Forumi i Zgjerimit në Bruksel, Ministri Ferit Hoxha: Vlerësimi i Komisionit Evropian për Shqipërinë, krenari dhe përgjegjësi për vijimin e reformave
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, përshëndeti vlerësimin e Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për progresin e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, gjatë Forumit të Zgjerimit 2026 në Bruksel.
Në fjalën e hapjes së Forumit, Presidentja von der Leyen theksoi se “Shqipëria po dëshmon progres mbresëlënës”, duke nënvizuar rëndësinë strategjike të zgjerimit si një investim në të ardhmen e përbashkët evropiane.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministri Hoxha u shpreh se ky vlerësim, i reflektuar edhe në Raportin e Progresit 2026, konfirmon arritjet e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian dhe përbën njëkohësisht motivim për përshpejtimin e reformave dhe përmbushjen e objektivave të përcaktuara.
“Për dekada, anëtarësimi në BE ka qenë dëshira, aspirata dhe kërkesa jonë. Sot kësaj i është bashkuar edhe ftesa dhe dora e zgjatur e BE-së për të ecur përpara me përgjegjësi, vendosmëri dhe besim në të ardhmen tonë të përbashkët”, theksoi ministri Hoxha.
Ai nënvizoi se Shqipëria ndodhet në një moment të rëndësishëm historik, ku perspektiva e anëtarësimit në Bashkimin Evropian është më pranë se kurrë dhe përputhet me aspiratën madhore kombëtare për të ardhmen evropiane të vendit.
Ministri Hoxha theksoi gjithashtu rëndësinë e shndërrimit të progresit të deritanishëm në rezultate konkrete, përmes vijimit të reformave, përmbushjes së angazhimeve dhe forcimit të bashkëpunimit me institucionet evropiane.