Sot u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit mes Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT) dhe Michigan State University (MSU), një hap tjetër konkret ky drejt ndërkombëtarizimit të universiteteve tona.
Kryeministri Edi Rama ishte sot i pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes e cila ngre urat për bashkëpunimin akademik për trajnimet, kërkimin shkencor, zhvillimin e kurrikulës, sigurimin e cilësisë, duke e bërë më tej UBT një destinacion tërheqës për të rinjtë, në rrugën e reformës së ndërmarrë bashkërisht mes Rektoratit dhe Ministrisë së Bujqësisë e të Zhvillimit Rural.
Në fjalën përshëndetëse, Kryeministri Rama theksoi se Universiteti i Miçiganit si partneritet strategjik i shtohet universitetit Boku të Vjenës, me të cilin gjërat tanimë kanë shkuar në një stad tjetër dhe falë ndërveprimit me të cilin, synohet që brenda këtij 10 vjeçari, deri në 2030, Universiteti Bujqësor të jetë shkolla simotër e Vjenës dhe njësoj siç shkohet në Vjenë për të studiuar studentët të shkojnë edhe në UBT dhe diplomat të kenë të njëjtën vlerë.
Përshëndetje të gjithëve!
Gjyshja ime thoshte, “lum ai që jep, jo ai që merr”, dhe sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë merr thellësi kuptimi i kësaj shprehje për mua.
Ndërkohë që, sot jemi këtu pikërisht në një moment që e ilustron për mrekulli vlerën e kësaj shprehje. Ne as nuk na kishte shkuar nëpër mend që duke hapur dyert për viktimat e asaj situate tragjike në Afganistan, do të mund të kishim një përfitim kaq të madh sa ky që kemi sot këtu, ne këtë universitet dhe për këtë universitet.
Mirëpo kjo është vlera e madhe e të dhënit të asaj që ke mundësi të japësh sepse në një farë mënyre, energjitë shkëmbehem në këtë jetë dhe sido qoftë vjen përsëri në një formë apo në një tjetër tek ti, ajo që populli ynë thotë, “më mirë një mik se sa një çiflig”. Sot Universiteti Bujqësor i Tiranës ka një mik më të mirë se sa një çiflig, më shumë se sa çdo fond që ne mund të jepnim dhe që sigurisht fondet janë të nevojshme, është prania dhe vullneti i Universitetit të Miçiganit për t’u bërë partner strategjik i Universitetit të Tiranës, nisur nga një moment që në një të keqe të madhe për një grup njerëzish, na njohu dhe na afroi me njëri-tjetrin dhe unë kam shkuar vetë personalisht në Universitetin e Miçiganit, bashkë me ministren e Arsimit dhe me të tjerë, pikërisht për të garantuar që kjo lidhje e krijuar në një moment të vështirë, të mos tretej, por të kthehej në një lidhje të përhershme dhe me një impakt të rëndësishëm në jetën e këtij universiteti.
Unë hyj ndër ata që besojnë, mbase ende jam pakicë, por jam i bindur që do bëhen shumicë, se ky universitet është një nga universitetet e të ardhmes, për të mos thënë që është universiteti i të ardhmes, por është një nga universitetet e të ardhmes, sepse këtu nuk është çështja thjesht siç ka qenë Universiteti Bujqësor, merret me bujqësi, merret me fshat, merret me fshatarë. Këtu çështja është komplet tjetër sot e do ët jetë gjithmonë e më shumë në fokusin e njerëzimit, e shoqërive, e vendeve, e elitave akademike. Qëndrueshmëria e zhvillimit dhe kapaciteti për të shfrytëzuar burimet natyrore dhe pasuritë që njeriu krijon përmes ndërveprimit me natyrën, pa rënë në kushtet që ato të mungojnë. Kjo që ndodh sot është një moment shumë domethënës në këtë drejtim. Është një luftë, e cila ndër të tjera na tregon se sa nevojë do të ketë gjithmonë e më shumë bota, jo thjesht ne por bota, për dijen dhe për zhvillimin e qëndrueshëm në funksion të garantimit të vazhdimësisë të jetuarit normalisht të popullatës.
Të gjitha burimet natyrore janë të kërcënuara sot nga rritja eksponenciale e popullsisë në përgjithësi, nga shumë e shumë gjëra që ju i dini më mirë se unë e për t’u kthyer prapë në këtë sallë, në kuptimin e arsyes pse jemi mbledhur këtu, është themelore që ne së bashku t’i japim këtij universitetit maksimumin e mundshëm për të përshpejtuar adoptimin e universitetit bujqësor me kohën dhe për të përshpejtuar modernizimin e Universitetit Bujqësor, duke shfrytëzuar sa më mirë burimet njerëzore të universitetit.
Këtu ka një kapacitet burimesh njerëzore të admirueshëm për shkak të traditës, për shkak të eksperiencës, por edhe për të garantuar vazhdimësinë e kësaj cilësie të burimeve njerëzore, gjë që do të jetë e mundur, ose më saktë gjë për të cilën ndihmon shumë edhe krijimi i partneriteteve të duhura.
