Përshëndetje të gjithëve
Të nderuar partnerë, miq dhe bashkëpunëtorë. Kam kënaqësinë e veçantë sot, t’ju uroj mirëseardhjen në takimin tim të parë me të gjithë partnerët ndërkombëtarë në cilësinë e ministrit të Drejtësisë së Shqipërisë, por njëkohësisht edhe të Koordinatorit Kombëtar antikorrupsion. E vlerësoj maksimalisht të gjithë përkushtimin dhe kohën tuaj për këtë takim, i cili i dedikohet ekskluzivisht agjendës sonë në luftën kundër korrupsionit. Prania juaj sot në këtë takim është tregues I qartë I vullnetit për të qenë bashkëshoqërues dhe bashkëkontribues në të gjitha përpjekjet e qeverisë sonë dhe veçanërisht ato të koordinatorit kombëtar kundër korrupsionit. Lufta kundër korrupsionit në administratën publike mbetet sot për ne sfidë mbi sfidat. Nëse reforma në Drejtësi I hapi rrugë pastrimit radikal të gjyqësorit nga kthetrat e korrupsionit, për të rikthyer besimin e qytetarëve tek sistemi I drejtësisë, puna jonë si koordinator kombëtar synon të vendosë këto themele integriteti në mënyrë kapilare në të gjithë administratën publike. Natyrisht jemi të ndërgjegjshëm që kemi nisur një rrugëtim tejet të vështirë, me shumë pengesa përpara. Por nga ky rrugëtim nuk do të ketë kthim prapa. Këtë përkushtim për të ecur përpara pavarësisht pengesave, në rradhë të parë e kemi detyrim kundrejt qytetarëve tanë, por edhe perspektivës së tyre evropiane. Në tetor të vitit të shkuar, ne ngritëm të parën drejtori të përgjithshme kundër korrupsionit në Ministrinë e Drejtësisë. Pavarësisht kohës së shkurtër, deri më sot, ajo ka dëshmuar se di të jetë në lartësinë e detyrave, që i janë ngarkuar. Krahas ndjekjes rigorozisht të detyrave që burojnë nga kuadri ynë strategjik kundër korrupsionit, kjo drejtori ka përqëndruar të gjitha kapacitetet e saj duke prodhuar menjëherë rezultate të prekshme nga qytetarët në luftën kundër korrupsionit në administratën publike. Kemi dërguar 20 raste për ndjekje penale në prokurori brenda kësaj kohe si dhe kemi rekomanduar mbi 50 masa administrative. Rritja e ndjeshme e volumit të denoncimeve në muajt e fundit, aktualisht koordinatorët tanë po trajtojnë 650 raste dhe praktika abuzive, është një tregues I qartë I besueshmërisë që dita ditës kjo strukturë po fiton në rradhët e qytetarëve që përballen me sjelljen abuzive në administratën publike. Krahas gjurmimit me rigorozitet të çdo ankese të qytetarëve, nuk kemi humbur asnjëherë vëmendjen nga puna jonë persistente, por më pak e dukshme në parandalimin e korrupsionit. Sot falë bashkëpunimit me një pjesë të partnerëve tanë, kemi finalizuar një sërë objektivash në drejtim të rriskut të integritetit në të gjitha ministritë, parandalimit të korrupsionit në ligjbërje, si përmes rritjes së kapacitetit të administratës publike, për të qenë më rezistente ndaj praktikave korruptive. Jemi të bindur që duhet të bashkëpunojmë, dhe në sajë të këtij bashkëpunimi besojmë se shumë punë do të realizohen dhe do të kenë impaktin e dëshiruar për qytetarët tanë. Me shumë prej jush kam pasur rastin të takohem përgjatë këtyre muajve dhe të ndaj shumë nga shqetësimet e mia si dhe sfidat tona të përditshme në luftën kundër korrupsionit në Ministrinë e Drejtësisë. Dëshiroj të theksoj se kam gjetur tek ju vullnetin maksimal jo vetëm për të vijuar, por edhe të eksploruar forma dhe mënyra të reja bashkëpunimi në mënyrë të koordinuar. Vetëm duke u ulur e duke diskutuar bashkërisht e duke u koordinuar, sigurojmë se asnjë përpjekje e jona nuk shkon dëm dhe vlerës së kontributit tuaj I garantohet qëndrueshmëri. Ndaj më shumëse çdo gjë tjetër sot, shpresoj se do të kemi një diskutim të hapur pune për të ravijëzuar e rakorduar më mirë të gjitha format tona të bashkëpunimit. Shpresoj që ky takim të jetë vetëm I pari ndër ata që kanë si objektiv efektivitetin e luftës kundër korrupsionit.
Faleminderit