“Këshillimi Kombëtar për Shqipërinë”, urë e fortë komunikimi me të gjithë pa dallime e ndasi. - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

“Këshillimi Kombëtar për Shqipërinë”, urë e fortë komunikimi me të gjithë pa dallime e ndasi.

Cikli i bashkëbisedimeve me qytetarë mbi nismën e Këshillimit Kombëtar për Shqipërinë vijoi sot në Dibër, ku qytetarë të shumtë iu bashkuan një takimi të zhvilluar me Kryeministrin Edi Rama për të diskutuar, përmes pyetjeve dhe shpjegimeve, mbi këtë formë të re kuvëndimi popullor.

Pyetësori i shpërndarë në shtëpitë e shqiptarëve, si dhe i aksesueshëm online po merr vëmendjen dhe përgjigjen e qytetarëve në të gjithë vendin, mbi çështje me rëndësi strategjike për vendin, që nga ekonomia, drejtësia, mbrojtja sociale apo bashkëjetesa demokratike.

Kryeministri ftoi qytetarët të plotësojnë formularët e Këshillimit Kombëtar, i cili do të kthehet në formë tradicionale komunikimi me njerëzit mbi vendimmarrje të rëndësishme, duke nisur nga ky vit. “Këshillimin Kombëtar ne do ta kthejmë në një urë të fortë komunikimi me të gjithë, pa dallim, – theksoi kryeministri Rama, – se ne qeverisim për të gjithë dhe duam gjithmonë e më shumë që të gjithë ta shikojnë qeverisjen e Shqipërisë si qeverisjen e tyre, jo si qeverisjen e një pale kundër një pale tjetër apo të një pale të kthyer me kurriz nga pala tjetër.”

Mirëdita të gjithëve!

Në fakt, ky takim nuk ishte parashikuar për kaq shumë njerëz dhe falenderoj të gjithë ata që janë këtu. Është një takim që e kemi organizuar në vazhdën e takimeve që kemi nisur të bëjmë për Këshillimin Kombëtar, por natyrisht mbase duhet ta kishim marrë parasysh edhe fakti që në ndërkohë këtu në Dibër kemi edhe një fushatë zgjedhore, kemi një zgjedhje në 6 mars, gjë për të cilën kemi lënë dhe një takim më pas, kështu që po përqendrohem tek arsyeja pse jemi mbledhur këtu që është Këshillimi Kombëtar, duke thënë që në fillim se na vjen jashtëzakonisht mirë që deri tani kemi pasur një reagim të konsiderueshëm nga qytetarët. Besoj që edhe ju si të gjithë e keni marrë pyetësorin e Këshillimit Kombëtar në shtëpitë tuaja. Është një pyetësor që mund të plotësohet edhe përmes telefonit, përmes kompjuterit, në platformën e posaçme të Këshillimit Kombëtar online, ashtu sikundër pyetësori i dërguar nëpër shtëpi, është një pyetësor që plotësohet fizikisht dhe ne kemi menduar që është kryesisht në dispozicion të më të moshuarve që nuk janë përdorues të shpeshtë po themi të teknologjisë.

Këshillimi Kombëtare është një përpjekje e re në vazhdën e rrugës sonë për të ndërvepruar sa më shumë me qytetarët dhe një hap më tutje në përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrjet e rëndësishme të qeverisë. Kam vënë re që shumëkush e komenton këtë nismë të re tonën si të vonuar, sepse sipas tyre duhej bërë që në fillim të mandatit të parë por në fakt, unë besoj që fakti që ne e ndërmarrim këtë nismë sot, në fillim të mandatit të tretë, është shumë domethënës për një të vërtetë të thjeshtë që ne duam të përmirësohemi çdo ditë dhe përpiqemi çdo ditë që të bëjmë më shumë e të bëjmë më mirë. Ashtu sikundër është një fakt kuptimplotë që tregon se nuk jemi të shkëputur absolutisht nga realiteti dhe gjithmonë e më shumë ndjejmë nevojën që të dëgjojmë njerëzit, që të konsultohemi me njerëzit, që ti bëjmë njerëzit të ndihen sa më të respektuar dhe njëkohësisht të dobishëm në procesin vendimmarrës.

