Rindërtimi Kavajë, blloku më i ri i banimit gati për 206 familje - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Rindërtimi Kavajë, blloku më i ri i banimit gati për 206 familje

Kantieret e Rindërtimit në Kavajën e dëmtuar rëndë nga tërmeti i 2 viteve më parë, ia kanë lënë vendin lagjeve moderne, ku blloqet e apartamenteve të përfunduara tashmë, shënojnë fillimin e një jete të re për familjet që humbën shtëpitë e tyre nga tërmeti.

Kompleksi më i ri i apartamenteve, i dyti në radhë është gati të mirëpresë 206 familjet që do të rikthehen për të gjetur si kurrë më parë, komoditetin, sigurinë dhe standardet bashkëkohore të ndërtimit, jo vetëm brenda shtëpive, por edhe në mjedisin përreth. Ndërkohë që 153 familje të tjera janë banorët e bllokut të parë të apartamenteve që hynë në shtëpi të re, në fundvitin e kaluar.

Kryeministri Edi Rama iu bashkua sot qytetarëve të Kavajës për të dorëzuar çelësat e banesave të reja. “Programi i Rindërtimit u ka shërbyer të gjithëve pa asnjë dallim, – u shpreh kryeministri – Sot, jo vetëm që këto banesa janë reale, por të gjitha këto shtëpi janë tuajat, janë pronë e juaja, janë me hipotekë dhe janë falas”, – iu drejtua ai banorëve.

Më pas, Kryeministri Rama vizitoi disa nga shtëpitë e reja. “Faleminderit shumë! Për ne është krenari. Më të mira se këto nuk kemi ku t’i gjejmë më.” – u shpreh një nga banorët. Kryeministri tha se ka ende shumë punë për të bërë në infrastrukturën e lagjeve ku ka vend të bollshëm për të krijuar terrene sportive, për të rinjtë, si dhe mjedise miqësore për fëmijët dhe të moshuarit.

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e inaugurimit të bllokut të dytë të apartamenteve për 206 familje në Kavajë:

Përshëndetje te gjithëve dhe mirë se ju gjetëm!

Është kënaqësi e jashtëzakonshme çdo vizitë në këto zona, lagje, vendbanime të reja të rindërtimit, pas kaq shumë pune të madhe të bërë, me jo pak vështirësi dhe dhënia e çelësave për gjithë këto familje, për gjyshër, gjyshe, prindër, fëmijë dhe për shumëkënd për ju që me të drejte ka qenë mosbesues, dyshues dhe mbase edhe tani që flasim mund të ketë ndonjë që akoma nuk e beson që kjo është realitet dhe nuk është një ëndërr. Askush nuk duhet të ketë merak se të gjithë ju që keni ardhur këtu, bravat i keni te sigurta, bravat janë të lira, bëni kujdes se mos vijnë ata të tjerët dhe t’jua bllokojnë prapë, se jeni nga Kavaja ju dhe ngatërroheni me ato dy gishtat, por për ne është e rëndësishme që përtej shakave, ky është një program, i cili i ka shërbyer te gjithëve pa asnjë dallim, pa parë majtas, pa parë djathtas, duke parë vetëm drejt, duke bashkuar forcat, dhe duke i bashkuar të gjithë në komunitete të reja.

Sot, faktikisht këtu krijohet një zonë e dytë e një lagje të re. Ka akoma punë për të bërë kryetari i bashkisë sepse tanimë pjesa tjetër, ajo me vjetërsira s’mund të rrijë ashtu. Aty mbrapa ka mundësi për të krijuar terrene sportive, për të rinjtë, fëmijët. Këtu ka mundësi për të krijuar një mjedis shumë më miqësor për fëmijët, në gjithë këtë territor këtu ka mundësi për të krijuar një mjedis shumë më afrues për të moshuarit, për gjyshërit që shoqërojnë fëmijët pasditeve, në mënyrë që jeta e këtij komuniteti të jetë një jetë komunitare dhe jo thjesht secili në banesën e vet. Pavarësisht gjithçkaje që ju ndan dhe ju dallon në ditën e votimit, dita e votimit është një. Ndërkohë janë 4 vjet nga një votim në tjetrin ku ne jetojmë së bashku, ku kemi sfida të përbashkëta, ku kemi halle të përbashkëta.

