Ministria e Arsimit/ Mirela Kumbaro prezanton projektligjin për Liceun Francez të Korçës: Arsim publik falas, mësim në tri gjuhë dhe diplomë shqiptare e franceze
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, prezantoi në Komisionin e Ekonomisë, Financave dhe Punësimit projektligjin për ngritjen dhe funksionimin e Liceut Francez të Korçës, një projekt i përbashkët i qeverisë shqiptare dhe asaj franceze, që synon rikthimin e traditës historike të liceut dhe krijimin e një modeli të ri arsimor publik me standarde europiane.
Ministrja Kumbaro theksoi se liceu do të jetë një institucion publik i arsimit të mesëm të lartë, i orientuar drejt shkencës dhe inovacionit, ku mësimi do të zhvillohet në tri gjuhë: shqip, frëngjisht dhe anglisht. Nxënësit që përfundojnë me sukses studimet do të pajisen me dy diploma, Maturën Shtetërore Shqiptare dhe Baccalauréat-in Francez, ndërsa shkollimi për nxënësit shqiptarë do të jetë falas.
“Ky është një përfitim i drejtpërdrejtë për nxënësit dhe familjet e tyre, të cilët do të kenë mundësi të marrin në Shqipëri një diplomë franceze me njohje ndërkombëtare”, u shpreh Kumbaro.
Ministrja nënvizoi se projekti, i zhvilluar në bashkëpunim me qeverinë franceze, nën kujdesin e Presidentit Emmanuel Macron dhe Kryeministrit Edi Rama, përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit arsimor mes dy vendeve dhe në përafrimin e sistemit arsimor shqiptar me standardet europiane.
Liceu do të funksionojë mbi bazën e kurrikulave shqiptare dhe franceze, me një strukturë të përbashkët drejtuese dhe mbikëqyrëse. Pala franceze do të kontribuojë me ekspertizë dhe financimin e pagës së drejtorit për një periudhë pesëvjeçare.
Sipas ministres Kumbaro, Liceu Francez i Korçës synon të shërbejë si model referimi për zhvillimin e ardhshëm të arsimit publik shqiptar, duke ofruar mundësi të reja për nxënësit dhe duke forcuar dimensionin europian të arsimit në vend.