“Rrugët Rajonale dhe Globale për Paqe dhe Prosperitet”,  në Forumin e Diplomacisë në Antalia, Turqi. - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

“Rrugët Rajonale dhe Globale për Paqe dhe Prosperitet”,  në Forumin e Diplomacisë në Antalia, Turqi.

Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në Forumin e Diplomacisë në Antalia, Turqi, një takim i nivelit të lartë ku shkëmbehen ide dhe pikëpamje mbi diplomacinë, politikën dhe biznesin nga politikëbërësit, diplomatët dhe akademikët dhe ku përfshihen një sërë panelesh, tryeza të rrumbullakëta dhe diskutime dypalëshe.

Kryeministri Rama ishte pjesë e panelit “Rrugët Rajonale dhe Globale për Paqe dhe Prosperitet”, drejtuar nga gazetarja Maria Ramos, ku një vend të rëndësishëm zuri diskutimi mbi efektin e konfliktit Rusi-Ukrainë në vendet europiane, e në mënyrë të veçantë, në Ballkanin Perëndimor, rëndësia e ruatjes së paqes dhe sigurisë në këtë rajon, ndikimi i situatës aktuale në ecurinë e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, etj. Kryeministri Rama iu përgjigj disa pyetjeve mbi çështjet e mësipërme.

Maria Ramos: Tema sot është rrugët drejt paqes dhe begatisë, jo vetëm në rajon, por edhe në botë dhe tashmë ndërkohë që ne shikojmë, dëgjojmë për dhimbjen në të cilën gjendet bota jonë, ndoshta të gjithë po pyesin, cilat janë këto rrugë drejt paqes dhe begatisë dhe a janë ato të mundshme? Ka kaq shumë pyetje, kaq shumë gjëra për të menduar, duke parë konfliktin në Ukrainë, por edhe konflikte në zona të tjera të botës, le të mos e harrojmë këtë gjë. Pra, shumë gjëra për të diskutuar ndaj le të fillojmë menjëherë pa humbur kohë.

Kryeministër Edi Rama, sa i shqetësuar jeni për këtë efekt domino në vende europiane dhe në vendet fqinje të konfliktit që po shohim tashmë në Ukrainë?

Kryeministri Edi Rama: Nuk ka asnjë dyshim që ajo çfarë ka ndodhur me pushtimin e Ukrainës nuk ka të bëjë vetëm me Ukrainën. Qëndresa e ukrainasve është më shumë se sa qëndresë për vendin e tyre, por është qëndresë për ato vlera dhe mënyrë jetese që është edhe e jona.

Sigurisht, Ballkani Perëndimor ku jetojmë është një pjesë e prekshme e të gjithë organizmit të Europës sepse është një kombinim midis vendesh të NATO-s, vendesh jo anëtare të NATO-s, por jo vetëm kaq, midis vendesh me histori të ndryshme, lidhur me aleancat e tyre.

Sigurisht është shqetësuese dhe unë sapo dola nga një takim me Presidentin Erdogan ku diskutuam saktësisht lidhur me nevojën për të ruajtur paqe në Ballkanin Perëndimor. Nevojën për të punuar ngushtë midis nesh në Ballkanin Perëndimor dhe nevojën për të bërë gjithçka mundemi për të mos lejuar që çfarëdolloj ndikimi apo çfarëdolloj ideje që mund të prekë përmes çdo lloj veprimi Ballkanin Perëndimor të mos gjejë hapësirë.