Tërmeti ra si një fatkeqësi e madhe dhe brenda pak sekondash ishin mijëra familje që humben shtëpinë. Ju keni qenë ndër ta fatkeqësisht dhe ju e mbani mend mire se çfarë ankthi, pasigurie dhe ndjenje humbjeje e madje çfarë pamundësie për të pasur shpresë në ato momente, kur u duk sikur gjithçka mori fund dhe kur gjithkush bënte pyetjen, “Si do mund të ngrihen prapë nga e para themelet e shtëpive tona të humbura?” e kur pakkush ose ndoshta askush mund ta besonte që jo vetëm që themelet do hapeshin nga e para dhe që shtëpitë do ndërtoheshin nga e para, por që të gjithë ata që humbën shtëpitë do të hynin në shtëpi më të mira, më të forta, më të bukura dhe në komunitete të tilla.

Unë i kam vizituar disa prej jush në banesat që ishin bërë të pabanueshme, kam qenë bashkë me kryetarin e bashkisë, bashkë me ministrin e Rindërtimit dhe i mbaj mend mirë fytyrat e atyre që na dolën përballë krejtësisht të tronditur dhe shpresëhumbur se do të mund të riktheheshin në një strehë që të ishte e tyre.

Ja pra sot, jo vetëm që këto banesa janë reale, jo vetëm që njerëzit atje nëpër ballkone që kanë filluar të hyjnë janë njerëz realë, por të gjitha këto shtëpi janë tuajat, janë pronë e juaja, janë me hipotekë dhe janë falas.

Ju nuk keni asnjë detyrim financiar për të shlyer sepse gjithçka është e paguar dhe e bërë gati që ju vetëm të keni mundësinë ta gëzoni me njerëzit e familjes suaj shtëpinë tuaj të re.

Vërej që sa herë ne ndodhemi në momente të tilla, që janë momentet më të bukura të një jete si kjo jeta ime kushtuar politikës në këtë periudhe të kohës, sepse janë momente kur njeriu ndjen që politika ja vlen dhe pa politikën nuk mund të bëhen shumë gjëra të mira që ndodhin, siç është dhe kjo gjë.

Në ndërkohë, ka plot zëra që thonë, “për çfarë shkoni ju atje? Këto nuk i keni bërë ju. Këto i kanë bërë të tjerë, këto i ka bërë bota, donatorët, i kanë bërë paratë që ju kanë dhënë juve dhe që ju i keni vjedhur”.

E vërteta është që të gjitha këto shtëpi që shikoni ju dhe të gjitha të tjerat që keni parë deri më sot, qofshin banesa individuale nëpër fshatra, qofshin pallate, qofshin lagje, me përjashtim të 500 apartamenteve në Laç, janë ndërtuar 100% nga buxheti i shtetit shqiptar! 

Është e vërtetë që ne kemi marrë një mbështetje të konsiderueshme në Konferencën e Donatorëve, por është po kaq e vërtetë që fondet e siguruara nga donatorët në radhë të parë nuk janë fonde që vijnë tek ne, por janë fonde që përdoren prej tyre dhe donatori më i madh në atë konferencë ka qenë Bashkimi Europian, i cili po vazhdon fazën e dytë të projektit të rindërtimit të shkollave. Ato janë paratë e BE ndërkohë që fazën e parë të projektit të rindërtimit të shkollave e kemi bërë ne me buxhetin e shtetit.

Ka edhe projekte të tjera të donatorëve që vazhdojnë, siç është ujësjellësi në Durrës, siç janë zonat e trashëgimisë kulturore e të tjera, siç është edhe projekti i apartamenteve në Spitallë për lagjen e re të Durrësit që financohet nga Princi i Kurorës së Emirateve të Bashkuara, por punën e deritanishme dhe gjithë çfarë keni parë deri tani përsa i përket banesave, siç thashë, e kemi bërë me financime të buxhetit të shtetit. Pse? Sepse donatorët në radhë të parë njëherë, nuk financojnë shtëpi, përjashto Presidentin e Republikës së Turqisë dhe Princin e Kurorës, dy miq të shtrenjtë që u gjendën në atë moment dhe e dhanë fjalën dhe po e mbajnë fjalën. Njëri e mbylli, tjetri po e vazhdon.

