Raporti i Progresit 2026 për Shqipërinë i KE/ Konferencë e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Rama dhe Ambasadores së delegacionit të BE në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa

 

Raporti i Progresit 2026 për Shqipërinë i Komisionit Europian iu dorëzua sot Kryeministri Rama nga Ambasadorja e Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, gjatë një konference të përbashkët për shtyp, që pasoi takimin e zhvilluar mes tyre.

“I nderuar kryeministër, kam nderin që në mënyrë zyrtare t’ju paraqes Raportin e Komisionit Evropian” – u shpreh zonja Moreira de Sousa, në nisje të konferencës për shtyp.

 

* * *

Kryeministri Edi Rama: E nderuar ambasadore e delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri! E dashur Sofia!

Mirëserdhët sot, me Raportin më të mirë të Progresit që Shqipëria ka marrë në dorë, ndonjëherë, çka tregon edhe këmbën tuaj të mbarë në misionin e përfaqësimit të Bashkimit Europian në Shqipëri.

Për një kohë të gjatë rrëfimi i rrugëtimit europian të Shqipërisë është përcaktuar nga çfarë ne prisnim të ndodhte. Statusi i kandidatit, “po, jo, kur”; hapja e negociatave, “po, jo kur”;  miratimi i piketave të ndërmjetme, “po, jo, kur”…

Sot, ky raport i publikuar dje nga Komisioni Europian përcakton një rrëfim të ri, jo mbi atë që presim të ndodhë, por mbi hapat që duhet të hedhim për ta kryer këtë rrugëtim.

E thënë ndryshe fati europian i Shqipërisë është sot i gjithi në duart tona!

Dhe besoj se ky është lajmi kryesor i raportit. Shqipëria po hyn në kilometrin e fundit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Natyrisht, kujdes, ky kilometër i fundit ka njëmijë metra të tjerë për të përshkuar dhe në çdo metër ka njëqind centimetra për të kapërcyer, një e nga një, duke harmonizuar të gjitha lëvizjet e organizimit të shtetit tonë në funksion të pikëmbërritjes historike.

Raporti tregon se krahasuar me një vit më parë, niveli i gatishmërisë së Shqipërisë është rritur dukshëm në të paktën 20 kapituj negociatash. Evidenton një përparim të rëndësishëm në një sërë fushash nga ekonomia dhe transformimi digjital, tek energjia, arsimi dhe përafrimi legjislacionit me standardet evropiane.

Komisioni Europian vlerëson gjithashtu, një progres të mirë në funksionimin e sistemit gjyqësor dhe në luftën kundër korrupsionit, sikundër nënvizon faktin se SPAK ka vazhduar të dëshmojë pavarësi dhe të japë rezultate në misionin e tij.

Kush e njeh historinë e shtetit shqiptar dhe kthen kokën, jo shumë larg në histori, por deri tek viti 2016 kur mori jetë reforma në drejtësi, e kupton rëndësinë që ka ky vlerësim. Por, raporti evidenton po ashtu mungesat në sistemin gjyqësor, vonesat në gjykata, nevojën për më shumë vendime përfundimtare për çështjet e korrupsionit dhe përpjekjet për ndikim të papërshtatshëm mbi institucionet e drejtësisë. Po kështu, raporti ngre shqetësime serioze do thoja, për funksionim e institucioneve demokratike, mbikëqyrjen parlamentare, lirinë e medias, mbrojtjen e mjedisit dhe cilësinë e konsultimit publik.

Ai trajton edhe protestat e muajve të fundit duke ‘’vendosur gishtin’’ në plagën e dhunës, por edhe duke cituar pretendimet për përdorim të tepruar të forcës nga Policia, ndërkohë që dialogu nënvizohet si rruga ku duhet që të gjithë të angazhohemi seriozisht.

I sjell në vëmendje këto sepse asnjë konstatim i Raportit të Progresit nuk mund të anashkalohet, absolutisht jo, as konstatimi i fundit.

E drejta për protestë duhet gjithmonë garantuar, dhuna duhet ndëshkuar moralisht dhe ligjërisht dhe çdo pretendim për tejkalim të forcës nga autoriteti shtetëror duhet shqyrtuar seriozisht.

