Fermerët, pjesë e Paketës së Rezistencës Sociale për mbështetjen e skemës së naftës pa taksa. - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Fermerët, pjesë e Paketës së Rezistencës Sociale për mbështetjen e skemës së naftës pa taksa.

Për fermerët përfitues nga skema mbështetëse e naftës pa taksa, Paketa e Rezistencës Sociale parashikon që kjo mbështetje të shkojë në 1.4 miliardë lekë ose 14 milionë USD, me një shtesë plus prej 5 milionë USD.

Këtë vit, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, programoi për të dytin vit radhazi, fondet për subvencionin e naftës, si masë e nevojshme në mbështetje të sektorit të bujqësisë. Aktualisht skema e subvencionit të naftës përcakton si përfitues të naftës falas fermerët e kulturave bujqësore, si: grurë, misër, fasule, luledielli, tërshërë, thekër, bimë aromatike-mjekësore, etj.

Për të folur rreth masave të ndërmarra nga qeveria si pjesë e Paketës antikrizë, Kryeministri Edi Rama bashkëbisedoi sot me fermerë prodhues të grurit dhe përfitues nga skema mbështetëse e naftës, në fshatin Jubë, Katund i Ri, Durrës.

Në takim merrnin pjesë Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj, si dhe Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako.

Mirëdita! Shumë faleminderit dhe për praninë tuaj dhe për faktin që po ndani këtë moment me ne edhe pse është ditë pushimi.

Ne erdhëm së bashku me ministren e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe me ministren e Financave dhe Ekonomisë dhe kryetaren e bashkisë për të folur pak për situatën, për Paketën e Rezistencës Sociale dhe sigurisht dhe për sektorin, ku ju të gjithë jeni kontributorë të drejtpërdrejtë që është sektori i bujqësisë.

Ka shumë diskutime, debate, opinione kontradiktore për bujqësinë, sot dhe prej shumë kohësh, sepse një pjesë flasin mbi bazën e realitetit të fakteve në bujqësi, një pjesë tjetër kanë opinione të krijuara nga larg, nga mediat që në të shumtën e herës priren vetëm për keq, në kuptimin për të dhënë lajme të këqija dhe në një farë mënyre kjo është punë e tyre apo nga çfarë njohje shumë të cekët dhe shumë të fragmentuar kanë për bujqësinë.

Bujqësia jonë sot nuk ka asnjë krahasim me atë që ishte para 7- 8 vjetësh, asnjë krahasim, në asnjë aspekt. Patjetër që bujqësia jonë ka problemet e veta, patjetër që për fermerët nuk është gjithmonë e thjeshtë dhe patjetër që në sektorin e bujqësisë ne kemi ende një sfidë të madhe të hapur që është sfida e mentalitetit që në shumë zona, në shumë pika na pengon të shkojmë para. Ndërkohë që në shumë zona të tjera ka ndryshuar dhe prandaj ato zona shkojnë përpara.

Në ç’kuptim të mentalitetit? Në mentalitetin e të qenit të ndarë dhe secili për vete.

Në bujqësi është e pamundur të shkohet larg dhe duke menduar secili për vete. Mund të shkohet larg vetëm duke bashkuar forcat dhe natyrisht, jo si në kohën e mëparshme, një bashkim me detyrim, por një bashkim me vullnet të lirë që secili ka atë ngastrën, tokën e vetë, por të gjithë së bashku koordinojnë forcat për çfarë do mbjellin, si do ta trajtojnë dhe shesin së bashku. Të ndarë në prodhim, të bashkuar në shitje, është sekreti i suksesit në të gjithë ato zona ku ne sot kemi prodhim intensiv dhe kemi eksporte të larta.

Ndërkohë që, aty ku kemi shumë ndarje ndeshemi pastaj dhe me fenomenin e hedhjes fare të prodhimit, sepse janë sasi shumë të vogla dhe bëhet pastaj e pamundur për t’i shitur e kur janë sasi të vogla, e kur fermerët janë të ndarë, grosistët i përçajnë, i gjejnë të përçarë dhe fare kollaj i torolisin me çmime për një copë bukë. Kurse kur fermerët janë të bashkuar dhe kur prodhimi që ata shesin së bashku është një prodhim cilësor, atëherë marrin dhe çmime të mira.

Nga ana tjetër, unë dua të them 2-3 fakte që lidhen me bujqësinë, që janë fakte shumë kokëforta.

Ne sot, Shqipëria, punon dyfishin e tokës bujqësore që punonte para 7-8 vitesh. Ky fakt i vetëm mjafton për të kuptuar që bujqësia ka bërë një hap shumë të madh përpara dhe absolutisht jo nuk është kthyer mbrapa por absolutisht ka një fuqi shumë më të madhe të shtuar.

Fakti i dytë që lidhet me të parin është që punimi i dyfishit të tokës bujqësore sot në Shqipëri, krahasuar me ca vite më parë, shikohet tek eksportet dhe tek importet. Deri disa vite më parë, ne eksportonim 1 dhe importonim 7. Pra raporti në treg i prodhimeve vendase dhe të huaja ishte 1 me 7, sot është 1 me 3. Që do të thotë që ka më shumë prodhim vendas në tregun tonë sepse ka më shumë toka të punuar dhe ka më shumë prodhim në tërësi.

E treta është që nuk ka prodhim vendas më shumë këtu vetëm por ka dhe më shumë eksport. Eksportet tona bujqësore kanë shkuar thuajse afër gjysmë miliardi, ndërkohë që ishin 120 milionë, të gjitha së bashku, 120 – 125 milionë, duke përfshirë edhe peshkimin. Një çmenduri e vërtetë!

Sot jemi në thuajse gjysmë miliardi dhe ambicia jonë është të shkojmë në 1 miliard deri në fund të këtij mandati, mirëpo ju jeni këtu në zonën që u prek më shumë nga tërmeti dhe e dini shumë mirë se çfarë do me thënë të goditesh nga lart. Ndërkohë që ne bëjmë planet, ne nuk i në dorë ngjarjet, askush nuk i ka në dorë ngjarjet. Ne bëjmë plane në familjen tonë, larg qoftë ndodh diçka, ndryshon plani komplet.