Këshillimi kombëtar ka një sërë pyetjesh, të cilat lidhen me dilema të vendimmarrjeve të rëndësishme që ne jemi përpara. Janë pyetje që ne ia kemi shtruar qytetarëve, ia kemi shtrua të gjithëve ju, për të kuptuar se nga anon shumica në opinionet e ndryshme që lidhen me këto çështje. Dua ta përsëris që këtu bëhet fjalë për vendime të cilat janë vendime të qeverisë, për vendime që ne nuk na mungojnë numrat, nuk na mungojnë kartonët për t’i marrë por janë vendime për të cilat ne ende kemi dilemat tona.

Ka të tjerë që thonë që këshillimi Kombëtar është një nismë propagandistike sepse opinioni i qytetarëve nuk i intereson qeverisë. Por për çfarë arsye do duhet ne ta ndërmerrnim këtë nismë e të harxhonim kaq shumë kohë por edhe jo pak energji e të përfshinim gjithë dynjanë në këtë nismë në rast se nuk do donim të dëgjonim opinionin e qytetarëve? E për çfarë arsye do futeshim ne në një marrëdhënie të gabuar dhe do futeshim në gojën e shumicës, nëse ne do bënim të kundërtën e asaj që do të na thotë shumica? Të gjitha këto janë në fakt dyshime të mirëkuptueshme por që nuk kanë asnjë bazë. Ne e duam opinionin e qytetarëve, ne duam t’i dëgjojmë të gjithë, ne duam t’i përfshijmë të gjithë në vendimmarrje dhe duam që vendimmarrjet tona të jenë sa më shumë të mbështetura tek fyema e tek bindja e shumicës së qytetarëve.

E fundit, ka njerëz që thonë që këto çështje që ne kemi shtruar, nuk janë të rëndësishme, ka të tjera më të rëndësishme. Natyrisht, mbase ka të tjera më të rëndësishme por këto çështje janë të rëndësishme sepse unë besoj që është e rëndësishme çështja e kursimeve të emigrantëve. Të gjithë ne, në mos brenda në familje, përreth nesh kemi miq, kemi shokë, kemi të afërm që janë emigrantë ose që kanë lidhje me të tjerë në emigracion dhe e ne e dimë shumë mirë historinë e emigracionit në Shqipëri, ne e dimë shumë mirë historinë e emigrantëve shqiptarë, ne i dimë shumë mirë përpjekjet e jashtëzakonshëm të tyre për të fituar duke punuar dhe për të kursyer, për të ndihmuar familjet dhe ka pa diskutim shumë kursime të emigrantëve të bëra në vite, të cilat nuk janë kursime të fomralizuara, të cilat janë kursime nga puna në të zezë. Të cilat janë kursime nga lloj-lloj punësh shumë të vështira e të cilat nuk mund të depozitohen nëpër banka, as në vendet ku emigrantët janë e as këtu, për arsye se procedurat janë të tilla që kërkojnë justifikime nëpërmjet dokumenteve e të vënë përpara vështirësish të jashtëzakonshme, për të justifikuar burimin e atyre të ardhura. E këtu flasim për burim nga puna, nuk flasim për burim nga aktivitetet kriminale, sepse aktivitetet kriminale sepse aktivitetet kriminale, kjo vendimmarrje i përjashton. Por nga ana tjetër, sigurisht që për deri sa në shumë vite, edhe qeveri të mëparshme e kanë tentuar këtë vendim e nuk e kanë marrë, do të thotë që nuk është një vendim i lehtë. E pra, atëherë, për këtë arsye, ne kemi vendosur të pyesim njerëzit. A duhet ne ti japim mundësi emigrantëve të legalizojnë paratë e fituara nga puna dhe të kenë mundësi që këto para ti depozitojnë në banka e pastaj përmes kësaj rruge ti investojnë në mënyrë të pastër në Shqipëri? Që do të thotë, në mënyrë të dokumentuar, për të mos pasur asnjëherë probleme? Apo nuk duhet?