Unë besoj se ajo çfarë kemi nisur tashmë si proces hapjeje të Ballkanit e sjelljes së vendeve bashkë për një të ardhme më të mirë, për zbatimin në vendet tona e midis vendeve tona të katër lirive të Europës, ishte hapi i duhur për t’u hedhur ndërsa e shohim veten në këtë situatë. Kështu që është shumë e rëndësishme të punojmë fort për të ruajtur atë çka kemi arritur e sigurisht për të ecur përpara pa rënë pre e provokimeve, pa rënë pre e lëvizjeve, të cilat mund të mos jenë lëvizjet e duhura në kohën e duhur, pa harruar në të vërtetë që në fund të fundit ne jemi aty, në mes të Europës, e ardhmja jonë është në Europë dhe sigurisht me 3 vende të NATO-s në Ballkanin Perëndimor mes të cilave është edhe Shqipëria, është shumë e rëndësishme ajo çka bëjmë dhe më pas sigurisht kur je i qartë për atë çka bën, pjesa tjetër është më pak shqetësues. Kjo është pikëpamja ime modeste.

Maria Ramos: Kryeministër, përmendët fjalën vulnerabël. Sa vulnerabël është vendi juaj tani?

Kryeministri Edi Rama: Ballkani Perëndimor është vulnerabël për një sërë arsyesh. Së pari sepse kemi pasur një histori ndryshe nga historia e vendeve të tjera që janë bërë tashmë anëtare të BE. Po të flas për Shqipërinë, Shqipëria ka pasur një histori krejt ndryshe nga të gjithë, sepse po, ne kishim një regjim komunist, por kishim një lloj komunizmi që ishte i pakrahasueshëm me pjesën tjetër të perandorisë komuniste në Europë. Shqipëria ishte Koreja e Veriut e Europës. Nuk kishim raketa, por mund të na çonin në burg për shkak të Elton John.

Ne dolëm nga kjo e shkuar tejet e errët dhe ja ku jemi, duke bërë përpjekje për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian, në një përpjekje që po bëhet gjithnjë e më e ndërlikuar për shkak të vetë BE dhe në të njëjtën kohë na duhet që të merremi dhe me ndikimin e aktorëve të tretë, mes të cilëve një është edhe Rusia. Jo në Shqipëri saktësisht sepse në Shqipëri i kemi pasur më parë ndaj nuk biem pre e kësaj miqësie, por në vende të tjera. Në këtë pikë Ballkani Perëndimor është vulnerabël, qoftë dhe për shkak të dallimit ekonomik me pjesën tjetër të Europës. Kësisoj, mendoj që na duhet të kuptojmë që fati ynë është pikë së pari e kryesisht në duart tona e na duhet të punojmë për ta përqendruar rajonin gjithmonë e më tepër drejt një të ardhmeje të përbashkët e për t’u siguruar që çdo fqinj e çdo marrëdhënie fqinjësie të bëhet kaq e rëndësishme saqë asnjë faktor i jashtëm të mos e trazojë atë. Pra, pak a shumë kjo është ajo çka kisha në mend kur fola për cënueshmëri, vulnerabilitet.

Maria Ramos: Zoti Kryeministër, ju përmendët Bashkimin Europian në mënyrën se si funksionon tani e që gjithçka është e vështirë, është luftë të themi që po ndodh. Pse po ndodh kjo gjë për anëtarësimin tuaj?

Kryeministri Edi Rama: Dëgjo, unë shpresoj që ajo çfarë po ndodh këto ditë do të shërbejë në një farë mënyre për të hedhur një farë drite dhe për të sjellë një lloj ndërgjegjësimi për vendet e BE-së dhe për vendet e mëdha të BE-së, të cilat nuk kanë parë luftë gjatë jetës së tyre. E kam fjalën për brezin që sot udhëheq Bashkimin Europian, nuk ka parë asnjëherë luftë. Ndaj për ta është bërë gjithmonë e më tepër problem që të merren me opinionin e tyre publik. Është bërë gjithmonë e më tepër një sfidë për t’u përballur me valët e populizmit e të djathtës ekstreme, më shumë se sa të ecim përpara me projektin europian. Atë që etërit themelues përfytyruan dhe hartuan si një shtëpi e përbashkët ka humbur në një farë pike në përkthimin e paragrafëve të pafundëm të burokracisë europiane dhe sa i takon Shqipërisë e sa më takon mua, besoj që na duhet të vazhdojmë të ecim me reformat dhe na duhet të nxisim për ta bërë vendin tonë një shtet europian, mbështetur në të njëjtat parime e vlera, një vend që funksionon me të njëjtat nivele apo standarde si Bashkimi Europian, jo sepse njerëzit në Paris, në Bruksel apo në Berlin na e kërkojnë këtë, por sepse kjo është ajo çka u detyrohemi fëmijëve tanë.