Ndërkohë që, ne përpiqemi me planet tona dhe me punën tonë të ecim përpara më shpejt, vjen tërmeti, vjen pastaj pandemia dhe sikur të mos mjaftonin këto të dyja, kemi dhe taksiratin e pasojave të një lufte që zhvillohet gjetkë por që për shkak se ekonomia e sotme është shumë e lidhur, ndihet këtu siç ndihet në gjithë botën. Ndihet dhe në Australi. Australia nuk ka fare lidhje me kontinentet e tjera dhe edhe në Australi rriten çmimet për shkak se ka një luftë në Ukrainë dhe duhet të jesh shumë i vendosur që të mos shohësh e mos të dëgjosh e që të mos kuptosh, që të vazhdosh e të thuash që kjo nuk ka lidhje, sepse është e gjithë bota në këtë situatë, sepse nuk ka hyrë në luftë një mëhallë me një mëhallë tjetër. Nuk ka hyrë në luftë Sukthi me Manzën. Ka hyrë në luftë një fuqi e madhe tregtare për shkak të faktit se zotëron një pjesë të konsiderueshme të burimeve natyrore, të naftës dhe të gazit dhe të lëndëve të para, që nga hekuri e deri tek drithërat, në Europë dhe më gjerë sic është Rusia, dhe një nga prodhueset kryesore të drithërave përsëri, por edhe të hekurit dhe të materialeve, të lëndëve të para, siç është Ukraina. Janë dy forca të përfshira në një luftë por janë dhe dy tregje të rëndësishme, të cilat tani ka çoroditur gjithë dynjanë. Sot që flasim, në Shqipëri ka ndaluar pjesa më e madhe e investimeve publike dhe private. Ndërtimet, pse kanë ndaluar? Kanë ndaluar sepse hekuri është rritur trefish. Pse kanë ndaluar e janë duke ndaluar përditë investimet tona? Sepse kontratat tona me ndërtuesit, për tunelin e Llogarasë, për investime të tjera, janë me çmimin e hekurit tre herë më pak. Hekuri është themelor në ndërtim. Tani, për të vazhduar ata, na thonë ne nuk mund të vazhdojmë të zbatojmë kontratën kur këtu, jo për fajin tonë por për një forcë madhe që është si një fatkeqësi natyrore, ka ndodhur kjo. Se ne nuk e realizojmë dot, falimentojmë. Tani çfarë duhet të bëjmë ne? Duhet të shtojmë financat apo duhet të themi stop, deri sa të mbarojë kjo situatë?

Mirëpo shumë njerëz i bien shkurt, “lërini mor investimet”, thonë, “këtu puna është jepi lekë njerëzve”.

Por ‘lëri investimet’ është një fjalë goje se ‘lër investimet’ do me thënë; ço në shtëpi pa punë mijëra njerëz, domethënë hiq dore nga të gjitha taksat që do marrësh nga ato investime.

E treta, prano që duke hequr ato investime futesh në një spirale rënie ekonomike, se investimet e rrisin ekonominë. Se për të rritur rrogat, për të rritur pensione, rrit e rrit, na duhet të rrisim të ardhurat. Të ardhurat vijnë nga rritja ekonomike. Kush e rrit ekonominë? E rrisin investimet, nuk e rrisin shpenzimet. Kush e rrit ekonominë e një familje? E rrit puna që bën baba e nëna kur të dalin nga shtëpia, nuk e rrit shpenzimi brenda ekonominë. Se vetëm po të rrish brenda në shtëpi dhe të shpenzosh, vjen një dite që s’ke më çfarë të shpenzosh. Kurse dilni ju që në pikë të sabahut të shkoni të punonin tokën, dalin gratë bëjnë punët e tyre, shkojnë fëmijët në shkollë dhe pastaj vazhdon jeta.

Në qoftë se te gjithë do thonë, “s’do shkoj të punoj më tokën se do rri të jetoj me shpenzimet”, mbaroi. Kështu është edhe shteti, kështu është dhe buxheti. Nuk është diçka që vetëm nxjerr, është diçka që edhe fut dhe nëse ne nuk fusim nga një anë, si do nxjerrim nga ana tjetër? Kjo është logjikë elementare.

Ndërkohë kini parasysh që kjo që po e bëjmë ne, është diçka që asnjë vend se ka bërë akoma. Franca, e pashe që ka bërë një kompensim, por jo të plotë. Ne po bëjmë kompensimin e plotë të faturës së energjisë. Shikojeni se flasin, thonë “pse do kemi ne problem me energjinë? Se na i ka dhënë Zoti”. Çfarë na ka dhënë Zoti ne? Çfarë? Na ka dhënë lumenjtë, burime ujore, është e vërtet, por energjia jonë e gjitha prodhohet nga shiu. Ne kuptimin shiu, bora, prurjet, mbushet diga, prodhon energji.

Është viti i tretë rresht që ne kemi reshje te pamjaftueshme, madje shumë të ulëta dhe çfarë do të thotë kjo? Do të thotë që atje ku ne prodhojmë energjinë, digat kanë shkuar nën nivelin teknik.

Tani duhet të stopojë prodhimi sepse në qoftë se diga zbrazet komplet, marrin fund përgjithmonë. Dhe ka një nivel teknik që thotë “deri këtu mund te shkosh, këtu stopohet, s’ke më ujë, stopoje!”

Stopon prodhimi atje., por s’duhet të stopojë drita këtu. Atëherë duhet te dalim jashtë ta blejmë dhe atje jashtë është më çmime që të ikën mendja e kokës.

Ne kemi prej disa muajsh që jemi futur në këtë rruge, dhe ajo që duhet të kuptojnë të gjithë është që jemi në mars. Kriza ka filluar te shfaqet, të japi shenjat e veta të para shqetësuese nga fundi shtatorit, ne sot ne jemi në mars dhe te gjithë vapën, të gjithë thatësirën, te gjithë problemet i kemi përpara. Që do të thotë që ne duhet të shkundim komplet buxhetin e shtetit për të blerë energji me çmime marramendëse që mos të vijë tek ju.