Ky është një vendim jo i lehtë për ta marrë dhe ne do ta marrim bazuar në atë që do të na thonë qytetarët, prandaj unë i lutem të gjithëve që ta plotësojnë pyetësorin. Nuk është asgjë e vështirë, nuk është asnjë humbje kohe e madhe e mbi të gjitha, kjo në fund të fundit është një punë beso dhe kontrollo. Sa qeveria është serioze për këtë, sa qeveria do ti marrë parasysh vendimet e qytetarëve, sa qeveria do ti kthejë këto mendime në vendime të rëndësishme për ekonominë, për familjen, për drejtësinë, për politikën e jashtme, kjo i duhet lënë qeverisë ta provojë por ama secili dhe secila duhet të bëjë pjesën e vetë. Ta plotësojnë atë pyetësor dhe ta kthejnë mbrapsht me postë pa asnjë shpenzim ose të hyjë në platformën keshillimikombetar.al dhe të plotësojë pyetësorin.

Nuk dua të zgjatem më tutje me të gjithë temat por dua të pyes këtu, së pari a e keni marrë pyetësorin? A ju ka mbërritur nëpër shtëpia? E pastaj, nëse dikush ka diçka për të shprehur lidhur me këtë, nëse dikush ka një gjë për të thënë, një pyetje për të bërë ,një shqetësim për të ngritur lidhur me pyetësorin?

–Përshëndetje. Unë kam një pyetje. Nëse ashpërsohen masa për evazionin fiskal për biznesin e madh, ku do të shkojnë këto të ardhura që do gjenerohen dhe sa garanci, çfarë garancie marrim ne që këto të ardhura do përdoren në mënyrë efikase? Faleminderit!

Kryeministri Rama: Një nga vendimet që ne diskutojmë për të marrë e që përsëri është nëj vendim të cilin do ta marrim pasi të kemi marrë dhe opinionin e qytetarëve, është vendimi lidhur me ashpërsimin më tutje ose jo, të masave për evazionin, domethënë për shmangien e taksave të kompanive të mëdha, që janë edhe përfitueset por edhe kontribuueset më të rëndësishme në buxhetin e shtetit. Është një vendim jo i lehtë për tu marrë për faktin se kërkon jo vetëm një vullnet të fortë politik që nuk na mungon por kërkon edhe një qasje komplet tjetër për të goditur evazionin apo shmangien e taksave të më të mëdhenjve.

Natyrisht që këtu pyetja e parë nuk është se ku do shkojnë paratë që do merren nga evazioni sepse normalisht ato para do të shkojnë aty ku shkojnë të gjitha paratë që merren nga taksat, pra do të shkojnë në buxhetin e shteti dhe do të përdoren për të gjitha qëllimet që funksionon buxheti i shtetit. Pyetja e parë që vjen është sado të arrijmë përmes kësaj mase që të rrisim kontributet e më të mëdhenjve në ekonomi duke rritur edhe ndërgjegjësimin e tyre se në të kundërt ndëshkimi për shmangie taksash është realisht shumë problem. është realisht shumë i rëndë. Është realisht shumë më i madh se sa ajo çka ti mund të lësh mënjanë duke mos e çuar në buxhetin e shtetit por duke e mbajtur për vete. Pastaj pjesa tjetër natyrisht lidhet me investimin e këtyre të ardhurave që njësoj si të ardhurat e tjera do investohen për të gjitha ato drejtime që ne jemi të angazhuar dhe që normalisht angazhojnë buxhetin e shtetit.

– Përshëndetje! pyetja ime lidhet me informalitetin në marrëdhëniet punëdhënës – punëmarrës. Më konkretisht pyetja ime është pse duhet dhe pse po ndërhyn shteti për punonjësit e pushuar nga puna nga punëdhënësit të cilët u japin atyre paga fiktive ndërkohë kur ka gjykata kompetente të cilat mund ta detyrojnë punëdhënësit të dëmshpërblejë punëmarrësin për dëmin që i shkakton punëmarrësit të tij?

Kryeministri Rama: Këtu çështja e parë nuk është për ata që janë të pushuar nga puna. Këtu çështja e parë është për ata që nuk flasin, pra për ata që janë në punë, kanë një pagë të caktuar në letër dhe në ndërkohë punëdhënësi ju jep më pak në dorë, që do të thotë, kemi ndeshur raste kur punonjësit detyrohen të kthejnë tek punëdhënësi një përqindje të caktuar të pagës e nuk flasin për këtë. pse nuk flasin? Sepse kanë frikë. Kanë frikë që po folën, e para nuk do bëhet gjë dhe e dyta, punëdhënësi do t’i heqi nga puna.