Ndërsa dialogu është jetik për bashkëjetesën demokratike dhe ne, shumica qeverisë kemi përgjegjësinë tonë të veçantë për ta mundësuar atë, sidomos me pjesë të shoqërisë që mendojnë ndryshe nga ne.

Siç e shihni, nuk po flas sot vetëm për anën e ndritshme të medaljes së këtij raporti, që është në fakt më e ndritshme se asnjëherë tjetër, por edhe për anën me hije të kësaj medaljeje, jo vetëm sepse unë nuk shoh asnjë kundërshti mes faktit që Shqipëria ka bërë një përparim të madh dhe faktit që ky vend ende përballet me probleme jo të vogla. Të dyja janë të vërteta dhe të dyja përbëjnë këndvështrimin realist të Komisionit Europian për Shqipërinë, por unë po flas për të dyja sepse mendoj se kështu duhet të mësohemi ne ta shohim këtu në Shqipëri, ecurinë e vazhdueshme pozitive të vendit tonë, ku problemet reale, nuk duhet të na pengojnë të çmojmë progresin real dhe anasjelltas, progresi real nuk duhet të na mbyllë sytë përballë problemeve reale. Ndryshe, duke parë secili vetëm njërën anë të medaljes dhe duke ‘’i rënë njëri gozhdës dhe tjetri patkoit”, ushqejmë me ose pa dashje, jo vetëm ndasinë tradicionale, por edhe një përçarje që dëmton drejtpërdrejtë këtë mision të madh kombëtar të anëtarësimit në BE dhe cënon interesin tonë të përbashkët kombëtar, pikërisht sepse në këtë moment të dyja së bashku janë të lidhura me një mundësi reale historike për të kapërcyer pragun, deri dje të largët dhe të ndaluar të Europës së bashkuar.

Dua të ndalem dhe tek një risi me rëndësi të veçantë në paketën e zgjerimit të këtij viti.

Për herë të parë Komisionit Europian ka paraqitur udhërrëfyesin orientues për 4 vendet më të përparuara në procesin e negociatave; Malin e Zi, Shqipërinë, Ukrainën dhe Moldavinë. Për Shqipërinë ky udhërrëfyes përcakton etapat dhe objektivat e punës për vitin sfidues që kemi përpara, duke i dhënë procesit shumë qartësi dhe parashikueshmëri. Ndërkohë Komisioni e konsideron objektivin tonë për t’i përfunduar negociatat deri në fund të vitit 2027 si ambicioz, por të arritshëm dhe ky është një vlerësim tejet i rëndësishëm për Shqipërinë, i cili duhet kuptuar nga të gjithë me peshën dhe kushtëzimet e tij.

Udhërrëfyesi nuk përcakton një datë anëtarësimi sepse nuk ka sesi ta përcaktojë dhe natyrisht nuk e paracakton dot as rezultatin e negociatave por udhërrëfyesi na e tregon konkretisht, centimetër për centimetër siç thashë më lart, kilometrin e fundit të rrugës për të përmbushur këtë objekt kombëtar dhe historik.

Kjo do të thotë që koha merr çdo ditë më shumë rëndësi dhe çdo ditë bëhet më e çmuar në raport me këtë objektiv. Këtë duhet ta kuptojnë mirë që të gjithë ata që janë përfshirë në vijën e parë të këtij procesi, në radhë të parë Parlamenti, qeveria, gjyqësori dhe para të gjithëve duhet ta kuptojë shumica jonë qeverisëse.

Mundësia që kemi sot për të përmbyllur negociatat e anëtarësimit në BE është unikale, është historike dhe nuk është aty si një e dhënë e palëvizshme një herë e përgjithmonë. Historia nuk do na e falte kurrë bjerrjen e kësaj mundësie për shkakun tonë, të shqiptarëve prandaj bashkë me të gjithë ata që e duan pa kushte suksesin e Shqipërisë unë do bëj çmosin tim që të ndodhë e kundërta e fatkeqësisë që i ka ndodhur këtij vendi sa herë ka pasur mundësinë te ngjitet lartë dhe që askush dhe asgjë të mos e vërë në pikëpyetje këtë mundësi historike për mustaqet e asnjë Çeloje.

