Projektbuxheti 2027, Ministri Salla: 18 miliardë lekë për bujqësinë, 10% më shumë se në vitin 2026
Mbështetja për fermerët, siguria ushqimore, infrastruktura e ujitjes dhe kullimit, si dhe përafrimi me standardet e Bashkimit Evropian, në fokus të financimeve për vitin 2027.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, prezantoi në Komisionin Parlamentar projektbuxhetin e vitit 2027, i cili parashikon rreth 18 miliardë lekë financim, ose 10% më shumë krahasuar me buxhetin fillestar të vitit 2026.
Ministri theksoi se projektbuxheti synon rritjen e konkurrueshmërisë së prodhimit vendas, forcimin e sigurisë ushqimore, modernizimin e infrastrukturës bujqësore dhe përgatitjen e sektorit për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
“Ky projektbuxhet nuk është thjesht një rritje e shifrave. Është zgjedhja për të lidhur pagesën me prodhimin, investimin me rendimentin, kontrollin me sigurinë e konsumatorit dhe çdo reformë me standardet e Bashkimit Evropian”, u shpreh ministri Salla.
Peshën kryesore të financimit e zë Programi i Zhvillimit Rural, me rreth 8,4 miliardë lekë, ose 47% të buxhetit të ministrisë. Mbështetja do të përqendrohet te fermerët dhe blegtorët, zgjerimi i pagesave direkte, investimet në ferma, mbështetja e të rinjve në bujqësi dhe përafrimi me Politikën e Përbashkët Bujqësore të BE-së.
Për sigurinë ushqimore parashikohen rreth 3 miliardë lekë, me fokus forcimin e kontrolleve nga ferma te konsumatori, përmirësimin e gjurmueshmërisë së produkteve, modernizimin e laboratorëve dhe rritjen e standardeve veterinare e fitosanitare. Një rol të rëndësishëm do të ketë edhe projekti EU4FoodSafety, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane.
Një tjetër prioritet është infrastruktura e ujitjes dhe kullimit, për të cilën janë planifikuar 4,3 miliardë lekë, ose 19,3% më shumë se në vitin 2026. Investimet synojnë përmirësimin e ujitjes në rreth 13 mijë hektarë, rehabilitimin e argjinaturave, vijimin e 74 objekteve infrastrukturore dhe përgatitjen e projekteve strategjike për lumenjtë Ishëm, Erzen, Shkumbin, Seman dhe Vjosë.
Në sektorin e peshkimit dhe akuakulturës, financimi arrin në 727 milionë lekë, me një rritje prej 25%. Prioritet mbeten modernizimi i porteve të peshkimit, zhvillimi i akuakulturës, rritja e eksporteve dhe forcimi i kontrollit ndaj peshkimit të paligjshëm.
Projektbuxheti parashikon gjithashtu 872 milionë lekë për këshillimin dhe informacionin bujqësor, duke synuar asistimin e 93 mijë fermerëve dhe mbështetjen e rreth 74 mijë aplikuesve në skemat e financimit.
Në kuadër të digjitalizimit dhe administrimit të qëndrueshëm të tokës bujqësore, synohet integrimi i rreth 15 500 hektarëve në sistemet e informacionit gjeografik, ndërsa forcimi i kapaciteteve institucionale do të mbështesë përmbushjen e detyrimeve të kapitujve 11, 12 dhe 13 të negociatave me Bashkimin Evropian.
Në përfundim, ministri Salla theksoi se buxheti i vitit 2027 përfaqëson një investim në prodhimin vendas, zhvillimin e zonave rurale, mbrojtjen e konsumatorit dhe të ardhmen evropiane të bujqësisë shqiptare.