhvillon seanca dëgjimore në lidhje me opinionin e Këshillit Fiskal. Relacioni shpjegues i ministrisë përgjegjëse për financat bëhet publik jo më vonë se 2 (dy) muaj nga data e dhënies së analizës ose e opinionit përkatës të Këshillit Fiskal.

8. Këshilli Fiskal, me nismën e vet, mund të përgatisë analiza dhe opinione për efektet fiskale të projektakteve të veçanta, të vlerësojë mjaftueshmërinë e masave të marra ose të planifikuara gjatë periudhës së përshtatjes në raport me objektivat përkatës, si dhe të trajtojë çështje të tjera që lidhen me politikën fiskale dhe menaxhimin e financave publike. Këshilli Fiskal ushtron funksione analizuese e vlerësuese dhe nuk është përgjegjës për formulimin ose hartimin e politikave.

9. Këshilli Fiskal, me ftesë, merr pjesë në seanca dëgjimore dhe në diskutime në Kuvend.

KREU III
TË DREJTAT DHE DETYRIMET E ANËTARËVE TË KËSHILLIT FISKAL

Neni 6
Struktura dhe mandati i Këshillit Fiskal

1. Këshilli Fiskal përbëhet nga 3 (tre) anëtarë.

2. Mandati i anëtarëve të Këshillit Fiskal është 6 (gjashtë) vjet, me mundësi riemërimi vetëm një herë. Mandatet e anëtarëve organizohen në mënyrë të shkallëzuar, në mënyrë që, mandati i jo më shumë se një anëtari të përfundojë brenda të njëjtit vit kalendarik. Shkallëzimi i mandateve përcaktohet përmes mandateve fillestare të përbërjes së parë të Këshillit Fiskal, në përputhje me nenin 20, të këtij ligji.

3. Anëtarët e Këshillit Fiskal e ushtrojnë veprimtarinë e tyre me marrëdhënie pune me kohë të plotë.

4. Për ushtrimin e detyrave të tyre në Këshillin Fiskal, anëtarët përfitojnë pagë mujore. Paga mujore e kryetarit të Këshillit Fiskal është e barabartë me pagën e ministrit, ndërsa paga mujore e anëtarëve të tjerë është në masën 85 për qind të pagës së kryetarit.

5. Anëtarët e Këshillit Fiskal, gjatë kryerjes së punës së tyre, veprojnë në mënyrë autonome, të pavarur e të paanshme, në përputhje me standardet më të larta profesionale dhe etike. Ata nuk marrin udhëzime nga autoritetet buxhetore përkatëse ose nga çdo organ tjetër publik apo privat. Ata nuk marrin pjesë në veprimtari politike dhe nuk shprehin publikisht bindje politike.

Neni 7
Procedura e emërimit të anëtarëve të Këshillit Fiskal

1. Për emërimin e anëtarëve të Këshillit Fiskal, komisioni parlamentar përgjegjës për financat shpall një thirrje publike për përzgjedhjen e kandidatëve që plotësojnë kushtet dhe kriteret e përcaktuara në këtë ligj.

2. Thirrja publike qëndron e hapur për jo më pak se 30 (tridhjetë) ditë dhe publikohet në “Fletoren zyrtare”, në të paktën një media të shtypit kombëtar, si dhe në faqen zyrtare të Kuvendit.

3. Komisioni parlamentar përgjegjës për financat, pas përfundimit të afatit të aplikimit, verifikon e vlerëson përmbushjen e kritereve nga kandidatët dhe harton listën e kandidatëve që plotësojnë kriteret e përcaktuara në këtë ligj dhe në thirrjen publike. Komisioni zhvillon një intervistë publike me kandidatët e përzgjedhur dhe mbi këtë bazë i propozon Kuvendit 3 (tre) kandidatë për emërim, si anëtarë të Këshillit Fiskal.

4. Anëtarët e Këshillit Fiskal emërohen nga Kuvendi me shumicë votash, prej më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të Kuvendit.

5. Në rast se ndonjë prej kandidatëve të propozuar nuk merr shumicën e kërkuar për emërim, komisioni parlamentar përgjegjës për financat shpall menjëherë një thirrje të re publike për paraqitjen e kandidaturave.

6. Jo më vonë se gjashtë muaj përpara përfundimit të mandatit të një anëtari të Këshillit Fiskal, kryetari i Këshillit Fiskal njofton komisionin parlamentar përgjegjës për financat për përfundimin e mandatit përkatës.

7. Pas marrjes së njoftimit, komisioni parlamentar përgjegjës për financat fillon menjëherë procedurën për përzgjedhjen dhe emërimin e një anëtari të ri, në përputhje me dispozitat e këtij neni.

Neni 8
Kriteret kryesore për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Fiskal

1. Anëtarët e Këshillit Fiskal duhet të përmbushin standarde të larta të integritetit profesional dhe etik. Ata nuk mund të mbajnë, drejtpërdrejt ose tërthorazi, funksione politike, të jenë anëtarë të partive politike apo të ushtrojnë veprimtari, që mund të krijojnë ndikim politik ose konflikt interesi. Anëtarët ushtrojnë detyrën e tyre në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe profesionale.

2. Gjatë 2 (dy) vjetëve para emërimit, anëtarët e Këshillit Fiskal nuk duhet të kenë ushtruar funksione politike, të kenë qenë anëtarë të organeve drejtuese të një partie politike ose të kenë qenë të punësuar në administratën publike.

3. Anëtarët duhet të zotërojnë diplomë universitare të nivelit “master” ose “doktoraturë” në ekonomi, financa publike, makroekonomi, ekonometri, statistikë, financë ose fusha të tjera të lidhura ngushtë me to.

4. Anëtarët duhet të kenë të paktën 10 (dhjetë) vjet përvojë profesionale të provuar në fushën e financave publike, makroekonomisë ose kërkimit shkencor në fushën e ekonomisë.

Neni 9
Përfundimi i mandatit dhe procedura e shkarkimit

1. Mandati i një anëtari të Këshillit Fiskal mbaron në rastet e mëposhtme:

a) Me përfundimin e mandatit;
b) Në rast vdekjeje;
c) Me dorëheqje, të paraqitur me njoftim me shkrim të paktën një muaj përpara datës, në të cilën dorëheqja hyn në fuqi;
ç) Me shkarkim.

2. Një anëtar i Këshillit Fiskal shkarkohet nga detyra, në rastet kur:

a) nuk përmbush më një nga kriteret e emërimit si anëtar i Këshillit Fiskal, të përcaktuara në nenin 8, të këtij ligji;
b) nuk vepron në përputhje me këtë ligj ose me Kushtetutën gjatë ushtrimit të detyrës së tij;
c) është i paaftë të ushtrojë detyrat për shkak të pamundësisë fizike ose mendore, që zgjat për më shumë se tre muaj;
ç) nuk ushtron detyrat e tij në Këshillin Fiskal për një periudhë të pandërprerë, prej të paktën dy muajsh, ose mungon në tri mbledhje radhazi;
d) ka humbur zotësinë për të vepruar.

3. Vendimi për shkarkimin e një anëtari të Këshillit Fiskal merret nga Kuvendi, me votimin pro të jo më pak se 1/2 (gjysmës) së anëtarëve të Kuvendit, pas propozimit unanim të anëtarëve të tjerë të Këshillit Fiskal, i cili i paraqitet me me shkrim së bashku me arsyet e propozimit për shkarkim komisionit parlamentar përgjegjës për financat.

4. Pozicioni vakant në Këshillin Fiskal plotësohet jo më vonë se 90 ditë nga krijimi i tij, nëpërmjet emërimit të një anëtari të ri me mandat 6-vjeçar, sipas procedurave të parashikuara në nenin 7, të këtë ligji.

Neni 10
Kryetari i Këshillit Fiskal

1. Anëtarët e Këshillit Fiskal zgjedhin ndërmjet tyre kryetarin e Këshillit Fiskal.

2. Kryetari zgjidhet ndërmjet anëtarëve të Këshillit Fiskal për një mandat prej 2 (dy) vjetësh, me rotacion. Radha e rotacionit përcaktohet me short në mbledhjen e parë, me përjashtim të rastit kur një anëtar heq dorë vullnetarisht nga e drejta e tij për të shërbyer si kryetar.

3. Kryetari i Këshillit Fiskal:

a) përfaqëson, drejton dhe organizon punën e Këshillit Fiskal;
b) thërret dhe drejton mbledhjet e Këshillit Fiskal dhe përcakton rendin e ditës;
c) thërret e drejton takimet e punës dhe ato profesionale të Këshillit Fiskal;
ç) nënshkruan aktet e miratuara në mbledhjet e Këshillit Fiskal;
d) paraqet për dijeni pranë komisionit parlamentar përgjegjës për financat projektrregulloren për organizimin dhe funksionimin e Këshillit Fiskal, si dhe projektakte të tjera në fushën e kompetencës së tij, përfshirë, sipas rastit, propozime për ndryshimin dhe plotësimin e tyre;
dh) propozon nisma, rekomandime dhe udhëzime brenda fushave të kompetencës së Këshillit Fiskal.

KREU IV
SEKRETARIATI TEKNIK I KËSHILLIT FISKAL

Neni 11
Organizimi dhe funksionimi i sekretariatit teknik

1. Këshilli Fiskal mbështetet në veprimtarinë e vet profesionale dhe teknike nga sekretariati teknik i Këshillit Fiskal.

2. Sekretariati teknik përbëhet nga 5 (pesë) anëtarë, me marrëdhënie pune me kohë të plotë.

3. Anëtarët e sekretariatit teknik emërohen nga Këshilli Fiskal nëpërmjet një procedure konkurrimi publik, mbi bazën e meritës, kualifikimeve profesionale dhe përshtashmërisë për funksionin, si më poshtë vijon:

a) Të mos mbajnë, drejtpërdrejt ose tërthorazi, funksione politike, të mos jenë anëtarë të partive politike dhe të mos ushtrojnë veprimtari që mund të krijojnë ndikim politik ose konflikt interesi;
b) Të zotërojnë diplomë universitare të ciklit të dytë (master) në ekonomi, financa publike, makroekonomi, ekonometri, statistikë, financë ose fusha të tjera të ngjashme;
c) Të kenë jo më pak se 7 (shtatë) vjet përvojë profesionale, të provuar në fushën e financave publike, makroekonomisë ose kërkimit ekonomik.

4. Paga mujore e anëtarëve të sekretariatit teknik është e barabartë me pagën e sekretarit të Përgjithshëm të një ministrie.

5. Në kryerjen e detyrave të tyre, anëtarët e sekretariatit teknik veprojnë në mënyrë të pavarur e të paanshme, nuk kërkojnë dhe nuk marrin udhëzime nga asnjë subjekt publik ose privat apo individ dhe i përgjigjet vetëm Këshillit Fiskal.

KREU V
ORGANIZIMI DHE MËNYRA E FUNKSIONIMIT TË KËSHILLIT FISKAL

Neni 12
Organizimi i mbledhjeve të Këshillit Fiskal

1. Këshilli Fiskal zhvillon mbledhje të rregullta, në përputhje me rregulloren e organizimit dhe funksionimit të tij.

2. Kryetari dhe anëtarët e Këshillit Fiskal janë të detyruar të marrin pjesë rregullisht në mbledhje e të kontribuojnë në mënyrë aktive në përgatitjen e shqyrtimin e analizave, opinioneve dhe akteve të tjera, që miratohen nga Këshilli Fiskal.

3. Mbledhjet e Këshillit Fiskal janë të vlefshme vetëm kur në to marrin pjesë të gjithë anëtarët e tij.

4. Në përjashtim nga pika 3, e këtij neni, mbledhja është e vlefshme edhe me pjesëmarrjen e dy anëtarëve, kur pjesëmarrja e anëtarit të tretë është e pamundur, për shkak të një vendi vakant, paaftësisë së përkohshme, konfliktit të interesit ose mungesës së justifikuar. Shkaku i mungesës pasqyrohet në procesverbal dhe në çdo akt të miratuar me këtë përbërje. Në këto raste, Këshilli Fiskal nuk mund të miratojë ose të ndryshojë rregulloren e organizimit dhe funksionimit të tij dhe as të zgjedhë kryetarin.

5. Mbledhjet e Këshillit Fiskal zhvillohen me dyer të mbyllura, me përjashtim të rasteve kur vetë këshilli vendos që mbledhje të caktuara të jenë me praninë e mediave.

6. Në mbledhjet e Këshillit Fiskal marrin pjesë anëtarët e sekretariatit teknik, pa të drejtë vote.

7. Këshilli Fiskal mund të ftojë edhe persona të tjerë për të marrë pjesë në mbledhjet e tij, kur prania e tyre vlerësohet e nevojshme për shqyrtimin e çështjeve të veçanta të rendit të ditës.

8. Këshilli Fiskal miraton dhe publikon, jo më vonë se data 15 dhjetor të çdo viti, programin vjetor të punës për vitin pasardhës, në të cilin përcakton në mënyrë të pavarur veprimtaritë, produktet dhe afatet e realizimit të tyre. Këshilli Fiskal organizon dhe prioritizon veprimtarinë e tij, duke garantuar, në çdo rast, përmbushjen e detyrave të përcaktuara në pikën 1, të nenit 5, të këtij ligji. Ecuria e zbatimit të programit vjetor të punës pasqyrohet në raportin vjetor të veprimtarisë së Këshillit Fiskal.

Neni 13
Vendimmarrja dhe procedurat e votimit
1. Kryetari dhe anëtarët e Këshillit Fiskal kanë të drejtën dhe detyrimin për të votuar për çdo propozim të paraqitur për vendimmarrje në mbledhjet e Këshillit Fiskal.

2. Vendimet e Këshillit Fiskal merren me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve. Anëtarët janë të detyruar të votojnë dhe nuk lejohet të abstenojnë. Kur ka barazi votash ndërmjet anëtarëve të pranishëm, vota e kryetarit është përcaktuese.

3. Rregullorja për organizimin dhe funksionimin e Këshillit Fiskal miratohet nga të gjithë anëtarët e tij, me votim unanim, dhe publikohet në faqen zyrtare të Këshillit Fiskal.

KREU VI
INFORMIMI PUBLIK DHE FINANCIMI

Neni 14
Mbështetja buxhetore dhe autonomia financiare

1. Këshilli Fiskal financohet nga buxheti i shtetit. Fondet për funksionimin e Këshillit Fiskal parashikohen si zë i veçantë buxhetor në ligjin vjetor për buxhetin.

2. Fondet e nevojshme për funksionimin e Këshillit Fiskal, duke përfshirë shpenzimet operative dhe materiale, duhet të sigurohen nga buxheti i shtetit.

3. Këshilli Fiskal paraqet kërkesën e tij buxhetore, përfshirë edhe nevojat për shërbime mbështetëse administrative, në përputhje me rregullat, procedurat dhe afatet e përcaktuara në legjislacionin në fuqi për menaxhimin e sistemit buxhetor.

4. Marrëdhëniet e punës rregullohen sipas dispozitave të Kodit të Punës.

5. Këshilli Fiskal ushtron autonomi të plotë në përdorimin dhe menaxhimin e fondeve të alokuara.

6. Këshilli Fiskal, në veprimtarinë e tij financiare dhe në prokurimin e mallrave e të shërbimeve të nevojshme për funksionimin e tij, vepron në përputhje me legjislacionin në fuqi për prokurimin publik dhe i nënshtrohet auditimit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Neni 15
Transparenca dhe raportimi
1. Këshilli Fiskal paraqet në Kuvend një raport vjetor për veprimtarinë e tij, jo më vonë se fundi i muajit qershor të vitit aktual, për vitin kalendarik paraardhës.

2. Raporti vjetor përfshin, por nuk kufizohet, vetëm në një aneks për matjen e performancës, që përmban një përmbledhje statistikore të produkteve të realizuara kundrejt atyre të planifikuara; informacion për ecurinë e objektivave strategjike dhe nismave për përmirësim; në baza periodike 3-vjeçare, një vlerësim të saktësisë së projeksioneve të Këshillit Fiskal, në rastet kur projeksione të tilla janë përgatitura prej tij, si dhe çështje të tjera të përcaktuara në rregulloren e Këshillit Fiskal.

3. Këshilli Fiskal komunikon publikisht analizat e tij dhe informon rregullisht publikun për veprimtarinë e tij përmes konferencave për shtyp, sesioneve informuese, njoftimeve publike, faqes së tij zyrtare të internetit dhe formave të tjera të përshtatshme të komunikimit. Analizat dhe opinionet e Këshillit Fiskal prezantohen nga kryetari ose nga një anëtar i caktuar prej tij dhe publikohen në faqen zyrtare të internetit, pa vonesa të pajustifikuara.

4. Në daljet publike, anëtarët e Këshillit Fiskal paraqesin qëndrimet e miratuara në mbledhjet e Këshillit Fiskal. Në rastet kur një anëtar është shprehur me votim kundër, ai ka të drejtë të paraqesë publikisht opinionin e tij kundërshtues.

Neni 16
Vlerësimi i jashtëm dhe sigurimi i cilësisë

1. Këshilli Fiskal i nënshtrohet një vlerësimi të jashtëm të pavarësisë, efektivitetit dhe kryerjes së mandatit të tij, të paktën një herë në çdo gjashtë vjet.

