Demo: Koha e qytetarëve ka vlerë! Masa të shtuara të Policisë Rrugore për lehtësimin e trafikut në Tiranë

Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, inspektoi situatën e qarkullimit rrugor në zonën e “21 Dhjetorit” në Tiranë, ku Policia Rrugore ka shtuar praninë dhe masat për lehtësimin e trafikut dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve.

Dëmtimi i semaforëve, sinjalistikës dhe infrastrukturës urbane gjatë javëve të fundit ka krijuar vështirësi në qarkullim, veçanërisht në nyjet më të ngarkuara të kryeqytetit.

“Qytetarët nuk duhet kurrsesi të humbasin më shumë kohë se ç’është e domosdoshme për sa i përket vajtjes në punë, shkolla dhe aq më tepër për të garantuar, në të njëjtën kohë, edhe sigurinë e qarkullimit rrugor në tërësi”, u shpreh ministri Demo.

Ministri kërkoi angazhim të shtuar të Policisë Rrugore, me fokus të veçantë në parandalimin e parkimeve dyshe dhe shkeljeve të Kodit Rrugor që pengojnë lëvizjen normale të automjeteve.

Ai theksoi se efektiviteti i masave duhet të matet përmes përmirësimit konkret të qarkullimit dhe reduktimit të kohës që qytetarët kalojnë në trafik.

“Policia e Shtetit do të jetë akoma dhe më shumë e fokusuar për të garantuar jo vetëm sigurinë publike, por edhe cilësinë e jetesës në qytet”, deklaroi Demo.

Në përfundim, ministri kërkoi vijimin e masave të shtuara dhe vlerësimin e efektivitetit të tyre në fund të javës, për të përcaktuar ndërhyrjet e mëtejshme që do të lehtësojnë lëvizjen dhe përditshmërinë e qytetarëve në kryeqytet.