Dhe në fund dua të kthehem tek diçka që për mua personalisht, natyrisht nga pozita e kryeministrit mbetet thelbësore. Shqiptarët kanë jetuar për shumë vite me një kontrast shumë të madh, mes mundësive që kanë gjetur jashtë vendit dhe atyre që u ka ofruar vendi. Për shumë familje emigracioni ka qenë rruga drejt një pune më të mirë, një shkolle më të mirë, një shërbimi shëndetësor më të mirë apo thjesht fare një marrëdhënie më të sigurt më shtetin.

Prandaj, nuk dua të hyj këtu tek gjërat që kanë ndryshuar në Shqipëri dhe as sa dhe si duhet të ndryshojnë akoma, por dua të shtoj se ne nuk mund të flasim me seriozitetin e duhur për bashkimin tonë me Europën e shteteve anëtare pa e pasur parasysh këtë realitet sepse në thelbin e tij i gjithë ky proces nuk është për Brukselin, nuk është për Parisin, nuk është për Berlinin, nuk është për të gjithë ata së bashku, por është shtet bërja europiane e Shqipërisë, ku shqiptarët të kenë institucionet, mundësitë ekonomike, sigurinë juridike dhe vend rritjen e fëmijëve këtu si në Europë.

Kështu që, kushdo dëgjon për progresin në negociata për anëtarësim në Bashkimin Europian duhet ta mbajë parasysh pikërisht këtë thelb të këtij procesi, që është përmirësimi i standardeve të jetës së tij personalisht, kudo ku ndodhet këtu në Shqipëri dhe pikërisht kjo është arsyeja kryesore, që unë jam kaq i përkushtuar ndaj këtij procesi, por edhe arsyeja kryesore pse mua më gëzon shumë ky raport i progresit si një dëftesë shumë objektive e përparimit të madh të Shqipërisë.

Shumë faleminderit nga ana ime dhe fjalën po ia kaloj zonjës ambasadore, duke i rishprehur bindjen se ka ardhur në Shqipëri me këmbë shumë të mbarë!

 

Ambasadorja e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa: Mirëdita edhe një herë!

I nderuar zoti kryeministër, ministra, kolegë nga trupi diplomatik,

Të nderuar përfaqësues të medias, gazetarë,

Të nderuar pjesëmarrës,

Dje Komisioni Europian miratoi raportin e tij vjetor për Shqipërinë, të cilin unë siç e patë, sapo ia dorëzova kryeministrit.

Më herët sot, raportin ia dorëzova Presidentit të Republikës dhe më pas do ta paraqes edhe në kuvend dhe në ditët në vijim raporti do i përcillet dhe ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, shoqërisë civile dhe komunitetit të biznesit. Raporti është tashmë publik dhe të gjithë shqiptarët mund ta lexojnë atë.

Mesazhi i këtij raporti është i thjeshtë. “Shqipëria ka ecur përpara”.

Zoti kryeministër, ky mesazh pasqyron punën e vërtetë dhe të fortë të qeverisë suaj si dhe të ekipit tuaj negociator si dhe angazhimin e vazhdueshëm në rrugën drejt BE-së. Të gjithë kapitujt e negociatave janë hapur dhe katër prej tyre janë mbyllur provizorisht. Vijimi i kësaj rruge kërkon përpjekje të vazhdueshme. Sa i përket drejtësisë, korrupsionit dhe krimit të organizuar raporti evidenton përparim të mirë. SPAK ka vijuar të dëshmojë pavarësi dhe të japë rezultate në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të lartë. Këto përpjekje duhet të vijojnë pasi korrupsioni mbetet një sfidë reale. Pikërisht për këtë arsye është kaq e rëndësishme që të punohet më tej edhe për parandalimin e korrupsionit. Çdo reformë apo nismë e ardhshme ligjore duhet të mbështetet në reformën në drejtësi të vitit 2016 me qëllim ruajtjen dhe forcimin e mëtejshëm te funksionimit efektiv të sistemit të drejtësisë, përfshirë hetimin dhe ndjekjen penale të korrupsionit në nivele të larta.

Sa i përket demokracisë, raporti vë në dukje një klimë thellësisht të polarizuar, mbikëqyrje të kufizuar parlamentare ndaj qeverisë dhe mungesë të konsultimeve publike kuptimplota.

Reforma zgjedhore është urgjente me qëllim përmbushjen e rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe kjo kërkon një proces gjithëpërfshirës që të shkojë përtej dy  partive kryesore, të cilat kanë përfaqësim të barabartë në Komisionin e posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore.