2. Vlerësimi i jashtëm kryhet nga një panel vlerësuesish të pavarur nga Këshilli Fiskal dhe të pavaruar nga autoritetet publike shqiptare, ndërsa modalitetet e përzgjedhjes përcaktohen në rregulloren e Këshillit Fiskal.

3. Shpenzimet për kryerjen e vlerësimit të jashtëm përballohen nga buxheti i Këshillit Fiskal. Në kërkesën e tij buxhetore, për vitin në të cilin do të kryhet vlerësimi, Këshilli Fiskal parashikon një fond të veçantë për këtë qëllim. Vlerësimi mund të financohet gjithashtu, tërësisht ose pjesërisht, nga asistenca teknike ose nga burime të tjera të jashtme, me kusht që kjo të mos ndikojë në pavarësinë e vlerësuesve ose në objektivitetin e vlerësimit.

4. Raporti i vlerësimit të jashtëm publikohet në faqen e internetit të Këshillit Fiskal, brenda 30 ditëve, dhe i paraqitet Kuvendit. Brenda 60 ditëve nga publikimi i raportit, Këshilli Fiskal miraton dhe publikon një plan veprimi në përgjigje të gjetjeve dhe rekomandimeve të tij, si dhe raporton për zbatimin e këtij plani në raportet vjetore të veprimtarisë.

KREU VII
BASHKËPUNIMI ME INSTITUCIONET E TJERA PUBLIKE DHE ME PERSONAT FIZIKË E JURIDIKË

Neni 17
Aksesi në informacion dhe bashkëpunimi

1. Për ushtrimin e funksioneve të tij, Këshilli Fiskal ka të drejtë të kërkojë e të marrë nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme dhe njësitë e tjera publike, në nivel qendror e vendor, çdo informacion dhe të dhënë të nevojshme, që lidhet me fushën e veprimtarisë së tij.

2. Njësitë publike janë të detyruara t’i vënë në dispozicion Këshillit Fiskal informacionin dhe të dhënat e kërkuara, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Informacioni dhe të dhënat sigurohen në format elektronik të modifikueshëm dhe, sipas rastit, shoqërohen me dokumentacionin përkatës. Këshilli Fiskal ka të drejtë të bëjë publike rastet e njësive publike që nuk respektojnë detyrimet e parashikuara në këtë nen.

3. Këshilli Fiskal ka të drejtë të bëjë publike rastet e njësive publike, që nuk respektojnë detyrimet e parashikuara në këtë nen.

4. Këshilli Fiskal mund të lidhë marrëveshje bashkëpunimi me institucionet përgjegjëse për statistikat zyrtare, njësitë e qeverisjes qendrore, njësitë e vetëqeverisjes vendore, fondet speciale dhe entitete të tjera publike, në nivel qendror e vendor, si dhe me persona fizikë e juridikë, vendas ose të huaj, me qëllim sigurimin në kohë të informacionit të nevojshëm për ushtrimin e funksioneve dhe përgjegjësive të tij, si dhe për rregullimin e procedurave të bashkëpunimit.

5. Këshilli Fiskal merr pjesë në veprimtaritë e rrjeteve dhe shoqatave evropiane e ndërkombëtare të këshillave fiskalë, si dhe bashkëpunon me institucione e organizata të tjera, brenda dhe jashtë vendit.

Neni 18
Konfidencialiteti i informacionit

1. Anëtarët e Këshillit Fiskal, sekretariati teknik, punonjësit, ekspertët e jashtëm dhe çdo person tjetër, i angazhuar nga Këshilli Fiskal, janë të detyruar të ruajnë konfidencialitetin e çdo informacioni jopublik, për të cilin marrin dijeni gjatë ushtrimit të detyrave ose veprimtarisë së tyre, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

2. Informacioni konfidencial përdoret vetëm për qëllime të ushtrimit të funksioneve dhe përgjegjësive të Këshillit Fiskal dhe nuk u vihet në dispozicion palëve të treta, përveç rasteve të parashikuara nga legjislacioni në fuqi.

3. Detyrimi për ruajtjen e konfidencialitetit vazhdon edhe pas përfundimit të mandatit, marrëdhënies së punës, marrëdhënies kontraktuale apo çdo forme tjetër angazhimi me Këshillin Fiskal.

4. Këshilli Fiskal miraton procedurat dhe masat e nevojshme për garantimin e mbrojtjes, ruajtjes e të administrimit të informacionit konfidencial, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

5. Dispozitat e këtij neni nuk cenojnë detyrimin e Këshillit Fiskal për publikimin e opinioneve, analizave, raporteve, vlerësimeve dhe dokumenteve të tjera, në përputhje me këtë ligj.

KREU VIII
DISPOZITA TË FUNDIT DHE KALIMTARE

Neni 19
Afati për paraqitjen e propozimeve për anëtarët e Këshillit Fiskal

1. Komisioni përgjegjës për ekonominë dhe financat ka detyrimin t’i propozojë Kuvendit anëtarët e Këshillit Fiskal, brenda 90 ditëve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

2. Këshilli Fiskal konstituohet dhe fillon veprimtarinë e tij pasi të jenë zgjedhur të tre anëtarët.

Neni 20
Shkallëzimi i mandateve të përbërjes së parë të Këshillit Fiskal

1. Në përjashtim nga pika 2, e nenit 6, të këtij ligji, anëtarët e përbërjes së parë të Këshillit Fiskal emërohen me mandate fillestare prej 6 (gjashtë), 5 (pesë) dhe 4 (katër) vjetësh.

2. Kohëzgjatja e mandatit fillestar të secilit prej anëtarëve të përbërjes së parë përcaktohet me short, i cili hidhet në një mbledhje publike të komisionit parlamentar përgjegjës për financat, menjëherë pas emërimit të tre anëtarëve nga Kuvendi, pasqyrohet në procesverbalin e asaj mbledhjeje dhe publikohet në faqen zyrtare të internetit të Kuvendit.

3. Me përfundimin e një mandati fillestar, të përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, anëtari pasardhës emërohet për një mandat të plotë prej 6 (gjashtë) vjetësh, në përputhje me pikën 2, të nenit 6, të këtij ligji.

4. Mandati fillestar, i përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, llogaritet si mandat për qëllime të kufizimit të riemërimit, të parashikuar në pikën 2, të nenit 6, të këtij ligji.

Neni 21
Afatet e vënies në funksionim të Këshillit Fiskal

1. Brenda 90 ditëve nga data e emërimit, Këshilli Fiskal shpall konkurrimin publik për përzgjedhjen e anëtarëve të sekretariatit teknik.

2. Brenda 60 ditëve nga data e emërimit, Këshilli Fiskal miraton rregulloren e organizimit dhe të funksionimit të tij.

Neni 22
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
NIKO PELESHI

###

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR KËSHILLIN FISKAL TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për Këshillin Fiskal të Republikës së Shqipërisë”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU

***

P R O J E K T L I GJ
PËR

MBIKËQYRJEN SHTESË TË INSTITUCIONEVE TË KREDITIT, SHOQËRIVE TË SIGURIMEVE DHE SHOQËRIVE KOMISIONERE, PJESË E KONGLOMERATEVE FINANCIARE

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

KREU I
QËLLIMI DHE IDENTIFIKIMI I KONGLOMERATEVE FINANCIARE

Neni 1
Objekti

Objekti i këtij ligji është përcaktimi i rregullave për ushtrimin e mbikëqyrjes shtesë ndaj subjekteve të mbikëqyrura, të licencuara, në përputhje me legjislacionin që rregullon veprimtarinë e institucioneve të kreditit, shoqërive të sigurimit, shoqërive komisionere, shoqërive administruese të fondeve ose shoqërive administruese të fondeve alternative të investimit, të cilat janë pjesë e një konglomerati financiar.

Neni 2
Përkufizime

Për qëllime të këtij ligji, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

1. “Institucion krediti”, subjekti që ushtron veprimtari bankare dhe financiare, sipas përcaktimeve të legjislacionit për bankat në Republikën e Shqipërisë.

2. “Shoqëri sigurimi”, personi juridik, i licencuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare për të ushtruar veprimtari sigurimi dhe operacione të tjera të lidhura në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë me veprimtarinë e sigurimit, sipas përcaktimeve të legjislacionit që rregullon veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit në Republikën e Shqipërisë.

3. “Shoqëri komisionere”, personi juridik i licencuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, profesioni ose aktiviteti i rregullt tregtar i të cilit është ofrimi i një ose më shumë shërbimesh investimi në tituj palëve të treta dhe/ose kryerja e një ose më shumë veprimtarive të investimit në formë profesionale, sipas përcaktimeve të legjislacionit, që rregullon tregjet e kapitalit në Republikën e Shqipërisë.

4. “Shoqëri administruese”, personi juridik, i licencuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, veprimtaria e së cilës është administrimi i sipërmarrjeve të investimeve kolektive, përfshirë sipërmarrjet për investimin kolektiv në tituj të transferueshëm, sipas përcaktimeve legjislacionit që rregullon veprimtarinë e sipërmarrjeve të investimeve kolektive në Republikën e Shqipërisë.

5. “Shoqëri administruese e fondeve të investimeve alternative”, personi juridik, i licencuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, veprimtaria e së cilës është administrimi dhe ofrimi për shitje i një ose më shumë fondeve të investimeve alternative, sipas legjislacionit që rregullon veprimtarinë e sipërmarrjes së investimeve kolektive në Republikën e Shqipërisë.

6. “Shoqëri risigurimi”, personi juridik, i licencuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare për ushtrimin e veprimtarisë së risigurimit, sipas përcaktimeve të legjislacionit që rregullon veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit në Republikën e Shqipërisë.

7. “Subjekt i mbikëqyrur”, një institucion krediti, shoqëri sigurimi, shoqëri risigurimi, shoqëri komisionere, shoqëri administruese dhe shoqëri administruese të fondeve të investimeve alternative.

8. “Sektor financiar”, sektori i përbërë nga një ose më shumë prej subjekteve të mëposhtme:

a) Institucion krediti, institucion financiar, shoqëri e shërbimeve ndihmëse, (në vijim “sektori bankar”);
b) Shoqëri sigurimi dhe/ose risigurimi ose shoqëri kontrolluese e sigurimit, ku “shoqëri kontrolluese e sigurimeve” nënkupton një shoqëri mëmë, veprimtaria kryesore e së cilës është kontrolli i shoqërive të sigurimit ose risigurimit dhe e cila nuk ushtron veprimtari tregtare jashtë sektorit të sigurimeve (në vijim “sektori i sigurimeve”);
c) Shoqëri komisionere (në vijim “sektori i shërbimeve të investimeve”).

9. “Rregulla sektoriale”, ligjet, aktet nënligjore, rregulloret, udhëzimet dhe çdo akt tjetër, të miratuar në zbatim të tyre, që zbatohen në sektorin financiar përkatës nga autoritet mbikëqyrës.

10. “Kontroll”, marrëdhënia ndërmjet një personi juridik kontrollues dhe një shoqërie bijë, kur personi kontrollues:

a) zotëron më shumë se gjysmën e votave në asamblenë e përgjithshme të një personi juridik tjetër (shoqëria bijë);
b) ka të drejtën të emërojë ose të shkarkojë më shumë se gjysmën e anëtarëve të organeve të administrimit ose mbikëqyrjes së një personi juridik tjetër (shoqërie bijë) dhe është aksionar ose ortak në atë person;
c) ka të drejtën të ushtrojë ndikim dominues mbi një person juridik tjetër (shoqërie bijë), në bazë të një kontrate ose aktit të themelimit/statutit të tij, nëse lejohet nga legjislacioni i zbatueshëm;
ç) është aksionar ose ortak në një person juridik dhe:

i. më shumë se gjysma e anëtarëve të organit drejtues ose mbikëqyrës të këtij personi juridik (shoqërisë bijë), gjatë vitit financiar të kaluar dhe deri në përgatitjen e pasqyrave financiare të konsoliduara janë emëruar si rezultat i ushtrimit të të drejtave të votës nga personi kontrollues; ose
ii. personi kontrollues, individualisht ose në bazë të një marrëveshjeje me aksionarë apo ortakë të tjerë, zotëron më shumë se gjysmën e votave në asamblenë e përgjithshme të këtij personi juridik (shoqërisë bijë).

d) ushtron, sipas vlerësimit të autoriteteve mbikëqyrëse, ndikim influencues mbi vendimmarrjen lidhur me veprimtarinë e një personi juridik tjetër (shoqërisë bijë) në çdo mënyrë tjetër.

Për qëllime të përcaktimit të ekzistencës së kontrollit, sipas shkronjave “a”, “b”, “ç” dhe “d”, të pikës 10, të këtij neni, zbatohen rregullat e mëposhtme:

i. Në rastet e parashikuara në shkronjat “a”, “b” dhe “ç”, të pikës 10, të këtij neni, numrit të të drejtave të votës të personit kontrollues i shtohen të drejtat e votës të zotëruara nga shoqëritë bija ndaj të cilave ai ushtron kontroll, si dhe të drejtat e votës të personave që, ndonëse veprojnë në emër dhe për llogari të tyre, veprojnë në interes të personit kontrollues ose të shoqërisë së tij bijë;
ii. në të njëjtat raste të parashikuara në shkronjat “a”, “b” dhe “ç”, të kësaj pike, numri i të drejtave të votës pakësohet me të drejtat e votës, që lidhen me aksionet e mbajtura për llogari të një personi tjetër nga vetë personi kontrollues ose nga shoqëria e tij bijë, si dhe me të drejtat e votës që i përkasin aksioneve të dhëna në peng, kur këto të drejta ushtrohen me urdhër dhe në interes të pengdhënësit;
iii. në rastet e parashikuara në shkronjat “a” dhe “ç”, të kësaj pike, numri i të drejtave të votës pakësohet gjithashtu me të drejtat e votës që lidhen me aksionet e zotëruara nga vetë shoqëria bijë, drejtpërdrejti ose nëpërmjet një personi të kontrolluar prej saj, apo nga një person që vepron në emër të vet, por për llogari të personit kontrollues ose shoqërisë bijë.

11. “Shoqëri mëmë”, personi juridik që ushtron kontroll mbi një ose më shumë shoqëri bija.

12. “Shoqëri bijë”, personi juridik që kontrollohet nga shoqëria mëmë. Çdo person juridik, që kontrollohet nga një shoqëri bijë konsiderohet gjithashtu shoqëri bijë e shoqërisë mëmë.

13. “Lidhje të ngushta”, marrëdhëniet ndërmjet dy ose më shumë personave fizikë apo juridikë, të lidhur përmes kontrollit ose pjesëmarrjes, si dhe rastet kur këta persona janë të lidhur në mënyrë të përhershme me të njëjtin person përmes një marrëdhënie kontrolli.

14. “Grup”, grupi i përbërë nga një shoqëri mëmë, shoqëritë e saj bija dhe shoqëritë në të cilat shoqëria mëmë ose shoqëritë e saj bija zotërojnë pjesëmarrje. Në kuptim të këtij ligji, grupi përfshin gjithashtu personat që janë të lidhur me njëri-tjetrin nëpërmjet marrëdhënieve të kontrollit të përbashkët, të krijuara në bazë kontrate ose akteve të themelimit/statutit, si dhe rastet kur më shumë se gjysma e anëtarëve të organeve të administrimit apo mbikëqyrjes janë të njëjtët persona gjatë vitit financiar dhe deri në përgatitjen e pasqyrave të konsoliduara. Grupi përfshin gjithashtu çdo nëngrup të këtyre personave juridikë.

15. “Pjesëmarrje” nënkupton situatën kur një person zotëron, drejtpërdrejt ose tërthorazi, 20% ose më shumë të kapitalit ose të votave në asamblenë e përgjithshme të një personi, si dhe kur një person zotëron të drejta në kapitalin e një personi tjetër, të cilët, duke krijuar lidhje të përhershme me atë person, kanë për qëllim të kontribuojnë në veprimtarinë e tij.

