Gonxhja takim me Ambasadoren e BE-së: Progres në kulturë, rini dhe pronësi intelektuale, fokus te integrimi evropian
Ministri Blendi Gonxhja zhvilloi një takim me Ambasadoren e re të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, ku u diskutua mbi progresin e vendit në procesin e integrimit evropian, projektet e përbashkëta dhe prioritetet në fushat e kulturës, rinisë, sportit dhe pronësisë intelektuale.
Në fokus të takimit ishte Raporti i Progresit 2026 i Komisionit Evropian, i cili, sipas ministrit, evidenton arritje të rëndësishme në përafrimin e legjislacionit dhe politikave kombëtare me standardet e Bashkimit Evropian.
Gonxhja u ndal te Kapitulli 26, që përfshin arsimin dhe kulturën, duke theksuar mbylljen e përkohshme të tij dhe vlerësimin për progresin e mirë të Shqipërisë. Një tjetër zhvillim i rëndësishëm lidhet me Kapitullin 7, për të drejtat e pronësisë intelektuale, ku u evidentuan masat për forcimin e mbrojtjes së krijuesve dhe miratimi i ligjit për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.
Gjatë takimit u diskutua edhe mbi detyrimet në kuadër të Kapitujve 1 dhe 29, që lidhen me lëvizjen e lirë të mallrave dhe bashkimin doganor, me vëmendje të veçantë ndaj mbrojtjes dhe qarkullimit të pasurive kulturore.
Ministri vuri në dukje gjithashtu rekomandimin e Komisionit Evropian që Këshilli të nisë gjatë vitit 2027 përgatitjet për hartimin e Traktatit të Anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Një pjesë e veçantë e diskutimeve iu kushtua Parkut Arkeologjik Bylis–Klos, ku Bashkimi Evropian po mbështet një investim prej 6.25 milionë eurosh, me synim ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik të komunitetit lokal.
Në përfundim, Gonxhja shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian në realizimin e projekteve në kulturë, art, trashëgimi kulturore, rini dhe sport, duke theksuar rëndësinë e zgjerimit të bashkëpunimit për zhvillimin e qëndrueshëm dhe promovimin e potencialit turistik të Shqipërisë.