Në lidhje me të drejtat themelore, ligjet e reja për barazinë gjinore dhe për dhunën ndaj grave përbëjnë hapa realisht pozitivë dhe tashmë lipset kuadri ligjor për mbrojtjen e këtyre të drejtave dhe të të gjithë të drejtave themelore që të zbatohet në praktikë.

Për sa i përket lirisë së medias, shpifja është e dekriminalizuar pjesërisht. Ky është një hap në drejtimin e duhur, por nuk mjafton në vetvete.

Financimi i medias mbetet jo transparent, ende pritet një reformë gjithëpërfshirëse e medias që të trajtojë të gjitha mangësitë e identifikuara.

Raportimet për përdorim jo proporcional të forcës nga policia ndaj gazetarëve duhet të trajtohet si çështje prioritare.

Sa i përket mjedisit, përparimi ka qenë i kufizuar. Raporti konstaton se ndryshimet e vitit 2024 në ligjin për zonat e mbrojtura dhe zgjatje të përsëritura të ligjit për investime strategjike kanë sjellë përkeqësim të mbrojtjes së natyrës. Dispozitat që bien ndesh me njëra-tjetrën duhet të shfuqizohen ndërsa projektet madhore përfshirë atë të planifikuar në Zvërnec do të vlerësohen përkundrejt standardeve të BE-së.

Sot paradite bëmë në fakt një diskutim të hollësishëm në lidhje me këtë çështje me koleget e Komisionit Evropian dhe autoriteteve shqiptare. të cilat do vazhdojnë ta diskutojnë këtë çështje dhe në ditët në vijim.

Dhe ishin pikërisht shqetësimet mjedisore ato që nxitën protestat paqësore. të cilat nisën në fund të muajit maj. Protestat më pas u shndërruan në një lëvizje më të gjerë që kërkonte transparencë, llogaridhënie, luftë kundër korrupsionit dhe qeverisje të mirë. Protestat paqësore janë pjesë e jetës demokratike, por në këtë jetë demokratike, dhuna nuk ka vend dhe çdo reagim ndaj akteve të dhunës, duhet të mbetet proporcional dhe në përputhje me ligjin, por e përsëris, dhuna nuk ka vend në jetën demokratike të vendit. Pakënaqësitë duhet të zgjidhen përmes një dialogu të mirëfilltë, ndërsa ajo që u takon institucioneve demokratike, është që të krijojnë hapësirën e nevojshme për zhvillimin e këtij dialogu.

Dje, Shqipëria mori dhe udhërrëfyesin orientues të anëtarësimit. Ai nuk vendos kushte të reja, as nuk ofron rrugë të shkurtra. Udhërrëfyesi pasqyron vetë synimin e Shqipërisë për të përmbyllur negociatat deri në fund të vitit 2027. Ky synim varet nga reformat dhe rezultatet konkrete. Shpejtësia nuk mund të ofrohet në dëm të cilësisë dhe gjithëpërfshirës, pra reformat kërkojnë konsultim të mirëfilltë dhe debat të hapur në Kuvend, që është përgjegjësi e të gjitha forcave politike në Shqipëri.

Synimi për t’u anëtarësuar në BE është një zgjedhje, të cilën e kanë bërë qytetarët shqiptarë dhe si e tillë u përket të gjithëve, si qeverisë dhe opozitës, ashtu edhe shoqërisë civile dhe komuniteteve vendore, prandaj janë kyçe konsultimet e vërteta dhe kuptimplota. Në fund të fundit, këto reforma nuk synojnë të kënaqin Brukselin, por të ndërtojnë një shoqëri të fortë, gjithëpërfshirëse dhe demokratike të gatshme për t’u bërë pjesë e bashkimit më të madh të demokracive në botë.

Në mbyllje më lejoni të them atë që thashë në fillim; Shqipëria ka ecur përpara, por ende nuk kemi mbërritur në fund të këtij rrugëtimit.

BE do të vijojë të mbështesë çdo hap të Shqipërisë në ketë rrugëtim.

Faleminderit!