16. “Konglomerat financiar”, grupi ose nëngrupi, në krye të të cilit ndodhet një subjekt i mbikëqyrur, ose në të cilin të paktën një nga shoqëritë bija të tij përbën një subjekt të mbikëqyrur dhe që përmbush të gjitha kushtet e mëposhtme:

a) Kur një subjekt i mbikëqyrur ndodhet në krye të grupit ose nëngrupit:

i. subjekti në fjalë është shoqëria mëmë e një subjekti tjetër, që bën pjesë në sektorin financiar; ose është një subjekt që zotëron pjesëmarrje në një subjekt tjetër, që bën pjesë në sektorin financiar; ose është një subjekt i lidhur me një subjekt tjetër në sektorin financiar nëpërmjet një marrëdhënieje kontrolli, që karakterizohet nga administrim i përbashkët në bazë të një kontrate ose të akteve themeluese/statutit, ose kur më shumë se gjysma e anëtarëve të organeve drejtuese apo mbikëqyrëse të dyja subjekteve janë të njëjtët persona gjatë vitit financiar dhe deri në përgatitjen e pasqyrave të konsoliduara;
ii. të paktën një nga shoqëritë e grupit ose nëngrupit bën pjesë në sektorin e sigurimeve dhe të paktën një tjetër bën pjesë në sektorin bankar ose në sektorin e shërbimeve të investimeve;
iii. veprimtaritë e konsoliduara ose të agreguara të shoqërive të grupit ose nëngrupit, që i përkasin sektorit të sigurimeve, dhe atyre që i përkasin sektorit bankar ose sektorit të shërbimeve të investimeve, janë të rëndësishme, sipas përcaktimeve të pikave 2 ose 3, të nenit 3, të këtij ligji; ose

b) Në rastet kur grupi ose nëngrupi nuk ka në krye një subjekt të mbikëqyrur:

i. veprimtaritë e grupit ose nëngrupit realizohen kryesisht në sektorin financiar, në kuptimin e pikës 1, të nenit 3, e këtij ligji;
ii. të paktën një nga shoqëritë e grupit ose nëngrupit bën pjesë në sektorin e sigurimeve dhe të paktën një tjetër bën pjesë në sektorin bankar ose në sektorin e shërbimeve të investimeve;
iii. veprimtaritë e konsoliduara ose të agreguara të shoqërive të grupit ose nëngrupit, që i përkasin sektorit të sigurimeve, dhe atyre që i përkasin sektorit bankar ose sektorit të shërbimeve të investimeve, janë të rëndësishme, sipas përcaktimeve të pikave 2 ose 3, të nenit 3, të këtij ligji.

17. “Shoqëri financiare zotëruese e përzier”, një shoqëri mëmë, e ndryshme nga një subjekt i mbikëqyrur, e cila, së bashku me shoqëritë e saj bija, nga të cilat të paktën njëra është subjekt i mbikëqyrur me seli në Republikën e Shqipërisë ose në një shtet anëtar të Bashkimit Evropian, dhe me subjekte të tjera, përbën një konglomerat financiar.

18. “Autoritete mbikëqyrëse”, autoritetet përgjegjëse të ngarkuara me mbikëqyrjen e institucioneve të kreditit, shoqërive të sigurimit dhe risigurimit, shoqërive komisionere, shoqërive administruese të fondeve të investimeve të hapura me ofertë publike ose shoqërive administruese të fondeve alternative të investimeve, në baza individuale apo në baza të konsoliduara.

19. “Autoritete mbikëqyrëse përkatëse”:

a) autoritetet mbikëqyrëse në Republikën e Shqipërisë ose në një shtet anëtar të autorizuar për ushtrimin e mbikëqyrjes sektoriale, në nivel grupi ndaj të gjitha subjekteve të mbikëqyrura në një konglomerat financiar, në veçanti të shoqërisë mëmë kontrolluese të një sektori;
b) koordinatori i mbikëqyrjes në Republikën e Shqipërisë ose në një shtet anëtar, nëse është i ndryshëm nga autoritetet e përmendura në shkronjën “a”, të kësaj pike;
c) sipas rastit, autoritete të tjera përgjegjëse, të vlerësuara si të tilla nga autoritetet e përmendura në shkronjat “a” dhe “b”, të kësaj pike.

20. “Transaksion brenda grupit”, çdo transaksion përmes të cilit subjektet e mbikëqyrura në një konglomerat financiar mbështeten, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, në shoqëri të tjera në të njëjtin grup, ose në persona fizikë ose juridikë, me lidhje të ngushta me personat e këtij grupi, për përmbushjen e një detyrimi kontraktual ose jo, pavarësisht, nëse transaksioni përfshin kryerjen e një pagese.

21. “Përqendrim i rrezikut”, çdo ekspozim ndaj rrezikut, që mund të shkaktojë humbje të rëndësishme, që vë në rrezik aftësinë paguese ose pozicionin financiar të subjekteve të mbikëqyrura në një konglomerat financiar, pavarësisht nëse këto ekspozime burojnë nga rreziku i kundërpalës ose rreziku i kredisë, rreziku i investimit, rreziku i sigurimit, rreziku i tregut, rreziqe të tjera të natyrës financiare, ose nga kombinimi apo ndërthurje e këtyre rreziqeve.

22. “Fondet e veta”, kapitali rregullator i përcaktuar dhe i llogaritur sipas legjislacionit përkatës në secilin sektor financiar.

23. “Shtet anëtar”, një shtet që është anëtar i Bashkimit Evropian ose një shtet tjetër që i përket Zonës Ekonomike Evropiane.

24. “Vend i tretë”, një shtet i huaj që nuk është shtet anëtar.

25. “Koordinator”, autoriteti mbikëqyrës përkatës, përgjegjës për ushtrimin e mbikëqyrjes shtesë ndaj subjekteve të mbikëqyrura në një konglomerat financiar.

26. “Subjekt i pambikëqyrur në sektorin financiar”, çdo person juridik brenda grupit, veprimtaria kryesore e të cilit konsiston në ofrimin e shërbimeve financiare, mbajtjen e pjesëmarrjeve në sektorin financiar ose ofrimin e shërbimeve ndihmëse financiare dhe që nuk është i licencuar nga një autoritet mbikëqyrës.

27. “Shoqëri e shërbimeve ndihmëse”, çdo person juridik, veprimtaria kryesore e të cilit konsiston në ofrimin e shërbimeve ndihmëse për një ose më shumë subjekte financiare, pa ushtruar vetë veprimtari financiare të licencuara.

28. “Komiteti i Përbashkët”, komiteti i përcaktuar në pikën 4, të nenit 10, të këtij ligji.

Neni 3
Pragjet për identifikimin e një konglomerati financiar

1. Për të përcaktuar nëse veprimtaritë e një grupi ushtrohen kryesisht në sektorin financiar, sipas përcaktimeve të nënndarjes “i”, të shkronjës “b”, të pikës 16, të nenit 2, të këtij ligji, raporti ndërmjet totalit të aktiveve të subjekteve të mbikëqyrura e të pambikëqyrura të grupit në sektorin financiar dhe totalit të aktiveve të grupit në tërësi, duhet të tejkalojë 40%.

2. Për të përcaktuar nëse veprimtaritë në sektorë të ndryshëm financiarë janë të rëndësishme, sipas parashikimit të nënndarjes “iii”, të shkronjës “a”, të pikës 16, të nenit 2, ose të nënndarjes “iii”, të shkronjës “b”, të pikës 16, të nenit 2, për secilin sektor financiar llogaritet mesatarja e:

a) raportit ndërmjet totalit të aktiveve të subjekteve të grupit që i përkasin sektorit financiar përkatës (në vijim “sektori përkatës”) dhe totalit të aktiveve të të gjitha subjekteve të grupit që bëjnë pjesë në sektorin financiar;
b) raportit ndërmjet kërkesave për kapital “për sektorin bankar dhe sektorin e shërbimeve të investimeve” ose të aftësisë paguese “për sektorin e sigurimeve dhe risigurimeve” të sektorit përkatës dhe totalit të kërkesave për kapital ose të aftësisë paguese të të gjitha subjekteve të grupit në sektorin financiar.

Kur kjo mesatare tejkalon 10%, sektori përkatës konsiderohet se përbën sektor të rëndësishëm financiar.

Për qëllimet e zbatimit të kësaj pike:

i. termi “kërkesa për kapital” përfshin, sipas rastit, kërkesat për aftësi paguese të përcaktuara në legjislacionin e sigurimeve dhe risigurimeve;
ii. sektori financiar më i vogël në një konglomerat financiar është sektori me mesataren më të ulët, ndërsa sektori financiar më i rëndësishëm është sektori me mesataren më të lartë. Për të llogaritur vlerën mesatare dhe për të përcaktuar sektorët financiarë më të vegjël dhe më të rëndësishëm, sektori i institucioneve të kreditit dhe sektori i shërbimeve të investimeve trajtohen si një sektor i vetëm;
iii. shoqëritë administruese përfshihen në sektorin financiar, në të cilin bëjnë pjesë brenda grupit. Nëse nuk bëjnë pjesë vetëm në një sektor financiar brenda grupit, ato përfshihen në sektorin financiar më të vogël;
iv. shoqëritë administruese të fondeve të investimeve alternative përfshihen në sektorin financiar, në të cilin bëjnë pjesë brenda grupit. Nëse nuk bëjnë pjesë ekskluzivisht në një sektor financiar brenda grupit, ato përfshihen në sektorin financiar më të vogël.

3. Veprimtaritë ndërsektoriale konsiderohen gjithashtu të rëndësishme, sipas përcaktimeve të nënndarjes “iii”, të shkronjës “a”, të pikës 16, të nenit 2, ose të nënndarjes “iii”, të shkronjës “b”, të pikës 16, të nenit 2, nëse totali i aktiveve të sektorit financiar më të vogël në grup tejkalon ekuivalentin në lekë të 100 milionë eurove, deri në datën e anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

4. Nëse grupi nuk e arrin pragun e përmendur në pikën 2, të këtij neni, autoritetet mbikëqyrëse përkatëse, përmes një marrëveshjeje të përbashkët, mund të vendosin të mos e konsiderojnë grupin si konglomerat financiar. Gjithashtu, ato mund të vendosin të mos i zbatojnë dispozitat e neneve 7, 8 ose 9, të këtij ligji, nëse vlerësojnë se përfshirja e grupit në objektin e këtij ligji, nuk është e nevojshëm, ose do të ishte i papërshtatshëm apo çorientues për objektivat e mbikëqyrjes shtesë. Vendimet e marra, në përputhje me këtë pikë, bëhen publike nga autoritetet mbikëqyrëse, përveç rasteve kur rrethanat e posaçme kërkojnë konfidencialitet.

5. Nëse grupi arrin pragun e përmendur në pikën 2, të këtij neni, por sektori më i vogël financiar nuk e tejkalon vlerën e ekuivalentit në lekë të 100 milionë eurove, deri në datën e anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian, autoritetet mbikëqyrëse përkatëse, përmes një marrëveshjeje të përbashkët, mund të vendosin të mos e konsiderojnë grupin si një konglomerat financiar. Gjithashtu, ato mund të vendosin të mos i zbatojnë dispozitat e neneve 7, 8 ose 9, të këtij ligji, nëse gjykojnë se përfshirja e grupit në objektin e këtij ligji, apo zbatimi i këtyre dispozitave, nuk është i nevojshëm ose do të ishte i papërshtatshëm apo çorientues lidhur me objektivat e mbikëqyrjes shtesë. Vendimet e marra, në përputhje me këtë pikë, bëhen publike nga autoritetet mbikëqyrëse, përveç rasteve kur rrethanat e posaçme kërkojnë konfidencialitet.

6. Autoritetet mbikëqyrëse, në zbatim të pikave 1, 2, dhe 3, të këtij neni, mund të bien dakord për përjashtime ose rregullime në llogaritje, si më poshtë vijon:

a) Të përjashtojnë një subjekt kur përllogarisin raportet në përqindje, në rastet e përmendura në pikën 5, të nenit 6, të këtij ligji, përveçse kur subjekti është zhvendosur nga Republika e Shqipërisë në një vend të tretë dhe ekzistojnë prova, që tregojnë se subjekti e ka ndryshuar vendndodhjen për të shmangur rregullimin nga ky ligj;
b) Të marrin në konsideratë pajtueshmërinë me pragjet e parashikuara në pikat 1 dhe 2, të këtij neni, për tri vite të njëpasnjëshme, për të shmangur ndryshimet e papritura të regjimit, si dhe të mos e marrin në konsideratë pajtueshmërinë me pragjet, nëse ka ndryshime të rëndësishme në strukturën e grupit;
c) Të përjashtojnë një ose disa pjesëmarrje në sektorin më të vogël, nëse këto pjesëmarrje janë vendimtare për identifikimin e një konglomerati financiar dhe paraqesin bashkërisht një interes të papërfillshëm lidhur me objektivat e mbikëqyrjes shtesë.

7. Kur një konglomerat financiar është identifikuar, në përputhje me pikat 1, 2 dhe 3, të këtij neni, çdo vendim për të mos e trajtuar atë si konglomerat financiar, apo për të mos zbatuar ndaj tij dispozitat e neneve 7, 8 ose 9, të këtij ligji, mund të merret vetëm me propozim të koordinatorit të caktuar për atë konglomerat financiar. Ky propozim paraqitet për shqyrtim nga autoritetet mbikëqyrëse përkatëse dhe vendimi përfundimtar merret me marrëveshje të përbashkët ndërmjet tyre.

8. Për qëllimet e zbatimit të pikave 1 dhe 2, të këtij neni, autoritetet mbikëqyrëse përkatëse, në rrethana të posaçme dhe me marrëveshje të përbashkët, mund të zëvendësojnë kriterin e bazuar në totalin e aktiveve, me një ose disa nga parametrat e mëposhtëm, ose të shtojnë një ose disa nga këto parametra, nëse vlerësojnë se janë veçanërisht të rëndësishëm për realizimin e objektivave të mbikëqyrjes shtesë, sipas këtij ligji:

a) Struktura e të ardhurave;
b) Veprimtaritë jashtë bilancit;
c) Totali i aktiveve nën administrim.

9. Nëse raportet e përmendura në pikat 1 dhe 2, të këtij neni, bien përkatësisht nën nivelin 40% dhe 10% për një konglomerat financiar, që tashmë i nënshtrohet mbikëqyrjes shtesë, gjatë një periudhë trivjeçare pasuese, do të zbatohen përqindje më të ulëta, përkatësisht 35% dhe 8%, me qëllim shmangien e kalimeve të menjëhershme në regjime të ndryshme mbikëqyrjeje.

Nëse totali i aktiveve të sektorit financiar më të vogël në grup, sipas pikës 3, të këtij neni, bie nën vlerën e ekuivalentit në lekë të 100 milionë eurove, për një konglomerat financiar, që tashmë është subjekt i mbikëqyrjes shtesë, do të zbatohet, për një periudhë trivjeçare pasuese, një prag më i ulët se ekuivalenti në lekë i 80 milionë eurove, deri në datën e anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Koordinatori gjatë kësaj periudhe trivjeçare, me dakordësinë e autoriteteve mbikëqyrëse përkatëse, mund të vendosë moszbatimin e përkohshëm të përqindjeve ose pragjeve të ulura, të parashikuara në këtë pikë.

10. Përllogaritjet e përmendura në këtë nen lidhur me totalin e aktiveve kryhen mbi bazën e shumës së agreguar të aktiveve të subjekteve të grupit, sipas pasqyrave të tyre financiare vjetore. Për këtë qëllim, personat në të cilët grupi zotëron pjesëmarrje përfshihen në masën që i korrespondon pjesës proporcionale të zotëruar nga grupi në totalin e aktiveve të tyre. Kur pasqyra financiare të konsoliduara janë të disponueshme, ato përdoren në vend të pasqyrave të veçanta të agreguara.

11. Kërkesat për kapital dhe të aftësisë paguese, të parashikuara në pikat 2 dhe 3, të këtij neni, përllogariten në përputhje me rregullat sektoriale përkatëse.

12. Autoritetet mbikëqyrëse, me qëllim sigurimin e zbatimit të njëtrajtshëm dhe të harmonizuar të praktikave mbikëqyrëse, marrin në konsideratë udhëzimet e nxjerra nga Komiteti i Përbashkët, i përcaktuar në nenin 10, të këtij ligji, për fushën e mbikëqyrjes ndërsektoriale dhe të konglomerateve financiare.

13. Autoritetet mbikëqyrëse rishikojnë periodikisht, të paktën një herë në vit, përjashtimet nga zbatimi i mbikëqyrjes shtesë, si dhe rivlerësojnë treguesit sasiorë, të parashikuar në këtë nen, dhe vlerësimet e bazuara në rrezik, të zbatuara ndaj grupeve financiare.

14. Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare miratojnë udhëzime të përbashkëta për zbatimin e këtij neni, të cilat rregullojnë:

a) metodologjinë e llogaritjes dhe zbatimin e pragjeve të parashikuara në pikat 1 deri në 8, të këtij neni;
b) kriteret për përcaktimin e sektorëve të rëndësishëm financiarë, brenda konglomeratit financiar.

Neni 4
Identifikimi i konglomeratit financiar

1. Autoritetet mbikëqyrëse, që kanë licencuar subjektet e mbikëqyrura, identifikojnë, në përputhje me nenet 2, 3 dhe 5, të këtij ligji, çdo grup që përfshihet në fushën e zbatimit të këtij ligji. Për këtë qëllim:

a) autoritetet mbikëqyrëse në Republikën e Shqipërisë dhe autoritetet e tjera mbikëqyrëse, që kanë licencuar subjektet e mbikëqyrura të grupit, bashkëpunojnë ngushtësisht ndërmjet tyre;
b) kur një autoritet mbikëqyrës në Republikën e Shqipërisë vlerëson se një subjekt i mbikëqyrur, i licencuar në Shqipëri, është pjesë e një grupi që mund të përbëjë konglomerat financiar dhe që ende nuk është identifikuar, në përputhje me këtë ligj, ai i komunikon pikëpamjen e tij:

i. autoriteteve të tjera mbikëqyrëse në Republikën e Shqipërisë;
ii. autoriteteve të tjera mbikëqyrëse të shteteve anëtare përkatëse, që kanë licencuar subjektin e mbikëqyrur brenda grupit;
iii. Komitetit të Përbashkët, të përcaktuar në nenin 10, të këtij ligji.