Ajo që ne kemi shtruar në pyetësor është angazhimi i qeverisë në krah të këtyre punonjësve, jo thjesht për të drejtën e tyre, se edhe sot qeveria dhe shteti angazhohen në krah të tyre për të drejtën e tyre por për një masë të re që do të thotë që në rast se një punonjës e bën detyrën e vetë, e denoncon punëdhënësin dhe punëdhënësi merr ndëshkimin e caktuar nga ligji për shkelje të kontratës së punës, pak më pas, e largon atë punonjës nga puna dhe pyetja është, a duhet që shteti këtij punonjësi ose të gjithë punonjësve tu thotë që ju mos e pranoni në asnjë mënyrë abuzimin me pagën tuaj sepse është njëkohësisht abuzim me pensionin tuaj, është njëkohësisht abuzim me sigurimet tuaja shoqërore por ngrini zërin dhe në rast se do të ndodhë që ju për shkak se ngritët zërin do të jeni të cënuar në vendin e punës, do të keni një mbështetje jo vetëm ligjore por dhe financiare nga shteti, gjë që ne nuk e kemi detajuar në pyetësor sepse pastaj kjo është e gjitha për tu detajuar se si do të jepet mbështetja financiare për sa kohë, një vit, dy vite apo tre vite e si do të lidhet mbështetja financiare me garantimin e një pune tjetër, minimalisht të barabartë në pagë me punën që kishte punëmarrësi më parë, që do të thotë që kjo do ti inkurajonte mendojmë ne punëmarrësit dhe do ti fuste punëdhënësit në një situatë më të vështirë për të bërë abuzime. Por pse e ngremë ne këtë pyetje me qytetarët? Sepse normalisht edhe për këtë, edhe për pyetjen tjetër për nënat me 3 fëmijë, edhe për ndonjë pyetje tjetër akoma, përgjigja duket nganjëherë shumë e drejtpërdrejtë që po, shumë mirë, bëjeni. Por nuk është kështu. Edhe nga anketimet që kemi bërë, edhe nga komentet që kemi ndjekur ka dhe qytetarë që thonë jo, nuk duhen bërë këto diferencime se në fund të fundit..këtyre punonjësve, këto para do ja japësh nga taksat e mia, ose këtyre nënave me tre fëmijë e më shumë, këto para plus do t’ja japësh nga taksat e mia dhe tendenca e kësaj pjese të opinionit është që të thotë që nuk duhen bërë diferencime, nuk ka arsye. Ose le të zbatohet ligji siç është dhe po u zbatua ligji siç është, prap mirë është. Ndërkohë që patjetër, por ja që ne kemi shumë pak për të mos thënë fare raste denoncimesh. Patëm një rast, nuk e di a e ndoqët, që ishte shumë kuptimplotë dhe shumë domethënës me një fasoneri në Korçë ku u ngritën një numër i konsiderueshëm grash për kontratën e punës dhe funksionoi! Funksionoi! Sepse menjëherë ministrja e Financave shkoi në Korçë, uli bashkë të dyja palët, bëri vetë gjithë verifikimet dhe sot ato gra e kanë fituar të drejtën e tyre. Mirëpo këtë nuk e bëjnë të gjithë. Është një rast shumë i veçantë. Nëse do e bënin do ishte një mrekulli. Ama, duke dhënë këto iniciativa ne besojmë që mund të funksionojmë më mirë. Prandaj e kemi shtruar si pyetje.

– Përshëndetje zoti kryeministër, kisha një pyetje lidhur me sistemin e drejtësisë. A nuk mendoni ju që nëqoftëse largimi i drejtpërdrejtë i sistemit të drejtësisë për të gjithë ato gjyqtarë dhe prokurorë, të cilët nuk i janë nënshtruar procesit të vettingut mund të sjellë vendim të nxituar dhe arbitrar?