Nga ana tjetër, kur Bashkimi Europian të formalizojë këtë proces, pra se kur e bën këtë Bashkimi Europian, nuk na takon ne dhe sinqerisht sipas fjalëve të tyre, sipas angazhimeve të tyre me shkrim, ne jemi përgatitur për këtë dasmë disa herë, por nusja nuk erdhi. Kështu që tani nuk do të përgatisim më dasmë, por do të punojmë dhe jemi aty. Kur të duan të martohen me ne, do të jemi gati të martohemi, kështu që nuk do të kemi asnjë moment hezitimi, por asnjë përgatitje më, as me orkestër, as me fjalime sepse ata nuk janë në gjendje të mbajnë premtimet e tyre. Kjo është shumë e qartë. Ndoshta, them ndoshta kriza në zemër të Europës tashmë, me këtë agresion ushtarak të pa imagjinuar vetëm pak kohë më parë, ndaj një vendi demokratik do t’i zgjojë në një farë mënyre dhe do t’i bëjë të kuptojnë disi nevojën për të farkëtuar paqen çdo ditë, pa e marrë atë asnjëherë të mirëqenë e ndoshta edhe gjeopolitika do të bëhet edhe më e ndjeshme dhe më e arsyeshme, duke kuptuar se Ballkani Perëndimor është shumë më mirë të jetë brenda se sa të lihet në periferi të Europës. Është një hapësirë ku nisi Lufta Botërore, është një hapësirë ku ka pika të dobëta siç u tha. Është një hapësirë ku aktorë të tretë përpiqen të zënë vendin e tyre, të krijojnë trazitë e tyre për projektin europian, por është po kështu dhe një hapësirë ku ka një mbështetje të jashtëzakonshme për projektin e Bashkimit Europian. Kësisoj shqiptarët janë njerëzit më pro europianë sot sesa francezët.

Megjithatë, nëse edhe kjo nuk mjafton për BE, nuk ka problem për ne. Ne do vazhdojmë të bëjmë punën tonë dhe siç e thashë, do përqëndrohemi shumë herë me tepër tek rajoni, do kujdesemi shumë herë më tepër për rajonin tonë sepse aty duhet të mbajmë sa më shumë, të ruajmë sa më shumë të jetë e mundur, çka kemi arritur deri tani dhe të bëjmë më shumë përparim për të arritur paqe midis të gjitha vendeve, në mënyrë që të gjashta vendet e Ballkanit Europian të njihen, të repsektohen dhe të jenë në vendin që u takon, ndërkohë që pjesa tjetër nuk varet nga ne. Nëse kjo luftë nuk është mjaftueshëm, nuk e di se çfarë duhet të vijë që ky mesazh t’u kalojë e t’u përcillet të mëdhenjve të Europës që marrin vendime, e që nuk mund të vazhdojnë në këtë mënyrë, duke dhënë premtime e duke mos i mbajtur ato, duke bërë premtime e duke mos i mbajtur ato sepse bota është gjithmonë e më e ndërlikuar dhe mungesa e udhëheqjes, e strategjisë, e kurajos për të punuar më tej mbi projektin e etërve themelues mund të rezultojë në fund e të sjellë një kosto shumë të lartë e nuk dëshiroj të jetë ky rasti.

Maria Ramos: Shumë faleminderit! Më pëlqen analogjia që përdorët për dasmën dhe nusen që nuk ka ardhur..

Kryeministri Edi Rama: E ke përjetuar ndonjëherë pjesën e të qenit gati për t’u martuar e dhëndrri nuk ka ardhur? Më beso është dëshpëruese.