Asnjë fond tjetër nuk është dhënë për shtëpi. Të gjitha shtëpitë i ka patur detyrë dhe i ka realizuar dhe do i realizojë deri në fund qeveria shqiptare, që të jemi të qartë, por edhe sikur të mos jetë kështu, prapë nuk do ishte fare ky problem, i vetmi problem në këtë mes është se ne nuk mund t’i linin njerëzit jashtë në pritje të gjithë atyre procedurave, të gjithë asaj kohe që kërkojnë për arsye të mënyrës si i kanë rregullat e tyre partnerët e huaj. Prandaj ne kemi vënë paratë nga buxheti dhe prandaj ne i kemi futur njerëzit në kohë rekord dhe dua ta theksoj këtë, dua ta theksoj këtë.

Juve e keni të qartë, gjithkush e ka të qartë se një kontratë me një ndërtues privat, në pronën tënde, për të ndërtuar një pallat nga i cili ti si pronar do marrësh një pjesë nga A te ZH merr dy vjet, në rastin më të mirë, do të marrë dy vjet. Para dy vjetësh, ti kurrë nuk futesh në shtëpi, duke qenë pronar i tokës, duke pas kontratën e të gjitha sepse ka kohën e vet projekti.

Ndërkohë që përsa i përket rastit  kur ndërton shteti për të prekurit nga tërmeti për fat të mirë  të gjithë secili nga ju ka familjarë ose fqinj ose të njohur në Itali. Pyetini pak sa vjet kanë në Itali të prekurit nga tërmetet i para 10 viteve, 12 viteve, 15 viteve që rrinë nëpër rulote dhe presin që të kthehen në shtëpi.

Italia është shumë e madhe dhe shumë e fortë, ne nuk jemi aq të mëdhenj e as aq të fortë, por ne pikërisht se jemi pak dhe duke qenë pak, nuk mund të lëmë askënd që të presë as 10 vjet dhe as 15 vjet për t’u kthyer në shtëpi dhe prandaj këtë e kemi bërë në kohë rekord. Jam shumë krenar për këtë. Dhe mos harroni që në mes na hyri pandemia, na hyri bllokimi i kantiereve, projekteve, i punëve, mbyllja e zyrave, mbyllja nëpër shtëpia dhe përsëri në e vazhduam.

Sot jemi të përfshirë në një tjetër krizë, a thua se nuk na mjaftonin taksirati i një tërmeti dhe taksirati tjetër i pandemisë dhe tani vjen edhe taksirati i një krize të madhe që është kriza energjetike shoqëruar me një luftë që zhvillohet në Europë që askujt nuk ia priste mendja që Europa në 2022 do bëhej si në një skenë të ngjashme me ato te viteve 30’të. Ja ku jemi dhe sot me këtë ekonomi që është kaq e lidhur.

Preket dhe Shqipëria, që është në Europë, preket dhe Australia që është në fund të botës dhe çmimet vijnë këtu si pasojë megjithatë unë jam i bindur se edhe këtë do e kapërcejmë, do e kapërcejmë, duke qenë të bashkuar, të bashkuar për të vërtetën dhe duke qenë të bashkuar tek faktet, jo duke krijuar fakte alternative dhe duke luftuar me faktet reale.

Kjo është një krizë që as nuk e kemi shpikur vetë as nuk kemi zgjedhur ta kemi siç është edhe lufta që as kemi nisur ne dhe as nuk mund ta ndalojmë ne.

Ne do ta përballojmë siç përballuam tërmetin. Ja ku jemi sot. E gjithë kjo vuajte, e gjithë kjo pritje, i gjithë ky stres që ju keni kaluar, i gjithë ky stres që kaluat, sot merr fund dhe sot ju keni një shtëpi siç nuk do ta kishit kurrë nëse do të vazhdonit të qëndronit në ato shtëpitë e vjetra, që ishin të amortizuara dhe që u goditën lehtësisht. Kështu do të vijë dita edhe pas kësaj krize tjetër, do të jemi më të fortë, do jemi më mirë, por do duhet t’i përballojmë së bashku, të gjitha.

 Në do të vazhdojmë të mbështesim çdo familje për të mos lejuar që goditja më e madhe që sjell kriza, ajo në faturën e energjisë të godasë ekonominë e familjes tuaj.