Kryeministri Edi Rama: Këtu, ajo që ne shtrojmë është çështja që, edhe në qoftë se askush këtu s’ka pas probleme të drejtpërdrejta me sistemin, por me siguri nëpërmjet mediave ka ndjekur raste flagrante dhënie vendimesh që kanë arritur deri ta trondisin opinionin publik. Vendime gjyqtarësh që vendosin të lirojnë përshembull një vrasës serial, i cili pasi ka qenë i dënuar me burgim të përjetshëm apo pasi ka qenë i dënuar me 25 vjet, pak nga pak i ulet dënimi derisa del jashtë fare. Dhe ajo që ka rezultuar është që këta gjykatës, dhe këtu fola për rastin flagrant, se ka raste të tjera po kaq flagrante në dëm të qytetarëve që nuk dalin në televizor. Raste të grabitjes së pronave sy për sy, përshembull. Këta gjyqtarë janë gjyqtarë që nuk e kanë kaluar vettingun dhe që janë në radhë për ta kaluar dhe që e dinë që nuk e kalojnë dot sepse janë të zhytur komplet deri në grykë. Normalisht, sot ligji është që nëse konstatohet një shkelje flagrante atëherë për këta fillon një hetim dhe në përfundim të hetimit që bëhet nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë së bashku me Këshillin e lartë të Gjyqësorit, ata, po që se hetimi rezulton që ata e kanë shkelur, ata përjashtohen nga sistemi.

Ndërkohë, për sa kohë vazhdojnë hetimet, ata vazhdojnë punojnë dhe këtu pyetja që shtrohet është a duhen pezulluar automatikisht, pra jo të hiqen fare pa hetim, por t’u ndalohet e drejta e ushtrimit të detyrës, deri kur të përfundojë hetimi dhe këtë ndalim të drejte ta bëjnë po këto institucione që e bëjnë sot hetimin dhe ndalimin e të drejtës që janë ato që thashë. Kjo është pyetja dhe kjo çështje është diskutuar edhe kur është bërë reforma në drejtësi. Ka pas pro, ka pas kundër, por në fund ka mbetur që nuk pezullohen nga detyra deri kur del përfundimi i hetimit. Mirëpo, nga çfarë po na shohin sytë dhe po na dëgjojnë veshët nga këta që janë të mallkuar realisht, këta nuk ndalen. Nuk ndalen! Dhe për këtë arsye ne jemi në këtë dilemë, ta marrim vendimin që këta të ndalen. Do thoni ju, po pse nuk e merrni vetë?!

Ky është një nga ato vendime që ne na intereson mbështetja e qytetarëve edhe si një provë që vendimi buron nga nevoja e madhe për drejtësi e publikut. Mos harroni që një pjesë e këtyre vendimeve janë vendime që i përballim edhe me komunitetin ndërkombëtar. I përballim edhe me partnerët që shpeshherë vijnë edhe flasin, jo gabim, por sidoqoftë flasin pa e marrë parasysh që ne jetojmë këtu dhe do jetojmë këtu. Ata vijnë dhe ikin dhe vijnë të tjerë mbas tyre. Kurse ne i vuajmë në mënyrë të drejtpërdrejtë konsekuencat e gjërave që ndodhin këtu apo i përfitojmë në mënyrë të drejtpërdrejtë ato që burojnë nga vendime që mund të duken si të vështira ose mund të duken me rrisqe, siç është vendimi i amnistisë për kursimet e emigrantëve apo siç është vendimi për legalizimin e kanabisit mjekësor.

Ne e kemi pas këtë temë të shtruar në tryezë qysh në krye të herës. Në tryezën e opinionit publik dhe kemi menduar dhe unë e kam thënë gjithmonë që nuk është koha. Mirëpo sot mbase ka ardhur koha që ne ta shqyrtojmë seriozisht mundësinë e marrjes së këtij vendimi sepse edhe vendet e tjera po e bëjnë dhe legalizimi i kanabisit mjekësor, pra jo për përdorim nga të gjithë, por përdorim si lëndë bazë për farmaceutikën po tregon që ka të ardhura të rëndësishme në ekonomi nga eksperienca e vendeve të tjera. Krijon punësim, krijon nji zë të ri në eksport dhe patjetër krijon më shumë të ardhura. Por sigurisht duke pasur parasysh historikun, duke pasur parasysh edhe shumë çka tjetër që ju dhe unë e dimë, ne duhet të mendohemi dy herë para se ta marrim atë vendim dhe për këtë arsye e kemi ndarë këtë me të gjithë qytetarët. Në të njëjtën kohë, ju duhet ta dini që kur vjen pun ate partnerët ata janë skeptikë për këtë se përsëri, jo se e kanë gabim arsyetimin siç nuk është gabim fare arsyetimi i kundërt, por ata nuk jetojnë këtu. Ata jetojnë këtu, por ata nuk janë të lidhur as me buxhetin e shtetit tonë, as me punësimin në shtetin tonë, as me pensionin që do marrin nesëe në shtetin tonë njerëzit dhe për ta është më kollaj sa ‘i hymë një dhimbje koke më mirë mos e bëni fare. Kjo është pak a shumë përgjigjia.