-Mund ta imagjinoj. Çmimet e produkteve ushqimore dhe karburantit po rriten dhe në fakt është problem i madh për qytetarët tuaj, ashtu si në vendet e tjera të botës. Çfarë i thoni ju qytetarëve? A mund të besojnë ata që ka një rrugë drejt paqes dhe begatisë, tashmë që sapo dolëm nga dy apo tre vjet të vështira prej pandemisë?

Kryeministri Edi Rama: Pikë së pari, ne jetojmë në kohëra ku të jesh politikan dhe të thuash gjëra edhe nëse thua “është ora 6”, dhe është vërtetë ora 6, njerëzit do tregohen dyshues se ndoshta nuk është ora 6. Jemi në kohën ku edhe ajo çka është e dukshme është bërë e vështirë të pranohet si e tillë e jo më kur përballemi me pasojat e para të luftës.

Kjo është një luftë, ky nuk është dokumentar në Netflix, nuk është një film, kjo është luftë e vërtetë. Ndërkohë që, jemi këtu e flasim për këtë, ka dhjetëra e mijëra gra e fëmijë, të cilët janë në lëvizje për të dalë nga qytetet e tyre që bombardohen për të dalë nga vendi i tyre dhe ka burra e djem, të cilët duhet të qëndrojnë dhe të luftojnë e të venë jetën e tyre në rrezik.

Ne kemi vendosur të jemi pjesë e kësaj. NATO ka vendosur të jetë pjesë e kësaj dhe vende të tjera jo anëtare të NATO-s kanë vendosur të jenë pjesë e kësaj, duke u bashkuar me sanksionet. Gjithashtu edhe vende mjaft të largëta, që kanë vendosur të jenë pjesë e kësaj, po ndjejnë pasojat dhe goditjen e parë, në formën e çmimeve të larta.

Do jetë mjaft përcakuese për këtë luftë shkalla e durimit, kufiri i durimit të njerëzve në atë anë që është në mbështetje të Ukrainës, por që nuk është e përfshirë drejtëpërdrejtë, që e ndjek luftën, por ende prej ekraneve dhe nuk e ndjen uturimën e bombave dhe dhimbjen e shkatërrimit. Sa do mund ta përballojnë këta njerëz dhimbjen e çmimeve e të një ekonomie që nuk do jetë në gjendjen më të mirë, për të thënë një eufemizëm.

Kur po fliste miku ynë nga Afrika lidhur me efektet e menjëhershme që shfaqen në të gjitha vendet afrikane, një kontinent krejt tjetër, qysh prej nisjes së luftës në rritjen e cmimeve, e kupton sërish që bota është bërë shumë e vogël dhe që nuk ka asgjë që ndodh diku dhe të mos jetë e lidhur me një vend tjetër.

Kishim pandeminë, kemi luftën dhe paralelisht me luftën kemi një pandemi tjetër, pandemia e energjisë, dhe jemi shumë larg fundit të saj me ose pa ujë, pasi më lini t’ju kujtoj që kriza e energjisë nisi më parë. Kështu që, simptomat e krizës energjetike u shfaqën muaj para luftës. Padiskutim që përfshirja e drejtëpërdrejtë e Rusisë si agresor në luftë e çoi në një tjetër nivel krizën. Por, kriza e energjisë ishte aty, e pranishme në formën e mungesës së ofertës. Ajo çka vjen më pas do jetë e vështirë për t’u përballuar, por nuk ka shumë për të thënë, por të përpiqemi dhe t’i shohim faktet si duhet.

Ne mund të kemi dallime mendimesh, por jo dallime faktesh dhe ky është një tjetër problem i kohëve tona; shumë palë, grupe ose edhe vende apo njerëz kanë fakte të ndryshme ndaj është e vështirë të gjejmë një pikë të përbashkët. Kjo është pjesë e luftës, fakt është që lufta po na ndikon dhe fakt është që nëse duam që vlerat tona, parimet tona, standartet tona, mënyra jonë e jetesës të triunfojë, duhet të jemi të gatshëm të paguajmë pjesën tonë të çmimit. Nuk mund të ndodhë që, nga njëra anë, duam që gjithçka prej këtyre të triumfojë, jo vetëm Ukraina, por edhe ajo çka përfaqëson Ukraina, por nga ana tjetër, të mos jemi në gjendje të durojmë dhimbjen.