* * *

– Pyetja e parë për ambasadoren. Zonja Ambasadore, ditën e djeshme në Bruksel u tha që Mali i ZI në 2028 mund të jetë vendi i 28 anëtar i Bashkimit Europian. Por, gjithashtu u tha që Shqipëria vitin e ardhshëm do të jetë në të njëjtin pozicion siç është sot Mali i Zi, me negociatat e mbyllura në 2027 dhe me traktin e anëtarësimit. Duke iu referuar këtyre pohimeve, a mund të themi që 2029 është viti kur Shqipëria do të jetë anëtare e BE nëse vendi ynë i plotëson reformat?

Ndërkohë për kryeministrin Rama. Kryeministër duke përdorur fjalët tuaja ‘’yjet vijojnë të jenë të rreshtuara mirë për Shqipërinë”, por për qeverinë tuaj situata është pak më komplekse, pasi prej javësh, ju po përballemi me një protestë ku kërkohet dorëheqja juaj. Kësaj proteste i është bashkuar dhe një luftë e hapur brenda familjes suaj politike, ku kryebashkiaku i Tiranës, nga qelia e paraburgimit ju akuzon ju në mënyrë të drejtpërdrejtë që e keni kërcënuar për internim, i keni kërkuar dorëheqjen nga posti i kryetarit të bashkisë dhe të gjitha këto i keni bërë nëpërmjet ministrit të Drejtësisë. Me lejoni të jem e drejtpërdrejtë: a e keni kërcënuar ju zotin Veliaj dhe a mendoni që Veliaj është pas protestave? Faleminderit!

Ambasadorja e Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa: Po, është e vërtetë që Shqipëria mori dje pra Udhërrëfyesin orientues, të cilin siç e përmende, nuk ka më afate të tjera kohore apo gjëra të tjera shtesë, por që merr parasysh synimin e Shqipërisë, si dhe kalendarin që Shqipëria i ka caktuar vetes për t’u bërë shtet anëtar i BE.

Pra, shkurt është e mundshme, por është punë shumë sfiduese. Kërkon shumë përpjekje dhe shumë pune sepse ajo pjesa e fundit është ai ritmi i fundit që ti duhet t’i japësh vetes dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me miratimin e ligjeve, por me zbatimin e reformave, me diskutimet që duhet të bëhen me të gjithë shoqërinë shqiptare që të tregojë se çfarë janë këto reforma dhe siç e dini nuk kemi shumë kohë. Shqipëria deri më tani ka treguar që ka mundësinë të përballet me këto sfida dhe t’i arrijë ato, kështu që nuk kam arsye për të dyshuar. Pra kemi një kalendar të caktuar dhe gjithçka do të varet nga ritmi dhe mënyra se si do të miratohen këto reforma dhe se si do të vihen ato në zbatim. Është e rëndësishme që ky të jetë synimi i të gjithë qytetarëve shqiptarë dhe meqenëse është i tillë, të gjithë qytetarët të jenë pjesë.

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit për pyetjen. Së pari dua të them që Raporti i Progresit është në radhë të parë pasqyrë e punës së qeverisë dhe kush do të dijë së në çfarë forme është qeveria, lexon Raportin e Progresit dhe e ka aty ‘’dëftesën’’ e qeverisë, një dëftesë që mua më gëzon sepse është shumë e qartë që Shqipëria ka bërë një progres të madh të cilin për fat të keq, shqiptarët nuk e konstatojnë dot nga ekranet dhe nga kanalet e dezinformimit publik.

Nga ana tjetër, dua të them që qeveria është në krye të detyrës dhe vazhdon të punojë siç e kam thënë dhe më parë, çdo ditë dhe kur them çdo ditë, çdo ditë me pikërisht, këtë objektiv për të cilin jemi mbledhur këtu sot në këtë konferencë të posaçme shtypi, objektivi historik i bashkimit përfundimtar të vendit tonë me Europën dhe moslejimi i humbjes së një mundësie historike që e kemi krijuar me jashtëzakonisht shumë punë, por dhe që është ndihmuar nga ai që unë e quaj dhe ju e cituat “rreshtimi i yjeve në favor të Shqipërisë dhe të shqiptarëve’’. Të tjerat janë si këto zhurmat e makinave që shkojnë e vinë nëpër bulevard. Aq sa janë ato të rëndësishme për ne që jemi këtu, aq janë të rëndësishme për mua ato që pyetët ju.