Jam dakord unë, që janë rritur kostot, jam shumë dakord dhe kostot nuk janë rritur për shkak të ndonjë gjëje tjetër, por janë rritur për shkak të krizës së përgjithshme, por cili nga ju do ta pranonte që t’i vinte fatura atje në shtëpi më shumë se dyfish e energjisë elektrikë? Normalisht më shumë se dyfish, mund të shkojë dhe trefish dhe katërfish në disa raste. Cili do ta pranonte nga ju këtë?

Ndërkohe që për ju nafta është e rëndësishme, patjetër. Makinat janë të rëndësishme por gjëja më e rëndësishme për ju është nafta për të punuar këtu, nuk është për të dalë atje. Dhe ideja që, “hiqni taksat e naftës” është një ide që është kollaj për ta thënë, por llogaria bëhet me të gjitha sepse nëse ne heqim taksat e naftës atëherë ne nuk kemi më çfarë te kompensojmë pjesën tjetër dh kjo është një zgjedhje.

Ne kemi bërë zgjedhjen tonë. Jo, se nga taksat e naftës kush goditet? Goditen ata që kanë vetura, por ata që kanë vetura kanë më shumë se ata që s’kanë vetura apo jo? Kanë më shumë lek.

Goditen ata që marrin autobusët, atëherë për ata që marrin autobusët, do ndërhyjmë ne që të mos goditen. Pra që çmimi i biletës të mos rritet, që do të thotë që 100 lek për litër karburanti të autobusit, do paguajmë ne. Goditen fermerët, e vërtet, flas për naftën atje që punon.

Atëherë 5 milionë dollarë plus që shkojnë 1.4 miliard, janë para që do i paguajmë ne që fermerët të marrin naftë pa taksa, pra të mos kenë asnjë shqetësim të kësaj natyre. Të marrin një sasi nafte që kompenson pjesën tjetër dhe behet aplikimi, kemi marrë shumë aplikime tani që flasim. Aplikimet duhet te shtyhen deri në datën 30 mars për shkak të këtyre ditëve pushim, se ishte në 25 mars, në 30 mbyllen. Të gjithë atyre që bëjnë aplikojnë me ato kritere shumë të thjeshta do i japim naftën që të vazhdojnë te punojnë. Kjo është logjika jonë.

Pensionistët nuk kanë vetura, nuk ndotin mjedisin, prandaj nuk kanë pse pensionistët të paguajnë taksë qarkullimi dhe takse karboni, por ama ne s’mund t’ju çojmë pensionistëve faturën e energjisë dyfish dhe trefish. Se i ikën pastaj jo gjithë pensioni, por më shumë. Invalidët, tetraplegjikët, paraplegjikët nuk kanë vetura, por s’mund të paguajnë faturë energjie më të lartë se ne do heqim taksën për këta që janë me makina. Kush është me makinë, ka më shumë mundësi, është shumë ë e thjeshtë.

Të gjithë ne qe kemi makina dhe ne, edhe unë, edhe ministrat, 50% të naftës që marrim zakonisht do e paguajë tjetër, 50% tjetër në qoftë se do vazhdojmë te shpenzojmë do e paguajmë vet edhe ne, nga pagat tona ose do kursejmë ,ose unë që s’më rrihet pa shkuar këtej dhe andej do e paguaj.

Pra, koncepti është i thjeshtë, ai që ka më shumë, ai do bëjë pak më shumë sakrificë se kjo është sakrificë, nuk është kënaqësi. Lufta nuk vjen për të sjell të mira, se thonë, “ka spekulim”. Patjetër, lufta i sjell të gjitha këto. Unë dje isha me drejtorin e madh të kompanisë Total, francezja. Janë një nga kompanitë më të mëdha të botës për naftën, gazin, energjinë dhe kështu me radhë. Kanë ardhur këtu se duan të investojnë në Shqipëri, e ai ma tha shumë qartë: “Goditja e tregut të naftës në të gjithë botën, është rezultat i pasigurisë ekstreme që krijon lufta, nuk është se ka rënë prodhimi i naftës në bote, por është pasiguria”. Të gjithë ata që kanë rezerva nafte, kanë rritur çmimin.

Nëse lufta mbaron dhe nëse pasiguria bie, çmimi bie menjëherë se kështu funksionon sot ekonomia botërore, nuk e vendosim ne, se njerëzit thonë “Çlidhje kemi ne”. Kemi pra lidhje si nuk kemi lidhje.

Në ndërkohë, ne kemi këtu Shell-in që po bën një eksplorim të rëndësishëm dhe kanë nxjerrë gaz në Shpirag, është në fazën e kolaudimit për të parë sa është ky zbulim financiarisht interesant për ta sepse kanë shkuar shumë thellë, e kanë nxjerrë gazin, flitet për një sasi shumë të madhe gazi që do ta ndryshonte shumë ekonominë shqiptare, por ende nuk është plotësisht e testuar që kjo vjen me fitim sepse kostoja e nxjerrjes është shumë e madhe. Kemi edhe ENI italian që po bën një eksplorim tjetër, dy kompani shumë të mëdha. Totali është niveli i këtyre. Nuk janë të interesuar për naftën në Shqipëri.

Folëm dje, energjia diellore, energjia me erë, energjia hidro, energjia me gazin e lëngshëm që vjen me platforma nga deti, energjia me panele në det, për naftën thanë “Nuk ka asnjë interes. Është naftë e rëndë, sasitë janë të vogla, kostoja e rafinimit është shumë e lartë” dhe që të bësh diesel apo benzinë me atë naftë të del më shtrenjtë se sa marrësh nga fundi i botës se është kostoja e rafinimit shumë e lartë.

Tani si t’ia shpjegojmë këtë ne atyre që thonë “Ne naftën e kemi, ne energjinë e kemi se na e ka dhënë Zoti”, jo mo nuk e kemi fare naftën kështu siç thuhet, nuk e kemi. “Bëjmë një rafineri shtetërore”, me se do ta bëjmë dhe si do funksionojë rafineria shtetërore? Investimi për rafinerinë është i tillë që kërkon sasi të mëdha dhe nuk i kemi ato sasi.