2. Koordinatori njofton me shkrim shoqërinë mëmë në krye të grupit, ose, në mungesë të saj, subjektin e mbikëqyrur, që ka totalin më të lartë të aktiveve në sektorin financiar më të rëndësishëm të grupit, lidhur me identifikimin e grupit si një konglomerat financiar dhe lidhur me caktimin e tij si koordinator. Koordinatori njofton gjithashtu autoritetet mbikëqyrëse që kanë licencuar subjektet e mbikëqyrura të përfshira në grup dhe autoritetet përgjegjëse të shtetit anëtar, ku ka selinë shoqëria financiare zotëruese e përzier, sipas rastit, si dhe Komitetin e Përbashkët, të përcaktuar në nenin 10, të këtij ligji.

3. Autoritetet mbikëqyrëse publikojnë dhe përditësojnë në faqet e tyre zyrtare të internetit listën e konglomerateve financiare të identifikuara, në përputhje me pikën 16, të nenit 2, të këtij ligji.

4. Emri i çdo subjekti të mbikëqyrur, që është pjesë e një konglomerati financiar, regjistrohet në një regjistër, i cili publikohet dhe përditësohet në faqet zyrtare të internetit të autoriteteve mbikëqyrëse.

5. Kur koordinatori vlerëson se nuk përmbushen më kushtet për ushtrimin e mbikëqyrjes shtesë të një konglomerati financiar, në përputhje me këtë ligj, ai njofton autoritetet e tjera mbikëqyrëse, të përmendura në pikën 1, të këtij neni, të cilat kanë marrë vendimin e përbashkët për identifikimin e konglomeratit financiar.

6. Autoritetet mbikëqyrëse, të përmendura në pikën 5, të këtij ligji, shqyrtojnë propozimin e koordinatorit dhe, nëse konstatojnë se kushtet për identifikimin e konglomeratit financiar nuk përmbushen më, me marrëveshje të përbashkët, miratojnë vendimin për heqjen e statusit të konglomeratit financiar.

Secili autoritet mbikëqyrës, brenda kompetencave të veta dhe në zbatim të marrëveshjes së arritur, nxjerr aktin administrativ përkatës.

7. Koordinatori i komunikon vendimin e parashikuar në pikën 6, të këtij neni, anëtarit të grupit që drejton konglomeratin financiar, i cili, brenda 8 ditëve nga marrja e vendimit, njofton të gjithë personat që janë pjesë e atij konglomerati financiar.

8. Anëtari i grupit, që udhëheq konglomeratin financiar, njofton me shkrim koordinatorin se kërkesat për ekzistencën e konglomeratit financiar nuk plotësohen më. Ky njoftim bëhet brenda 30 ditëve nga ndërprerja e këtyre kërkesave për identifikimin e konglomeratit financiar.

KREU II
MBIKËQYRJA SHTESË

Seksioni I
Objekti

Neni 5
Objekti i mbikëqyrjes shtesë të subjekteve të mbikëqyrura

1. Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ushtrojnë mbikëqyrjen shtesë ndaj subjekteve të mbikëqyrura, në masën dhe sipas mënyrës së parashikuar në këtë ligj. Mbikëqyrja shtesë ushtrohet krahas mbikëqyrjes sektoriale, të parashikuar nga legjislacioni përkatës i sektorit, ku subjekti i mbikëqyrur bën pjesë.

2. Në përputhje me nenet 6 deri në 21, të këtij ligji, i nënshtrohen mbikëqyrjes shtesë në nivelin e konglomeratit financiar çdo subjekt i mbikëqyrur:

a) që është në krye të një konglomerati dhe ka selinë në Republikën e Shqipërisë;
b) shoqëria mëmë e të cilit është një shoqëri financiare zotëruese e përzier me seli në Republikën e Shqipërisë ose në një shtet anëtar;
c) që është i lidhur me një subjekt tjetër të sektorit financiar nëpërmjet marrëdhënieve, si më poshtë vijon:

i. Administrim i përbashkët në bazë të një kontrate ose të akteve të tyre themeluese/statuteve;
ii. Më shumë se gjysma e anëtarëve të organeve të tyre të administrimit ose të mbikëqyrjes janë të njëjtët persona gjatë vitit financiar dhe deri në datën e përgatitjes së pasqyrave të konsoliduara.

3. Kur një konglomerat financiar përbën nëngrup të një konglomerati tjetër financiar, i cili plotëson kërkesat e përcaktuara në pikën 2, të këtij neni, autoritetet mbikëqyrëse mund të zbatojnë dispozitat e neneve 6 deri në 21, të këtij ligji, vetëm për subjektet e mbikëqyrura, që janë pjesë e një konglomerati tjetër financiar. Në këto raste, çdo referencë në këtë ligj ndaj termave “grup” dhe “konglomerat financiar” do të kuptohet si referencë ndaj atij konglomerati financiar.

4. Çdo subjekt i mbikëqyrur, që nuk është subjekt i mbikëqyrjes shtesë, në përputhje me pikat 2 dhe 3, të këtij neni, dhe që ka si shoqëri mëmë një subjekt të mbikëqyrur ose një shoqëri financiare zotëruese, e përzier me seli në një vend të tretë, i nënshtrohet mbikëqyrjes shtesë në nivelin e konglomeratit financiar, në masën dhe sipas mënyrës së parashikuar në nenin 21, të këtij ligji.

5. Kur persona kanë pjesëmarrje ose lidhje të ngushta në një ose disa subjekte të mbikëqyrura, ose ushtrojnë ndikim të rëndësishëm mbi këto subjekte, pa pasur pjesëmarrje ose lidhje të ngushta, dhe kur këto raste nuk përfshihen në pikat 2, 3 dhe 4, të këtij neni, autoritetet mbikëqyrëse përkatëse bashkëpunojnë për të vlerësuar situatën. Me marrëveshje të përbashkët dhe në përputhje me kompetencat e tyre ligjore, autoritetet mbikëqyrëse përkatëse përcaktojnë nëse dhe në çfarë mase do të kryhet mbikëqyrja shtesë ndaj subjekteve të mbikëqyrura, sikur ato të përbënin një konglomerat financiar.

Për zbatimin e paragrafit të parë, të kësaj pike, të paktën një nga subjektet duhet të jetë subjekt i mbikëqyrur, si dhe duhet të përmbushen kushtet e parashikuara në nënndarjet “ii” dhe “iii”, të shkronjës “a”, të pikës 16, të nenit 2, ose nënndarjet “ii” dhe “iii”, të shkronjës “b”, të pikës 16, të nenit 2.

Autoritetet mbikëqyrëse përkatëse marrin vendimin e tyre, duke pasur në konsideratë objektivat e mbikëqyrjes shtesë, të parashikuar në këtë ligj.

6. Për qëllime të zbatimit të paragrafit të parë, të pikës 5, të këtij neni, ndaj “grupeve kooperative” të rregulluara sipas legjislacionit të posaçëm, autoritetet mbikëqyrëse duhet të marrin në konsideratë angazhimin financiar publik të këtyre grupeve lidhur me subjektet e tjera financiare.

7. Pa cenuar kërkesat e nenit 16, të këtij ligji, ushtrimi i mbikëqyrjes shtesë në nivelin e konglomeratit financiar nuk nënkupton ushtrimin e mbikëqyrjes individuale nga autoritetet mbikëqyrëse ndaj shoqërive financiare zotëruese të përziera, subjekteve të rregulluara të vendeve të treta në një konglomerat financiar apo subjekteve të parregulluara në një konglomerat financiar.

Seksioni II
Pozicioni financiar

Neni 6
Mjaftueshmëria e kapitalit

1. Pa cenuar zbatimin e rregullave sektoriale, të zbatueshme për secilin sektor financiar, mbikëqyrja shtesë e mjaftueshmërisë së kapitalit të subjekteve të mbikëqyrura në një konglomerat financiar ushtrohet në përputhje me rregullat e përcaktuara në pikat 2 deri në 5, të nenit 9, dhe në aneksin I, të këtij ligji.

2. Subjektet e mbikëqyrura, që janë pjesë e një konglomerati financiar kanë detyrimin:

a) të garantojnë disponueshmërinë e fondeve të veta në nivelin e konglomeratit financiar, në një vlerë të paktën të barabartë me kërkesat për mjaftueshmërinë e kapitalit të përllogaritura në përputhje me aneksin I, të këtij ligji;
b) të zbatojnë politika të përshtatshme për mjaftueshmërinë e kapitalit në nivelin e konglomeratit financiar.

Detyrimet e parashikuara në shkronjat “a” dhe “b”, të kësaj pike, janë subjekt i vlerësimit mbikëqyrës nga koordinatori, në përputhje me seksionin III, të këtij kreu. Koordinatori siguron, që llogaritja e parashikuar në shkronjën “a”, të kësaj pike, të realizohet të paktën një herë në vit nga subjektet e mbikëqyrura ose nga shoqëria financiare zotëruese e përzier.

Rezultatet e llogaritjes së bashku me të dhënat përkatëse i dorëzohen koordinatorit nga subjekti i mbikëqyrur në krye të konglomeratit financiar. Kur konglomerati financiar nuk kryesohet nga një subjekt i mbikëqyrur, këto të dhëna i dorëzohen koordinatorit nga shoqëria financiare zotëruese e përzier, ose nga subjekti i mbikëqyrur i identifikuar nga koordinatori, pas konsultimit me autoritetet e tjera mbikëqyrëse përkatëse dhe me konglomeratin financiar.

3. Për qëllime të llogaritjes së kërkesave për mjaftueshmërinë e kapitalit, të parashikuara në shkronjën “a”, të pikës 2, të nenit 6, të këtij ligji, në objektin e mbikëqyrjes shtesë, sipas aneksit I, të këtij ligji, përfshihen:

a) institucionet e kreditit, institucionet financiare dhe shoqëritë e shërbimeve ndihmëse;
b) shoqëritë e sigurimit, shoqëritë e risigurimit dhe shoqëritë kontrolluese të sigurimit;
c) shoqëritë komisionere;
ç) shoqëritë financiare zotëruese të përziera.

4. Kur kërkesat shtesë për mjaftueshmërinë e kapitalit lidhur me një konglomerat financiar përllogariten nëpërmjet zbatimit të metodës 1 “Konsolidimi kontabël”, të përmendur në aneksin I, të këtij ligji, kërkesat për fondet e veta dhe për aftësinë paguese, për subjektet pjesë e grupit, përllogariten duke zbatuar rregullat përkatëse sektoriale për formën dhe shtrirjen e konsolidimit për institucionet e kreditit dhe për shoqëritë e sigurimit e të risigurimit në Republikën e Shqipërisë.
Në rastet kur zbatohet metoda 2 “Zbritja dhe agregimi”, sipas aneksit I, të këtij ligji, përllogaritja merr në konsideratë pjesën e kapitalit të nënshkruar, që zotërohet në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë nga shoqëria mëmë ose nga shoqëria që zotëron pjesëmarrje në një tjetër shoqëri të grupit.

5. Koordinatori mund të vendosë që të mos përfshijë në objektin e mbikëqyrjes shtesë një subjekt të caktuar, kur përllogarit kërkesat shtesë për mjaftueshmërinë e kapitalit, në rastet e mëposhtme:

a) Nëse subjekti ndodhet në një vend të tretë, ku ka pengesa ligjore për transferimin e informacionit të nevojshëm, pa cenuar rregullat e tyre sektoriale lidhur me detyrimin e autoriteteve mbikëqyrëse për të refuzuar licencimin, në rastet kur pengohet ushtrimi i funksioneve të tyre mbikëqyrëse;
b) Nëse subjekti paraqet interes të papërfillshëm lidhur me objektivat e mbikëqyrjes shtesë së subjekteve të mbikëqyrura në konglomeratin financiar. Interesi i papërfillshëm, në kuptim të kësaj shkronje, bazohet, ndër të tjera, mbi bazën e madhësisë, peshës financiare ose nivelit të ekspozimit të subjektit, ndikimit material në profilin e rrezikut, mjaftueshmërisë së kapitalit apo objektivave të mbikëqyrjes shtesë në nivel të konglomeratit financiar;
c) Nëse përfshirja e subjektit do të ishte e papërshtatshme ose keqorientuese lidhur me objektivat e mbikëqyrjes shtesë.

Nëse ekzistojnë disa subjekte që mund të përjashtohen, sipas shkronjës “b”, të kësaj pike, ato duhet të përfshihen, kur të marra së bashku, paraqesin një interes të konsiderueshëm.

Në rastin e përmendur në shkronjën “c”, të kësaj pike, koordinatori konsultohet me autoritetet mbikëqyrëse përpara marrjes së një vendimi, me përjashtim të rasteve urgjente.

Kur koordinatori vendos të përjashtojë një subjekt të mbikëqyrur nga llogaritja e kërkesave shtesë për mjaftueshmërinë e kapitalit, sipas shkronjave “b” ose “c”, të kësaj pike, autoritetet mbikëqyrëse mund t’i kërkojnë subjektit në krye të konglomeratit financiar të japë informacione, të cilat mund të lehtësojnë mbikëqyrjen e subjektit të mbikëqyrur.

Neni 7
Përqendrimi i rrezikut

1. Pa cenuar rregullat sektoriale, mbikëqyrja shtesë e përqendrimit të rrezikut të subjekteve, të mbikëqyrura në një konglomerat financiar, ushtrohet në përputhje me rregullat e përcaktuara në pikat 2 deri në 4, të nenit 9, dhe në aneksin II, të këtij ligji.

2. Subjektet e mbikëqyrura ose shoqëritë financiare zotëruese të përziera duhet t’i raportojnë koordinatorit rregullisht, dhe të paktën çdo vit, çdo nivel të konsiderueshëm të përqendrimit të rrezikut në nivelin e konglomeratit financiar, në përputhje me rregullat e parashikuara në këtë nen dhe në aneksin II, të këtij ligji. Informacioni i dorëzohet koordinatorit nga subjekti i mbikëqyrur në krye të konglomeratit financiar ose, në rastet kur në krye të konglomeratit financiar nuk ka një subjekt të mbikëqyrur nga shoqëria financiare zotëruese e përzier ose nga subjekti i mbikëqyrur në konglomeratin financiar të identifikuar nga koordinatori, pas konsultimit me autoritetet mbikëqyrëse dhe me vetë konglomeratin financiar.
Përqendrimet e rrezikut, të parashikuara në këtë pikë, janë objekt i vlerësimit mbikëqyrës nga koordinatori, në përputhje me seksionin III, të këtij kreu.

3. Autoritetet mbikëqyrëse mund të vendosin kufij sasiorë ose të miratojnë masa të tjera mbikëqyrëse, të cilat do të arrinin objektivat e mbikëqyrjes shtesë lidhur me çdo përqendrim të rrezikut në nivelin e konglomeratit financiar.

4. Kur konglomerati financiar drejtohet nga një shoqëri financiare zotëruese e përzier, rregullat sektoriale për përqendrimin e rrezikut të sektorit më të rëndësishëm financiar në konglomeratin financiar, kur këto rregulla ekzistojnë, do të zbatohen për atë sektor në tërësi, duke përfshirë shoqërinë financiare zotëruese të përzier.

5. Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare miratojnë udhëzime të përbashkëta për zbatimin e pikave 1 deri në 4, të këtij neni, të cilat rregullojnë:

a) metodologjinë e mbikëqyrjes shtesë të përqendrimit të rrezikut në nivelin e konglomeratit financiar;
b) pragjet për identifikimin e përqendrimit të konsiderueshëm të rrezikut, që i nënshtrohet raportimit, sipas pikës 2, të këtij neni;
c) harmonizimin e mjeteve mbikëqyrëse, të parashikuara në këtë nen, me ato të zbatueshme sipas rregullave sektoriale për mbikëqyrjen e përqendrimit të rrezikut, me qëllim shmangien e dublimit të detyrimeve.

Neni 8
Transaksionet brenda grupit

1. Pa cenuar rregullat sektoriale të zbatueshme për secilin sektor financiar, mbikëqyrja shtesë e transaksioneve, brenda grupit të subjekteve të mbikëqyrura në një konglomerat financiar, ushtrohet në përputhje me rregullat e përcaktuara në pikat 2 deri në 4, të nenit 9, dhe në aneksin II, të këtij ligji.

2. Subjektet e mbikëqyrura ose shoqëritë financiare zotëruese të përziera i raportojnë koordinatorit rregullisht, dhe të paktën çdo vit, të gjitha transaksionet e rëndësishme, brenda grupit të subjekteve të mbikëqyrura në një konglomerat financiar, në përputhje me rregullat e parashikuara në këtë nen dhe në aneksin II, të këtij ligji.
Një transaksion brenda grupit konsiderohet i rëndësishëm, nëse shuma e tij tejkalon të paktën 5% të shumës totale të kërkesave për mjaftueshmërinë e kapitalit në nivelin e konglomeratit financiar, me përjashtim të rasteve kur autoriteti mbikëqyrës përkatës, në bashkëpunim me koordinatorin, vendosin ndryshe.
Informacionet e nevojshme i dorëzohen koordinatorit nga subjekti i mbikëqyrur në krye të konglomeratit financiar, ose, në rastet kur në krye të konglomeratit financiar nuk ka një subjekt të mbikëqyrur nga shoqëria financiare zotëruese e përzier ose nga subjekti i mbikëqyrur në konglomeratin financiar të identifikuar nga koordinatori, pas konsultimit me autoritetet mbikëqyrëse dhe me konglomeratin financiar.

