E nderuar zonja kryetare e kuvendit
Të nderuar kolegë
Unë në fakt nuk kam ardhur me foto me vete, sepse në këto ditë të punës së Komisionit Hetimor Parlamentar për impiantet e përpunimit dhe trajtimit të mbetjeve, shqiptarët kanë parë aq shumë fotografi sa mendoj se tashmë u është shtuar pasioni për gjeografinë. Jam I bindur se me kaq shumë fotografi sa janë shfaqur, do kemi dhe një zhvillim të turizmit në Shqipëri, sepse është rritur kurioziteti.
Por më vjen mirë që më në fund opozita I është rikthyer seriozisht rregullit dhe ligjshmërisë edhe në komisionet hetimore, duke lënë mënjanë komisionet rrugore me molotovë e zjarrvënie pasi prej kaq vitesh, nuk ka pasur një komision hetimor parlamentar, sepse opozita sa I fillonte braktiste parlamentin.
Në gjithë këto ditë e kam ndjekur me vëmendje maksimale komisionin hetimor, kam dhe eksperiencë me këto komisionet hetimore në fakt, kam vërejtur seriozitetin e kolegëve të mi në përgjigje dhe përgatitje, përballë pyetjesh të përgatitura me nxitim, me shtrëngim, me mesazhe, pa kokë, pa trup e pa këmbë. Edhe Big Bradhëri kishte rregji më të mirë se kjo që donin të bënin dy Partitë Demokratike që më shumë grindeshin se kush ishte I pari dhe jo për të vërtetën.
Komisioni Parlamentar tentoi të zinte vendin e prokurorisë, të gjykatës, madje në disa raste, anëtarë të veçantë të këtij komisioni u sollën si pjestarë të inkuizicionit. Komisioni hetimor parlamentar, të nderuar kolegë, ka të tjera detyra: pyet, dëgjon, komenton, sugjeron dhe në fund bën një raport. Ka organe të tjera që me pyetjet ushtrojnë presion pozitiv në drejtim të zbardhjes së të vërtetës.
Çudi më të madhe nuk besoj se do të kenë dëgjuar shqiptarët se sa në ditët e punës së këtij komisoni: Një ditë në komision mburreshin se SPAK ka arrestuar ministra dhe ish ministra, ditën tjetër thoshin që drejtësia është e kapur. Besoj duhet të gjeni një emërues të përbashkët, drejtësia është e kapur apo jo. Se nuk po flasim për drejtësinë e kohës së Zogut, por për atë pak vite më parë, kur jo në burg e në gjykatë, por as mendohej të përmendej emri I një ministri, apo ish ministri.
Çfarë nxori së fundmi komisioni: U pompua opinioni publik me një shifër 430 milionë euro dhe pritëm me kureshtje që ky komision të na jepte se kishte marrë njëri, sa tjetri, sa ishin fshehur poshtë jastëkut dhe kush kishte marrë më shumë e kush më pak. Në qindra orë hetim parlamentar, dëgjuam vetëm akuza portalesh, foltoresh e bravash, dhe ashtu si nën zë, ndonjë shifër dhjetëfish më të ulët se kjo 430. Pra shkurt pastër dhe qartë: Nga buxheti I shtetit janë paguar vetëm 55.3 mln euro për koncensionin e Fierit dhe Elbasanit. Asnjë lek nga buxheti për Tiranën. 30.6 mln për Elbasanin dhe 24.7 mln për Fier. Ndërkohë që Tirana paguan tarifë shërbimi. Ato milionat që I hedhin në hava si pa të keq a thua janë gjethe dushku, do të paguhen deri në vitin 2047 pra sipas matematikës duhen edhe 25 vjet të tjera që Partia Demokratike, e vjetra dhe e reja, të nisin të bëjnë akuza. Të nderuar shqiptarë duhet ta kuptoni që kolegët, miqtë e mi të opozitës, në fakt të të gjithë opozitave këtu në Parlament, punojnë për dekadat e ardhshme. Që sot në 2022 kanë aftësi të kapin korrupsionin e 2050. Unë uroj që ta kenë jetën e gjatë dhe t’ia bëjnë këtë shërbim brezave të ardhshëm.
Po të marrësh kontratat pastaj, se impiantet aty janë, vajtën deputetët e komisionit hetimor dhe I panë. Nuk janë valixhe që I marrin dhe ikin me vrap. Kontrata për Tiranën sot është 29 euro toni, ajo që donte kryetari I opzoitës sot dikur kur ishte kryetar bashkie ishte 38 euro toni. Dhe të mendosh që ishte më e vogël Tirana atëherë. Ja kjo ishte gjithë marrëzia dhe furtuna e ngritur prej muajsh, që gjithsesi edhe si gënjeshtër nuk e arrin dot e jo më ta kalojë abuzimin me rrugën e kombin.
Gjithsesi pati disa gjëra të mira ky komision: Nxori të vërtetën megjithëse opozitat u mbuluan ta fshehin; tregoi se reforma në drejtësi po funksionon dhe megjithëse në hapat e parë ka nisur të ecë drejt dhe jo me zig zake; parlamenti iu kthye normalitetit.
Dhe e fundit, ai ose ata që kanë shkelur ligjin, kanë punë me drejtësinë dhe kjo duhet të bëhet normë në këtë vend. Kanë punë vetëm me drejtësinë; nuk ka drejtësi mediatike, nuk ka as drejtësi politike dhe nuk ka as drejtësi mikse, të gërshetuar. Ka vetëm një drejtësi. Drejtësia që japin gjykatat e vendit. Dhe si profesionist I fushës, dua t’ju siguroj të nderuar kolegë se janë më të mirë se të gjithë ne. E mbas asaj séance maratonë, ku kryeministri I vendit, për qytetarët dhe jo për ju dha shpjegime të hollësishme, është momenti që në këtë sallë të mos flitet më për këtë problem, por ta lemë SPAK dhe drejtësinë të japë drejtësinë, për të cilën të gjithë bashkë kemi bërë reformën. Drejtësi portalesh, drejtësi politike dhe drejtësi hajnash të vjetër e të ri nuk do të ketë më në këtë vend. Ka vetëm një drejtësi, ajo që japin gjykatat.
Faleminderit