E dyta, të bësh rafineri këtu, të përsërisësh Ballshin për këtë naftë është katastrofë. E kishim aty dhe nuk kishte investitorë që e prekte me dorë se thoshin “Është shumë e shtrenjtë, nuk e bëjmë këtë punë” se nuk jemi në një botë të mbyllur, nuk jemi në komunizëm që e mbyll nga të gjitha anët dhe po rafinojmë naftën që shkatërron makinat rrugëve dhe mbush me squfur gjithë ajrin. Janë fakte që duhet t’i mbajmë parasysh.

Nuk luftohet me fakte. Me faktet nuk luftohet sepse faktet janë fakte. Që kjo është fushë e punuar, është fakt, se si është punuar hajde ta diskutojmë, por që është fushë e punuar është fushë e punuar, është fakt sepse nuk mund të them është pishinë, as det. Këtu bëhet luftë me faktet. Këtu të tregojnë gjëra që janë të paimagjinueshme dhe t’i thonë për të vërteta.

Në mbyllje, që t’ia jap fjalën edhe kolegeve këtu, ne në këtë sfidë të madhe që na ka rënë përsëri mbi kokë, do bëjmë gjithçka mundemi, e para për ata që kanë më shumë nevojë për mbështetje dhe këtu hyjnë dhe fermerët, patjetër, dhe e dyta që t’i llogarisim mirë hapat sepse kjo nuk e dimë sa zgjat.

Për herë të parë bëhet mbledhje urgjente jashtë rendit, jashtë radhe e NATO-s, do shkojmë të mërkurën. Do shikojmë çfarë do vendoset atje.

Ne nuk e dimë sa zgjat kjo, nuk e dimë çfarë forme merr kjo. Mund të ketë armëpushim më shpejt, do Zoti, por mund të mos ketë. Negociatat po vazhdojnë, nuk ka rezultat deri më tani dhe sidoqoftë, armëpushimi nuk është fundi i luftë. Mund të ketë armëpushim për të bërë një marrëveshje, por mund të mos ketë. Mund të zgjasë me muaj, por mund të zgjasë edhe më tepër, nuk e dimë.

Prandaj, ne duhet të jemi shumë të përgatitur mendërisht dhe psikologjikisht që duhet të rezistojmë, kjo është rezistencë dhe ndaj ajo çka u kemi thënë atyre të naftës, dhe atyre furnizuesve me shumicë, që kjo nuk është më histori fitimi, këtu është rezistence. Natyrisht ata nuk duhet të dalin me humbje sepse nëse dalin me humbje ata falimentojnë dhe nuk ka më as furnizim, por duhet të gjithë të bëjë diçka më shumë sesa të tjerët.

Sakrificën nuk mund tua kërkojmë as pensionistëve, as fermerëve, as atyre që lëvizin me autobus, as invalidëve, sakrificën duhet tua kërkojmë atyre që kanë më shumë. Ata që kanë më shumë kanë nevojë për ushqimet dhe ushqimet i prodhoni ju, nuk i prodhojnë fuoristradat. Ushqimet i prodhoni ju. Faleminderit!

Një nënvijëzim tjetër dua të bëj para se t’i jap fjalën Anit, për të kuptuar si ndikon lufta atje këtu. Është rritur ureja, ju e dini shumë mirë, por ajo që unë mësova, se të jesh i paditur është absolutisht gjëja më e natyrshme se nuk mund t’i dish të gjitha, por padituria bëhet faj, kur ti nuk e di një gjë dhe flet kot.

Kështu që unë, për shkak të detyrës, kam qenë i detyruar dhe kam pasur fatin të mësoj shumë gjëra që nuk i kam ditur dhe çdo herë që diçka më bën përshtypje dhe nuk e di, pyes dhe nuk pyes Facebook-un, pyes ekspertët dhe shoh shifrat dhe duke pasur shumë ankesa për këtë punën e uresë që ka kapërcyer më shumë se të tjerat, pyes, dhe kush është përgjigja?

80% e uresë prodhohet në Ukrainë dhe problemi i rritjes ka dy arsye.

Njëra është ajo që thamë, që kush e ka në dispozicion, ndërkohë që atje shumë lidhje janë prerë, shumë eksporte po dëmtohet dhe importe, e rrit dhe tjetra është që nuk ka prodhim.

Pra, ajo që ne mund të kemi rrugës, larg qoftë, është që të fillojë të mungojë nafta, të fillojë të mungojë energjia, të fillojë të mungojë ureja. Pse? Se nuk ka. Sot çmimi i naftës, se ju e dini shumë mirë që nëse një gjë është aty dhe nuk po shitet, ai të thotë “Hajde merre se dua të iki merre me 5 lekë”, por kur nuk ka dhe kur vjen me shumë pak, aty mblidhet gjithë mileti dhe çmimi shkon në ajër.

Sot që flasim, domethënë llogarisni këtë, në mars të vitit të kaluar megavat/ora e energjisë në tregun ndërkombëtar, ku ne dalim për të blerë dhe ajo blihet me kompjuter, është i gjithi një treg që japin e marrin me kompjuter gjithë dynjaja, ishte 52 euro për megavat/orë, ndërkohë që në këtë mars u bë 550 euro. Problemi ishte që nuk ka.

Pra, për të mbledhur megavat/orë që na duhen ne, për t’i siguruar duhej të shkoje në disa adresa. Kështu që, këto janë arsyet pse ndikon ajo gjëja atje me ne këtu. Dhe ndikon kudo, ndikon në Australi. Ç‘lidhje ka Australia me Ukrainën? Në Australi janë rritur çmimet, sepse kemi të bëjmë me një, mjafton të hedhim një sy hartës dhe të shohësh sa e madhe është sipërfaqja e Rusisë, po sa është dhe Ukraina që në krahasim me Rusinë është shumë e vogël, por në krahasim me vende të tjera është shumë e madhe, 40 e ca milionë banorë, një nga vendet më të mëdha të Europës dhe të kuptosh që në ato territore prodhohen lëndë të para që influencojnë tregun botëror për të kuptuar se pse këtu pastaj gjërat ndikohen.

Ndikohen kudo, nuk ka asnjë vend ku nuk ka ndikim.

