-Qeveria dhe përfaqësues të bizneseve furnizuese, bord të përbashkët për çmimet e ushqimeve bazë të shportës
Paketa e Rezistencës Sociale, garanton mes të tjerash kompensimin për rritjen e çmimeve të shportës për pensionistët sipas kategorive të përcaktuara, familjet në skemën e ndihmës ekonomike dhe personat me aftësi të kufizuar.
Për të bashkëbiseduar rreth qasjes së re ndaj situatës së krijuar dhe adresimin e pasojave të luftës mbi çmimet në tregun shqiptar, Kryeministri Rama ftoi në bashkëbisedim përfaqësues të bizneseve furnizuese të ushqimeve.
Për t’ju përgjigjur situatës, qeveria do të ndërhyjë menjëherë për transparencën e çmimeve të ushqimeve bazë dhe ngrirjen e marzheve të fitimit.
Kryeministri komunikoi vendimin për krijimin e një bordi të përbashkët për çmimet e ushqimeve bazë të shportës, i cili do të përbëhet nga përfaqësues të qeverisë dhe përfaqësues të bizneseve furnizuese të shumicës dhe të pakicës. Kryeministri bëri të ditur se çmimet e ushqimeve bazë do të vendosen aty dhe askush nuk do të tolerohet të vendosë çmime të ndryshme, nga çmimet e përcaktuara nga bordi.
Përshëndetje të gjithëve!
Kemi bërë gjatë gjithë kësaj jave, përmes Ministres së Financave dhe të Ekonomisë dhe Ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, një volum intensiv komunikimi me furnizuesit e shumicës dhe tregtuesit e pakicës për ushqimet bazë dhe sot është momenti për të bërë një komunikim edhe publik këtu në Kryeministri, për të ndarë me ju se cila duhet të jetë vija e sjelljes në këtë moment kaq dramatik. Vijë që diktohet nga domosdoshmëria për të pasur një qasje të ndryshme nga ajo e kohëve normale.
Ju e dini që, unë nuk hyj tek ata që besojnë tek ndërhyrjet në treg, por kjo vlen për një kohë normale dhe kjo vlen për krizat organike të një kohe normale, siç ishte kriza organike e inflacionit në të gjithë botën, që u reflektua edhe këtu, me një rritje të lehtë, jo të pandjeshme, të çmimeve hap pas hapi, në periudhën e fundit.
Ndërkohë që, sot nuk jemi në këto kushte. Sot jemi në kushte të tjera. Kriza nuk është organike. Kriza është e imponuar nga një agresion ushtarak i një fuqie të madhe ekonomike në furnizimin e shumë lëndëve të para, të Rusisë mbi Ukrainën dhe nga një sërë zhvillimesh të kësaj lufte që po krijojnë në mënyrë të vazhdueshme një destabilizim të tregut për të cilin ju jeni dëshmitarë në të përditshme tuaj sepse kjo është puna juaj edhe ju me tregjet merreni përditë.
Tani, dua të jeni të bindur që ne i dimë vështirësitë tuaja në këtë situatë ku vështirësia kryesore dhe ajo që mund të rëndohet më tutje është gjetja e tregjeve, zëvendësimi i tyre, por tani është momenti për të harruar fitimin.
Tani është momenti për të vendosur kapacitetet tuaja në funksion të përballimit të kësaj sfide shumë të madhe që nuk e kemi zgjedhur ne, na ka zgjedhur dhe të mbështetjes së atyre që janë më në nevojë se ne që jemi këtu. Janë disa produkte bazë të shportës dhe këtu produkti më domethënës për sa po flasim është vaji, që kanë kërcyer në çmim, jo pa arsye, por ku ne besojmë se ka hapësirë të mjaftueshme për të manovruar me një ulje të çmimit për to.
E di edhe çështjen e furnizimit, e di që është problem kudo, jo vetëm në Shqipëri, sepse gjatë gjithë këtyre ditëve, ndërkohë që ministrat kanë komunikuar me ju, unë kam bërë komunikimet e mia për të ndihmuar hapjen e rrugëve për burime të reja furnizimi dhe kur edhe vende të mëdha e kanë problem në afat të mesëm sigurimin e gjithë sasive të nevojshme bazuar në shifrat e konsumit, atëherë patjetër që nuk ka si të jetë ndryshe këtu, por përsëri vend për të ndërhyrë ka dhe ka jo pak në këtë moment.