 

– Një pyetje fillimisht për ju, zoti Kryeministër, duke përmendur dhe duke cituar sigurisht Progres-raportin, Komisioni Evropian përmes Progres Raportit i ka cilësuar protestat që nisën në fund të majit dhe u përshkallëzuar në tetor, si një mobilizim të madh qytetar. A mendoni se jeni përgjigjur siç duhet këtij mobilizimi qytetar pa i injoruar apo anashkaluar apo duke cilësuar si nxitës të këtyre protestave edhe faktorë të jashtëm, apo vende të huaja? Dhe një pyetje tjetër, mendoni se kjo lëvizje mund të rrezikojë të kthehet në një lëvizje studentore si ajo e Serbisë?

Dhe një pyetje për ju, zonja ambasadore. A mendoni se do të ndikojë në ecurinë e integrimit evropian të Shqipërisë, polarizimi politik, klima e ashpër politike dhe protestat në rast se do të vazhdojnë me të njëjtin ritëm? Faleminderit.

Kryeministri Edi Rama: Tani, se sa e ngjashme është Shqipëria me Serbinë dhe situata në Serbi me situatën në Shqipëri, këtë mund ta konstatoni duke krahasuar qëndrimin e BE ndaj ndryshimit në Serbi dhe ndaj ndryshimeve të mëdha që ka bërë Shqipëria këtë vit.

Pra, janë dy realitete që nuk kanë asnjë gjë të përbashkët njëri me tjetrin, pavarësisht përpjekjes për t’i bashkuar në funksion të një agjende që nuk është agjenda e BE, nuk është agjenda e qeverisë dhe e shumicës qeverisëse. Është agjenda e atyre që duan të rrëzojnë qeverinë me dhunë. Për sa i takon pastaj mobilizimit të madh, unë e kam thënë vetë dhe kam bërë vetë dallimin midis protestave masive të fillim qershorit dhe degradimit më pas të bulevardit në një arenë “sorrash dhe korbash”, që nuk kishte se si të mos sillte tek dhuna sepse ishte e dhunshme, dhe pa qenë me gurë dhe me molotov në dorë kur parullë kishte “s”ka dialog, jep dorëheqjen”. Legjitime në demokraci që dikush ta mendojë kështu, totalisht ilegjitime të përdoret guri dhe zjarri në funksion të këtij mendimi, ndërkohë që në funksion të protestave masive ne kemi bërë hapa të rëndësishëm për të adresuar ato që i kemi lexuar si arsye të mobilizimit qytetar.

Hapa në drejtim të transparencës. Me këtë rast kujtoj se kemi publikuar gjithçka lidhur me Zvërnecin dhe Sazanin dhe nuk kemi parë asnjë kontestim përmbajtjesor, pasi gjithçka është në anën tonë, për sa i takon procesit të ndjekur dhe ligjshmërisë dhe moralit të Republikës që ne përfaqësojmë në këtë proces.

Më pas me buxhetin e ri kemi adresuar drejtpërdrejtë çështje, të cilat lidhen me anën ekonomike të shqetësimeve të njerëzve që nga realizimi i një zotimi të kahershëm të uljes së TVSH-së për shportën në 6% deri tek ulja e drejtpërdrejtë të çmimit të naftës në pompë me 32 lek duke ri spostuar taksën e qarkullimit tek automjeti dhe duke e nxjerrë nga përbërja e çmimit dhe të tjera gjëra që nuk po i numëroj këtu.

Kam dëgjuar që është quajtur kthimi tek e majta ideologjike. Këta nuk dinë se çfarë flasin. Nuk është kthimi tek e majta ideologjike, por është krijimi i mundësive për të rishpërndarë më shumë nga rritja e ekonomisë. Ajo që ka qenë prej kohesh objektivi dhe shqetësimi ynë kryesor, si të rishpërndajmë më shumë duke rritur më shumë ekonominë. Nuk e bën e majta dhe e djathta “vezën e kuqe”. Është vetëm ekonomia që na jep ose jo mundësitë dhe ekonomia jonë rritet ndryshe nga çfarë mund të thuhet rritja e saj na ka dhënë mundësinë që të ri shpërndajmë masivisht me një pakete të re që do të ishte totalisht e pamundur dhe ka qenë totalisht e pamundur në kushte të tjera. Pra mund të ishim të majtë ideologjikë larg qoftë, por nuk do e kishim pasur të mundur ta bënim këtë gjë dhe nëse do e kishim bërë do e kishim çuar ekonominë në kolaps. Kështu që, ky është realiteti i fakteve. Të tjerat janë si zhurmat e makinave këtu, shkojnë e vijnë.