3. Autoritetet mbikëqyrëse mund të vendosin kufij sasiorë dhe kërkesa cilësore, ose të ndërmarrin masa të tjera mbikëqyrëse, me qëllim realizimin e objektivave të mbikëqyrjes shtesë lidhur me transaksionet brenda grupit të subjekteve të mbikëqyrura në një konglomerat financiar.

4. Kur një konglomerat financiar drejtohet nga një shoqëri financiare zotëruese e përzier, rregullat sektoriale që zbatohen për transaksionet brenda grupit në sektorin financiar më të rëndësishëm të konglomeratit financiar zbatohen për të gjithë atë sektor, përfshirë shoqërinë financiare zotëruese të përzier.

5. Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare miratojnë udhëzime të përbashkëta në lidhje me mbikëqyrjen shtesë të transaksioneve brenda grupit, në zbatim të këtij neni.

Neni 9
Mekanizmat e kontrollit të brendshëm dhe proceset e administrimit të rrezikut

1. Subjektet e mbikëqyrura duhet të kenë në nivelin e konglomeratit financiar procese të përshtatshme të administrimit të rrezikut dhe mekanizma të përshtatshëm të kontrollit të brendshëm, duke përfshirë procedura të qëndrueshme administrative dhe kontabël.

2. Proceset e administrimit të rrezikut përfshijnë:

a) qeverisje dhe administrim të kujdesshëm, duke përfshirë miratimin dhe rishikimin periodik të strategjive dhe të politikave nga organet drejtuese në nivelin e konglomeratit financiar, në lidhje me të gjitha rreziqet që ato marrin përsipër;
b) politika të përshtatshme për mjaftueshmërinë e kapitalit, me qëllimin për të parashikuar ndikimin e strategjisë së biznesit te profili i rrezikut dhe respektimin e kërkesave për kapitalin, siç përcaktohet në nenin 6, dhe në aneksin I, të këtij ligji;
c) procedura të përshtatshme për të siguruar se sistemet e monitorimit të rrezikut janë integruar në mënyrë të përshtatshme në strukturën organizative dhe që sistemet e zbatuara në të gjitha subjektet e përfshira në objektin e mbikëqyrjes shtesë janë të harmonizuara, në mënyrë që rreziqet të mund të maten, të monitorohen dhe të kontrollohen në nivelin e konglomeratit financiar;
ç) masa të miratuara për të kontribuuar dhe për të zhvilluar, sipas nevojës, marrëveshje dhe plane të përshtatshme për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme. Këto masa përditësohen rregullisht.

3. Mekanizmat e kontrollit të brendshëm përfshijnë:

a) mekanizma të përshtatshëm lidhur me mjaftueshmërinë e kapitalit për të identifikuar dhe për të matur të gjitha rreziqet materiale të hasura, si dhe për të përcaktuar një lidhje të përshtatshme ndërmjet fondeve të veta dhe rreziqeve;
b) procedura të qëndrueshme raportimi dhe kontabël për të identifikuar, për të monitoruar dhe për të kontrolluar transaksionet brenda grupit dhe përqendrimin e rrezikut.

4. Shoqëritë e përfshira në objektin e mbikëqyrjes shtesë, sipas nenit 5, të këtij ligji, duhet të kenë mekanizma të përshtatshëm të kontrollit të brendshëm për të gjeneruar të dhëna dhe informacione me rëndësi për qëllimet e mbikëqyrjes shtesë.
Subjektet e mbikëqyrura në nivelin e konglomeratit financiar raportojnë rregullisht dhe të paktën çdo vit pranë autoriteteve mbikëqyrëse të dhëna të detajuara për strukturën e tyre ligjore, strukturën e qeverisjes dhe atë organizative, duke përfshirë të gjitha subjektet e mbikëqyrura, shoqëritë e parregulluara të kontrolluara dhe degët e rëndësishme.
Subjektet e mbikëqyrura publikojnë çdo vit, në nivelin e konglomeratit financiar, një përshkrim të strukturës së tyre ligjore, si dhe të strukturës së qeverisjes dhe asaj organizative.

5. Proceset dhe mekanizmat e përmendur në pikat 1 deri në 4, të këtij neni, janë subjekt i vlerësimit të përgjithshëm mbikëqyrës nga koordinatori.

6.Autoritetet mbikëqyrëse përkatëse sigurojnë, që mbikëqyrja shtesë e mekanizmave të kontrollit të brendshëm dhe e proceseve të administrimit të rrezikut të kryhet në mënyrë të koordinuar dhe të harmonizuar me proceset e zakonshme të rishikimit mbikëqyrës të zbatuara ndaj subjekteve të mbikëqyrura, sipas legjislacionit dhe rregullave përkatëse sektoriale.

7. Në rast se zbatimi i kërkesave të këtij neni ndikohet nga kufizimet e legjislacionit shqiptar, që rregullon veprimtarinë e shoqërive tregtare, autoritetet mbikëqyrëse marrin masa për të siguruar që informacioni i nevojshëm të mund të sigurohet dhe të vlerësohet në mënyrë efektive për qëllime mbikëqyrjeje.

8. Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare miratojnë udhëzime të përbashkëta në lidhje me procedurat e administrimit të rrezikut dhe mekanizmat e kontrollit të brendshëm në nivel konglomerati financiar, me qëllim harmonizimin e praktikave mbikëqyrëse në këto fusha.

Seksioni III
Masat për të lehtësuar mbikëqyrjen shtesë dhe kompetencat e Komitetit të Përbashkët

Neni 10
Ndërveprimi institucional

1. Autoritetet mbikëqyrëse bashkëpunojnë ndërmjet tyre dhe me autoritete homologe ndërkombëtare për të garantuar një mbikëqyrje të harmonizuar ndërsektoriale dhe ndërkufitare të konglomerateve financiare.

2. Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare miratojnë udhëzime të përbashkëta për mënyrën e kryerjes së vlerësimeve të bazuara në rrezik ndaj konglomerateve financiare. Udhëzimet përfshijnë mjete të përshtatshme për vlerësimin e rreziqeve, në nivel grupi, ndaj të cilave ekspozohen konglomeratet financiare.

3. Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare miratojnë udhëzime të përbashkëta për harmonizimin e praktikave mbikëqyrëse, me qëllim që mbikëqyrja shtesë ndaj shoqërive financiare zotëruese të përziera të plotësojë në mënyrë të përshtatshme mbikëqyrjen në nivel grupi, sipas rregullave sektoriale. Udhëzimet përfshijnë të gjitha rreziqet e rëndësishme në mbikëqyrje, duke shmangur mbivendosjen e panevojshme të detyrimeve prudenciale.

4. Për qëllimet e këtij ligji, “Komiteti i Përbashkët” është organi bashkërendues ndërsektorial i Autoriteteve Evropiane të Mbikëqyrjes, i themeluar ndërmjet Autoritetit Bankar Evropian, Autoritetit Evropian të Sigurimeve dhe Pensioneve Profesionale dhe Autoritetit Evropian të Titujve dhe Tregjeve, në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Evropian.
Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare vlerësojnë dhe marrin në konsideratë, në mënyrë progresive, udhëzimet dhe praktikat e Komitetit të Përbashkët, që synojnë koherencën e mbikëqyrjes financiare ndërsektoriale, me qëllim harmonizimin gradual të legjislacionit dhe praktikave mbikëqyrëse shqiptare me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

Neni 11
Prova e rezistencës “Stress testing”

1. Koordinatori siguron kryerjen e rregullt dhe në mënyrë të përshtatshme të provave të rezistencës së konglomerateve financiare. Autoritetet mbikëqyrëse për këtë qëllim bashkëpunojnë plotësisht me koordinatorin.

2. Autoritetet mbikëqyrëse mund të organizojnë, në mënyrë periodike dhe të koordinuar, prova rezistence që synojnë vlerësimin e aftësisë së konglomerateve financiare për t’u përballur me rreziqe sistemike ose ndërsektoriale.

3. Autoritetet mbikëqyrëse marrin në konsideratë zhvillimet institucionale dhe metodologjike në nivel ndërkombëtar, që lidhen me vlerësimin makroprudencial të konglomerateve financiare dhe mund të përdorin ose të përshtatin parametrat dhe skenarët përkatës për identifikimin e rreziqeve të përbashkëta. Koordinatori i komunikon Komitetit të Përbashkët rezultatet e provave të rezistencës.

Neni 12
Koordinatori për ushtrimin e mbikëqyrjes shtesë

1. Për të garantuar ushtrimin në mënyrë të koordinuar dhe efektive të mbikëqyrjes shtesë mbi subjektet e mbikëqyrura në një konglomerat financiar, një nga autoritetet mbikëqyrëse përkatëse caktohet si koordinator.
Koordinatori është përgjegjës për drejtimin dhe bashkërendimin e mbikëqyrjes shtesë ndërmjet autoriteteve mbikëqyrëse përkatëse, përfshirë edhe ato të shtetit në të cilin ndodhet selia e shoqërisë financiare zotëruese e përzier, nëse kjo ndodhet jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Identiteti i koordinatorit bëhet publik në faqen zyrtare të internetit të secilit autoritet mbikëqyrës përkatës. Pas anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian, ky informacion i përcillet Komitetit të Përbashkët të Autoriteteve Evropiane të Mbikëqyrjes për publikim në faqen zyrtare të tij, në përputhje me kërkesat e acquis-së të BE-së.

2. Banka e Shqipërisë do të jetë në rolin e koordinatorit në rastet e mëposhtme:

a) Kur konglomerati financiar drejtohet nga institucion krediti, i licencuar nga Banka e Shqipërisë;
b) Kur konglomerati financiar nuk drejtohet nga një subjekt i mbikëqyrur dhe shoqëria mëmë e subjektit të mbikëqyrur është shoqëri financiare zotëruese e përzier, nëse subjekti i mbikëqyrur është institucion krediti, i licencuar nga Banka e Shqipërisë;
c) Kur konglomerati financiar nuk drejtohet nga një subjekt i mbikëqyrur dhe një shoqëri financiare zotëruese e përzier, me seli qendrore në Republikën e Shqipërisë, është shoqëri mëmë e të paktën dy subjekteve të mbikëqyrura, që i përkasin sektorëve të ndryshëm financiarë, ku të paktën një nga këto subjekte është licencuar nga Banka e Shqipërisë, dhe të paktën një tjetër është licencuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, nëse sektori bankar është sektori financiar më i rëndësishëm në konglomeratin financiar;
ç) Kur konglomerati financiar nuk drejtohet nga një subjekt i mbikëqyrur dhe një shoqëri financiare zotëruese e përzier, me seli qendrore në Republikën e Shqipërisë, është shoqëri mëmë e të paktën një institucioni krediti, që është licencuar nga Banka e Shqipërisë dhe të paktën një subjekti të mbikëqyrur me seli qendrore në një shtet anëtar;
d) Kur konglomerati financiar nuk drejtohet nga një subjekt i mbikëqyrur dhe drejtohet nga të paktën një shoqëri financiare zotëruese e përzier, me seli qendrore në Republikën e Shqipërisë, dhe të paktën një shoqëri financiare zotëruese e përzier, me seli qendrore në një shtet anëtar, dhe ekziston të paktën një subjekt i mbikëqyrur në secilin prej këtyre shteteve, me kusht që të dyja subjektet t’i përkasin sektorit bankar dhe institucioni i kreditit, i licencuar nga Banka e Shqipërisë të ketë vlerën më të madhe të bilancit;
dh) Kur konglomerati financiar nuk drejtohet nga një subjekt i mbikëqyrur dhe drejtohet nga të paktën një shoqëri financiare zotëruese e përzier, me seli qendrore në Republikën e Shqipërisë, dhe të paktën një shoqëri financiare zotëruese e përzier, me seli qendrore në një shtet anëtar, dhe ekziston të paktën një subjekt i mbikëqyrur në secilin prej këtyre shteteve, me kusht që subjekti i mbikëqyruar, me seli qendrore në Republikën e Shqipërisë, të jetë institucion krediti i licencuar nga Banka e Shqipërisë dhe sektori bankar të jetë sektori financiar më i rëndësishëm në konglomeratin financiar;
e) Kur konglomerati financiar nuk drejtohet nga një subjekt i mbikëqyrur dhe të paktën një subjekt i mbikëqyrur, me seli qendrore në Republikën e Shqipërisë, dhe të paktën një subjekt i mbikëqyrur, me seli qendrore në një shtet anëtar, janë në varësi të së njëjtës shoqëri financiare zotëruese të përzier, me kusht që njëri prej këtyre subjekteve të jetë institucion krediti, i licencuar nga Banka e Shqipërisë;
ë) Kur plotësohen të gjitha kushtet e mëposhtme:

i. Konglomerati financiar nuk kryesohet nga një subjekt i mbikëqyrur;
ii. Të paktën një subjekt i mbikëqyrur, me seli në Republikën e Shqipërisë, dhe të paktën një subjekt i mbikëqyrur, me seli në një shtet anëtar, janë në varësi të së njëjtës shoqëri financiare zotëruese të përzier;
iii. Asnjë nga subjektet e mbikëqyrura nuk është licencuar në shtetin ku shoqëria financiare zotëruese e përzier ka selinë;
iv. Institucioni i kreditit, i licencuar nga Banka e Shqipërisë, është subjekti i mbikëqyrur me vlerën më të madhe të bilancit në sektorin financiar më të rëndësishëm të konglomeratit financiar.

f) Kur konglomerati financiar nuk drejtohet nga një subjekt i mbikëqyrur dhe të paktën një subjekt i mbikëqyrur, me seli qendrore në Republikën e Shqipërisë, dhe të paktën një subjekt i mbikëqyrur, me seli qendrore në një shtet anëtar, janë në varësi të së njëjtës shoqëri financiare zotëruese të përzier, ndërsa asnjë nga subjektet e mbikëqyrura nuk është licencuar në shtetin, ku shoqëria financiare zotëruese e përzier ka selinë qendrore, me kusht që subjekti i mbikëqyrur me vlerën më të madhe të bilancit në sektorin më të rëndësishëm financiar të jetë institucion krediti, i licencuar nga Banka e Shqipërisë;
g) Kur konglomerati financiar nuk drejtohet nga një subjekt i mbikëqyrur dhe konglomerati financiar është grup pa shoqëri mëmë, me kusht që institucioni i kreditit, i licencuar nga Banka e Shqipërisë, të jetë subjekti i mbikëqyrur me vlerën më të madhe të bilancit në sektorin financiar më të rëndësishëm; ose
gj) Në të gjitha rastet e tjera, kur një konglomerat financiar nuk drejtohet nga një subjekt i mbikëqyrur, dhe institucioni i kreditit, i licencuar nga Banka e Shqipërisë, është subjekti i mbikëqyrur me totalin më të madh të bilancit në sektorin më të rëndësishëm financiar.

3. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare do të jetë në rolin e koordinatorit, në rastet e mëposhtme:

a) Kur konglomerati financiar drejtohet nga një subjekt i licencuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare;
b) Kur konglomerati financiar nuk drejtohet nga një subjekt i mbikëqyrur dhe shoqëria mëmë e subjektit të mbikëqyrur është shoqëri financiare zotëruese e përzier, me kusht që subjekti i mbikëqyrur të jetë licencuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare;
c) Kur konglomerati financiar nuk drejtohet nga një subjekt i mbikëqyrur dhe një shoqëri financiare zotëruese e përzier, me seli qendrore në Republikën e Shqipërisë, është shoqëri mëmë e të paktën dy subjekteve të mbikëqyrura, që i përkasin sektorëve të ndryshëm financiarë, ku të paktën njëri prej tyre është licencuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, me kusht që sektori i sigurimeve ose sektori i shërbimeve të investimit të jetë sektori financiar më i rëndësishëm në konglomeratin financiar;
ç) Kur konglomerati financiar nuk drejtohet nga një subjekt i mbikëqyrur dhe një shoqëri financiare zotëruese e përzier, me seli qendrore në Republikën e Shqipërisë, është shoqëria mëmë e të paktën një subjekti të mbikëqyrur, me seli qendrore në Republikën e Shqipërisë, i licencuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, dhe/ose të paktën një subjekti të mbikëqyrur, me seli qendrore në një shtet anëtar;
d) Kur konglomerati financiar nuk drejtohet nga një subjekt i mbikëqyrur dhe drejtohet nga të paktën një shoqëri financiare zotëruese e përzier, me seli qendrore në Republikën e Shqipërisë, dhe të paktën një shoqëri financiare zotëruese e përzier, me seli qendrore në një shtet anëtar, ndërkohë që ekziston të paktën një subjekt i mbikëqyrur në secilin prej këtyre shteteve, me kusht që subjektet t’i përkasin të njëjtit sektor financiar dhe subjekti i licencuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare të ketë vlerën më të madhe të bilancit;
dh) Kur plotësohen të gjitha kushtet, e mëposhtme:

i. Konglomerati financiar nuk kryesohet nga një subjekt i mbikëqyrur;
ii. Konglomerati financiar kryesohet nga të paktën një shoqëri financiare zotëruese e përzier, me seli në Republikën e Shqipërisë, dhe të paktën një shoqëri financiare zotëruese e përzier, me seli në një shtet anëtar;
iii. Ekziston një subjekt i mbikëqyrur në secilin prej këtyre shteteve;
iv. Subjekti i mbikëqyrur, i licencuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, i përket sektorit financiar më të rëndësishëm të konglomeratit financiar.

e) Kur plotësohen të gjitha kushtet e mëposhtme:

i. Konglomerati financiar nuk kryesohet nga një subjekt i mbikëqyrur;
ii. Të paktën një subjekt i mbikëqyrur, me seli në Republikën e Shqipërisë, dhe të paktën një subjekt i mbikëqyrur, me seli në një shtet anëtar, janë në varësi të së njëjtës shoqëri financiare zotëruese të përzier;
iii. Asnjë nga subjektet e mbikëqyrura nuk është licencuar në shtetin, ku shoqëria financiare zotëruese e përzier ka selinë;
iv. Subjekti i mbikëqyrur, i licencuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, është subjekti me vlerën më të madhe të bilancit në sektorin financiar më të rëndësishëm të konglomeratit financiar;

ë) Kur konglomerati financiar nuk drejtohet nga një subjekt i mbikëqyrur dhe të paktën një subjekt i mbikëqyrur, me seli qendrore në Republikën e Shqipërisë, dhe të paktën një subjekt i mbikëqyrur, me seli qendrore në një shtet anëtar, është në varësi të së njëjtës shoqëri financiare zotëruese të përzier, me kusht që njëri prej këtyre subjekteve të jetë licencuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare;
f) Kur konglomerati financiar nuk drejtohet nga një subjekt i mbikëqyrur dhe të paktën një subjekt i mbikëqyrur, me seli qendrore në Republikën e Shqipërisë, dhe të paktën një subjekt i mbikëqyrur, me seli qendrore në një shtet anëtar, janë në varësi të së njëjtës shoqëri financiare zotëruese të përzier dhe asnjë nga subjektet e rregulluara nuk është licencuar në shtetin, në të cilin shoqëria financiare zotëruese e përzier ka selinë qendrore, me kusht që subjekti i mbikëqyrur me vlerën më të madhe të bilancit në sektorin më të rëndësishëm financiar është subjekt i licencuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare;
g) Kur konglomerati financiar nuk drejtohet nga një subjekt i mbikëqyrur dhe konglomerati financiar është grup pa shoqëri mëmë dhe subjekti i licencuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare është subjekti i mbikëqyrur me vlerën më të madhe të bilancit në sektorin financiar më të rëndësishëm; ose
gj) Në çdo rast tjetër, kur konglomerati financiar nuk drejtohet nga një subjekt i mbikëqyrur, me kusht që subjekti i licencuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare të jetë subjekti i mbikëqyrur me vlerën më të madhe të bilancit në sektorin më të rëndësishëm financiar.

4. Për të siguruar mbikëqyrje të përshtatshme shtesë të subjekteve të mbikëqyrura në një konglomerat financiar, një koordinator i vetëm, përgjegjës për koordinimin dhe ushtrimin e mbikëqyrjes shtesë, emërohet nga autoritetet kompetente të shteteve anëtare përkatëse, duke përfshirë ato të shtetit anëtar, në të cilin shoqëria financiare zotëruese e përzier ka selinë e saj qendrore, si dhe të dhënat e informacionet për këtë koordinator publikohen në faqen e internetit të Komitetit të Përbashkët.

5. Në raste të veçanta, autoritetet mbikëqyrëse përkatëse, nëpërmjet një marrëveshjeje të përbashkët, mund të vendosin të mos zbatojnë kriteret e përmendura në pikat 2 dhe 3, të këtij neni, sipas rastit, nëse zbatimi i tyre do të ishte i papërshtatshëm, duke marrë në konsideratë strukturën e konglomeratit dhe rëndësinë relative të veprimtarive të tij në vende të ndryshme, si dhe të caktojnë një tjetër autoritet kompetent, në cilësinë e koordinatorit. Në këto raste, autoritetet mbikëqyrëse përpara marrjes së vendimit, i japin konglomeratit mundësinë që të shprehë mendimin e tij.

Neni 13
Detyrat e koordinatorit

1. Koordinatori kryen detyrat e mëposhtme lidhur me mbikëqyrjen shtesë:

a) Koordinimin e mbledhjes dhe shpërndarjes së informacioneve përkatëse ose thelbësore, si në kushte normale të ushtrimit të veprimtarisë, ashtu edhe në situata emergjente, përfshirë shkëmbimin e informacionit, që është i rëndësishëm për ushtrimin e detyrave mbikëqyrëse të autoriteti mbikëqyrës përkatës, sipas rregullave sektoriale.

Për qëllimet e këtij neni, “informacion përkatës” është çdo informacion, që ka lidhje me gjendjen financiare, strukturën ose veprimtarinë e konglomeratit financiar dhe që është i nevojshëm për ushtrimin e mbikëqyrjes shtesë. Termi “informacion thelbësor” i referohet informacionit pa të cilin mbikëqyrja shtesë nuk mund të ushtrohet efektivisht. Dallimi ndërmjet informacionit përkatës dhe informacionit thelbësor lidhet me shkallën e rëndësisë së tij dhe vlerësohet nga koordinatori në bazë të rrethanave konkrete;

b) Vlerësimin e përgjithshëm mbikëqyrës të situatës financiare të një konglomerati financiar;
c) Vlerësimin e përputhshmërisë me rregullat për mjaftueshmërinë e kapitalit, si dhe të përqendrimit të rreziqeve dhe transaksioneve brenda grupit, sipas përcaktimeve në nenet 6, 7 dhe 8, të këtij ligji;
ç) Vlerësimin e strukturës, organizimit dhe sistemit të kontrollit të brendshëm të konglomeratit financiar, sipas përcaktimeve në nenin 9, të këtij ligji;
d) Planifikimin dhe koordinimin e veprimtarive mbikëqyrëse, si në kushte normale biznesi, ashtu edhe në situata emergjente, në bashkëpunim me autoritetet mbikëqyrëse përkatëse të përfshira;
dh) Detyrat, masat dhe vendimet e tjera, që i ngarkohen koordinatorit nga ky ligj ose nga aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të këtij ligji.

Koordinatori, autoritetet e tjera mbikëqyrëse përkatëse dhe, sipas rastit, autoritetet e tjera kompetente të përfshira lidhin marrëveshje koordinimi. Marrëveshjet e koordinimit mund t’i ngarkojnë koordinatorit detyra shtesë dhe të përcaktojnë procedurat e vendimmarrjes ndërmjet autoriteteve mbikëqyrëse, në përputhje me nenet 3, 4, 5, pika 4, 6, 14, pika 2, 20 dhe 22 të këtij ligji, duke përfshirë bashkëpunimin me autoritetet e tjera kompetente.

2. Kur kordinatori ka nevojë për informacione, që tashmë i janë dhënë një autoriteti tjetër mbikëqyrës, ai kontakton autoritetin përkatës, kur është e mundur, për të shmangur dublimin e raportimit ndaj autoriteteve të ndryshme, të përfshira në mbikëqyrje.

3. Caktimi i koordinatorit me detyra specifike lidhur me mbikëqyrjen shtesë të subjekteve të mbikëqyrura në një konglomerat financiar nuk cenon detyrat dhe përgjegjësitë e autoriteteve mbikëqyrëse, të përcaktuara nga rregullat sektoriale. Këto detyra dhe përgjegjësi mbeten të pandryshuara.

4. Bashkëpunimi ndërmjet autoriteteve mbikëqyrëse, i parashikuar në këtë seksion, dhe ushtrimi i detyrave të parashikuara në pikat 1, 2 dhe 3, të këtij neni, dhe në nenin 14, të këtij ligji, realizohen edhe përmes kolegjeve mbikëqyrëse, të ngritura për këtë qëllim.

Koordinimi dhe bashkëpunimi me autoritetet mbikëqyrëse të vendeve të treta, sipas rastit, realizohet në përputhje me kërkesat e konfidencialitetit dhe me rregullat sektoriale përkatëse, përmes të njëjtave kolegje mbikëqyrëse.
Marrëveshjet e koordinimit, të parashikuara në paragrafin e dytë, të pikës 1, të këtij neni, pasqyrohen veçmas në marrëveshjet e koordinimit me shkrim ndërmjet autoriteteve përkatëse dhe përcaktojnë ndarjen e detyrave dhe procedurat e bashkëpunimit në mbikëqyrjen shtesë. Koordinatori, në cilësinë e drejtuesit të kolegjit mbikëqyrës, përcakton autoritete mbikëqyrëse, që marrin pjesë në mbledhjet ose veprimtaritë e kolegjit mbikëqyrës.

5. Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare miratojnë udhëzime të përbashkëta lidhur me marrëveshjet e koordinimit ndërmjet tyre, të parashikuara në këtë nen, me qëlim unifikimin e procedurave dhe forcimin e bashkëpunimit, në kuadër të mbikëqyrjes shtesë.

Neni 14
Bashkëpunimi dhe shkëmbimi i informacionit midis autoriteteve mbikëqyrëse

1. Autoritetet mbikëqyrëse të subjekteve të mbikëqyrura në një konglomerat financiar dhe autoriteti mbikëqyrës, i caktuar si koordinator, bashkëpunojnë me njëri-tjetrin. Pa cenuar përgjegjësitë e tyre të parashikuara në rregullat sektoriale përkatëse, këto autoritete i vënë në dispozicion njëra-tjetrës çdo informacion thelbësor ose të rëndësishëm për ushtrimin e detyrave mbikëqyrëse, në përputhje me rregullat sektoriale dhe me këtë ligj. Autoritetet mbikëqyrëse dhe koordinatori i komunikojnë njëri-tjetrit, sipas kërkesës, të gjithë informacionin e rëndësishëm dhe, me iniciativën e tyre, çdo informacion thelbësor.

Ky bashkëpunim përfshin, të paktën, mbledhjen dhe shkëmbimin e informacionit lidhur me:

a) strukturën ligjore të grupit, strukturën e qeverisjes dhe atë organizative, përfshirë të gjitha subjektet e mbikëqyrura, subjektet e pambikëqyrura dhe degët apo shoqëritë e kontrolluara, që i përkasin konglomeratit financiar, zotëruesit e pjesëmarrjeve influencuese në nivelin e shoqërisë mëmë, si dhe autoritetet mbikëqyrëse të subjekteve të mbikëqyrura të grupit;
b) politikat strategjike të konglomeratit financiar;
c) situatën financiare të konglomeratit financiar, në veçanti për mjaftueshmërinë e kapitalit, transaksionet brenda grupit, përqendrimin e rrezikut dhe përfitueshmërinë;
ç) aksionarët e shumicës dhe drejtuesit e konglomeratit financiar;
d) organizimin, administrimin e rrezikut dhe sistemet e kontrollit të brendshëm në nivelin e konglomeratit financiar;
dh) procedurat për mbledhjen e informacionit nga subjektet në një konglomerat financiar dhe verifikimin e këtij informacioni;
e) zhvillimet negative në subjektet e mbikëqyrura ose në subjektet e tjera të konglomeratit financiar, të cilat mund të kenë ndikim serioz mbi subjektet e mbikëqyrura;
ë) sanksionet e rënda dhe masat e jashtëzakonshme të ndërmarra nga autoritetet mbikëqyrëse, në përputhje me rregullat sektoriale ose me këtë ligj.

Autoritetet mbikëqyrëse mund të shkëmbejnë informacione edhe për qëllime të ushtrimit të detyrave të tyre specifike lidhur me subjektet e mbikëqyrura në një konglomerat financiar, në përputhje me rregullat e tyre sektoriale.

2. Pa cenuar përgjegjësitë e përcaktuara në rregullat sektoriale përkatëse, autoritetet mbikëqyrëse konsultohen me njëra-tjetrën përpara marrjes së vendimeve, që kanë rëndësi për ushtrimin e detyrave të tyre mbikëqyrëse, lidhur me aspektet në vijim:

a) Ndryshimet në strukturën e aksionarëve, si dhe në strukturën organizative ose drejtuese të subjekteve të mbikëqyrura në një konglomerat financiar, për të cilat kërkohet miratim ose autorizim nga autoritetet mbikëqyrëse;
b) Sanksionet ose masat mbikëqyrëse të ndërmarra nga autoritetet mbikëqyrëse.

Një autoritet mbikëqyrës vendos të mos konsultohet në raste urgjente ose kur konsultimi mund të cenojë efektivitetin e vendimmarrjes. Në këto raste, autoriteti mbikëqyrës informon, pa vonesë, autoritetin tjetër mbikëqyrës. Për qëllime të kësaj dispozite, raste urgjente përfshijnë situata, në të cilat vonesa për shkak të konsultimit mund të rrisë rrezikun për stabilitetin financiar, mbrojtjen e investitorëve, depozituesve ose të siguruarve, ose të komprometojë efektivitetin e masave mbikëqyrëse.

3. Koordinatori mund të kërkojë nga autoritetet mbikëqyrëse të shtetit, në të cilin ka selinë shoqëria mëmë, të cilat nuk ushtrojnë vetë mbikëqyrjen shtesë, në përputhje me nenin 12, të këtij ligji, që t’i kërkojnë shoqërisë mëmë çdo informacion me rëndësi për ushtrimin e detyrave të koordinimit, të përcaktuara në nenin 13, të këtij ligji, dhe t’ia përcjellin atë koordinatorit.

4. Kur informacioni, i përmendur në pikën 2, të nenit 17, të këtij ligji, i është dhënë tashmë një autoriteti mbikëqyrës, në përputhje me rregullat sektoriale, çdo autoritet mbikëqyrës, që ka nevojë për këtë informacion për ushtrimin e detyrave të veta, e kërkon atë nga autoriteti që e disponon.

5. Autoritetet mbikëqyrëse shkëmbejnë informacionet ndërmjet tyre, si dhe ndërmjet tyre dhe autoriteteve të tjera, të përmendura në pikat 1, 2, 3 dhe 4, të këtij neni. Mbledhja ose disponimi i informacionit mbi një subjekt në një konglomerat financiar, i cili nuk është subjekt i mbikëqyrur, nuk krijon në asnjë rast, detyrim apo kompetencë për autoritetet mbikëqyrëse për të ushtruar funksione mbikëqyrëse ndaj atij subjekti.

6. Informacioni i marrë në kuadër të mbikëqyrjes shtesë dhe, në veçanti, çdo shkëmbim informacioni ndërmjet autoriteteve mbikëqyrëse, si dhe ndërmjet tyre dhe autoriteteve të tjera, sipas këtij ligji, i nënshtrohet rregullave për sekretin profesional dhe konfidencialitetin, të parashikuara në legjislacionin sektorial përkatës, që rregullon veprimtarinë e secilit autoritet mbikëqyrës.

Neni 15
Bashkëpunimi dhe shkëmbimi i informacionit me Komitetin e Përbashkët

1. Autoritetet mbikëqyrëse dhe koordinatori i caktuar për konglomeratin financiar shkëmbejnë të gjithë informacionin thelbësor ose të rëndësishëm për ushtrimin e detyrave, brenda kompetencave të tyre, në përputhje me rregullat sektoriale dhe këtë ligj. Për këtë qëllim, çdo autoritet mbikëqyrës kompetent i vë në dispozicion autoritetit tjetër mbikëqyrës informacionin përkatës, me nismën e tij ose me kërkesë të autoritetit tjetër mbikëqyrës.

2. Kur autoriteti mbikëqyrës, bazuar në shkëmbimin e informacionit, të përmendur në pikën 1, të këtij neni, nuk merr informacion të mjaftueshëm dhe të nevojshëm për ushtrimin e detyrave brenda kompetencave të tij, në përputhje me këtë ligj, ai mund ta kërkojë këtë informacion drejtpërdrejt nga subjekti i mbikëqyrur, në përputhje me kompetencat dhe procedurat e parashikuara në legjislacionin sektorial përkatës.

3. Për qëllim të llogaritjes së mjaftueshmërisë së fondeve të veta, autoritetet mbikëqyrëse përkatëse kërkojnë informacionin e nevojshëm nga anëtari që udhëheq grupin. Ky informacion përfshin:

a) të dhënat nga pasqyrat financiare për tri vitet e fundit;
b) ekstrakte nga regjistri i aksionarëve ose libri i aksioneve, në origjinal ose kopje të tij;
c) raport mbi llogaritjen e kërkesave për kapital;
ç) strukturën e grupit.

4. Autoritetet mbikëqyrëse mund të shkëmbejnë informacion mbi subjektet e rregulluara në një konglomerat financiar me bankat qendrore të shteteve anëtare, Sistemin Evropian të Bankave Qendrore, Bankën Qendrore Evropiane dhe Bordin Evropian të Rrezikut Sistemik, në përputhje me parimet e bashkëpunimit, të përcaktuara në legjislacionin përkatës të Bashkimit Evropian, përfshirë rregulloren (BE) nr.1092/2010.

