Me punonjësit e bizneseve për Paketën e Rezistencës Sociale. - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Me punonjësit e bizneseve për Paketën e Rezistencës Sociale.

Për të informuar mbi Paketën e Rezistencës Sociale, Kryeministri Rama vizitoi sot një nga bizneset tradicionale të prodhimit të miellit në Shqipëri, ku në takimin me drejtuesit dhe punonjësit e saj, Kryeministri shpjegoi efektet e krizës ndërkombëtare të prodhuar nga lufta, si dhe masat e ndërmarra nga qeveria në mbështetje të qytetarëve dhe biznesit.

Gjatë bashkëbisedimit, Kryeministri informoi se Paketa e Rezistencës Sociale parashikon ndër të tjera, që qeveria të afrojë me dy muaj, futjen në fuqi të ligjit për zerimin e taksës për pagat deri në 400 mijë lekë të vjetra dhe përgjysmimin e taksës mbi pagat deri në 500 mijë lekë të vjetra.

Gjithashtu do të shtohen 20 miliardë lekë të rinj ose 200 milionë USD për të mbajtur të palëvizur çmimin e energjisë elektrike në faturat e familjarëve dhe bizneseve të vogla.

Më vjen shumë mirë që mu dha mundësia të vij këtu, jo se duhet thënë ndonjë fjalën e mirë në fillim, por se prej disa kohësh e dëshiroja ta njihja këtë realitet të kësaj familje e të këtij biznesi, për arsye të faktit se ky është një nga bizneset që nuk ka pasur në të gjithë historikun e vet asnjë penalitet dhe nga ana tjetër, të gjithë opinionet e marra nga inspektorët, nga administrata kanë qenë pozitive. Por përtej këtyre të dyjave e për shkak të historisë, të një historie shumë të veçantë që ka ky biznes, i cili i ka rrënjët që në fund të shekullit të XIX me paraardhësit e pastaj i zhvilluar me vite edhe nga i ati i të katër vëllezërve dhe sot janë katër vëllezërit këtu. Tre janë, njëri me siguri merret me rojet se nuk e shoh, por më vjen shumë mirë edhe për faktin që ky biznes dhe kjo është arsyeja e fundit pse jemi këtu, është ndër ato biznese që pasi ne kërkuam reflektimin e menjëhershëm mbi pagat për t’ju afruar pagës reale, ka bërë një reflektim siç e tha dhe zonja prej 18%, që do të thotë që në këtë biznes asnjë nuk është më pagë minimale, por janë mbi pagën minimale sepse fillon nga 340 mijë lekëshi i vjetër.

Ndërkohë ne jemi këtu për shkak se në këtë situatë absurde, të befasishme të krijuar nga një luftë, e cila zhvillohet më pak se dy orë në vijë ajrore nga ne, në Europë, po shikojmë pasojat si të gjitha vendet e tjera, tek rritja e çmimeve e prandaj kemi vendosur dje, disa masa të rezistencës sociale, ndër të cilat është masa për ta futur në fuqi menjëherë e jo për të pritur muajin qershor siç ishte plani, i buxhetit të vitit 2022, heqjen e taksës mbi pagën deri në 400 mijë lekë.

Kështu që, të gjitha ju këtu që keni një pagë midis 340 dhe 400 mijë lekëshit, të vjetër, nuk do paguani më asnjë tatim fitimi, që do të thotë që keni edhe një të ardhur tjetër plus. Bëhet fjalë për 7%. Është një 7% i ndarë në fakt midis punëmarrësit dhe punëdhënësit or ajo që ka rëndësi është që të gjitha paratë që do të merrni, do ti çoni në shtëpi. Pra, që nga 340 deri në 400. Ata ndër ju që janë me pagë 400 deri në 500, do të paguajnë vetëm gjysmën e taksës. Pra aty kemi një përgjysmim të tatim fitimit, që përsëri është një lehtësi mi konsiderueshëm.