Dhe në fund fare dua të them që unë i kam dëgjuar me më shumë vëmendje se të gjithë ju dhe se të gjithë të tjerët ata që kanë ardhur këtu poshtë çdo ditë. I kam dëgjuar sepse kam qenë dhe i detyruar t’i dëgjoj. Se ndërkohë që ata këtu poshtë ulërinin, shanin, kërcënonin dhe kërkonin dorëheqjen duke thënë pa pushim “s’ka dialog”, unë isha lart, duke punuar me zërin e tyre në sfond. Di ekzaktësisht gjithçka është thënë aty poshtë sepse është përsëritur kaq shumë saqë e kam mësuar përmendesh. Di dhe ato bejtet me muzikë dhe këngët fyese edhe të gjitha, por nuk kam marr dot shënim asnjë ide, asnjë program, asnjë opsion për Shqipërinë dhe përfitoj nga rasti i kësaj konference për t’i risqaruar të gjithë lidhur me atë që në asnjë rast, dorëheqja e një kryeministri të zgjedhur demokratisht dhe në kontratë me popullin nuk imponohet nga rruga, por në rastin tim ka dhe një specifikë tjetër, që është ky këtu.

Këtu kilometri i fundit i negociatave është i ndarë në 1000 metra dhe çdo metër është i ndarë në 100 centimetra dhe çdo centimetër do njeriun mbi kokë të fushës përkatëse, do hyzmetin përkatës, do të bësh detyrën përkatëse sepse këtu është e shkruar e zeza mbi të bardhë; “mbyllja e negociatave në fund të 2027-s, është objektiv ambicioz, por i arritshëm”, por ky objektivi ambicioz nëse arrihet, arrihet duke u fokusuar centimetër për centimetër këtu, jo duke humbur mendjen mbas këngëve kërcënuese, molotovëve, gurëve dhe agjendave që s’kanë lidhje fare me këtë mision kombëtar.

Unë e di që është e lehtë të bësh ironi me përfshirjen e aktorëve të huaj, por përfshirja e aktorëve të huaj në protestën e qershorit deri sot që flasim është reale. Dhe nuk isha unë apo nuk ishte një përfaqësues i institucioneve tona, por ishte një nga personalitetet e mirënjohur të Francës për ndërhyrjet malinje në vendet demokratike që para pak ditësh tha shprehimisht që “Shqipëria ka qenë pjesë e kësaj lufte hibride”.

Unë nuk kam thënë kurrë që protestat i organizoi Irani, por kam thënë që duart e regjimit kriminal të Teheranit janë atje në bulevard dhe janë me fakte. Dhe çuditërisht ushtria digjitale iraniane e identifikuar prej nesh si shumë aktive në shpërndarjen e videove me zogj, u shfaq aktive në goditjen që iu bë Parisit, kështu që këto janë fakte. Shkaku është këtu patjetër. Detyra jonë është të adresojmë shkakun, por nga ana tjetër të jemi të vetëdijshëm çfarë po bëjmë dhe të dëgjojmë njëri-tjetrin, të kuptojmë njëri-tjetrin, të shohim faktet, të pranojmë reciprokisht kush ka dhe kush s’ka të drejtë për këtë apo për atë, në vend të gëzohemi apo të entuziazmohemi për viralitetin që u jep videove tona ndërhyrja e atyre që nuk e duan Shqipërinë këtu. Nuk duan që Shqipëria të fokusohet këtu. Nuk duan që 2027-ta të mbyllet me sukses për Shqipërinë. Nuk duan që ne të merremi me centimetrat dhe me metrat e kilometrit të fundit, por duan që ne të merremi me historitë e panumërta që nxiten çdo ditë dhe pas të cilave rrotullohemi çdo ditë në një vorbull ku më lejoni tua u them gjëja më skandaloze, më e papranueshme, më e pajustifikueshme, më e turpshme ka qenë justifikimi në kor i dhunës. Faleminderit!

