Mbyllja e Kapitullit 20 me BE-në, komisionerja Marta Kos: Mbështesim objektivin e Shqipërisë për përfundimin e negociatave në 2027
Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, konfirmoi mbështetjen e Bashkimit Evropian për synimin e Shqipërisë për të përmbyllur negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027, duke vlerësuar progresin e vendit dhe rëndësinë e vijimit të reformave, veçanërisht në fushat themelore të procesit të integrimit.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp në Luksemburg, me Kryeministrin Edi Rama dhe Ministrin e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Mbrojtjen të Irlandës, Thomas Byrne, komisionerja Kos e cilësoi Shqipërinë ndër vendet kryesuese të progresit në procesin e zgjerimit të BE-së, duke përgëzuar institucionet shqiptare, administratën publike dhe qytetarët për arritjen e radhës. Deklarata u bë pas Konferencës së 10-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE, ku u formalizua mbyllja e përkohshme e Kapitullit 20, “Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale”, duke e çuar në katër numrin e kapitujve të mbyllur.
Komisionerja Kos theksoi se mbyllja e Kapitullit 20 sjell përfitime konkrete për bizneset shqiptare, veçanërisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, përmes mbështetjes për zhvillimin, rritjen e konkurrueshmërisë dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Ajo nënvizoi gjithashtu rëndësinë e përafrimit të politikave industriale të Shqipërisë me ato të Bashkimit Evropian, veçanërisht në fushat e teknologjive të reja, teknologjive të pastra dhe lëndëve të para kritike, si faktorë të rëndësishëm për forcimin e ekonomisë shqiptare dhe përgatitjen e saj për tregun e përbashkët evropian.
Duke iu referuar hapave të mëtejshëm drejt anëtarësimit, komisionerja theksoi se përmbushja e objektivit të vitit 2027 kërkon rezultate të vazhdueshme në zbatimin e reformave dhe angazhimin e të gjithë aktorëve, përfshirë qeverinë, opozitën, shoqërinë civile dhe qytetarët, pasi anëtarësimi në BE është një projekt kombëtar.
Në përfundim, komisionerja Kos u ndal te përgatitjet e Bashkimit Evropian për zgjerimin e ardhshëm, duke riafirmuar perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe rëndësinë e vijimit të progresit drejt anëtarësimit.