Ndërkohë që nuk është për ju këtu, se këtu nuk ka pagë minimale dhe më vjen shumë mirë dhe për ata që na ndjekin që ta shohin, sepse është bërë si modë këtu që “pagat në Shqipëri janë 250 mijë lekë, pagat në Shqipëri janë 300 mijë lekë”. Në fakt jo, pagat minimale në Shqipëri janë 300 mijë lekë dhe menjëherë nga muaji prill, paga e prillit do të fillojë të reflektojë rritjen e pagës minimale në 320 mijë lekë e do ta rrisim çdo vit dhe ambicia është që në fund të këtij mandati të mos ketë në Shqipëri pagë nën 400 mijë lekë, që do të thotë që kjo do të sjellë proporcionalisht edhe rritjen e pagave tuaja.

Më vjen shumë mirë për faktin që me këto masa sot kemi 56% të të punësuarve në Shqipëri që nuk paguajnë asnjë taksë, zero. Sigurisht, kanë vetëm kontributet shëndetësore dhe kontributet shoqërore, që ato janë kontribute për veten, por të cilat janë më të ulëtat në rajon, se në Europë as nuk krahasomi se aty janë shumë të larta.

56% do të thotë që i japim një lehtësi më tepër njerëzve në këtë kohë të vështirë e nga ana tjetër do të thotë për të gjithë ata që duan të dëgjojnë, që gati gjysma e të punësuarve në Shqipëri janë me një pagë më të lartë se sa kaq, që është edhe kjo shumë e rëndësishme.

Ajo që dua të them nga ana tjetër, duke qenë se këtu ka shumë nëna dhe vajza, se çunat dhe burrat merren më pak me llogari e merren më shumë me llafe, kuptohet ajo, e ju e dini vetë, i bëjnë llogaritë sipas qejfit se e keni parasysh si i bëjnë llogaritë kur ju marrin ndonjë lek. Ju çoni lekët nga puna këtu e ju marrin ndonjë lek se ju duhen për ato që i quajnë punët e tyre. Duke qenë se gratë dhe vajzat në Shqipëri janë ato që nuk kanë asnjë lëvizje të asnjë tulle në gjithë murin e logjikës, dua të them dy fjalë edhe për çështjen e energjisë, sepse kjo është pjesa më e rëndë e kësaj situate dhe kjo do të ishte pjesa më katastrofike për çdo familje e nuk do hynte më në sy pastaj as korrigjimi i pagës, as heqja e taksave, as rritja e pagave, sepse goditja e krizës mbi faturën e energjisë është me 5, 6 dhe ka arritur në javën e fundit deri në 7 herë. Që do të thotë që kur të shkoni në shtëpi, hidhini një sy faturës së energjisë dhe shumëzojeni me 7. Aq është çmimi sot i energjisë! Çmimi real! Është njësoj si këto produktet tuaja të shumëzoheshin me 7 dhe tua shisnin këta vëllezërit këtu njerëzve shtatëfish më të shtrenjta. Kush do ti blinte? Sigurisht që do të ishin shumë herë më pak ata që do ti blinin ndërkohë që kjo që bëjmë ne është njësoj sikur ato produkte ta kishin vlerë 7 herë më të lartë në prodhim dhe këta vëllezërit t’i nxirrnin 7 herë më pak.

Pra, gjëja që ne kemi quajtur më të rëndësishmen, më jetiken, për të mbajtur kohezionin social, për të mos lejuar që kategoritë më të prekura, më të prekshme apo të gjitha kategoritë e atyre që punojnë dhe nuk merren me llafe, të goditen, është energjia. Furnizimi me energji. Është mbajtja e një situate normale në furnizimin me energji në kushtet e një anormaliteti absolut. Nuk ka ndodhur kurrë në histori që kriza energjitike të prodhojë çmime si ky, që një KËh në shtëpinë tuaj të paguhet 9.5 lekë e të vijë 61 lekë. 61 lekë të jetë vlera e KËh dhe ju të paguani 9.5 lekë sic keni paguar edhe përpara krizës. Prandaj në paketën e djeshme ne kemi futur edhe 20 miliard tjetër të reja, që janë 200 milionë dollarë, që nuk janë 200 milionë dollarë për shpenzime të tjera por vetëm për të paguar pjesën më të madhe të faturës për 726 mijë familje rezidente në Shqipëri dhe për 95 mijë biznese të vogla. Ndërkohë që, këtu jemi në një biznes të madh dhe si biznes i madh ka më shumë kosto të energjisë, por edhe aty ne përsëri nuk i kemi lejuar që të shkojë në koston reale sepse do të ishte falimentim komplet i biznesit.