Ambasadorja e Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri , Sofia Moreira de Sousa: Sa i përket pyetjes që më bëtë mua dhe ritheksoj këtu atë që tha kryeministri, që procesi i integrimit dhe 2027, jemi në rrugën e duhur. Dje patëm Udhërrëfyesin orientues për ta konfirmuar këtë, por anëtarësimi nuk është thjesht vetëm një detyrë teknike dhe nuk do të thotë vetëm të miratosh ligje, por i përket të gjithë shoqërisë shqiptare dhe në raport Komisioni ka shpjeguar edhe mobilizimin më të madh qytetar që nga tranzicioni demokratik, ky qytetarët kërkojnë llogaridhënie dhe qeverisje të mirë. Dhe këto shqetësime janë në fakt në thelb të procesit të anëtarësimit. Pra, protestat paqësore janë e drejtë demokratike, por siç e thashë  më parë, jo dhunë dhe dhuna nuk ka vend në jetën demokratike pavarësisht nga kush vjen. Ajo që mungon sot dhe ju e përmendet në pyetjen tuaj, duke iu referuar shoqërisë së polarizuar, ajo që mungon është dialogu. Dhe të gjitha palët pa përjashtim, duhet të bëjnë një përpjekje të vërtetë për ta filluar dialogun dhe ne duhet ta luftojmë këtë polarizim dhe kjo mund të bëhet vetëm me mënyra demokratike; me anën e institucione demokratike dhe duke gjetur mënyrat e duhura, në të cilat pakënaqësitë e qytetarëve të dëgjohen dhe të trajtohen, jo me anën e dhunës edhe një herë, por në një mënyrë që e gjithë shoqëria civile, mediat, akademikët, autoritetet dhe institucionet ta trajtojnë këtë polarizim dhe kur kjo të bëhet, kjo do të reflektohet në rrugëtimin e anëtarësimit. Pra, duke iu kthyer pyetjes suaj, protestat ne i kemi dhe në Europë në shumë shtete. E rëndësishme është që të kuptojmë cilat janë pakënaqësitë e qytetarëve dhe të gjejmë mënyra demokratike për t’i trajtuar ato.

Kryeministri Edi Rama: Edhe një herë shumë faleminderit të gjithëve dhe siç e kam paralajmëruar, nesër ne do të “ndezim një tjetër dritare” në ekranet e kujtdo që është i interesuar, që është një dritare e dialogut, një dritare e dialogut që i ofrohet të gjithë atyre që duan të ndërveprojnë me mua, që duan të ndërveprojnë me qeverinë për çdo çështje që ata e shohin me rëndësi; një dritare e dialogut për studentët që kërcënohen nga pseudo studentë që shfaqen në dyert e auditorëve dhe që i çojnë mesazhe të dhunshme kujtdo që mendon ndryshe, sillet ndryshe apo që guxon për të hedhur hapin e dialogut. Tre grupe studentësh, tre janë kthyer mbrapsht me dhunë online dhe offline nga këta lloj pseudosh, në përpjekjen e tyre për të ardhur në takim me mua pa kamera, pa foto, pa njoftim shtypi, thjesht për të biseduar. Tre grupe studentësh me emra dhe me mbiemra, të dekonspiruar, dreqi e merr vesh se si dhe pastaj të bullizuar në ekstrem.

Një gjë dua të jetë e qartë për të gjithë. Unë nuk jam më as student, as pedagog, por vij nga një rrugë ku kam qenë student dhe pedagog dhe bashkë me studentët kam dalë kundër një regjimi real, jo regjimi imagjinar, vetëm për një arsye; për të qenë i lirë të them atë që dua, ku të dua. Kush mendon se me frikën, me trembjen, me kërcënimin, me dhunën do ketë impaktin më të vogël mbi mua dhe mbi rrugëtimin tonë, i ka bërë të gjitha llogaritë gabim. Përkundrazi, do ta marrë përgjigjen hap pas hapi ligjërisht, siç po e marrin një nga një edhe penalisht edhe administrativisht. Edhe ata që ngrenë dorën kundër Policisë dhe kundër shtetit, edhe ata që bllokojnë rrugët se ashtu ju vjen atyre dhe ndërkohë nuk duan të dinë për mijëra e dhjetëra-mijëra të tjerë që janë në qytetin e tyre, janë në të drejtën e tyre të lëvizin lirisht në këtë qytet dhe janë në lirinë e tyre që të bëjnë atë që duan, të thonë atë që duan, të mendojnë atë që duan dhe të shkojnë aty ku duan.

Shumë faleminderit!