E dyta, që dua të nënvijëzoj, ne mund t’i rrisim rrogat, më shumë sesa ç’i kemi rritur, ne mund të rrisim dhe pensionet, por duhet të bëjmë një ndryshim të politikës, duhet të rrisim taksat dhe kush më thotë mua “Na keni bë me taksa” nuk e di se për çfarë flet, realisht nuk e di. Kush thotë “Edi Rama dhe qeveria na mbytën me taksa” nuk e di për çfarë flet sepse sot ne kemi të vetmin vend në Europë, në rajon, botën nuk e di se është shumë e madhe, me 0 taksë për 95 mijë biznese të vogla dhe 0 TVSH. Paguanin 10% taksë, 20% TVSH, e kanë 0 sot, dhe plus 0 taksë, ne sot i paguajmë energjinë njësoj siç ia paguajmë dhe familjeve. Pse? Sepse llogaria mesatare e asaj që shteti, llogariteni, buxheti i shtetit biznesit të vogël, 95 mijë bizneseve të vogla i paguan mesatarisht 350 mijë lekë energji, mesatarisht se ka edhe shumë më tepër, 350-400mijë lekë energji në muaj. Po t’ia rrisim ne atë, imediatisht një njeri aty do iki nga puna, është një rrogë ajo, 95 mijë veta i kemi në rrugë pa punë.

Taksën mbi pagën ne e kemi më të ulëtën. E çuam 0 për ata që marrin 400 mijë lekë rrogë, 7% për ata që marrin 500mijë lekë rrogë. Sigurimet shoqërore, ato që paguan për shëndet dhe pension, më të ulëtat. Vijmë këtu, për shtëpinë. Gjithë bota, se ne themi bota, por bota ka taksën e shtëpisë. Kur ne i bëjmë llogaritë atyre jashtë, harrojmë që ata paguajnë qira, harrojmë që ata paguajnë taksë për shtëpinë, ka taksë shtëpia për çdo metër katror, në fshat nuk ka se nuk e kemi futur fare, zona e fshatit nuk paguan.

Edhe toka ka taksë kudo, nuk paguan. Uji i vaditjes, nuk paguan. Pse e kemi bërë ne këtë? Për t’i dhënë njerëzve sa më shumë mundësi që çfarë fitojnë, ta mbajnë dhe të rriten e të fuqizohen.

Biznesi i vogël po rritet dhe po fuqizohet, për të vënë ca muskuj, për të mos i mbytur me taksa dhe për t’i dhënë motiv që të kenë më shumë, të marrin më shumë se paguaj këtu e aty është mirë por është në këtë fazë demotivuese. Duke pasur të gjithë këtë, me çfarë do ti bëjmë të tjerat?

Heqim dhe taksat e naftës, e aty pastaj nuk ka më se nuk ka më nga vjen. Ne kemi rritur taksa, e vërtetë, kemi rritur për biznesin e madh dhe lejet e ndërtimit dhe ato janë dy të ardhurat kryesore. Mirëpo, rrej e rrej që diçka të mbetet, kanë ngjitur këto gjëra që qenkemi me oligarkët. Me cilët oligarkë? Me cilët oligarkë jemi ne kur ata paguajnë sot? Oligarkë këtu nuk ka njëherë, që të jemi të qartë, por të pasurit, ata që kanë kompani ndërtimi paguanin 2% taksë për lejen e ndërtimit, tani paguajnë 8% por 8% shkojnë deri në 4,5, 6 milionë që paguajnë në bashkinë e Tiranës taksë. Paguanin 10% ata për fitimin, tani paguajnë 15%. Është më e larta në rajon kjo e të pasurve.

Kjo është çështje zgjedhjeje. Ne kështu e kemi zgjedhur, t’i lëmë sa më pak ngarkesë familjeve, individëve dhe t’i lëmë sa më pak ngarkesë biznesit të vogël që të kenë mundësi të marrin frymë lirisht e të rriten.

Nëse ne, vëmë të gjitha këto taksat që kanë të tjerët, patjetër i rrisim rrogat, më shumë seç i kemi rritur dhe do vazhdojmë ‘ti rrisim. Në qershor do rrisim rroga të tjera, por i rrisim menjëherë se i marrim nga gjithë dynjaja dhe ia japim disa kategorive. Por a është kjo gjëja e duhur?

Nëse ne, rrisim sigurimet shoqërore, patjetër mund të rrisim pensionet sepse logjika është shumë e thjeshtë, ia marr atij që është në punë dhe ia jap atij që është në pension dhe ai që është në punë, nesër kur të shkojë në pension, do marrë nga ai që është në punë.

Të gjithë ata që ankohen për pensionistët, janë gati të paguajnë sigurime shoqërore më shumë? Në asnjë mënyrë nuk janë gati. E tha bukur një nga këta sharlatanët “Ne duam demokraci për lirinë e fjalës, por jo për ekonominë e tregut”.

Duam të flasim sa të mundemi, po s’duam të punojmë. Jo! Ti bëjë shteti të gjitha. Po hajde bëjmë referendum, kthehemi në komunizëm dhe në rregull. Me këtë rast iki dhe unë fare nga këtu dhe shpëtojmë. Kthehemi në komunizëm, komunistët i kemi akoma, I kemi në formën e njërit që ka vdekur dhe bën sikur është gjallë edhe jemi në rregull.

Ka dhe disa që janë gjallë, por vdesin për atë, jemi në rregull. Ai s’e ka kuptuar akoma që ka vdekur. Ata të tjerët vdesin për atë, i marrim vendosim komunizmin këtu, zgjidhet problemi.

I bën të gjitha shteti edhe s’ka nevojë as për taksa, as për tatime as për gjë. Hapim prape Ballshin, fusim nëpër makina squfur me bitum, fillojnë të gjithë makinat bërtasin rrugës, tym dynjaja, jemi në rregull.

Po më duket se e kemi zgjedhur në ’90-tën që do të shkojmë në këtë rrugë. Janë ca këtu që bëjnë 200 hektarë grurë, ka ca të tjerë që i shkojnë thonë “aman më jep mua një punë”. Kështu është e ndarë tani. Këtu hyjmë ne, në këtë sistem. Duam ta bëjmë prapë të gjithë njësoj, aty e kemi. Gati është. Një referendum, komunizëm, jemi në rregull. Edhe e bëjmë një komunizëm ku secili ka të drejtë të flasë, askush s’ka detyrim të punojë. Qeveria ka detyrë të dëgjojë gjithë ata që flasin e të punojë për të gjithë ata që s’duan të punojnë.