Kështu që, më vjen shumë mirë që kemi mundësi sot që t’i përgjigjemi pjesës së kësaj shoqërie, e cila meriton të mbrohet e para. Përsëri kemi vazhduar dhe në mbrëmjen e djeshme, disa kalkulime të tjera për të shtuar përsëri, përtej atyre që unë anonçova sepse bëhen kalkulimet deri në fund me kategori dhe do të kalojmë gjysmë milioni njerëz që do të përfitojnë nga mbështetja, gjysmë milioni njerëz që do të marrin për 3 muajt e ardhshëm, 30 mijë lekëshin që kompenson rritjen e çmimeve. Rritja e çmimeve të shportës gjithmonë flasim është e përllogaritur në bazë të çmimeve të mëparshme dhe në bazë të konsumit, gjë që bëhet nga Instituti i Statistikave dhe përllogaritja e Institutit të Statistikave për këtë rritje është 7%, që i bie në një mesatare 25 mijë lekë të vjetra i shtohen familjeve për çmimin e shportës, që nuk është pak, po të kemi parasysh që janë mallrat e shportës, nuk është pak për familje të nuk janë me të ardhura të larta dhe ne prandaj do të shtojmë jo 25 mijë por 30 mijë lekë, direkt, në dorë, që pavarësisht rritjes së çmimeve familjet ti blejnë ushqimet e shportës njësoj si kur nuk ishin të rritura pra të mos u mungojë atyre asnjë lek për të blerë ushqimet e shportës, njësoj si nuk u mungonte më përpara. Kjo është logjika. Këtu janë kategori specifike pensionistësh dhe nga 630 mijë pensionistë që ka Shqipëria, praktikisht shkojmë në mbi 400 mijë pensionistë që do të marrin këtë shumë, këtë bonus nga paketa e rezistencës. Pastaj kemi të gjitha familjet në ndihmë ekonomike, pastaj kemi të gjithë kategoritë e invalidëve, të paraplegjikëve, të tetraplegjikëve, të të verbërve, kështu kalojmë gjysmë milioni njerëz. Këtë bëjmë ne dhe këtë duhet të bëjmë ne.

Ne nuk jemi këtu të ulim naftën për ata që duan të furnizojnë foristradat X5 për të bllokuar rrugët e për t’i mbajtur njerëzit në rrugë në këto kohë lufte, për turpin e dheut, ndërkohë që e gjithë Europa, e gjithë bota, del në protesta për t’u solidarizuar me ata të shkretët që i kanë bombat mbi kokë, me ata që vdesin atje, që u shkatërrohet çdo gjë, që u ndahen familjet me dhunë, që gratë e vajzat marrin fëmijët e ikin dhe burrat marrin pushkën për të luftuar pavarësisht se nuk kanë parë kurrë një pushkë në jetën e tyre, këtu janë disa që dalin me makina X5 dhe bëjnë protesta me drita iphone. Nuk kanë pensionistët drita iphone e nuk kanë as vetura për të mbushur e nuk janë pensionistet apo gratë që marrin autobuzin apo që marrin fugonin ndotëse të mjedisit. Mjedisin e ndot djegia e karburanteve e prandaj ata që kanë mundësi më shumë, pavarësisht se çmimi është rritur do paguajnë më shumë e në këtë kohë është koha për tu ndjerë mirë që ke mundësi të paguash më shumë, nuk është koha për të vënë kujën e për të dalë atje në rrugë e për ta bërë Shqipërinë turpin e botës. I vetmi vend i NATO-s, i vetmi vend i Europës, i vetmi vend i botës, se kriza që thonë këta nuk ka lidhje me luftën, kriza nga lufta ka shkuar deri në Australi. I vetmi vend i botës që del e bën protesta për llogari të disa personazheve që duan prap të përfitojnë nga situata, si ujku që kërkon mjegull.

