Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu: 200 familje kujdestare për fëmijët pa kujdes prindëror
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, prezantoi paketën me katër akte nënligjore që forcojnë sistemin e kujdesit alternativ në familje për fëmijët që, përkohësisht, nuk mund të rriten në familjen e tyre biologjike. Gjatë vizitës në Qendrën Speciale për Fëmijët 4-14 vjeç, ministrja theksoi se synimi është që fëmijët të rriten në një mjedis familjar, të sigurt dhe të përshtatur me nevojat e tyre, duke vendosur në qendër interesin dhe mirëqenien e fëmijës.
Në kuadër të reformës së kujdesit shoqëror, parashikohet krijimi i një rrjeti prej rreth 200 familjesh kujdestare profesionale në të gjithë vendin. Familjet do të përzgjidhen, trajnohen dhe certifikohen, ndërsa kujdesi i ofruar do të monitorohet gjatë gjithë periudhës së vendosjes së fëmijës. Ato do të mbështeten me pagesë mujore, ndërsa për nevojat e fëmijës parashikohet një përfitim shtesë prej 12 mijë lekësh në muaj dhe 35 mijë lekësh në vit për shpenzime shkollore dhe nevoja të tjera që lidhen me mirërritjen e zhvillimin e tij.
Paketа përcakton edhe procedurat për vendosjen dhe ndjekjen e fëmijës, si dhe trajtimin e ankesave. Do të krijohet një regjistër elektronik kombëtar për administrimin e të dhënave mbi fëmijët dhe familjet kujdestare. Lidhjet me familjen biologjike do të ruhen kur kjo vlerësohet në interesin më të lartë të fëmijës. Nisma synon të mundësojë kalimin gradual nga kujdesi institucional drejt kujdesit në familje për fëmijët në risk dhe ata pa kujdes prindëror.