-Duke parë se kemi një ndëshkim të biznesit, mos ndoshta duhet të intensifikojmë masat nga organet përkatëse për të ulur evazionin fiskal.

Kryeministri Edi Rama: Ja e shikon, është kjo fiks kjo arsyeja se ne e bëjmë këtë këshillim sepse ndërkohë që në pamje të parë mund të duket sikur askush nuk është kundër tyre, në fakt e vërteta është që ka një pjesë që jo se janë kundërt në kuptimin që ju duket keq, por nuk janë dakord sepse mendojnë që ligjet janë të mjaftueshme, mjafton që të zbatohen siç janë dhe nuk ka nevojë për më shumë se duke shtuar më shumë masa ndëshkuese, mund të kenë efekte negative anësore.

Prandaj Këshillimi është rruga e duhur, në mënyrë që të krijojmë një vendimmarrje të bazuar me një rrahje mendimesh, e cila është rrahje mendimesh pa parti. Është pa parti se besoj e keni vënë re, zarfin Këshillimit Kombëtar e kemi çuar pa emër. Ka shkuar zarfi në çdo shtëpi pa emër. Brenda nuk ka emër dhe nuk kuptohet gjallë në botë se kush e ka plotësuar, një socialist apo demokrat, një i moshuar apo një i ri. Nuk ka gjëra të tilla. Është nje pyetësor ku secili vë mendimet e veta dhe askush nuk e di dhe nuk e gjen dot se ti ke marrë pjesë dhe ke dhënë mendim, ama mendimin e ke dërguar. Është një pyetësor, është nje proces, është një urë komunikimi mes qeverisë me shqiptarët, si shqiptarë, si qytetarë, si njerëz të ketij vendi, si familjarë, si prindër, si nëna dhe jo me socialistët apo demokratët. Është një urë për të bashkuar ,jo për të ndarë sepse na iku jeta në këtë vend duke u ndarë dhe saherë që bën ndonjëri ndonjë përpjekje për bashkim, krijohet një ndarje e re.

Ju po e shikoni se cfarë po bëhet. Arriti u nda dhe vetë Partia Demokratike, imagjino. Gjithashtu dhe të gjitha ndarjet në këtë vend. Edhe ndarja e madhe socialistë dhe demokratë, që nuk është ndarje anormale në kuptimin politik të fjalës, se të gjitha vendet demokratike i kanë këto ndarje, por që është ndarje anormale në kuptimin njerëzor të fjalës sepse shkon në urrejtje, janë ndarje të provokuara nga një grusht njerëzish, janë ndarje të provokuara për qëllime dhe qëllime personale. Sic është edhe ndarja që shikoni në anën tjetër, një ndarje për qëllime vetëm personale. Nuk ka aty fare as Shqipëri, as dinjitet, as sovranitet, as e ardhme e asgjë. Ato janë te gjitha përralla, jan tym për te fshehur të vërtetën.

E verteta është që janë dy njerëz në hall, njëri që ka marrë atë që ka kërkuar me insistim prej 30vjetësh e ka marrë mbrapsht sic e ka merituar, 30 vjet e ka kërkuar atë duke i rënë në qafë gjithë miletit e duke mos lënë llaf e poshtërsi pa bërë për të tjerët e tjetri është ai që është, që e dini vetë që nuk ka lidhje, që është aty pa lidhje. I ka ngelur në dorë ajo punë dhe tani qe duhet ta mbajë me dorë, nuk e mban dot.