Ndërkohë që ne jemi këtu edhe për transportin tuaj. Ju nuk vini këtu, se këtu nuk është qendra e Tiranës, ju nuk vini këtu me vetura, ju vini këtu me fugon, vini këtu me autobus, nuk e di si e keni të organizuar transportin, mbase e garanton kompania por ka shumë e shumë si ju që m arrin autobusin dhe ne jemi këtu që të mos ju rritet çmimi i biletës. Prandaj kemi vendosur në këtë paketë rezistence, 5 milionë dollarë për të paguar diferencën e çmimit të biletës, që ju të vazhdoni të paguani të njëjtin çmim dhe ne qeveria paguajmë pjesën tjetër dhe ju nuk e ndjeni fare rritjen.

Ne nuk jemi këtu që të ulim çmimin e naftës, të ulim taksën e naftës e të rrisim çmimin e energjisë, se çmimi i energjisë i godet të gjithë por as të rrisim taksën mbi rrogën tuaj se nëse do të ulim atje, do duhet të rrisim diku që të mund të paguajmë pastaj këto shpenzime. Tani ose do të paguajnë ata që kanë mundësi më shumë, do të paguajnë pak më shumë, ose do ti biem të gjithë atyre që kanë mundësi më pak, se nuk ka rrugë tjetër. Atëherë duhet ta heqim nga mendja që biznesi i vogël të paguajë zero taksë, zero TVSH, do fillojmë të kthehemi nga e para të paguajnë siç paguanin deri para ca vitesh, që paguanin 10% taksë, paguanin dhe 20% TVSH. Ne ua kemi bërë zero dhe zero do ta mbajmë, ,me luftë apo pa luftë. Do zoti kjo punë nuk shkon keq e më keq e nuk zgjat pafundësisht se pastaj aty nuk dimë më pastaj, nuk e dimë sot si do shkojë puna por flasim në këto kushte. Prandaj duhet të jemi shumë realist kur bëjmë llogaritë dhe llogaritë bëhen mbi fakte, nuk bëhen mbi imagjinatë. Është njësoj sikur ju të shkoni në shtëpi dhe t’ju thonë burrat, jua ka vjedhur pronari gjysmën e rrogës. Shkoni bëni demonstratë atje. Kjo është logjika e mbrapshtë.

Fermerët, nuk është problemi i tyre mbushja e veturës kështu që dhe fermerët do t’i mbështesim që të marrin naftë plus, pa taksa. Kjo është paketa që ne do të bëjmë duke indeksuar menjëherë edhe pensionet. Indeksimi i pensioneve do të ndodhte mbas dy muajsh edhe ai. Do ti indeksojmë menjëherë. Janë 36 milionë dollarë që do ti çojmë menjëherë pensionistëve. Nuk janë një shumë, por 36 milionë dollarë nga indeksimi i pensioneve për 630 mijë pensionistë dhe 30 mijë lekë plus për mbi 400 mijë pensionistë, që janë pjesa e pensionistëve invalidë, , që janë pjesa e pensionistëve të vetmuar, që janë pjesa e pensionistëve që janë më një pension social e kështu me rradhë, është një frymëmarrje për të mos u ndjerë me lakun në fyt nga jo krizë e nga këto pasoja.

Shumë faleminderit për vëmendjen. Nëse keni ndonjë pyetje për ndonjë shqetësim, meqë ndodhemi këtu. Këtu kemi dhe ministren që na ndihmon me shifra, por ndoshta është momenti, meqë këtu u fol dhe për këtë axhustimin e pagave që ka ndodhur dhe faktikisht ajo që kemi parë ne në janar me axhustimin e parë ka qenë që paga në Shqipëri është rritur me mesatarisht 91 mijë lekë të vjetra flas.