Unë besoj që kanë të drejtë ekspertët tanë, të cilët mendojnë se ky moment i parë alarmi që u krijua ishte i paevitueshëm por tani nuk mund të vazhdohet sikur asgjë nuk ka ndodhur. Nuk mund të bëhet asnjë lloj eksperimenti fitimprurës këtu me idenë që këta po vazhdojnë të blejnë. Është shumë domethënëse për ne dhe duhet ta dinë të gjithë, që konsumi nuk ka rënë. Është shumë domethënëse, që tregon diçka krejt tjetër nga propaganda e shfrenuar e mjerimit ekstrem por kjo nuk do të thotë aspak që situata është e tillë, ku ju mund të vazhdoni me këto çmime. Çmimet mund të rriten në vijim përsëri.
Dje kam qenë në një diskutim në Zoom me disa të tjerë jashtë vendit dhe ndër të tjera një parashikim i mbështetur në shumë argumente, asgjë nuk është 100% e sigurt, por në shumë argumente, është se bota mund të përballet me shokun më të madh të furnizimit të karburantit në tre mujorin e dytë dhe të tretë të vitit, si rezultat i daljes jashtë të një shifre marramendëse barelash që furnizohet nga Rusia.
Kështu që çdo gjë është e hapur si mundësi. Të tjerë thonë që bota mund të përballet me ripërtëritjen e krizës së vitit 1974, që ne që ishim atëherë këtu, nuk e kemi pasur idenë se çfarë ka ndodhur në vitin 1974 nëpër botë, ku për shkak të OPEC dhe të çështjes së furnizimit të naftës, çmimet në botë vajtën përtej çdo lloj tavani të imagjinueshëm. Këta janë skenarë të gjithë. Askush nuk e di të ardhmen sot për shkak se askush nuk di si vazhdon lufta, ama sot për sot, këtu, që të vijmë në temë, kemi faktikisht detyrimin e përbashkët, të gjithë ne, si shqiptarë, që të bëjmë secili të vetën dhe nuk mund të kërkojmë që të bëjë të vetën një pensionist që ka nevojë për ato ushqimet bazë e që nuk ka asnjë mundësi që t’i zëvendësojë me asgjë tjetër, apo që nuk ka kursime të atilla që të mund të përballojë çmimet që vendosen në treg. Atë pensionist do ta mbështesim ne. Kush ne? Do e mbështesë qeveria me një shumë që është e barabartë me rritjen e çmimeve të ushqimeve bazë por do e mbështesni dhe ju me çmimet që do vendosni atje.
Ajo që më ka shqetësuar nga gjithë raportimi që kam marrë nga ministrja e Financave që është këtu vetë e mbase do tua thotë vetë, që shumica ia hedh fajin pakicës, pakica ia hedh fajin shumicës, në diskutimin mbi çmimet. E për të mos pasur hedhje faji tek njëri-tjetri, do futemi dhe ne këtu në këtë mes dhe do krijojmë një bord të përbashkët për çmimet e ushqimeve bazë të shportës dhe ky bord i përbashkët do të përbëhet përfaqësues të qeverisë dhe përfaqësues tuaj, të shumicës dhe të pakicës. Çmimet e ushqimeve bazë do vendosen aty e askush nuk do tolerohet të vendosë çmime të ndryshme nga çmimet e vendosura aty dhe kush do vendosë çmime të ndryshme nga çmimet e vendosura aty, do humbasë prodhimin, do t’ia konfiskojmë komplet. jo me arbitraritet por me ligj dhe me zakon. Do kalojmë akt normativ dhe i gjithë prodhimi do të konfiskohet, nëse dikush do të luaj me çmimet jashtë asaj.
Siç po bëjmë me karburantet, nuk është qëllimi që të vendosim çmime arbitrare se natyrisht që të gjithë i duan çmimet më të ulëta por nuk i vendosim dot çmimet ne sipas dëshirës. Kemi jashtëzakonisht dëshirë ne që t’i ulim çmimet aty ku ishin, por nuk e bëjmë dot, se nuk do hyjmë për këtë punë aty, por do hyjmë aty që bashkë me ju të bëjmë një herë transparencën e çmimit. Ku e ke marrë, sa e ke marrë dhe sa do shitet dhe nuk jam unë për teorinë që meqë është blerë përpara tre muajsh, atëherë duhet të shitet sa është blerë përpara tre muajsh, se nuk funksionon kështu ekonomia dhe aq më tepër nuk funksionon kështu lufta. Nëse do të ndodhte kështu, atëherë me çfarë do t’i blini ju të tjerat që do t’i sillni prape? Se hajde se e ke marrë atëherë, do i shesësh si atëherë, kjo është histori për gjyqe partizane që nuk bëjnë pjesë fare në filozofinë tonë, ama transparente, ju do të paraqisni gjithë strukturën logjike se si bazuar në shifra sa ju del dhe aty do të vendoset dhe sigurisht që marzhi i fitimit do të ngrijë në një pikë që t’ju lejojë ju vazhdimin e operacionit, por jo që ju të dilni me fitim njësoj siç kemi dalë me fitim, se kjo nuk ka sens, se që ju të dilni me fitim, siç keni dalë gjithmonë me fitim, duhet të vuajë këtu një popullsi e tërë, por jo, këtë ne nuk mund ta lejojmë.