Ne e kemi marrë këtë zotim kur në horizont nuk kishte luftë, ishte vetëm fillimi i një krize energjetike, që e kanë të gjithë, filloi dhe lufta dhe  kjo u bë edhe më problematike sepse ato dy vende që janë futur në atë luftë për hir të agresionit rus, janë dy vende që janë nga burimet kryesore të Europës dhe më gjerë për shumë lëndë të para, janë nga burimet kryesore për Europën për energjinë, naftën dhe gazin, për inputet bujqësore dhe kështu me radhë. E natyrisht këputja e atij zinxhiri sjell shumë probleme. Megjithatë edhe sot po ju them se edhe pse vështirësitë rriten çdo ditë për të mbajtur gjithçka në këmbë, ne do të vazhdojmë të paguajmë nga buxheti i shtetit diferencën e faturës së energjisë së çdo familjeje. Dhe kjo është shumë e rëndësishme dhe të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm për këtë, ta kuptojnë që nëse paguajnë sot energjinë njësoj siç e paguanin para krizës, nuk do të thotë se energjia kushton po aq, jo, kushton tre, katër, pesëfish sipas muajit,  dhe pesën tjetër e paguan  qeveria, përmes buxhetit të shtetit natyrisht në mënyrë që  të paktën në këtë anë, pensionistët të mos goditen, pensionistët nuk kanë vetura, invalidët nuk kanë fuoristrada.

Janë më shumë se gjysmë milioni njerëz që janë më në nevojë, të cilët nuk ndotin mjedisin, duke djegur naftë me katër rrota. Ka një pafundësi njerëzish që shkojnë në punë me autobus apo që lëvizin nga një qytet në tjetrin me autobus. Ata nuk mund të mbajnë barrën e rritjes së çmimit të biletës, as të faturës se energjisë në shtëpi dhe prandaj ne do të paguajmë qindarkë për qindarkë që ata të vazhdojnë të lëvizin me autobus dhe biletat e tyre të mos kushtojë më shumë. Do të kompensojmë ne.

Edhe fermerët që kanë nevojë për naftë ndërkohë që nafta është shtrenjtuar, por që naftën e duan për të prodhuar dhe nuk e duan për t’i dhënë gaz fuoristradave. Do të vazhdojmë t’i mbështesim ne, por ne nuk mundemi dot që në këtë luftë të përbashkët për të përballuar goditjen e krizës, të mos e ndajmë barrën si shoqëri.

Ata që kanë mundësi të lëvizin me vetura, me fuoristrada, kanë mundësi të mbajnë pak më shumë ngarkesë, pak më shumë, jo shumë më shumë, jo shumë më shumë sepse ndërkohë dhe për ata, po njësoj, fatura e energjisë në shtëpi vjen pa rritje e nëse do të hiqnim siç thonë, taksën e naftës, nuk do të mund të bënim asgjë nga këto.

Dhe kjo nuk do të ishte drejtë. Si mund t’i themi në pensionistëve do paguani ju, do paguani edhe ju, se u rrit fatura e energjisë, se ata që kanë vetura e kanë çmimin më të lartë. Ne nuk mund tua themi dot këtë. Ne e dimë që nuk është e këndshme, nuk është një lajm i mirë për ata që paguajnë më shumë për naftë, por do ta paguajnë sepse kështu ndahen përgjegjësitë dhe qeveria mban përgjegjësinë dhe mban edhe barrën më të madhe duke vendosur gjithë atë fond të pa ndodhur ndonjëherë. Për të mos lejuar që fatura e energjisë të rritet për të gjithë ju.

Kështu që t’i gëzoni këto shtëpi! Natyrisht që energjinë e keni pa çmim të rritur, por kjo nuk do të thotë që t’i lini dritat ndezur edhe natën, sepse secili duhet të bëjë përpjekje të kursejë, të gjithë së bashku nga pak sepse kështu i ka ardhur koha dhe kështu është kjo fazë, do ta kalojmë dhe këtë, kini shumë besim, siç kaluam këtë, që askush nuk e besonte.

 Ja ku jemi sot këtu, këto qindra apartamente nga të dyja anët, këtej dhe andej, flasin vetë. Njerëzit që do t’i gëzojnë janë këtu, një pjesë janë futur nëpër shtëpia.

Shëndet, në radhë të parë për të moshuarit, pa diskutim çdo të mirë për fëmijët dhe durim, punë dhe besim për ata që janë mosha midis të moshuarve dhe fëmijëve, ata janë edhe ata që mbajnë edhe barrën e punës dhe që u takon ta mbajnë, siç e kanë mbajtur prindërit e tyre kur ishin gjyshër dhe ata ishin fëmijë.

Faleminderit!
Previous Vendimi i Bordit të Transparencës datë 29.3.2022

Leave Your Comment