Pra, është rritur thuajse 100 dollarë paga në Shqipëri. Si është rritur? Aty ishte, por një pjesë e madhe ka qenë informale dhe prandaj në dua t’i bëj dhe një vlerësim sipërmarrësve këtu, për faktin që janë shumë të vetëdijshëm e shumë të vendosur që të gjithë suksesin e tyre ta ndajnë me ju, ta ndajnë me ata që janë baza e suksesit, që janë punëtorët dhe në këtë kohë, dëshiroj të përfitoj nga rasti që t’u bëj thirrje të gjithë sipërmarrësve, t’u bëj thirrje të gjithë pronarëve, që ta shfrytëzojnë këtë moment për të larë mëkatet e tyre, për të qenë në një raport më të lehtë me Zotin apo me veten dhe me prindërit e tyre që kur të shkojnë tek Shën Pjetri kur të ndërrojnë jetë, t’u thotë Shën Pjetri “Shiko, do shkosh në ferr se dhe kur njerëzit e tu që punojnë për ty, ti prap nuk ua jepje atë që u takon”, se atje do shkojmë të gjithë e ndaj unë qesh kur thonë “Vjedh, vjedh”. E para njëherë, se jam shumë i gjatë e nuk ulem dot për të futur duart në xhepat e të tjerëve.

E dyta, e kam mësuar që i vogël, se kam pasur një gjyshe që ka qenë shumë fetare, që kur shkon në varr, nuk punon karta e kreditit. Nuk ka aty, kështu që edhe pronarët duhet ta kuptojnë që kanë plot, kemi dhe muajin e Ramazanit përpara. Nuk desha ta fusja dhe Ramazanin se pastaj aty i bie të mos e merrni rrogën e Ramazanit e tua jepni këtyre komplet.

Në mbyllje, dua të sqaroj njëherë, e para, se jam i sigurt tani, nuk e di nëse është tek ai Facebook im kjo, por nëse është, jam i sigurt që tani disa po shajnë kur dëgjuan ministren që tha se punojnë ditën e dielë dhe vëllezërit tani po hanë të sharat, bashkë me mua “Skllevërit, po i mbajnë të dielën, e diela është pushim” etj.

Atyre që shajnë dua t’ju them që juve duhet të pranoni të mos hani bukë as të shtunën, as të dielën dhe pastaj që të gjitha këto gratë të rrinë pushim sepse janë në punë edhe të shtunën edhe të dielën që edhe të hani bukë edhe të bërtisni “Nuk ka bukë” siç e keni zakon.

Ndërkohë që, dëshiroj ta mbyll me domosdoshmërinë që të gjithë ne, duhet të jemi të vetëdijshëm për faktin se nuk jemi të detyruar, as në familje, as në shoqëri, as në kompani, as në mjedisin politik apo publik që të biem dakord për çdo gjë. Madje, nuk jemi të detyruar të biem dakord për shumë gjëra, por ka diçka për të cilën shoqëritë e zhvilluara kanë rënë dakord, e prandaj janë zhvilluar, që faktet nuk luftohen.

Me faktet nuk luftohet. Faktet janë fakte, pastaj mbi faktet diskutohet si mund të ndryshohen ato, por nuk mund të debatojmë faktet.

Fakti është që sot, Shqipëria, është një nga dhjetëra vendet që po sheh pasojat e një lufte ku bombat dhe raketat bien në Ukrainë, ndërsa këtu lufta paraqitet me faturat. Ky është fakt. Të diskutosh këtë, i bie të shkosh në drejtimin më të paditur, të shkosh të marrësh rrugët, të turpërosh popullin tënd, të turpërosh kombin tënd, të turpërosh shtetin tënd, të turpërosh vendin tënd në sytë e të gjithë vendeve të tjera, që kanë vendosur të jenë në krah të Ukrainës.

