Ministri i Punëve të Brendshme Ervin Demo në takimin ndërkombëtar në Itali: Parandalimi i varësive dhe rehabilitimi, përgjegjësi e përbashkët.
Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, mori pjesë në Takimin Ndërkombëtar të Nivelit të Lartë për Parandalimin e Varësive dhe Rehabilitimin, të zhvilluar në San Patrignano të Italisë, me pjesëmarrjen e Kryeministres italiane, Giorgia Meloni, dhe përfaqësuesve të lartë nga vende të ndryshme evropiane.
Takimi u përqendrua në rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe hartimit të politikave të integruara për përballimin e fenomenit të drogës, duke ndërthurur masat e sigurisë dhe zbatimin e ligjit me parandalimin e varësive, mbrojtjen e të rinjve, rehabilitimin dhe riintegrimin social të personave të prekur.
Në këtë kuadër, u theksua nevoja për një qasje gjithëpërfshirëse dhe afatgjatë, e cila nuk kufizohet vetëm në luftën kundër trafikimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, por synon edhe adresimin e pasojave sociale dhe shëndetësore që shkaktojnë varësitë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministri Demo nënvizoi se përballja me këtë fenomen kërkon angazhim të përbashkët institucional, bashkëpunim ndërkombëtar dhe politika të qëndrueshme që vendosin në qendër individin dhe mirëqenien e shoqërisë.
“Parandalimi, rehabilitimi dhe riintegrimi përbëjnë elemente thelbësore të një strategjie afatgjatë, me në qendër mbrojtjen e të rinjve dhe krijimin e mundësive konkrete për një jetë të shëndetshme e të sigurt”, theksoi ministri Demo.