Universiteti i Miçiganit si partner strategjik i shtohet universiteti Boku të Vienës me të cilin tanimë gjërat kanë shkuar në një stad tjetër dhe falë ndërveprimit me të cilin, ne dëshirojmë që brenda këtij dhjetë vjeçari, deri në 2030, ky këtu të jetë universiteti sivëlla apo simotër, shkolla simotër e Vjenës e njësoj siç shkohet në atë universitet për të studiuar të vihet dhe këtu dhe në fund të merren po ato diploma me po atë vlerë, ku skuadrat e pedagogëve janë skuadra që ndërveprojnë me njëra-tjetrën dhe ku studentët nuk janë vetëm studentë shqiptarë, por janë studentë edhe nga rajoni edhe më gjerë dhe kjo është plotësisht e mundur, duke pasur parasysh edhe këndvështrimin por edhe bindjen e parë të krijuar nga misioni i Universitet Boku këtu. Unë kam qenë në kontakt me ta, jemi takuar, ka qenë prezent edhe rektori, kemi biseduar gjerë e gjatë dhe ka qenë shumë inkurajuese për mua pamja e tyre për universitetin. Sigurisht, universiteti ka boshllëqet e veta, universiteti ka nevojat e veta, por ama ajo që ka rëndësi është që ata nuk gjetën rrugën që me mirësjellje të thonë do ju ndihmojmë por nuk jemi të interesuar për ta thelluar këtë marrëdhënie, përkundrazi, ata e thanë që ne jemi të surprizuar nga potenciali, jo nga situata konkrete, se ka probleme, por na potenciali, nga kapacitetet pedagogjike, nga programi dhe nga potenciali që ka territori dhe ne do vazhdojmë punën me rektorin, i cili ka një energji të admirueshme, e shihni edhe kur mban fjalime që bën çmos që të thotë sa më shumë në njësinë e kohës dhe për hir të vërtetës është kënaqësi për mua sepse unë i kam tmerr njerëzit që flenë gjumë dhe nuk dinë, nuk janë të dhënë mbas punës, kështu që është kënaqësi kur herë pas here edhe më kujton ndonjë gjë rektori apo më ngacmon për ndonjë gjë, domethënë është shumë e rëndësishme që kemi një sinergji dhe kemi bindjen.
Tani, duhet të bëjmë punë së bashku e na shërbejnë shumë këto partneritetet që të tërheqim më shumë studentë që të vijnë këtu të studiojnë e të kuptojnë që këtu është e ardhmja, sa është në inovacion dh enë teknologji aq është edhe kur vjen puna që çfarë do bëjmë me tokën, çfarë do bëjmë me ujërat, çfarë do bëjmë me pyjet, çfarë do bëjmë pa gjithë ato burime që nuk na i zëvendëson dot teknologjia, të cila nuk prodhohen në mënyrë teknologjike e për të cilat duhet të kemi shumë më tepër dituri dhe shumë më tepër qartësi se si do i shfrytëzojmë.
Më vjen jashtëzakonisht mirë që ajo që ne bëmë, ne nuk e bëmë fare me idenë që do të kishim edhe këtë përfitim, na ka sjellë në kushtet që të përfitojmë nga ky partneritet ndërkohë që më vjen shumë mirë që studentët afganë këtu kanë gjetur jo vetëm mikpritje por kanë gjetur dhe një hapësirë ku ndihen mirë. Pas pak do shkojnë matanë oqeanit, shpresoj që të mos mërziten se nuk do i trajtojnë kaq mirë sa i trajtojmë ne këtu por do mësojnë dhe ata si të mos i trajtojnë mirë të tjerët dhe në rregull do jenë dhe ndërkohë nuk diskutohet që është kënaqësi që gjithë ata që erdhën, disa mijëra këtu, tani janë duke marrë atë që prisnin, ka mbetur një pjesë e vogël, të tjerë mund të vijnë prap por është normalizuar komplet gjithë sistemi dhe Kanadaja ka marrë një pjesë të madhe, edhe Shtetet e Bashkuara po marrin jo aq sa premtuan por një pjesë se e kanë këtë si zakon që premtojnë shumë dhe bëjnë më pak se sa premtojnë, kur vjen puna tek gjërat konkrete. Kur vjen puna tek standardet dhe vlerat aty na japin pa pushim gjatë gjithë kohës se nga ato kanë shumë, por ne i marrim me kënaqësi dhe po qe puna për standard dhe për vlera, për predikime, i kemi këtu, nuk ka ditë e natë, na japin me bujari të madhe çfarë duhet të bëni, e kur vjen puna tek këto gjërat konkrete, japin por pak me kujdes, se nuk kanë të shkretët, nuk janë në pozitë që të japin shumë. Nuk ka problem.
Megjithatë na vjen shumë mirë që sot jemi të gjithë bashkë këtu edhe me ambasadoren. Më pëlqeu shumë ajo pjesa që tha rektori, “ju garantojmë zonja ambasadore”, mu kujtua koha kur vinte sekretari i partisë këtu nga komiteti dhe i thoshte ai dekani i vjetër dhe i thoshte “ju garantoj shoku sekretar i partisë se ne do punojmë që partia dhe populli të jenë krenarë për ne”. Edhe ne ju garantojmë patjetër, faleminderit shumë. Këto kisha unë, suksese dhe rroftë miqësia shqiptaro – afgane!