Të jesh në krah të Ukrainës do të thotë të pranosh që je në luftë, jo në vijën e parë për jetën, por në vijën mbështetëse për të përballuar këto. Kur vendet e mëdha vendosën të vendosin sanksione ndaj Rusisë, vendosën njëkohësisht të paguajnë një çmim dhe çmimi është ai që po paguajnë sot në ekonomi. Rusia është një nga prodhuesit më të mëdhenj, në mos më i madhi i grurit. Është një nga prodhuesit më të mëdhenj të naftës dhe gazit. 40% e ngrohjes në Europë varet nga Rusia, e deri në Amerikë ka shkuar efekti.

Dje më çonin njerëz nga Italia çmimin e naftës dhe benzinës në tabelë atje, 2,4 euro. Por vendet e kanë pranuar këtë gjë. E kanë pranuar dhe popujt.

Dje Zëvendëspresidentja amerikane fliste përpara një audience në një nga vendet këtu në Europë, Bullgari në mos gaboj, dhe thoshte që ky është çmimi më minimal që ne mund të paguajnë për të mbështetur ata që po vriten atje. Nuk po i mbështesin ata që po vriten atje thjesht për ata, po i mbështesim për veten tonë sepse nëse ajo gjëja atje kalon dhe ne kthejmë kurrizin, siç e kthyen kurrizin shumë vende dhe shumë qeveri në vitet ’30, ajo gjëja atje vjen këtu dhe kthehet bota përsëri atje ku nuk na e ka pritur mendja kurrë.

Ne nuk e zgjodhëm tërmetin, na zgjodhi tërmeti ne. 15 mijë familje e humbën shtëpinë dhe gjithçka brenda 10 sekondash. Ja ku janë sot, po kthehen në shtëpi më të reja, më të mira, më të forta dhe më të bukura, por ajo që kaluan ishte shumë më e tmerrshme sesa çfarëdo qoftë po ndjejmë sot ne të gjithë dhe po ndjejnë sot familjet me çmimet, shumë më e tmerrshme, se i humbën të gjitha dhe prapë me dinjitet, me kurajë, me mbështetjen tonë, e kapëryen.

Pandeminë nuk e zgjodhëm ne, na erdhi. Çfarë të bënim? Do rezistojmë.

Luftën nuk e bëmë ne, nu ke nisëm ne, as Shqipëria, as vendet e NATO-s ku ne jemi pjesë, e nisi dikush tjetër. Çfarë do bëjmë? Apo do dëgjojmë këta që thonë “Më mirë të mos bashkoheshim me sanksionet kundër Rusisë sesa ne të paguajmë më shtrenjtë naftën”?

Është dembelizëm i madh mendor sepse e para, nuk ka lidhje. Edhe vendet që nuk kanë vendosur sanksione prapë njësoj po i paguajnë. Turqia nuk i ka vendosur sanksione Rusisë për arsye që nuk ka nevojë t’i shpjegojmë këtu, por legjtiime.

Në Turqi është dyfishuar çmimi i energjisë. Serbia nuk i ka vendosur sanksione Rusisë, çmimet kanë ikur përpjetë. Janë ndër prodhuesit më të mëdhenj të grurit Serbia dhe ka bllokuar të gjitha eksportet. Ne po negociojmë për të nxjerrë një pjesë të grurit që është i kontraktuar nga kompanitë tona, është atje dhe besoj se do ta bëjmë falë “Ballkanit të Hapur”. Ja si vjen puna, ja si vijnë faktet. Ja pse me faktet nuk luftojmë dot, faktet janë këto. Ju, gratë, e dini që me burrat problem kryesor është që burrat luftojnë me faktet sepse duan t’u dalë e vetja dhe nuk pranojnë faktet. Disa burra, jo tuajët.

Faleminderit shumë! Edhe njëherë respekt dhe shëndet dhe çdo të mirë!

Previous Paketa e Rezistencës Sociale, takim me përfaqësues të bizneseve të vogla

Leave Your Comment