Fjala e Ministres Balluku në Kuvend - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Fjala e Ministres Balluku në Kuvend

E nderuar drejtuese e seancës,

Të nderuar deputetë,

Të nderuar kolegë ministra,

Unë do ta nis jo nga Paketa e Rezistencës, por nga disa fakte që transmetohen gjithmonë të shtrembëruara këtu në parlament dhe që nuk shërbejnë për të thënë të drejtën, as opozitës dhe as qytetarëve. Dëgjuam sot këtu që harxhohen para nga buxheti për rrugët, ndërkohë që të gjitha rrugët janë në koncesion. Kjo është një e pavërtetë e madhe dhe duhet të ndalojmë këtë lloj informacioni të qëllimshëm dhe të gabuar. Rrugët që ne mirëmbajmë, rrugët që ne ndërtojmë janë 3600 kilometra, nga të cilët në koncesion janë 114 kilometra në Rrugën e Kombit dhe 170 kilometra në Rrugën e Arbrit. Pra më shumë se 3400 kilometra të tjerë mirëmbahen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

Përsa i përket taksës së qarkullimit gjatë vitit të kaluar janë mbledhur 19 miliardë lekë, ndërkohë që shuma e përdorur për mirëmbajtjen dhe ndërtimin e rrugëve shkon në 34 miliardë lekë. 162% më shumë se taksa e mbledhur.

Ndërkohë që sot nuk po vuan vetëm sektori i hidrokarbureve, as i produkteve ushqimore, por po vuajnë të gjithë sektorët. Po vuan edhe ai i ndërtimit për shkak të çmimeve të rritura, të dyfishuara madje të hekurit dhe të çimentos dhe çdo lloj produkti tjetër i cili kontribuon për kantieret tona, qofshin ato kantiere të cilat paguhen nga buxheti i shtetit apo dhe kantiere nga iniciativat private.

Sot kur të gjithë bashkë duhet të gjenim mundësi për të mitiguar efektet e një krize ndërkombëtare që vazhdoni ta quani jo të tillë, që mundoheni të fshihni faktet, por faktet flasin. Ju mund të bëni narrativ politike, propagandë, çfarë të doni, por nuk ka asnjë shqiptar që nuk e di që kriza me të cilën sot përballemi është një krizë globale. Një krizë globale e nxitur nga lufta midis dy vendeve që ndoshta janë larg nesh, por ama globalizimi këtë sjell. Tashmë lufta nuk ka të bëjë as me distancën, as me kufijtë dhe as me arsyen. Sot që flasim lufta padyshim ka të bëjë me globalizimin. Pjesa më e prekur e kësaj lufte është energjia. Kjo është një luftë energjetike që ka nisur që në momentin e parë dhe do të përfundojë, kur? Këtë nuk e di askush prej nesh. Ne dimë vetëm diçka. Ne dimë një fakt, i cili është i rëndësishëm për gjithë qytetarët që Qeveria Shqiptare, Qeveria Rama ka vendosur që përmes Paketës së Rezistencës të mbrojë të gjithë qytetarët shqiptarë nga ekspozimi i çmimeve të larta.

Qeveria Rama e ka nisur këtë mbrojtje që në muajin gusht, atëherë kur ne në shtator deklaruam që kishte nisur një krizë e thellë energjetike. Atëherë kur të gjithë ju këtu përfaqësues të opozitës thonit që kjo ishte një gënjeshtër, ishte një manipulim i kryeministrit për të krijuar një tymnajë mbi çmimet e energjisë. Ndërkohë sot nuk e mohoni dot këtë fakt dhe nuk mohoni dot as faktin që çmimi qëndron i fiksuar, pavarësisht çmimeve të tregut ndërkombëtar në Republikën e Shqipërisë nuk ka ndryshuar asnjë qindarkë çmimi energjisë për të gjithë ata abonentë të cilët janë të lidhur në fashën e 04-tës, që janë bizneset e vogla. Për të gjithë ata abonentë të cilët janë abonentët familjarë dhe për të gjithë abonentët e lidhur në tensionin e mesëm, pavarësisht se ligji e kërkonte që ata të dilnin në treg të lirë në 1 janar të 2022.

U referua znj.Tabaku sot që çmimi është rritur për abonentët e tensionit të mesëm. Jo zonjë! Nëse do të dilnin në treg të lirë do të paguanin 40 lekë për kilovat orë, ndërkohë paguajnë vetëm 18 dhe të gjithë pjesën tjetër e mbulon Qeveria Shqiptare.

Dëgjova sot që produktet e shportës dhe gjithçka tjetër është ndikuar nga çmimi i energjisë. Tani zonja Tabaku po na thotë që të gjitha produktet i prodhokemi në vend. Jo nuk janë ndikuar nga çmimi i energjisë, pasi çmimi i energjisë nuk ka ndryshuar, por janë ndikuar nga tregjet ndërkombëtare, pasi shitet me çmim tjetër mielli, shitet me çmim tjetër vaji dhe ajo që duhet të themi çmimi, është një situatë e rëndë, që po rëndon mbi çdo familje, po rëndon mbi çdo Qeveri. Por, çfarë është më e rëndësishme dhe që duhet të kuptojmë është që tregu do të përballet dhe po përballet dhe me mungesën e produkteve, duke nisur nga nafta, nga gazi dhe duke mbaruar edhe tek vaji i lulediellit.