Natyrisht që, është dhimbje krejt tjetër dhe është dhimbje krejt më e pranueshme se sa ajo e ukrainasve, por sërisht është diçka e dhimbshme. Pas pandemisë, sic e thamë, po shihnim rimëkëmbje, po shihnim një hop përpara si botë dhe ndërkohë kthehemi pas që, në disa aspekte, është një situate edhe më e zymtë se vetë pandemia. Kjo është sprovë mendoj, sprovë për karakterin tonë, për bindjet tona dhe kapacitetin tonë për të qëndruar pavarësisht çmimit. Gjithkush duhet ta kuptojë dhe duhet ta shpjegojmë që kjo nuk ka të bëjë vetëm me vendet që janë të përfshira apo me vendet që kanë vendosur sanksione.

Të gjithë, me ose pa sanksione kanë sot një problem dhe ne po shohim sërisht të njejtën gjë që pamë me pandeminë, se si vendet u tërhoqën dhe u mbyllën në vetvete.

Ju folët për vaksinimin në Afrikë. Unë nuk jam afrikan, ndodh që jam i bardhë, kështu që mund ta them. Është racizëm, është thjeshtë racizëm i mirëfilltë, në një formë mjaft të nënkuptuar, por sigurisht, si ta shpjegosh? Si ta shpjegosh atë që po ndodh me nigerianët e shkretë në kufi që po përpiqen të dalin? Sapo u shkruam autoriteteve nigeriane dhe u thamë “Le të vijnë në Shqipëri” sepse është fyese, është fyese kundrejt nesh, kundrejt traditës sonë, kundrejt fëmijëve tanë që të shohin këto lloj ndasish. Po Afganistani? Po atyre njerëzve që u thamë “Ne po vijmë aty për të sjellë demokracinë, për t’ju sjellë paqen, për t’ju sjellë mirëqenie, për t’ju sjellë rock and roll” dhe papritur i lamë më keq seç ishin 20 vjet më parë sepse këtë herë, i lamë plotësisht të ekspozuar, plotësisht të ekspozuar si bashkëpunëtorë të pushtuesit dhe tashmë u duhet që të përballen me jetë a vdekje. Ndjehem i turpëruar kur njerëzit thonë “A Shqipëria sa mirë e keni bërë, ju hapët dyer, ju bëtë një gjë të shkëlqyer”. Kjo është e tmerrshme. Nëse kjo është e shkëlqyer, kjo nënkupton “e tmerrshme” sepse ky duhet të jetë rregulli.

Kjo nuk duhet të jetë “e jashtëzakonshme”, por duhet të jetë diçka që të gjitha vendet duhet ta bëjnë. E mira e udhëheqjes së vendeve si Shqipëria është se në fund të fundit, thua atë që mendon se nuk të duhet të marrësh vendime të mëdha. Pavarësisht se çfarë të tjerët mendojnë, punë e madhe. E vërteta është shumë e rëndësishme. Na duhet të përballemi me të vërtetën, me të vërtetën, me të vërtetën. Nuk mund të fshihemi pas gjërave të ndërlikuara. 10% vaksinim? Sepse është racizëm, kaq. Nuk ka shpjegim tjetër. Faleminderit shumë!

Maria Ramos: Faleminderit që u treguat kaq i drejtpërdrejtë dhe kaq i vërtetë në gjërat që thatë, kaq i qartë. Është dicka e re kjo, në fakt, kjo lloj qasjeje. Faleminderit!

Previous Harta Gjyqësore, Manja-Llagami tryezë konsultative me biznesin

Leave Your Comment