Bëjmë me dije se vazhdojnë kontrollet në të gjithë territorin për të siguruar identifikimin dhe izolimin e rasteve të mundshme. Në 24 orët e fundit kemi të konfirmuar një rast në qarkun Durrës, komuna Xhavzotaj, fshati Xhavzotaj. Autoritetit Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve vazhdon monitorimin me veterinerët zyrtarë në të gjithë territorin e vendit.
Janë monitoruar stabilimentet e tjera rreth vatrës të cilat janë këshilluar për masat e biosigurisë që duhet të kenë parasysh për t’u mbrojtur nga prekja e sëmundjes së Influencës Aviare.
Në përputhje me Planin e Kontigjencës, në zonën e mbrojtur 3 km dhe në zonën e mbikëqyrjes 10 km po kryhen kontrolle të kujdesshme në vatrën e re si dhe po vazhdon monitorimi i rregullt i zonave të mbrojtjes dhe mbikëqyrjes në vatrat aktive. Në këto zona është ndaluar tregtia e shpendëve të gjallë, sipas Urdhrit të Ministrit Nr.154
Vazhdon kontrolli i territorit edhe në liqene, laguna dhe në tregjet e palicensuara, në bashkëpunim me njësitë e qeverisjes vendore. Nga kontrolli i kryer nuk janë konstatuar shpendë të tjerë të sëmurë apo të ngordhur.
Po ashtu, sipas Planit të Kontigjencës, vazhdon dezinfektimi i vatrave.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vazhdon monitorimin dhe kontrollet në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Nuk janë konstatuar shkelje apo problematika.
Konsumatori duhet të ndihet i sigurt se ushqimet në tregun tonë, në pikat tregtare të licensuara janë të kontrolluara. Nuk ka asnjë rrezik nga konsumi i mishit dhe vezëve të gatuara me temperatura më të larta se 70 gradë Celsius.
Nëse konstatoni shenja të dyshimta për influencë aviare në ferma apo oborre, ju bëjmë thirrje të kontaktoni menjëherë veterinerin zyrtar të zonës ose të telefononi falas në numrin e gjelbër 0800 33 66.
Informacione të mëtejshme i gjeni në faqet zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve si dhe Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.