Ju na dëgjuat me shumë durim dhe faleminderit për më tepër që di që nuk mund të dëgjoni në rrugë të tjera, kujdes kur hapni frigoriferin se mos ju dal dhe nga frigoriferi.

Edhe diçka doja të shtoja nga ato që dëgjova, çështjen e pastrimit.

E para një herë, është një çështje që ka qenë tmerr për Durrësin, ju e dini shumë mirë, por një tmerr në sensin e një ndotjeje masive të përditshme dhe të përnatshme për shkak të Porto Romanos. Një kancer atje që e ndoste gjithë zonën dhe ne këtë e zgjidhëm dhe shumë shpejt do të hapem më në fund edhe eko parku, por ka qenë një problem edhe mbledhja e mbeturinave, gjë që po sistemohet dhe pse e përmend këtë? sepse ata që i japin këto recetat magjike, thonë lërini këto. Këta i thonë inceneratorët por në fakt nuk është punë inceneratorësh, është punë impiantesh me prodhim energjie në fund fare, që kanë garantuar heqjen e një ndotjeje të madhe në gjithë këto territor dhe ndërkohë, kanë krijuar pika referimi për të vazhduar, për të çuar mbeturinat.

Tani, ne zgjidhem problemin që mbeturinat që nuk shkojnë më në Porto Romano, t’i çojmë në sharrë, në Tiranë. Si e zgjidhëm? Pa i kërkuar bashkisë të rrisi taksat tuaja, pa i kërkuar bashkisë të fusim ë shumë para, dha qeveria një pjesë të parave që kjo punë të zgjidhej e të mos bëheshin kamionët si perona non grata. Kudo ku shkonin ju dilnin fshatarët dhe i bllokonin, me të drejtë. Më duket se dhe këtu ka patur një zonë afër. Të gjithë njerëzit e këtu e dinë çfarë tmerri ishte Porto Romano. Çfarë do pranonin? Të bëhej një Porto Romano këtu? merri andej e hidhi këtej?

Hoqëm gjithë këtë stres, tani na thonë, “ja kështu i harxhoni ju lekët”. Nxorën dhe 43 milionëshin e famshëm e të tjera e të tjera. Përfitoj nga rasti ta them që kjo është një punë shumë e madhe që është bërë, për të gjithë njerëzit. E nuk ka lidhje puna e madhe me abuzimin e çdo individi që ka përfituar nga detyra për të bërë pazaret e veta. Kush abuzon me detyrën për pazaret e veta, ka tjetër rrugë. Ndërkohë që puna mbetet. Sigurisht që mbetet!

E dyta, për grumbullimin. Ministrja, një nga gjërat e reja që ka sjellë në programin e punës është ndërtimi i qendrave të grumbullimit ë prodhimit, jo më duke pritur që të vijë një privat por në bashkëpunim mes bashkisë dhe komunitetit. Këtu janë prodhuesit e grurit. Prodhuesit krijojnë një shoqëri bashkë me bashkinë. Bashkia dhe qeveria financojnë. Ngrihet pika e grumbullimit, zgjidhen përfaqësues, administrator, ja ku e keni, gati e keni, është dhe në pension, i rezistoka dhe presionit se nuk ia bleu atij maskarati atë dhe është në rregull, zgjidhet problemi. Janë 5 pika grumbullimi që do bëhen me këtë model. Do financojë qeveria, një pjesë të vogël bashkia, një gjë minimale secili nga ata që do futen në shoqëri por themeli i kësaj është shoqëria se nuk mund të bëjmë ne pika grumbullimi shtetërore. Kjo prap është një gjë që duhet ta administroni ju, në bashkëpunim me bashkinë dhe është një pikë grumbullimi. Në raport me atë pikë grumbullimi secili është prodhues, ajo është më vete, kurse pika e grumbullimit fillon nxjerr pak nga pak dhe ato fitimet e veta dhe fillon amortizon kostot. Kjo është gjëja. Aty nuk do keni mundësi që t’ia fusni vetes se jeni edhe që do çoni, edhe do grumbulloni. Se si do t’i thoni vetes, të paguaj më shumë se u rrit sot?

Ajo ka dhe një element tjetër, duhet ta kuptojmë këtë gjë. Është vetë struktura e ekonomisë së tregut kjo. Është djalli që ka brenda kapitalizmi. Prandaj duhen masa rregullatorë se kapitalizmi ka djallin brenda, siç e kanë dhe sistemet e tjera që e kanë edhe më të keq, se demokracia nuk është më e mira por më të mirë se demokracia nuk ka.

Tek çështja e ngritjes së çmimeve mbi mallrat e depozituar më parë, nuk duhet ta shohim këtë si gjë që nuk ekziston, sepse tregu funksionon mbi kërkesën dhe ofertën, mbi shumicën dhe pakicën dhe mbi sigurinë dhe pasigurinë. Në momentin kur unë e kam, dakord, e kanë këta grurin në depozitë dhe me atë çmim që e kanë depozituar, është shumë më pak se sa është sot. Mirëpo kur do ta nxjerri nga magazina dhe sheh që kërceu, vetvetiu shqetësohet se thotë, po ta shes unë këtë me çmimin që ishte, unë do dal me humbje e nuk do kem më. Megjithatë këtu ka një marzh spekulimi dhe për këtë arsye është bërë kjo.

Tani na lajmëruar që janë dy pika karburanti që e kanë shkelur rregulli e luftës, do shkojnë inspektorët, do shkojë policia, do merren masa se kanë shkelur rregullin e luftës. në kushte normale, këto janë skandale nga ana jonë si shtet por në kushte lufte, këto janë skandale nga ana e tyre, që të shkelin një çmim të vendosur bashkërisht dhe të thyejnë një rregull, kështu që do përballen me pasojat. Këtë gjë do t’ju bëjmë dhe të tjerëve në rast se do të luajnë me atë që biem dakord bashkë, se nuk do shkojmë me çmime e ti themi vëre çmimin kaq, por ama biem dakord që kaq është shumica, kaq është pakica? Po, nuk duhet të lëvizi njeri, të paktën për 5 artikuj bazë, se nuk do bëjmë të gjithë. Kanë shkuar kanë rritur çmimin e kremrave. Por çfarë lidhje kanë kremrat me Ukrainën? Se dakord, gjithë këto lëndët bazë, hekuri, gruri, misri, ureja e të tjerat kanë lidhje me Rusinë dhe Ukrainën por kremrat që blihen në Itali çfarë lidhje kanë? Është rritur nafta për ti sjellë? Ky është një reflektim i alarmit që ka tregu. Do fillojë të stabilizohet aty ku shitet sepse e rregullon vetvetiu edhe mekanizmi tjetër, që ti mund ta vësh çmimin sa të duash por nuk ta blen njeri. Kështu që do fillojë gjëja të normalizohet besoj, nuk do jetë si më përpara, por do normalizohet. Duhet të mbarojë lufta, të gjendet një qetësi në tregun botëror që pastaj gjërat të fillojnë të normalizohen.