Mbi vuajtjen e njerëzve askush nuk mund të fitojë në këtë kohë skandaloze dhe natyrisht askush nuk ka të drejtë që të kërkojë prej jush, që ju të humbisni, se nëse ju do të humbisni sot, nuk do mund të jepni më shërbim nesër dhe kjo mund të jetë një gjë e tmerrshme në vijim dhe ne kemi nevojë për ju. Për të gjithë ata që i kanë ngritur këto linja furnizimi dhe këto struktura se është kollaj të flasësh, “hajde të mobilizohemi ta prodhojmë grurin në vend”, thoshte njëri, “hajde të mobilizohemi të rafinojmë naftën në vend se na e ka dhënë Zoti e duhet ta kishim falas”. Po pse nuk e ka falas Arabia Saudite naftën? Po pse në Arabinë Saudite nafta nuk kushton më lirë kur ngrihet çmimi në përgjithësi? Si funksionon kjo punë kështu? E ndërkohë që ne nuk e kemi në fakt naftën si Arabia Saudite apo si vendet që kanë naftë të lehtë që e transformojnë në diesel e në benzinë kollaj, por e kemi një naftë të rëndë që po të bëjmë përpunim të saj na del çmimi sikur po shesim “jet fuel” për avionët kur do furnizojmë kamionët.
Apo me energjinë? Që është një histori më vete. “Na e ka dhënë zoti energjinë, duhet ta kemi falas”, thonë disa. A thua se kur bie shiu, shkon direkt te sahati i energjisë. “Ne e prodhojmë në vend, por ju e shisni se doni të vidhni”. Jo, ne e prodhojmë në vend një pjesë të energjisë për të cilën kemi nevojë e një pjesë e importojmë. Kur kemi vite të lagështa që për dreq prej 3 vitesh nuk i kemi, me reshje të mjaftueshme, atëherë prodhojmë më shumë, importojmë më pak, por kur kemi vite si ky që nuk mbahet mend kur ka rënë shi për herë të fundit e që kaskada është në minimumin e vet historik, atëherë sigurisht do ta importojmë, por për ta importuar sot është 550 euro MËh, në raport me 52 euro që ishte në mars të vitit të kaluar. Ka pasur një rënie tani prapë, por janë rënie që janë brenda ngritjes, nuk ka rënie aty ku ishim.
Mirëpo ne, pavarësisht se sa rritet energjia, e kemi ndarë mendjen që njerëzit nuk do paguajnë. Pra është një supersforco e buxhetit për këtë dhe kemi filluar të shkurtojmë nga të tjera e mund të përfundojë puna që të shkurtojmë gjithçka, por shkurtimi i gjithçkaje siç thonë disa, është një dardhë që e ka bishtin e shtrembër mbrapa, se nëse ne i presim të gjitha investimet, do të thotë që të çojmë në shtëpi të pa punë gjithë ata njerëz, do të thotë që të mos kemi të ardhura nga to investime. E dyta, do të thotë që të futemi me një spirale tjetër, por nuk po zgjatem me këto anët e këqija të kësaj historie, se lufta nuk vjen për të sjellë gëzim, lufta nuk vjen për të sjellë të mira, lufta vjen për keq, vjen për super stres dhe për ata që e kanë atje në front, vjen për të marrë jetë e për të shkatërruar familje.
Po i them këto për të thënë që secili duhet të bëjë të vetën. Ne nuk mund t’i rrisim energjinë biznesit të vogël. Nuk kemi mundësi ta bëjmë këtë gjë. Në momentin që ne do t’i vëmë biznesit të vogël që të paguajë energjinë sa kushton sot, ne menjëherë, sikur menjëherë ju kemi hequr atyre një ose dy rroga. Por po them një. 95 mijë biznese të vogla, 95 mijë njerëz direkt janë pa punë, nëse ne çojmë faturën e energjisë atje siç është fatura e energjisë. E natyrisht, këtu tek çmimet e ushqimeve jeni ju, sepse energjinë në fund të fundit sot për fat të mirë, për këtë situatë, nuk e kemi siç e kanë disa vende të tjera që e kanë të privatizuar komplet e që nuk kanë çfarë bëjnë fare. E ka përsëri shteti dhe ne mund të bëjmë atë, që po bëjmë me çmimin, që është një gjë komplet antikapitaliste, por që është gjëja e duhur për t’u bërë sot se është luftë dhe kriza energjetike është e tmerrshme, se nuk po them çfarë janë parashikimet për mungesën e energjisë që mund të vijë rrugës, si nafta.