5. Autoritetet mbikëqyrëse bashkëpunojnë me Komitetin e Përbashkët për qëllimet e ushtrimit të mbikëqyrjes shtesë të konglomerateve financiare.

6. Autoritetet mbikëqyrëse vënë në dispozicion të Komitetit të Përbashkët, pa vonesa, çdo informacion që vlerësohet nga autoriteti përkatës, si i nevojshëm për përmbushjen e detyrave të tij në lidhje me bashkërendimin dhe harmonizimin e mbikëqyrjes shtesë.

7. Koordinatori i konglomeratit financiar i siguron Komitetit të Përbashkët informacion që lidhet me strukturën ligjore, strukturën e qeverisjes dhe organizimin e brendshëm të konglomeratit financiar, si dhe informacionin e parashikuar në pikën 4, të nenit 9, dhe në shkronjën “a”, të pikës 1, të nenit 14, të këtij ligji.

8. Gjatë ushtrimit të detyrave dhe kompetencave, të parashikuara në këtë ligj, autoritetet mbikëqyrëse duhet t’u përmbahen udhëzimeve, standardeve dhe rekomandimeve të tjera, të nxjerra nga Komiteti i Përbashkët dhe Komisioni Evropian.

Neni 16
Organet drejtuese të shoqërisë financiare zotëruese të përzier

1. Shoqëria financiare zotëruese e përzier njofton, pa vonesë, koordinatorin për çdo emërim ose ndryshim në organet e saj drejtuese, në përputhje me procedurat e parashikuara në legjislacionin sektorial përkatës.

2. Personat që drejtojnë efektivisht veprimtarinë e një shoqërie financiare zotëruese të përzier duhet të jenë të aftë dhe të përshtatshëm për përmbushjen e detyrave të tyre, në përputhje me kriteret e përcaktuara në legjislacionin dhe aktet rregullatore sektoriale përkatëse.

3. Autoritetet mbikëqyrëse miratojnë rregulla të detajuara, përmes së cilave përcaktojnë kritere shtesë në nivelin e konglomeratit financiar për vlerësimin e përshtatshmërisë dhe aftësisë së personave, që ushtrojnë funksione drejtuese ose mbikëqyrëse, duke marrë në konsideratë standardet përkatëse ndërkombëtare dhe të Bashkimit Evropian.

Neni 17
Aksesi në informacion

1. Personat fizikë dhe juridikë, të përfshirë në një konglomerat financiar, pavarësisht nëse janë subjekte të mbikëqyrura ose jo, duhet të dorëzojnë çdo informacion që kërkohet nga autoritetet mbikëqyrëse dhe që është i nevojshëm për qëllime të mbikëqyrjes shtesë, si dhe të shkëmbejnë informacion me këto autoritete, në përputhje me këtë ligj.

2. Personat fizikë dhe juridikë, të përfshirë në një konglomerat financiar, në masën që u nënshtrohen kërkesave për informacion, sipas pikës 1, të këtij neni, duhet t’i mundësojnë autoritetit mbikëqyrës përkatës aksesin për kontrollin e librave të biznesit, dokumenteve, regjistrave administrativë ose tregtarë, si dhe sistemeve të teknologjisë së informacionit, në masën e nevojshme për ushtrimin e mbikëqyrjes shtesë.

3. Subjektet, pjesë e një konglomerati financiar, duhet t’u dorëzojnë personave të autorizuar të autoritetit mbikëqyrës përkatës regjistrat elektronikë, kopjet e librave të biznesit dhe dokumentacionin përkatës, sipas kërkesës së tyre dhe në formatin e kërkuar (kopje fizike ose elektronike).

4. Autoritetet mbikëqyrëse kanë akses në çdo informacion të nevojshëm për qëllime të mbikëqyrjes shtesë, i cili u vihet në dispozicion sipas kërkesës së tyre dhe në përputhje me legjislacionin sektorial përkatës.
Neni 18
Verifikimi

1. Autoritetet mbikëqyrëse, për qëllime të zbatimit të këtij ligji, nëse vlerësojnë se është e nevojshme të verifikohet informacioni lidhur me një subjekt të mbikëqyrur ose jo, që është pjesë e një konglomerati financiar dhe që ndodhet në një shtet anëtar, kryejnë përkatësisht verifikimin në përputhje me kompetencat e tyre ose kërkojnë nga autoritetet mbikëqyrëse të atij shteti anëtar të mundësojë kryerjen e verifikimit.

2. Autoritetet mbikëqyrëse shqiptare mund të lidhin marrëveshje me një ose disa autoritete mbikëqyrëse të vendeve të treta, për shkëmbimin e informacionit të nevojshëm për ushtrimin e mbikëqyrjes shtesë mbi subjektet e mbikëqyrura në një konglomerat financiar.

3. Autoritetet mbikëqyrëse shqiptare mund t’i propozojnë Komisionit Evropian lidhjen e një marrëveshjeje me një ose disa vende të treta për qëllime të ushtrimit të mbikëqyrjes shtesë mbi subjektet e mbikëqyrura në një konglomerat financiar.

4. Bashkëpunimi midis autoriteteve mbikëqyrëse vendase ose autoriteteve mbikëqyrëse të shteteve anëtare bazohet në parashikimet e nenit 10, të këtij ligji.

Neni 19
Masat zbatuese

1. Kur subjektet e mbikëqyrura në një konglomerat financiar nuk përmbushin kërkesat e parashikuara në nenet 6 deri në 9, të këtij ligji, merren masat e nevojshme për korrigjimin e situatës, si më poshtë vijon:

a) Nga koordinatori, ndaj shoqërisë financiare zotëruese të përzier;
b) Nga autoritetet mbikëqyrëse përkatëse, ndaj subjekteve të mbikëqyrura.

2. Masat e parashikuara në pikën 1, të këtij neni, merren gjithashtu kur kërkesat janë plotësuar por:

a) aftësia paguese ose mjaftueshmëria e kapitalit e subjekteve të mbikëqyrura është e rrezikuar; ose
b) transaksionet brenda grupit ose përqendrimet e rrezikut paraqesin kërcënim për pozicionin financiar të subjekteve të mbikëqyrura në konglomeratin financiar.

3. Koordinatori informon autoritetet mbikëqyrëse përkatëse për gjetjet e tij lidhur me situatat e parashikuara në pikat 1 dhe 2, të këtij neni. Koordinatori dhe autoritetet mbikëqyrëse përkatëse koordinojnë zbatimin e masave mbikëqyrëse, sipas rastit.

4. Autoritetet mbikëqyrëse miratojnë, në përputhje me rregullat sektoriale përkatëse, aktet nënligjore të mëposhtme:

a) Banka e Shqipërisë miraton aktet nënligjore për:

i. metodologjinë e llogaritjes së mjaftueshmërisë së kapitalit në nivelin e konglomeratit financiar, kur në krye të grupit është një institucion krediti;
ii. mbikëqyrjen shtesë të transaksioneve brenda grupit dhe të përqendrimit të rrezikut brenda konglomeratit financiar, kur në krye të grupit është një institucion krediti;
iii. harmonizimin e praktikave mbikëqyrëse lidhur me marrëveshjet e bashkëpunimit për konglomeratet financiare, kur në krye të grupit është një institucion krediti.

b) Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare miraton aktet nënligjore për:

i. metodologjinë e llogaritjes së mjaftueshmërisë së kapitalit në nivelin e konglomeratit financiar, kur në krye të grupit është një shoqëri administruese, një shoqëri administruese e fondeve alternative të investimeve, një shoqëri komisionere, një shoqëri sigurimi ose një shoqëri risigurimi;
ii. mbikëqyrjen shtesë të transaksioneve brenda grupit dhe të përqendrimit të rrezikut brenda konglomeratit financiar, kur në krye të grupit është një nga subjektet e parashikuara në nënndarjen “i”, të kësaj shkronje;
iii. harmonizimin e praktikave mbikëqyrëse lidhur me marrëveshjet e bashkëpunimit për konglomeratet financiare, kur në krye të grupit është një nga subjektet e parashikuara në nënndarjen “i”, të kësaj shkronje.

5. Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare miratojnë akte nënligjore të përbashkëta për masat e zbatueshme ndaj shoqërive financiare zotëruese të përziera, duke u bazuar në standardet ndërkombëtare të mbikëqyrjes financiare ndërsektoriale. Kur masat kanë karakter ndërsektorial ose prekin konglomeratin financiar si tërësi, aktet nënligjore miratohen në mënyrë të përbashkët nga të dyja autoritetet.

Neni 20
Kompetencat shtesë të autoriteteve mbikëqyrëse

1. Autoritetet mbikëqyrëse kanë kompetencën të ndërmarrin çdo masë mbikëqyrëse, që vlerësohet e nevojshme për parandalimin, konstatimin ose trajtimin e shkeljeve, si dhe çdo përpjekje për shmangjen e zbatimit të rregullave sektoriale nga subjektet e mbikëqyrura, që bëjnë pjesë në një konglomerat financiar.

2. Pa cenuar zbatimin e legjislacionin penal në fuqi, autoritetet mbikëqyrëse sigurojnë që ndaj shoqërive financiare zotëruese të përziera dhe personave që ushtrojnë funksione drejtuese në to, të cilët shkelin dispozitat e këtij ligji dhe aktet e miratuara në zbatim të tij, të vendosen masa mbikëqyrëse dhe sanksione me gjobë, në përputhje me legjislacionin sektorial përkatës, me qëllim ndalimin e shkeljeve dhe eliminimin e shkaqeve të tyre.

3. Autoritetet mbikëqyrëse bashkëpunojnë ndërmjet tyre për të siguruar zbatimin efektiv të masave dhe sanksioneve të marra, në përputhje me këtë nen.

Seksioni IV
Vendet e treta

Neni 21
Shoqëritë mëmë me seli në një vend të tretë

1. Pa cenuar rregullat sektoriale, në rastet kur zbatohen dispozitat e pikës 3, të nenit 5, të këtij ligji, autoritetet mbikëqyrëse verifikojnë nëse subjektet e mbikëqyrura, shoqëria mëmë e të cilave ka selinë në një vend të tretë, i nënshtrohen mbikëqyrjes nga autoritetet kompetente të atij vendi, dhe nëse kjo mbikëqyrje vlerësohet se është e barasvlefshme me mbikëqyrjen shtesë të parashikuar në këtë ligj.

Verifikimi, i parashikuar në pikën 1, të këtij neni, kryhet nga autoriteti mbikëqyrës që do të ishte caktuar si koordinator, nëse do të zbatoheshin kriteret e përcaktuara në pikat 2 dhe 3, të nenit 12, të këtij ligji, me kërkesë të shoqërisë mëmë, të njërit prej subjekteve të mbikëqyrura brenda territorit të Republikës së Shqipërisë ose në Bashkimin Evropian, apo me nismën e vet autoritetit mbikëqyrës.

2. Për kryerjen e verifikimit të parashikuar në këtë nen, autoriteti mbikëqyrës në fjalë konsultohet me autoritetet e tjera mbikëqyrëse përkatëse dhe vlerëson praktikat e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe çdo udhëzim të përbashkët të nxjerrë nga mekanizmat institucionalë të bashkërendimit mbikëqyrës në nivel ndërkombëtar.

3. Në mungesë të mbikëqyrjes së barasvlefshme, të përmendur në pikën 1, të këtij neni, zbatohen për aq sa janë të aplikueshme dispozitat e këtij ligji, që lidhen me mbikëqyrjen shtesë të subjekteve, të përfshira në konglomerate financiare, siç parashikohet në pikën 2, nenit 5, të këtij ligji. Si alternativë, autoritetet mbikëqyrëse mund të zbatojnë një nga metodat e përcaktuara në pikën 4, të këtij neni.

4. Autoritetet mbikëqyrëse mund të zbatojnë metoda të tjera të përshtatshme për të siguruar ushtrimin efektiv të mbikëqyrjes shtesë ndaj subjekteve të mbikëqyrura që janë pjesë e një konglomerati financiar. Koordinatori miraton këto metoda, pas konsultimit me autoritetet e tjera mbikëqyrëse përkatëse.

Autoritetet mbikëqyrëse mund të kërkojnë krijimin e një shoqërie financiare zotëruese të përzier, me seli në Republikën e Shqipërisë, dhe të zbatojnë dispozitat e këtij ligji ndaj konglomeratit financiar të kryesuar prej saj.

Autoritetet mbikëqyrëse marrin masat e nevojshme për të siguruar që metodat e zbatuara të përmbushin objektivat e mbikëqyrjes shtesë, në përputhje me këtë ligj, dhe njoftojnë autoritetet mbikëqyrëse të tjera përkatëse për masat e ndërmarra.

5. Subjekti i mbikëqyrur, me seli në Republikën e Shqipërisë, shoqëria mëmë e të cilit është person juridik, me seli të regjistruar në një vend të tretë dhe është pjesë e një konglomerati financiar ose e një shoqërie financiare zotëruese e përzier, me seli në një vend të tretë, e cila ka shoqëri bijë në Republikën e Shqipërisë, i nënshtrohet mbikëqyrjes shtesë në nivelin e konglomeratit financiar, në përputhje me dispozitat e këtij ligji.

Neni 22
Bashkëpunimi me autoritetet mbikëqyrëse të vendeve të treta

Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare mund të nënshkruajnë marrëveshje dypalëshe ose shumëpalëshe bashkëpunimi me një ose disa autoritete mbikëqyrëse të vendeve të treta lidhur me ushtrimin e mbikëqyrjes shtesë të subjekteve të mbikëqyrura, që janë pjesë e një konglomerati financiar. Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare zbatojnë procedurat e parashikuara në legjislacionin, që rregullon organizimin dhe funksionimin e tyre për lidhjen e marrëveshjeve me autoritetet mbikëqyrëse të huaja.

KREU III
SHOQËRITË ADMINISTRUESE DHE SHOQËRITË ADMINISTRUESE TË FONDEVE TË INVESTIMEVE ALTERNATIVE

Neni 23
Shoqëritë administruese

1. Për qëllime të zbatimit të këtij ligji, shoqëritë administruese përfshihen:

a) në mbikëqyrjen e konsoliduar të institucioneve të kreditit ose shoqërive komisionere, ose në mbikëqyrjen shtesë të shoqërive të sigurimit, që janë pjesë e një grupi sigurimi;
b) në mbikëqyrjen shtesë, të parashikuar në këtë ligj, nëse grupi përbën një konglomerat financiar;
c) në procesin e identifikimit të konglomeratit financiar, sipas përcaktimeve të pikës 2, të nenit 3, të këtij ligji.

2. Për zbatimin e pikës 1, të këtij neni, autoritetet mbikëqyrëse përkatëse, duke marrë në konsideratë strukturën e grupit, vendosin, rast pas rasti, se cilat rregulla sektoriale të zbatueshme për sektorin bankar, të sigurimeve ose të shërbimeve të investimeve, që do të zbatohen për mbikëqyrjen e shoqërisë administruese, në kuadër të mbikëqyrjes së konsoliduar dhe/ose mbikëqyrjes shtesë.

Rregullat sektoriale përkatëse, që rregullojnë formën dhe shkallën e përfshirjes së institucioneve financiare në mbikëqyrjen e konsoliduar të institucioneve të kreditit dhe të shoqërive komisionere, si dhe në mbikëqyrjen shtesë të grupeve të sigurimit, zbatohen me përshtatjet e nevojshme edhe për shoqëritë administruese.

3. Për qëllime të mbikëqyrjes shtesë, të përmendur në shkronjën “b”, të pikës 1, të këtij neni, shoqëria administruese konsiderohet pjesë e sektorit, në të cilin është përfshirë sipas vendimit të marrë, në përputhje me pikën 2, të këtij neni.

4. Kur një shoqëri administruese është pjesë e një konglomerati financiar, çdo referencë në këtë ligj ndaj termave “subjekt i mbikëqyrur”, “autoritet mbikëqyrës” ose “autoritet mbikëqyrës përkatës” përfshin, sipas rastit, edhe shoqëritë administruese dhe autoritetin mbikëqyrës përgjegjës për mbikëqyrjen e saj.

Parashikimet e kësaj pike zbatohen me përshtatjet e nevojshme edhe për rastet e përmendura në shkronjën “a”, të pikës 1, të këtij neni.

Neni 24
Administruesit e fondeve të investimeve alternative

1. Neni 23, i këtij ligji, zbatohet edhe për shoqëritë administruese të fondeve të investimeve alternative “AFIA”.

2. Autoritetet mbikëqyrëse përkatëse, në varësi të strukturës së grupit, vendosin, rast pas rasti, se cilat rregulla sektoriale të zbatueshme për sektorin bankar, të sigurimeve ose të shërbimeve të investimeve do të aplikohen për mbikëqyrjen e AFIA-ve, në përputhje me legjislacionin sektorial në fuqi.

3. Kur një AFIA është pjesë e një konglomerati financiar, çdo referencë në këtë ligj ndaj termave “subjekt i mbikëqyrur”, “autoritet mbikëqyrës” dhe “autoritet mbikëqyrës përkatës” përfshin, sipas rastit, edhe AFIA-n dhe autoritetin mbikëqyrës, përgjegjës për mbikëqyrjen e saj.