Në vend që të bënim analiza konstruktive, në vend që të gjenim një mënyrë sesi të bashkëpunonim, në vend që të krijonim këto paketa në mënyrë të përbashkët pasi mendimi i secilit sot, kontributi i secilit sot, ka rëndësi, jemi këtu duke pritur akuzat tuaja dhe duke konsumuar kohë sesi ti sqarojmë qytetarët që ato që ju thoni janë në shumicën e rasteve të rreme. Ashtu si rrugët që qenkan të gjitha në koncension, a thua ti se nuk ka shifra dhe fakte, a thua ti se nuk bëjmë dot ne transparencë publike.

Ndërkohë që ju mundoheni ta nxini këtë vend, i cili nuk ka asnjë ndryshim sot nga vendet e tjera përsa i përket krizës, për të thënë të drejtën ka një ndryshim shumë të mirë, pasi këtu Paketa e Rezistencës Sociale është shumë e mirë se ato vendet e tjera të rajonit që ju na i sillni si raste të mrekullueshme të menaxhimit, unë po ju them që ky vend ka nevojë për mbështetjen e të gjithëve dhe e dini pse, sepse vetëm dy ditë më parë ËizAir ka caktuar edhe një avion tjetër në Republikën e Shqipërisë për të operuar nga tetë avionë janë nëntë. Nëntë avionë të vendosur në bazë në Shqipëri i korrespondojnë 147 fluturimeve javore që do të thotë një volum i konsiderueshëm turistësh që do të vijnë në vendin tonë dhe të na japin një dorë që të rimëkëmbim ekonominë.

Dje është njoftuar nga “Air Francë”, një nga kompanitë më të mëdha të fluturimeve, që do të nisë fluturimet në Republikën e Shqipërisë si kurrë më parë duke filluar nga muaji korrik për të pasur një periudhë testimi dy mujore deri në fund të muajit gusht dhe në rast se tregu do të jetë i qëndrueshëm dhe në rast se vendi do të ofrojë kapacitetet për akomodimin e turistëve, “Air France” do të vazhdoj të qëndroj në Shqipëri.

Nëse ju dilni dhe i nxini faqen këtij vendi pa të drejt, sepse askush nuk ju ka thënë që nuk duhet të bëni një kritikë konstruktive, një opozitë të vërtetë. Kemi qenë dhe ne opozitë dhe flisnim me fakte dhe me shifra. Në rast se ju dilni këtu vetëm për të shkatërruar imazhin e Shqipërisë unë realisht nuk e di sesi e tregoni angazhimin tuja ndaj qytetarëve dhe ndaj këtij vendi.

Ne sot në kushte shumë të vështira po vazhdojmë të gjitha kantieret të cilat kemi hapur. Të gjitha ato kantiere të cilat do të bëjnë ndryshimin në pak vite. Sot Kryeministri kishte postuar se kemi arritur në 1.2 kilometra hapje të tunelit të Llogarasë. Sado që ju doni ta nxini këtë Qeveri besoj që brenda secili prej jush është i kënaqur dhe i gëzuar që ca punë të mira po ecin në këtë vend, pavarësisht tre viteve konsekutive të krizave dhe fatkeqësive që askush nuk i kishte imagjinuar.

1.2 kilometra të hapura nga 5.9 që ai tunel do të jetë. Këto janë fakte që ju nuk i mohoni dot. Ne në muajin Qershor do të hapim tunelin e Skërficës. Kardhiqi do të jetë pika lidhëse mes Gjirokastrës dhe detit, dhe Sarandës. Ne sot po punojmë për të plotësuar gjithçka që kemi premtuar, pavarësisht kushteve mjaft të vështira në të cilat kjo Qeveri vazhdon dhe punon.

Ne menaxhuam situatën e pandemisë, ashtu do menaxhojmë dhe krizën, siç dimë ne. Përmes paketave sociale, duke mbështetur ata qytetarë të cilët kanë më shumë nevojë. Ashtu siç po bëjmë sot me pensionistët për indeksimin e pensioneve duke nisur nga data 1 Prill. Ashtu siç po bëjmë sot me të gjithë ata njerëz që përdorin transportin urban. Dhe e dini pse? Sepse është koha që të përdorim transportin urban, është e nevojshme, duke qenë se çmimet e naftës janë jashtë kontrollit të Qeverisë Shqiptare. Është një treg i lirë, ne kemi ngritur një Bord, e menaxhojmë çdo ditë çmimin. Sot jemi mbledhur për të nxjerrë çmimin për nesër, i cili do të jetë më i ulët se sa ai që ishte dje pasi bursa ka reflektuar një çmim më të ulët. Por nuk duhet harruar që ky është një treg i lirë dhe çfarë duhet të bëjmë sot? Sot duhet të mirëkuptojmë situatën, duhet të punojmë të gjithë në mënyrë konstruktive, duhet ta mbështesim Qeverinë në këto momente të vështira për ti dhënë mundësi çdo qytetari për tu mbështetur në këto momente si asnjëherë tjetër, pra përmes paketës së transportit urban, përmes paketës së shportës, atyre 3 mijë lekëve që do ti shtohen të gjitha familjeve në nevojë dhe që janë një kompensim i mirëfilltë për çmimet e rritura të shportës. Kështu edhe për gjithçka tjetër.

Që të fajësoni Qeverinë edhe për krizat globale padyshim është gjëja më e gabuar për tu bërë në këto momente. Që të bëni propagandë negative për vendin tuaj është akoma dhe më e gabuar.

Shumë faleminderit.

Previous Fjala e Kryeministrit Edi Rama në seancën e sotme parlamentare.

Leave Your Comment