Kemi filluar tani të bëjmë një studim për të hequr nga kjo mbrojtje e plotë, familjet që konsumojnë shumë energji se jetojnë në kushte shumë të mira, por janë prapë një pjesë e vogël, se nuk ndryshon ndonjë gjë të madhe, por po e bëjmë dhe këtë pjesë, por për momentin të gjitha familjet, përfshirë dhe familjet tuaja që jeni këtu, nuk kanë asnjë rritje të çmimit të energjisë. Po ashtu bizneset e vogla.
Ne nuk duam që ajo mbështetje që po u japim mbi gjysmë milioni shqiptarëve tani për tre muaj, me shpresën që s’do na duhet përsëri të vazhdojmë me financime sepse do të bëhet gjithmonë e më e vështirë, por për momentin, për tre muaj, ai 30 mijë lekëshi që po japim, duke bërë llogari në bazë të shifrave të INSTAT-it që rritja e ushqimeve bazë është 25 mijë lekë të vjetra, nuk duam që të relativizohet komplet nga çmimet që vini ju. kjo s’mund të pranohet.
Thelbi është, bashkërisht duhet ta përballojmë këtë situatë! Me patriotizëm në radhë të parë, është një fjalë që ne e përdorim me kënaqësi të madhe kur nuk jemi të kërcënuar nga asgjë dhe sidomos kur duhet të shajmë të tjerët që kanë flamuj dhe gjuhë të tjera nëpër stadiume, por sot realisht është patriotizmi në radhë të parë, nga të gjithë!
Dhe për juve biznesmenët është një shans i madh që të lani ca mëkate nga ato që keni bërë gjatë rrugëtimit tuaj e kur të mbarojë lufta të filloni të pastruar nga mëkatet.
Imagjino sikur të nxirrni fitime sot mbi gjakun e atyre që vriten andej dhe mbi lotët e këtyre që janë këtej, këtu s’e kam për ata që protestojnë, se për ata, unë në fakt do bashkëpunoja me ju për ta bërë çmimin e vajit dyfish, por imagjino të nxirrni fitime dhe kur të shkoni të Shën Pjetri t’ju thotë “ore po çfarë bëtë kur ishit në atë jetë” edhe ju t’i thoni kam bërë këtë, kam bërë këtë dhe pastaj t’ju thotë: “Po mirë more, si ka mundësi që kur ishte ajo lufta në Ukrainë, keni fituar kaq shumë”?!
Kjo s’duhet të ndodhë se pastaj ju takon rrethi i fundit i ferrit dhe për ata që janë myslimanë dhe thonë ç’punë kam unë me Shën Pjetrin, po ju them që këtu është i ndarë Zoti, jo në botën tjetër. Në botën tjetër është Një. Vetëm emrin e ka ndryshe ferri dhe parajsa.
E përtej kësaj shakaje që është gjysma e të vërtetës, do ju lutesha shumë që mirëkuptimin tuaj të plotë, këtu nuk është çështje e gjërave që mund të bëjë shteti me pahir dhe po e mbyll aty ku e fillova, unë jam kundër ndërhyrjeve të çfarëdo lloji të shtetit në shtyllën kurrizore të tregut, jo se jam ideologjikisht i penguar që të jem pro, por në kushte paqeje kjo është skandal, ndërsa në kushte lufte, kjo është domosdoshmëri dhe prandaj sot unë jam këtu bashkë më ministren.
Do ishte dhe ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, por është duke bërë një interpelancë në Parlament sepse jemi në kushte lufte.
Duam mirëkuptimin tuaj të plotë, bashkëpunimin tuaj të plotë dhe arsyeja pse po zgjatem është se e duam, jo me detyrim, e duam me bindje dhe me dëshirë.
Juve jeni të gjithë njerëz që nuk keni lindur të pasur, nuk e keni pasurinë nga trashëgimia familjare, të gjithë e keni nisur nga hiçi, të gjithë keni parë ditë të vështira, varfërie, madje, disa me siguri. Është koha ta kujtoni këtë gjë! Ta kujtoni për të thënë ja ku jemi këtu.