– Ne jemi në fazën e mbjelljeve, në fillim të prillit ne nisim mbjelljet dhe flasim për akcizën e naftës. Ne kemi aplikuar por naftë nuk kemi, se nuk e dimë kur do na dali.

Kryeministri Edi Rama: Gjëja që duhet bërë është që menjëherë duhet futur në verifikim sipërfaqet e mëdha, që lidhen me kulturat që mbillen tani. Kulturat që mbillen pak më vonë, mund të presin fundin e prillit, por kultura që mbillet tani e mbi të gjitha duke filluar nga drithërat, ku mbillen drithëra që ka sipërfaqe më të mëdha se sa 1 hektar po themi, domethënë çfarë janë sipërfaqe të mëdha, verifikohen menjëherë dhe para 7 prillit që është dita e sulmit mbi Durrësin, ata do të kenë lekët. Ata dhe gjithë ata që janë me këto sipërfaqe, sepse përndryshe nuk kanë se si e bëjnë. Natyrisht që në të gjitha rastet ju do ti merrni ato, do të ishin dhe si kompensim po themi por prap do ishte një shpenzim i madh për ju që ti hidhni ato lekë përpara.

– Unë kam të mbjella grurë, do të mbjell edhe misër. Kam rreth 62 hektarë.

Kryeministri Edi Rama: po pra, këto janë sipërfaqe të mëdha. Të gjithë sipërfaqet e mëdha të aplikuara futen menjëherë në verifikim. Sipërfaqet e mëdha, tani mbështeten menjëherë këto që janë me drithëra. Duhet angazhuar dhe kadastra e Durrësit dhe njësitë vendore, se jeni ju kyç këtu për të dhënë atë, se hera e parë është problem. do e bëjmë të mundur këtë gjë në javën e parë të prillit që të lëvrojmë lekët. Se nuk mund të themi luftë dhe pastaj prit se procedurat.

– Unë kam edhe një minifabrikë të përpunimit të miellit dhe të misrit.

Kryeministri Edi Rama: Shumë respekt. Në këto raste është vërtetë shumë mirë edhe për ata që na ndjekin që ta shohin se si bashkimi bën fuqinë, nuk është një fjali propagandistike por është fakt dhe besoj që familjet nga familjet që ta kanë dhënë tokën, kush është këtu, edhe punojnë. Kush nuk është, jep tokën me qira, bashkojnë forcat dhe fitojnë të gjithë bashkë.

– Kjo zonë ka qenë nën ujë, dhe s’ka vaditje siç ka qene. Kjo zonë ka qenë shembull për rendimentin dikur. Çfarë duhet bere se është zone prodhuese shumë e madhe, duhet futur në prioritet.

Kryeministri Edi Rama: Kur më thua se këtu kishim rendiment të lartë. Nuk kam qene këtu ndonjëherë më përpara, por besoj që këtu kur ka patur rendimente të larta, nuk ka patur as kisha as shtëpi, asgjë këtu rreth e rrotull. Ka një lidhje ajo, se këta vëllezërit për këto hektarët i mbledhin një këtu e një atje, ai zotëria tjetër kap një familje 54 thotë, ai është gati të ketë 100. Por janë dhe 46 të tjerë familje që thonë jo po kaq, jo po aq, ndërsa atëherë ishte fusha, familjet ishin të gjitha në shërbim të asaj fushës, s’kishte aty asnjeri që ta jepte me qira dhe s’kishte nga ata që thoshin po ta rris urenë se u rrit tani që po flasim po pimë kafe. Por e gjitha nuk ishte mbi ujë ajo por ishte mbi gjakun e popullit. Gjakun jo djersen. S’kishte taksa, paguhej çdo gjë me gjak. Sot jemi në situatë tjetër.

-Ne si fermerë kemi një problem kryesor, më të shumtët, duke qenë se e thatë dhe ju, për çështjen e reshjeve që janë nën mesatare, ne kemi probleme me vaditjen. Jemi munduar të bëjmë vaditje por ka nevojë për investim në kanalet tona vaditëse. Kemi fatin që kemi Erzenin, të gjitha ato pemët që shikoni kalon lumi Erzen dhe me pak investim mund të vihet në punë sistemet vaditëse. Nga pas kemi dhe Kanalin e Gjermanit. Kemi bërë punë me kryetaren ne bashkisë me kanalet kulluese, një pjesë i përdorim edhe për vaditje.

Kryeministri Edi Rama: Ato janë ekzistuese të dëmtuara apo nuk janë fare?

Një pjesë të kanaleve kulluese, rreth 80% i kemi bërë me kryetaren e bashkisë vitin që shkoi përfunduam dhe një pjesë të tyre do i përdorim dhe për vaditje vitin që vjen.

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit shumë dhe unë ju jap fjalën që do vij përsëri shumë shpejt dhe të ulemi me prodhuesit këtu të drithërave dhe të shikojmë këtë konkretisht. Do vij bashkë me ministren dhe Anin e të shikojmë këtë çështjen e vaditjes dhe çfarë segmentesh plus duhen shtuar për të shtuar kapacitetin dhe të shikojmë konkretisht si ta çojmë përpara projektin e qendrës së grumbullimit, që ta përshpejtojmë që ta kuptojmë tamam sa efikase është për ju dhe çfarë nxjerrim nga kjo.

