Projektbuxheti 2027, ministrja Ibrahimaj: 42 miliardë lekë për mbështetjen sociale, punësimin dhe zhvillimin e sipërmarrjes

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat projektbuxhetin e vitit 2027 për Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit, i cili parashikon një fond prej 42 miliardë lekësh. Prioritetet kryesore përfshijnë financimin e sigurimeve shoqërore, mbështetjen e familjeve për strehim, zhvillimin e arsimit profesional, nxitjen e punësimit dhe mbështetjen e sipërmarrjes.

Një pjesë e konsiderueshme e projektbuxhetit është orientuar drejt financimit të skemës së sigurimeve shoqërore, për të cilën janë parashikuar 28,1 miliardë lekë. Ky është zëri më i madh i buxhetit të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit dhe synon përmbushjen e detyrimeve për financimin e pensioneve, indeksimin e tyre dhe masat e mbështetjes shtesë për pensionistët. Krahas kësaj, prioritet mbetet qëndrueshmëria afatgjatë e skemës, përmes nxitjes së punësimit, formalizimit të tregut të punës dhe zgjerimit të numrit të kontribuuesve.

Për programet e strehimit social dhe të përballueshëm janë parashikuar 1,25 miliardë lekë, nga të cilat 448 milionë lekë do të përdoren për subvencionimin e interesave të kredive të lehtësuara. Përmes kësaj skeme do të vijojë mbështetja për rreth 7 mijë familje përfituese, ndërsa synohet përfshirja e rreth 1 mijë familjeve të reja gjatë vitit 2027.

Për subvencionimin e qirasë janë parashikuar 262 milionë lekë, me synimin për të mbështetur rreth 2 mijë familje. Gjithashtu, do të vijojnë ndërhyrjet për përmirësimin e kushteve të banimit për 663 familje në 26 bashki, ndërsa 150 milionë lekë do të investohen për përshtatjen e godinave publike në banesa sociale me qira, me synim krijimin e zgjidhjeve më të qëndrueshme për familjet në nevojë.

Për arsimin profesional dhe politikat e punësimit janë parashikuar 8,9 miliardë lekë, me fokus përmirësimin e shkollave profesionale, aftësimin e të rinjve dhe përshtatjen e formimit me kërkesat e tregut të punës. Investimet në shkollat profesionale arrijnë në 1,22 miliardë lekë dhe përfshijnë ndërhyrje në Vlorë, Tiranë, Korçë dhe qytete të tjera, si dhe pajisjen e shkollave me laboratorë dhe mjete për formimin praktik. Paralelisht, do të vijojnë programet aktive të punësimit dhe Garancia Rinore, për të zgjeruar mundësitë e punësimit, veçanërisht për të rinjtë.

Në mbështetje të sipërmarrjes dhe inovacionit, projektbuxheti parashikon 1,64 miliardë lekë, me fokus zhvillimin e bizneseve ekzistuese, sipërmarrjeve inovative dhe nxitjen e investimeve. Fondi për startup-et mbetet 600 milionë lekë, me objektivin për të mbështetur rreth 170 përfitues gjatë vitit 2027. Ministrja bëri të ditur se gjatë vitit 2026 janë regjistruar 1219 aplikime, janë financuar 163 startup-e dhe 42 produkte kanë arritur të dalin në treg. Ndërkohë, 100 milionë lekë janë parashikuar për mbështetjen e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, ndërsa 160,7 milionë lekë për zgjerimin e modelit TUMO jashtë Tiranës, duke u krijuar më shumë të rinjve mundësi për edukim teknologjik dhe zhvillim të aftësive digjitale.

Një tjetër prioritet është mbrojtja e konsumatorëve dhe forcimi i inspektimeve në tregun e punës. Për mbikëqyrjen e tregut, infrastrukturën e cilësisë dhe inspektimin e punës janë parashikuar 923 milionë lekë. Gjatë vitit 2027 synohet shtimi i rreth 40 inspektorëve për kontrollin e sigurisë së produkteve, tregtisë online dhe respektimit të garancive, si dhe realizimi i 10 mijë inspektimeve të punës për mbrojtjen e të drejtave të punëmarrësve dhe identifikimin e punësimit të padeklaruar. Gjithashtu, 200 milionë lekë janë parashikuar për pajisjen e trupave inspektuese me kamera digjitale, si pjesë e një investimi të përgjithshëm prej 370 milionë lekësh, me synim rritjen e transparencës dhe reduktimin e praktikave abuzive gjatë kontrolleve.

Projektbuxheti përfshin gjithashtu masa për përgatitjen e ekonomisë shqiptare për tregun e përbashkët evropian, përmes përmirësimit të standardeve të produkteve, modernizimit të shërbimeve për biznesin dhe lehtësimit të procedurave tregtare, me synim rritjen e konkurrueshmërisë dhe zgjerimin e mundësive për sipërmarrjet shqiptare në tregjet ndërkombëtare.