Sot vjen dita që duhet të jepni pak më shumë dhe të mbani më pak.
Prandaj duhet të mbani vetëm çfarë ju duhet për ta vazhduar biznesin. Pa hyrë në situata shtrëngimesh që mund të krijojnë pastaj shkatërrime që përsëri reflektohen në treg se gjëja që nuk kuptojnë partizanët e luftës me logjikën e sistemit kapitalist dhe gjëja që nuk kuptojnë ata që thonë “shko, kapi, bëji, arrestoji, futi” është që kjo është e bukur shumë për t’u parë si film i luftës kundër gjakpirësve, por kjo e shkatërron, pikërisht ato ura që lidhin tregun dhe pastaj gjendesh pa gjë fare se s’ka kush ta sjelli. Ta sjelli shteti, thonë këta, domethënë jetojnë në një botë fantazish.
Faleminderit edhe njëherë!
Me karburantet puna po ecën mirë. Mendoj që jemi në kushtet e transparencës së çmimit, jemi në kushtet e mirëkuptimit final, se nga informacionet që marr unë mbledhjet zhvillohen me tension, po tensioni s’ka problem, rezultati ka rëndësi. Shpresoj të kemi të njëjtin mirëkuptim bashkë, por ajo që do të ndodhi është që kush nuk do të pranojë këtë vijë sjelljeje, do duhet të përballet me masa ekstreme.
Ajo që ne duam të garantojmë është se nëse themi çmimi i vajit është ky, dhe logjika e këtij çmimi është kjo, ai çmim nuk do jetë ndryshe këtu, e ndryshe atje. Do jetë një! Dhe kush do ta lëvizi për lart, do të humbasë gjithë sasinë që ka në dispozicion edhe do humbasë të drejtën për të tregtuar. Kontrollet nëpër markete për këto çmime do të jenë të vazhdueshme dhe pasoja do të jetë mbyllja direkte e marketit komplet dhe marrja e të gjithave çfarë ka brenda. Të jemi shumë të qartë! Do ta bëjmë me ligj sepse është luftë. Plus për shumicën. Nuk besoj se do të vijë puna deri këtu dhe uroj mos vijë puna deri këtu për askënd, sepse realisht nuk po kërkojmë asgjë që cenon palcën e biznesit tuaj. Që do të thotë, duam të garantojmë vazhdimësinë edhe për ju, se gjithë ato kontrata, linja të krijuara ndër vite, burime furnizimi nuk janë kollaj për t’u vënë të gjitha në dispozicion. E vetmja gjë që ju duhet të ndani mendjen është që nuk keni për të fituar sa fitoni normalisht. Marzhi i fitimit duhet të ngrihet aq sa ju duhet për të vazhduar që të operoni pa pasur asnjë problem për të paguar punëtorët po njësoj, të vazhdoni operacionet po njësoj. Më shumë se kaq për të ndërruar veturë, apo për të marrë ndonjë shtëpi tjetër apo ku di unë se çfarë, për momentin jo.
Me këtë takim kurorëzuam në proces një javor që ka qenë një proces takimesh, diskutimesh, hulumtimesh për të parë si janë gjërat dhe më vjen mirë që e përgjithshmja me përjashtime të caktuara është ok për të vazhduar në këtë rrugë.
Gjëja që ju takon ju është që sa më shpejt brenda ditës së sotme maksimumi paradites së nesërme t’i komunikoni Ministres së Financave dhe Ekonomisë emrat e peronave që do të jenë përfaqësues të dy palëve, të shumicës dhe pakicës, që të mos i zgjedhim ne, se nuk besoj që t’i zgjedhim e në këtë rast, kështu e bënë dhe ata të karburanteve, brenda ditës së nesërme të bëhet dhe mbledhja e parë e kësaj trupe për të vënë pikat mbi ‘i’ dhe pastaj të anonçohet për të gjithë shumicën dhe për të gjithë pakicën që këto janë vendimet për ushqimet bazë, nuk diskutojmë të tjerat, por për ato që janë një domosdoshmëri absolute dhe që kanë të bëjnë shumë drejtpërdrejtë me psikologjinë e kësaj situate.
Momenti i parë pati edhe ekses, tani nuk jemi më në momentin e parë, tani jemi në momenti që duhet të vendosim pikat mbi ‘i’. Kam shumë besim që do ta bëjmë së bashku edhe do jetë një eksperiencë shumë pozitive nga pikëpamja humane, nga pikëpamja edhe e partneritetit mes nesh dhe jush e pse jo dhe nga pikëpamja e rezultatit.
Shumë faleminderit dhe kurajë, besim, durim edhe shëndet.