Në ndërkohë, ju jap fjalën që do bëjmë çmos që brenda javës së parë të prillit, përtej shakave, por realisht, brenda javës së parë të prillit të mund tua disbursojmë naftën pa taksa të gjithë atyre që kanë sipërfaqe drithërash për të mbjellë dhe që mbjellin kulturat tani, duke filluar nga ju. Do ulemi bashkë me Ministren e Financave që të bëhet disbursimi i shpejtë, për verifikimet Ani duhet të vërë menjëherë në punë ata të njësive vendore. Për djalin është e thjeshtë se verifikimi është bërë që vjet dhe nuk ka nevojë të bëhet riverifikim për sasinë e tokës e të tjerë, por për ju që aplikoni për herë të parë… që të heqim pjesën e procedurës se ajo vonon dhe fondi është gati. Fondin e kemi në dispozicion në buxhet, Thesari ta bëjë të akesueshëm, nafta është e prokuruar kështu që mendoj se brenda javës së parë të prillit do tua bëjmë këtë mbështetje.

Aty tek çështja e inputeve, sot është bërë mbledhja me ministret dhe ata, do t’i rri mbi kokë dhe asaj por kini parasysh që është një rritje…. e di por e di çfarë duhet ti themi vetes sa herë dëgjojmë për këto çmime që marrin kot? Duhet t’i themi vetes që këto janë bombat tona. Lavdi Zotit nuk kemi bomba mbi kokë, lavdi Zotit nuk kemi nga këto plagët e luftës por këto janë bombat e luftës për ne, çmimet që kërcejnë kështu. Do t’i bëjmë të gjitha, por e di çfarë bëjmë ne? Ne shikojmë çmimet si rriten se këto janë të gjitha prodhime të tregut ndërkombëtar, janë importe dhe jo prodhime të vendit, megjithëse edhe vendet prodhuese të naftës e kanë çmimin e naftës më të rritur sot. Amerika prodhon naftë vetë, Amerika ndaloi naftën dhe gazin rus, por e kishte 1%. Amerika është prodhuese dhe ka sot çmimin më të lartë të naftës në pompë. Ne i shohim çmimet si janë dhe i shohim të gjitha si rriten. Nuk është se ka ndodhur vetëm në Shqipëri. Ka njerëz që thonë “rrogat”.

E para punës, në fund të ditës, krahasimet që ne bëjmë me rajonin, duhet t’i bëjmë me sa lekë ngelen në xhep nga ajo rrogë, në kuptimin sa lekë lenë ata për taksa dhe sa lemë ne, që ne lemë shumë më pak se ata. E dyta, tregu ndërkombëtar nuk pyet. Tregu ndërkombëtar nuk është me “Kjo është magazina e Francës, kjo është magazina e Holandës, kjo është magazina e Maqedonisë, kjo është magazina e Shqipërisë e sipas rrogave hajde merrini”.

Ato janë njësoj, ureja ku shitet është njësoj, kështu që impakti i çmimit është njësoj. Ne këtë e kemi mësuar, nuk e di pse po kthehet përsëri ky muhabet këtu në Shqipëri kur ne jemi mësuar, u rrit çmimi i bukës brenda natës dhjetëfish sepse ndërruam sistem, ikëm nga sistemi u ishim dhe u futëm në sistemin tjetër, sistemi tjetër me importe-eksporte dhe ndërkohë në atë kohë, ishte komplet sistem tjetër.

Duhet të kemi parasysh që ajo rritje, sado e çmendur që është, nuk është se u çmendën këta këtu. Këta këtu do t’i shohim për pjesën që bëjnë spekulimet e tyre, pra “para se të hyja në dyqan ishte kaq e tani që po pimë kafe është kaq”. Ajo është e mirëmenduar, e ka parë dhe e ka nënvlerësuar. Kjo është spekulim.

Ky është sistemi, nuk është më sistemi yt dhe i Dhimos. Kështu u zgjodh kjo punë dhe mirë u bë.

-Rruga që është pas jush, kjo lidh 800hektarë tokë. Sot edhe në këmbë nuk kalohet dot.

Kryeministri Edi Rama: Jua premtoj që do vij shumë shpejt t’i shohim të gjithë këto probleme në mbështetje të gjithëve juve që prodhoni këtu sepse kjo është zonë prodhuese model.

-I dhatë prioritet fermerëve të mëdhenj. Unë jam fermer i vogël. Kam 5 hektarë tokë, i kam me qira, dhe nuk i plotësoj dot kërkesat e përfitimit të naftës sepse i kam të familjarëve që kam në Itali. Nuk kam asnjë dokument. Bilanci i vitit që u mbyll kam ruajtur një sasi lekësh për t’i punuar tokat dhe për t’i mbjellë.

Kryeministri Edi Rama: Ne këtë rast e adresojmë, në bashkëpunim me pushtetin vendor, me përgjegjësinë e kryetares së bashkisë, që nëse përfshihet në ndonjë skemë mashtrimi i del për zot vetë, jo Ani, por kryetari i bashkisë, por me këtë, 5 hektarë nuk janë pak.

Do të mbështesim patjetër dhe kjo është gjëja që thashë përpara. Ne nuk kemi vënë asnjë taksë mbi fermerët dhe duke qenë pa taksa fare, vetvetiu nuk je në regjistrat e shtetit. Ndërkohë që, ti prodhimin tënd do kesh dokumentacion se ku e shet. E pra, ti nuk ke asnjë dokument, i shet vetë, i merr gjithë lekët vetë, nuk i paguan shtetit asgjë dhe tani i kërkon shtetit. Thjesht për të thënë që duhet të kuptohet që nuk kemi një magazinë atje, siç keni ju të drithit, ne të kemi të lekut. “Magazina” e buxhetit mbushet me kontributet e njerëzve. T’i mbjellim pastaj shohim, e di. Do i mbjellësh e pastaj me të ardhë unë të them “Shiko do paguash një detyrim të vogël” do hidhesh përpjetë e do më dalësh në protestë atje. Çfarë të bëj unë?

Faleminderit shumë! Do vij shumë shpejt e do ulemi e do flasim me të gjithë ju.

Previous Rritja e çmimeve, qeveria fond garancie tregtarëve që familjet të mos paguajnë më shumë seç duhet.

Leave Your Comment