Kumbaro takim me drejtuesit e shkollave të Durrësit, Krujës dhe Shijakut: Për të ardhmen e fëmijëve, shkolla dhe prindërit duhet të jenë bashkë

Forcimi i bashkëpunimit mes shkollës dhe familjes, rritja e cilësisë së arsimit dhe përgjegjësia e përbashkët për edukimin e brezit të ri ishin në fokus të takimit që ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, zhvilloi me drejtuesit e institucioneve arsimore të Durrësit, Krujës dhe Shijakut.

Takimi u zhvillua në kuadër të turit të komunikimit të drejtpërdrejtë me drejtuesit e shkollave në të gjitha drejtoritë rajonale dhe zyrat vendore të arsimit parauniversitar, me qëllim diskutimin e prioriteteve, nismave dhe kalendarit të aktiviteteve për vitin shkollor 2026–2027.

Gjatë bashkëbisedimit, ministrja Kumbaro theksoi se drejtuesit e shkollave kanë një rol kyç jo vetëm në administrimin dhe funksionimin e institucioneve arsimore, por edhe në ndërtimin e një marrëdhënieje të qëndrueshme bashkëpunimi mes mësuesve, nxënësve dhe prindërve.

“Ne jemi gjithë kohën në komunikim sepse ndryshe, kjo përgjegjësi kaq e madhe që ne kemi të gjithë bashkë, nuk mbahet nëse nuk jemi çdo ditë të lidhur dorë për dorë së bashku. Duke qenë se përgjegjësia që ne mbajmë mbi supe është çdo ditë e më e madhe, na nevojitet që komunikimin ta kemi më të shtuar dhe t’i ndajmë problemet çdo ditë”, u shpreh ministrja Kumbaro.

Duke vënë theksin te përgjegjësia e drejtuesve të institucioneve arsimore, ministrja nënvizoi se komunikimi i vazhdueshëm me familjet duhet të jetë pjesë e pandashme e punës së përditshme të shkollës.

“Unë mendoj se në të gjitha figurat e skuadrës së arsimit, roli më i rëndësishëm dhe përgjegjësia më e madhe është te drejtuesi i shkollës. Dua ta theksoj që është po aq pjesë e detyrës sonë që ju të mbani komunikimin me prindërit, ashtu siç mbani komunikimin me nxënësit”, theksoi Kumbaro.

Ministrja u ndal gjithashtu te ndikimi që ka shkolla në formimin e qytetarëve të së ardhmes, duke theksuar se çdo vendimmarrje dhe çdo angazhim i stafit arsimor ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së fëmijëve dhe në zhvillimin e shoqërisë.

“Secili nga ne ka në dorë të kontribuojë sado pak në cilësinë e jetës së atij fëmije dhe nesër në atë të lagjes, shoqërisë, qytetit ku të gjithë ne jetojmë. E vetmja mënyrë është që shkolla të jetë e lidhur me prindin”, u shpreh ministrja e Arsimit.

Në kuadër të vizitës në Durrës, ministrja Kumbaro inspektoi edhe mjediset e shkollës “Naim Frashëri”, ku këtë vit shkollor ka nisur zbatimi i programit “Pas Shkolle”.

Programi, i mirëpritur nga nxënësit, prindërit dhe komuniteti, synon të krijojë më shumë mundësi për angazhimin dhe zhvillimin e fëmijëve përtej orarit të rregullt mësimor, duke forcuar njëkohësisht rolin e shkollës si hapësirë edukimi dhe bashkëpunimi.

Takimet me drejtuesit e institucioneve arsimore do të vijojnë në të gjithë vendin, me fokus identifikimin e nevojave konkrete të shkollave, përmirësimin e komunikimit institucional dhe forcimin e partneritetit mes shkollës dhe familjes, në funksion të një arsimi më cilësor dhe gjithëpërfshirës.