Kjo është politika e ndarjes në Shqipëri.

Këshillimi Kombëtar është politikë bashkimi. Bashkimi jo për të bërë nje parti të vetme, as për t’iu thënë gjithë demokratëve që “Tani që ju zuri ky hall i madh dhe ju zuri nata jashtë, si te ai filmi, hajde votoni Partinë Socialiste”. Jo fare. Por për t’iu thënë që në ndërkohë që votimi është çështje personale dhe secili voton ca do, bujrum të punojmë për Shqipërinë.

Bujrum të punojmë për gjërat që kanë kuptim. Nuk mund te angazhohet një milet i tërë për brava apo vare. Se keni dhe zgjedhje këtu. Zgjedhje me një kandidat që ka dalë nga vrina e bravës, një kandidat që ka ardhur si bishti i varresë këtu dhe ju thoni “Zgjidhni”. Çfarë të zgjidhni? Produkte bravash dhe varesh?

Unë nuk i njoh fare dhe nuk kam asnjë problem personal, as më intereson fare. Madje nuk dua fare t’i bëj të ndjehen keq si persona, por politikisht janë një i dalë nga brava e një bisht vareje.

Dibra duhet të votojë për të zgjidhur hallin se a vlen më shumë brava apo duhet më shumë vareja!

Kjo është dicka që nuk ka lidhje me Dibrën dhe me problemet e qytetarëve dhe të familjeve, edhe të demokratëve. Me Dibrën dhe problemet e tyre ka lidhje lidhja e rrugës që mos vish deri në Klos për 30 minuta e pastaj të të duhet 1 orë e pak që të vish deri këtu. Do jetë edhe më e shkurtër pjesa tjetër për shkak të tunelit. Kjo është cështja për Dibrën.

Kush do ta bëjë këtë? Me vare do ta zgjidhni atë lidhjen? Apo do i vini bravën tunelit? Se dy ka. O do kapni varenë… Ka tre në fakt, por e treta është e vërteta. Unë po them për këta të dy njëherë. O do kapni bravën e t’ia vini tunelit atje e të thoni “Ishim mirë kur nuk kishim tunel” ose do merrni varre e të hapni rrugen, një nga të dyja. Ndërkohë që, e treta e vërteta është që vazhdojmë punen ne, mendoj unë, pastaj dibranët si ta kenë, por kur unë them vazhdojmë punën që tani që, besoj edhe disa muaj vjen vera edhe tuneli është i hapur, dhe edhe këta që rrinë tek hoteli i Astritit, që janë paria e Dibrës dhe trashëgimtarët e Skëndërbeut, të lidhen direkt nga Hoteli i Astritit në Tironë jo të shkojmë deri në Klos me marshin e parë dhe pastaj i fusim të pestin. Kështu mendoj unë.

Prandaj ajo vota në 6 mars, është votë për këtë punë se unë i di dibranët. I di se u bë kohë e gjatë që i di, për shkak të detyrës, kuptohet.

Kur kam ardhur herën e parë në Dibër për një mbledhje këtu, ma besoni, nuk mora vesh asgjë se çfarë thonin. Te gjithë më shihnin, qeshnin dhe thonin disa gjëra që dukeshin në rregull, por dukeshin dhe jo në rregull.

Me një fjalë, u bëra top loje atje. Hudh e prit mua, dy metra top aty. Edhe i mësova.

Tani gjithë ky tangërrlliku madh me shku për një bravë e me i humb për një bisht vareje, turp i madh, mendoj unë. Ose të rrinë në shtëpi fare. Nuk ka problem, ia bëjmë ne rrugën. Siç ia bëmë një pjesë, apo jo? Se për të premtuar, e premtuan ata. Për të bë, e bëmë ne. Të rrinë në shtëpi, por të mos e ulin veten kaq shumë se nuk shkon.

Edhe te hoteli i Astritit, me ato sheqerparet historike dhe me bravën dhe varenë demokratike. Nuk shkon, nuk shkon. Është turp. Është skandal. Është për të qeshur se nuk qan dot.