KREU IV
MASAT MBIKËQYRËSE, SANKSIONET ME GJOBË DHE PROCEDURA E VENDOSJES SË TYRE

Neni 25
Sanksionet me gjobë

1. Shoqëria financiare zotëruese e përzier, subjekti i mbikëqyrur ose çdo person tjetër juridik, pjesë të një konglomerati financiar, sanksionohet me gjobë, nga 1 000 000 (një milion) deri në 6 000 000 (gjashtë milionë) lekë, në rastet e mëposhtme:

a) Mosnjoftimi i koordinatorit për ndërprerjen e plotësimit të kushteve për ekzistencën e konglomeratit financiar, brenda 30 ditëve, sipas pikës 8, të nenit 4, të këtij ligji;
b) Mosrespektimi i kërkesave për mjaftueshmërinë e kapitalit në nivelin e konglomeratit financiar, sipas nenit 6, të këtij ligji;
c) Mosmonitorimi i përqendrimeve të rrezikut në nivelin e konglomeratit financiar, sipas nenit 7, të këtij ligji;
ç) Mosmonitorimi i transaksioneve të rëndësishme brenda grupit, në kuadër të konglomeratit financiar, sipas nenit 8, të këtij ligji;
d) Moszbatimi i politikave për mjaftueshmërinë e kapitalit në nivelin e konglomeratit financiar, sipas shkronjës “b”, të pikës 2, të nenit 6, të këtij ligji;
dh) Moskrijimi ose moszbatimi i proceseve të administrimit të rrezikut dhe mekanizmave të kontrollit të brendshëm, të parashikuara në nenin 9, të këtij ligji;
e) Mosdorëzimi i rezultateve të llogaritjes së fondeve të veta dhe kërkesave shtesë të kapitalit te koordinatori, të paktën një herë në vit, sipas shkronjës “a”, të pikës 2, të nenit 6, të këtij ligji;
ë) Mosraportimi i përqendrimeve të konsiderueshme të rrezikut te koordinatori, të paktën një herë në vit, sipas pikës 2, të nenit 7, të këtij ligji;
f) Mosraportimi i transaksioneve të rëndësishme brenda grupit te koordinatori, të paktën një herë në vit, sipas pikës 2, të nenit 8, të këtij ligji;
g) Mosvënia në dispozicion e të dhënave vjetore mbi strukturën ligjore, të qeverisjes dhe organizative të konglomeratit financiar për autoritetet mbikëqyrëse, sipas pikës 4, të nenit 9, të këtij ligji;
gj) Mospublikimi vjetor i përshkrimit të strukturës ligjore, të qeverisjes dhe organizative të konglomeratit financiar, sipas pikës 4, të nenit 9, të këtij ligji;
h) Mosnjoftimi i koordinatorit për personat e emëruar në organet drejtuese të shoqërisë financiare zotëruese të përzier, sipas nenit 16, të këtij ligji;
i) Moslejimi ose pengimi i autoritetit mbikëqyrës të ushtrojë mbikëqyrjen shtesë, sipas pikës 1, të nenit 17, të këtij ligji;
j) Moslejimi i kontrollit të librave të biznesit, dokumentacionit, regjistrave dhe sistemeve të informacionit, sipas pikës 2, të nenit 17, të këtij ligji;
k) Mosdorëzimi i regjistrave elektronikë, kopjeve të librave të biznesit dhe dokumentacionit administrativ në formatin e kërkuar, sipas pikës 3, të nenit 17, të këtij ligji;
l) Mospërmbushja e afatit të parashikuar në nenin 29, të këtij ligji;
ll) Mosbashkëpunimi me koordinatorin ose me autoritetet e tjera mbikëqyrëse, ose mosdhënia e aksesit në informacionin e kërkuar nga këto autoritete;
m) Mosraportimi i ndryshimeve të rëndësishme në strukturën e pronësisë ose në përbërjen e grupit, sipas pikës 4, të nenit 9, të këtij ligji.

2. Personi përgjegjës që kryen shkeljet e parashikuara në pikën 1, të këtij neni, si dhe çdo person fizik, që pengon ushtrimin e mbikëqyrjes, sanksionohet me gjobë, në vlerën nga 100 000 (njëqind mijë) deri në 700 000 (shtatëqind mijë) lekë.

3. Kur shkelja e parashikuar në pikat 1 dhe 2, të këtij neni, përsëritet brenda një periudhe 2-vjeçare nga data në të cilën vendimi për shkeljen e mëparshme merr formë të prerë, masa e gjobës dyfishohet.

4. Autoriteti mbikëqyrës mund të vendosë rritjen progresive të gjobave, të parashikuara në pikat 1 dhe 2, të këtij neni, në varësi të numrit të ditëve gjatë të cilave vazhdon shkelja, pa tejkaluar vlerën maksimale, të parashikuar përkatësisht në ato pika.

5. Për çdo rast të përsëritjes së mëtejshme të shkeljes, pas dyfishimit të parashikuar në pikën 3, të këtij neni, gjoba dyfishohet sërish.

Neni 26
Masat mbikëqyrëse plotësuese dhe procedura e vendosjes së tyre

1. Përveç sanksionit me gjobë, të parashikuar në nenin 25, të këtij ligji, autoritetet mbikëqyrëse mund të vendosin ndaj subjektit shkelës masa mbikëqyrëse plotësuese, si:

a) paralajmërim publik;
b) urdhër për korrigjimin e shkeljeve ose përmbushjen e mangësive, brenda një afati të caktuar;
c) ndalim të përkohshëm të kryerjes së veprimtarive të caktuara;
ç) pezullim të anëtarëve të organeve drejtuese deri në korrigjimin e shkeljeve.

2. Sanksionet me gjobë, të parashikuara në nenin 25, të këtij ligji, dhe masat mbikëqyrëse, të parashikuara në këtë nen, vendosen nga autoriteti mbikëqyrës kompetent, sipas fushës përkatëse të mbikëqyrjes, si më poshtë vijon:

a) Banka e Shqipërisë, për subjektet që bëjnë pjesë në fushën e mbikëqyrjes bankare;
b) Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, për subjektet që bëjnë pjesë në fushën e mbikëqyrjes financiare jobankare.

3. Procedura për vendosjen e masave administrative kryhet në përputhje me aktet rregullatore të autoritetit mbikëqyrës kompetent.

4. Autoriteti mbikëqyrës, në vendosjen e masave mbikëqyrëse dhe sanksioneve me gjobë, sipas këtij kreu, merr në konsideratë parimet e efektivitetit, proporcionalitetit dhe karakterit parandalues të tyre.

5. Vendimi i autoritetit mbikëqyrës për vendosjen e sanksioneve me gjobë dhe masave mbikëqyrëse, sipas këtij kreu, përbën titull ekzekutiv dhe ekzekutohet në përputhje me legjislacionin në fuqi për procedurën e ekzekutimit të detyrueshëm të titujve ekzekutivë.

6. Zbatimi i këtij kreu nuk cenon kompetencat e autoriteteve mbikëqyrëse për të ndërmarrë masa mbikëqyrëse ose për të vendosur sanksione administrative, në përputhje me kompetencat dhe procedurat e parashikuara në legjislacionin sektorial, që rregullon veprimtarinë e subjekteve të mbikëqyrura.

7. Ndaj vendimit të autoritetit mbikëqyrës për vendosjen e sanksionit me gjobë ose masave mbikëqyrëse, sipas këtij kreu, subjekti ka të drejtë të ankimojë pranë gjykatës administrative kompetente, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve nga dita e nesërme e marrjes së vendimit. Ankimi në gjykatë nuk pezullon ekzekutimin e vendimit.

Neni 27
Dërgimi i informacionit në Pikën e Vetme Evropiane të Aksesit (ESAP)

1. Koordinatori është organi përgjegjës për përcjelljen e informacionit në Pikën e Vetme Evropiane të Aksesit (ESAP), të krijuar në përputhje me rregulloren (BE) 2023/2859.

2. Subjekti i mbikëqyrur ose shoqëria financiare zotëruese e përzier detyrohet që çdo informacion që publikon në zbatim të këtij ligji, njëkohësisht me publikimin e tij, t’ia dorëzojë atë koordinatorit, me qëllim vënien në dispozicion në ESAP.

3. Informacioni i parashikuar në këtë nen:

a) dorëzohet në format të ekstraktueshëm të të dhënave, në përputhje me nenin 2, pika 3, të rregullores (BE) 2023/2859 dhe, kur kërkohet në format të lexueshëm, në përputhje me nenin 2, pika 4, të së njëjtës rregullore;
b) shoqërohet me të dhënat, në përputhje me nenin 7, të rregullores (BE) 2023/2859, përfshirë të paktën:

i. emrin e subjektit të mbikëqyrur ose të shoqërisë financiare zotëruese të përzier me të cilën lidhet informacioni;
ii. numrin e identifikimit të personit juridik (NIPT /LEI);
iii. madhësinë e subjektit, sipas kategorive të përcaktuara në legjislacionin e Bashkimit Evropian;
iv. çdo të dhënë tjetër të kërkuar, sipas legjislacionit të Bashkimit Evropian për ESAP.

4. Koordinatori siguron që informacioni i dorëzuar, sipas këtij neni, të përcillet në ESAP dhe të përmbushë kërkesat e përcaktuara në pikën 3, të këtij neni.

5. Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare miratojnë, me akt të përbashkët, rregulla të detajuara për mënyrën, formatin dhe procedurat e dorëzimit dhe përcjelljes së informacionit në ESAP, në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

Neni 28
Aktet nënligjore

1. Brenda dymbëdhjetë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare miratojnë akte nënligjore të përbashkëta për të siguruar zbatim të harmonizuar ndërsektorial të këtij ligji dhe për të shmangur mbivendosjen e kërkesave prudenciale, përfshirë llogaritjen e dyfishtë të kapitalit rregullator. Aktet e përbashkëta rregullojnë:

a) pragjet dhe përcaktimin e sektorëve të rëndësishëm financiarë, sipas pikës 14, të nenit 3, të këtij ligji;
b) mbikëqyrjen shtesë të përqendrimit të rrezikut në nivelin e konglomeratit financiar, sipas pikës 5, të nenit 7, të këtij ligji;
c) mbikëqyrjen shtesë të transaksioneve brenda grupit, sipas pikës 5, të nenit 8, të këtij ligji;
ç) proceset e administrimit të rrezikut dhe mekanizmat e kontrollit të brendshëm në nivelin e konglomeratit financiar, sipas pikës 8, të nenit 9, të këtij ligji;
d) kryerjen e vlerësimeve të bazuara në rrezik ndaj konglomerateve financiare, sipas pikave 2 dhe 3, të nenit 10, të këtij ligji;
dh) marrëveshjet e koordinimit ndërmjet autoriteteve mbikëqyrëse, sipas pikës 5, nenit 13, të këtij ligji.

2. Banka e Shqipërisë miraton aktet nënligjore të posaçme, në përputhje me rregullat e saj sektoriale, për subjektet në fushën e mbikëqyrjes bankare, lidhur me:

a) metodologjinë e llogaritjes së mjaftueshmërisë së kapitalit në nivelin e konglomeratit financiar, sipas shkronjës “a”, të pikës 4, të nenit 19, të këtij ligji;
b) mbikëqyrjen shtesë të transaksioneve brenda grupit dhe përqendrimit të rrezikut, brenda konglomeratit financiar, sipas shkronjës “a”, të pikës 4, të nenit 19, të këtij ligji;
c) harmonizimin e praktikave mbikëqyrëse lidhur me marrëveshjet e bashkëpunimit për konglomeratet financiare, kur në krye të grupit është një institucion krediti, sipas shkronjës “a”, të pikës 4, të nenit 19, të këtij ligji.

3. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare miraton aktet nënligjore të posaçme, në përputhje me rregullat e veta sektoriale, për subjektet në fushën e mbikëqyrjes financiare jobankare, lidhur me:

a) metodologjinë e llogaritjes së mjaftueshmërisë së kapitalit në nivelin e konglomeratit financiar, sipas shkronjave “b” dhe “c”, të pikës 4, të nenit 19, të këtij ligji;
b) mbikëqyrjen shtesë të transaksioneve brenda grupit dhe përqendrimit të rrezikut, brenda konglomeratit financiar, sipas shkronjave “b” dhe “c”, të pikës 4, të nenit 19, të këtij ligji;
c) harmonizimin e praktikave mbikëqyrëse lidhur me marrëveshjet e bashkëpunimit për konglomeratet financiare, kur në krye të grupit është shoqëria administruese e sipërmarrjeve të investimeve kolektive, shoqëria administruese e fondeve të investimeve alternative, shoqëria komisionere, shoqëria e sigurimit ose shoqëria e risigurimit, sipas shkronjave “b” dhe “c”, të pikës 4, të nenit 19, të këtij ligji;

4. Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare miratojnë udhëzime të përbashkëta për masat e zbatueshme ndaj shoqërive financiare zotëruese të përziera, sipas pikës 5, të nenit 19, të këtij ligji, duke marrë në konsideratë parimet e forumit të përbashkët të Komitetit të Bazelit për Mbikëqyrjen Bankare, Organizatës Ndërkombëtare të Komisioneve të Letrave me Vlerë dhe Shoqatës Ndërkombëtare të Mbikëqyrësve të Sigurimeve, si dhe udhëzimet e Bordit të Stabilitetit Financiar, lidhur me mbikëqyrjen e konglomerateve financiare.

Neni 29
Zbatimi kalimtar i detyrimeve

1. Nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji zbatohen detyrimet me karakter deklarativ, informues dhe bashkëpunues, që përfshijnë:

a) detyrimin për njoftimin e autoriteteve mbikëqyrëse, sipas neneve 4 dhe 16 të këtij ligji;
b) detyrimin për dhënien e informacionit dhe sigurimin e aksesit, sipas neneve 14, 15 dhe 17, të këtij ligji;
c) detyrimin për identifikimin dhe raportimin fillestar, sipas neneve 3 dhe 4, të këtij ligji;
ç) detyrimin për bashkëpunim me autoritetet mbikëqyrëse, sipas neneve 13 dhe 14, të këtij ligji.

2. Brenda 18 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, subjektet e mbikëqyrura dhe shoqëritë financiare zotëruese të përziera përshtaten me dispozitat e tij, në lidhje me:

a) kërkesat për mjaftueshmërinë e kapitalit në nivelin e konglomeratit financiar, sipas nenit 6, të këtij ligji;
b) kërkesat për proceset e administrimit të rrezikut dhe mekanizmat e kontrollit të brendshëm, sipas nenit 9, të këtij ligji;
c) strukturën organizative dhe sistemet e raportimit të brendshëm të nevojshme për zbatimin e neneve 7 dhe 8, të këtij ligji.

3. Detyrimet, zbatimi i të cilave kushtëzohet nga hyrja në fuqi e akteve nënligjore, të parashikuara në nenin 28, të këtij ligji, zbatohen nga data e hyrjes në fuqi të akteve përkatëse, por jo më vonë se 30 muaj nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, në lidhje me:

a) metodologjitë e llogaritjes së mjaftueshmërisë së kapitalit, sipas nenit 19, të këtij ligji;
b) pragjet për identifikimin e përqendrimit të rrezikut dhe të transaksioneve të rëndësishme brenda grupit, sipas neneve 7 dhe 8, të këtij ligji;
c) marrëveshjet e koordinimit ndërmjet Bankës së Shqipërisë dhe Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, sipas nenit 13, të këtij ligji.
4. Autoritetet mbikëqyrëse njoftojnë subjektet e mbikëqyrura dhe shoqëritë financiare zotëruese të përziera për afatet specifike të zbatimit të detyrimeve, të parashikuara në pikën 3, të këtij neni, menjëherë pas miratimit të akteve nënligjore përkatëse.

Neni 30
Dispozita kalimtare

Për qëllime të zbatimit të pikave 3, 5 dhe 9, të nenit 3, të këtij ligji, deri në datën e anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian, zbatohen vlerat përkatëse prej 100 milionë eurosh dhe 80 milionë eurosh. Nga data e anëtarësimit, këto vlera zëvendësohen përkatësisht, vlera 100 milionë euro me vlerën 6 miliardë euro dhe vlera 80 milionë euro me vlerën 5 miliardë euro, në përputhje me legjislacionin përkatës të Bashkimit Evropian.

Neni 31
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”, me përjashtim të neneve 4, pika 2 , vetëm për sa i përket njoftimit të Komitetit të Përbashkët, 11, pika 3; 12, pika 4; 15, pikat 4 deri në 8, dhe 27, të cilët hyjnë në fuqi në datën e anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

K R Y E T A R I
SNIKO PELESHI

###

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR MBIKËQYRJEN SHTESË TË INSTITUCIONEVE TË KREDITIT, SHOQËRIVE TË SIGURIMEVE DHE SHOQËRIVE KOMISIONERE, PJESË E KONGLOMERATEVE FINANCIARE”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për mbikëqyrjen shtesë të institucioneve të kreditit, shoqërive të sigurimeve dhe shoqërive komisionere, pjesë e konglomerateve financiare”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU

 

KRIPTOASETET