Ministrja Ibrahimaj takim konsultues me bankat për dy skemat e kreditimit të lehtësuar për blerjen e banesës në vitin 2027

Kredi me interes 0% deri në 6 milionë lekë dhe kredi me interes 3% deri në 20 milionë lekë janë dy skemat e kreditimit të lehtësuar për blerjen e banesës, që parashikohet të zbatohen gjatë vitit 2027.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj dhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilluan një takim konsultues me përfaqësues të bankave të nivelit të dytë, ku diskutuan kushtet e kreditimit, përcaktimin e normave të interesit dhe lehtësimin e procedurave për përfituesit.

Skema e parë parashikon dhënien e deri në 2000 kredive me vlerë deri në 6 milionë lekë, për të cilat qeveria do të mbulojë plotësisht interesin. Për këtë skemë, ministrja propozoi përcaktimin e një norme të përbashkët interesi, me synim përfshirjen e të gjitha bankave në zbatimin e programit.

Skema e dytë parashikon kredi deri në 200 mijë euro, ose rreth 20 milionë lekë, me një normë interesi prej 3% për përfituesit, ndërsa qeveria do të mbulojë diferencën me normën e interesit të përcaktuar në marrëveshje me bankat.

Për të dyja skemat, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit do t’i kërkojë Bankës së Shqipërisë ndryshimin e kuadrit rregullator për heqjen e detyrimit për parapagim.

Gjatë diskutimit u trajtuan edhe ndryshimet ligjore që synojnë lehtësimin e procedurave të kolateralit për banesat në proces ndërtimi, përmes regjistrimit në kadastër të certifikimit përkatës që në momentin e marrjes së lejes së ndërtimit, si dhe mundësia e bashkëpunimit me Bankën Shqiptare të Zhvillimit për ofrimin e një garancie që do të mbulonte diferencën ndërmjet vlerës së përcaktuar nga vlerësimi i banesës dhe çmimit të shitjes.

Ministrja Ibrahimaj ftoi përfaqësuesit e bankave të paraqesin propozimet e tyre për kushtet e kreditimit dhe modalitetet e zbatimit të dy skemave.