Nuk e di nëse ka ardhur ndonjë demokrat fshehurazi këtu, por edhe nëse nuk ka ardhur, nëpër shtëpi i keni komshinj, merreni e thojini “Nuk shkon. Nuk shkon, është turp. Nuk shkon për Dibrën, nuk shkon për traditën, nuk shkon per tangërllikun”. Nuk shkon për të gjitha ato që dibranët shquhen. Kur të thonë “Dibranët të japin ujë në bisht të lugës” kanë të drejtë, por ujë në bisht të varesë nuk ka. As ujë në vrimë të bravës nuk ka.

Kështu që edhe për të mirën e asaj force, e atij kampi tani se forcë nuk është më, por dhe për të mirën e atij kampi, kush e do atë punë, të rrijë deri sa të ikin të dy. Duhet të ikin të dy ata, jo njëri, të dy duhet të ikin. Duhet të hapet brava dhe duhet futur vareja në magazinë. Nejse, kjo për pak humor se qeshim se nuk qajmë dot për atë hall, nuk na takon ne të qajmë.

Po e mbyll me atë që e nisa dhe vazhdova me Këshillimin Kombëtar, unë do t’i lutesha atyre që nuk e kanë plotësuar pyetësorin ta plotësojnë. Beso dhe kontrollo është kjo punë. Edhe atyre që nuk kanë besim fare që do dëgjohen, ta plotësojnë, çfarë i kushton? Sa kohë më shkruajnë mua në facebook 7 komente që kjo punë është kot, të plotësojnë pyetjet e pastaj të shohin vetë a do merren seriozisht apo jo, e po nuk u morën seriozisht, ta mbajnë vath në vesh e të mos na e falin. Ne do ta bëjmë këtë edhe vitin tjetër. Këshillimin Kombëtar ne do ta kthejmë në një urë të fortë komunikimi me të gjithë, pa dallim, se ne qeverisim për të gjithë dhe duam gjithmonë e më shumë që të gjithë ta shikojnë qeverisjen e Shqipërisë si qeverisjen e tyre jo si qeverisjen e një pale kundër një pale tjetër apo të një pale të kthyer me kurriz nga pala tjetër.

Këto kisha unë dhe meqë ju e keni pikë të dobët atë punën e rrugës së Arbrit, desha t’ju them që kijeni parasysh, vërtetë pritët gjatë, shumë gjatë, por tani ajo është bërë realitet. Mua mos më kërkoni llogari edhe për ata që ju kanë shaluar në rrena para meje e që ju kanë lënë të prisni me dekada. Nëse ka pasur vonesë edhe nga ana jonë, po ju them që vonesat nga ana jonë janë vonesa që nuk i kemi ne në dorë. Nuk e kemi ne në dorë që del gjeologjia e tunelit të Murrizit ndryshe nga çfarë është parashikuar, këto janë gjëra që ndodhin në të gjithë botën. Por pse u ktheva këtu? sepse rrugën e Arbrit tani që e kemi aty, duhet ta sjellim këtu e këtu do ta sjellim ne, se nuk ka kush e sjell tjetër po nuk e sollëm ne, se jua kam thënë, ne më të mirët nuk jemi, ndodh që edhe ne jemi për tu kapur me shpulla ndonjëherë, por më të mirë se ne nuk ka jo, kështu që të sjellim rrugën e Arbrit këtu tani, ky është objektivi. Se është e vërtetë tani, ne Klosin e duam shumë por që Klosi të parakalojë Peshkopinë është e rëndë apo jo? Kështu që do ta përballojmë edhe disa kohë edhe megjithatë si është puna e të drejtës së zotit, se deri dje, për shumë vite, Peshkopia pavarësisht se ishte pika fundore e rrugës, por prap vije në destinacion, kurse Klosi si xhep fallco. E keni parasysh çfarë është xhepi fallco. Ja si ky i imi, që nuk fut dot dorën, është fallco, nuk ka gjë këtu. tani Klosi është bërë destinacion. Ju jeni bërë si me thënë po shkoj në Klos të marr avionin. Kështu që kjo është vetëm për disa kohë. Ne e kemi filluar projekt idenë, do punojmë për projektin dhe nuk do i ndahemi deri sa ta sjellim këtu avionin. Faleminderit!

Previous Njoftim për aplikimet në Skemën Kombëtare

Leave Your Comment