Rindërtimi, 112 apartamente të reja çelin dyert në Valias për banorët që humbën strehën nga tërmeti - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Rindërtimi, 112 apartamente të reja çelin dyert në Valias për banorët që humbën strehën nga tërmeti

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e inaugurimit të 112 apartamenteve të reja në Valias:

Përshëndetje të gjithëve dhe faleminderit shumë për këtë pritje!

Më vjen shumë mirë që sot ne çelim dyert për një pjesë të konsiderueshme të familjeve që do strehohen në këtë lagje të re dhe së shpejti edhe për pjesën tjetër, pasi siç e keni parë dhe siç shihet, pa vështirësi, pjesa më e madhe e punës, edhe në anën tjetër ka përfunduar. Janë vetëm detajet e fundit për apartamentet, ndërkohë që do të vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtësisht me Kryetarin e Bashkisë për të kompletuar edhe gjithë anën e jashtme me parqet dhe me këndet sportive për vajzat dhe djemtë më të rritur, si dhe me këndet e lodrave për fëmijët e vegjël.

Patjetër, edhe me gjithë infrastrukturën e nevojshme për gjyshet dhe gjyshërit që mund të dalin lirisht me nipa dhe mbesat, duke shfrytëzuar gjithë këto hapësira publike në mes të këtyre godinave, që përbëjnë një shembull të bukur për të ndërtuar, jo vetëm një jetë familjare, por edhe një jetë komunitare në kushte mjaft të mira.

Ajo që është kryesorja, sidoqoftë, dhe që unë e përsëris me shumë krenari, është që të gjitha këto apartamente janë tuajat, janë falas dhe janë pronë e patundshme e familjes suaj. Kjo natyrisht vlen për të gjithë ju, edhe për shumicën këtu që janë demokratë që duken 4 orë larg, por nuk humbni gjë të qeshni me gjithë zemër se shtëpi po merrni, nuk po merrni një shkelm që të ikni nga shtëpia. Kështu që, nuk është faji im apo i joni që ju i prisnit nga tjetërkush dhe jua bëri tjetërkush. Kështu është jeta, nuk ke çfarë i bën, të vjen nga nuk e pret, por për ju demokratët e Kamzës paska qenë kjo botë sepse ju vuu kundër e ne vuu kopshte, vuu cerdhe, vuu shkolla e vuu shtëpia. Kështu që, “ju me gur e ne me bukë” e të them të drejtën, nuk na vjen keq se gurët tuaj na bëjnë mirë se na bëjnë më të fortë, juve buka jonë ju bën mirë se ju bën më të fortë kështu që të dy palët ecin bashkë.

Rëndësi ka që gjërat të shkojnë mirë për ju dhe akoma më shumë rëndësi ka që fëmijët e vegjël, këta të vegjëlit fare, se ata të vegjëlit midis i keni prish që tani se bërtasin “Rama Ik” që nga 200 metra larg, por flas për këta të vegjëlit fare, këta të jenë në kushte optimale, siç ju keni dëshiruar të jetë e ardhmja e familjes suaj kur keni ardhur në këtë zonë.

Ky është një program që është ndërtuar për të qenë një program i barabartë për të gjithë, pavarësisht bindjeve, pavarësisht prejardhjes krahinore, pavarësisht besimeve, pavarësisht gjithçkaje. Është një progam tamam për të gjithë si njerëz, si shqiptarë, si qytetarë me të drejta të barabarta të këtij vendi dhe këtë lloj programi, më vjen keq për demokratët që janë këtu, mund ta bëjë vetëm Partia Socialiste e Shqipërisë, doni ju apo nuk doni ju, se juve ju kemi hudhrën kryesore që nuk na merr njeri dot më sysh. Ndaj, ju bëmë edhe me shtëpi tani që t’ju kemi afër, t’ju kemi pranë, do t’ju mbajmë shumë mirë.

21 gropa në çdo rrugë kemi gjetur këtu, 21 kopshte dhe shkolla janë ndërtuar. Jo vetëm kaq, por një nga kopshtet që është ndërtuar këtu në Kamëz fitoi dhe çmimin ndërkombëtar si një ndër kopshtet më bukur i ndërtuar në 2020 në Europë. Në Kamëz, llogarite, ku edhe shtëpinë e gjenit me të pyetur se nuk kishte rrugë dhe natën humbnit rrugën për të shkuar tek shtëpia juaj. Avash, avash do t’i bëjmë të gjitha dhe kjo lagje do jetë model për të gjithë.

Kjo është një tjetër fjalë e mbajtur. Ne vazhdojmë punën sepse ka akoma një pjesë të banorëve të prekur nga tërmeti në Tiranë, në Durrës që presin, por janë ata që kanë një pritje më të gjatë për shkak se edhe ndërtimet përkatëse duan më shumë kohë se janë lagje masive. Ajo e 5 Majit e keni parë që po zhvillohet, ajo e Kombinatit ka filluar, ajo e Spitallës në Durrës ka filluar, ndërkohë që janë dhe një sere godinash shumë të rënduara nga goditja e tërmetit në Durrës që kërkon një rikonstruksion shumë të thellë dhe për këtë arsye edhe kanë marrë më shumë kohë. Por, një gjë ka rëndësi të thuhet dhe të përsëritet deri kur familja e fundit do ketë hyrë në shtëpi, ne do vazhdojmë pa ndërprerje punën, me të gjitha vështirësitë që na dalin përpara dhe nuk do të reshtim pasi është shumë e rëndësihsme që ky program të mbyllet si një histori e madhe suksesi, në kuptimin që pavarësisht fatkeqësisë, përveç atyre që humbën jetën, të cilët nuk kemi mundësi t’i kthejmë dot, të gjithë të tjerët që u prekën më keq nga tërmeti të dalin më të fortë seç ishin përpara se të binte tërmeti. Këto apartamente dhe gjithë kjo zonë sot është një vlerë pasurore e patundshme e të gjitha familjeve që do të përfitojnë dhe është një vlerë shumë më e madhe sea ajo që humbëm.

Patjetër, do vijë shumë shpejt dhe ajo ditë që dhe turistët të kalojnë në Kamëz.

Imagjino se çfarë të bën Partia Socialiste. Ndërkohë që, me Partinë Demokratike, iu dukej vetja juve si turistë që kishit humbur rrugën dhe prapë kuptohet votonit për PD. Mirë bëni vazhdoni votoni se humbje, të paktën humbje me nder për ne nuk jeni të ndarë, ne ju shohim të gjithë njësoj. Ne duam që të gjithë të kenë siguri, ne duam që të gjithë të kenë përkujdesje, kuptohet ata që kanë nevojë më shumë për përkujdesje dhe ne duam që zhvillimi të vijë për të gjithë dhe kjo që po ndodh në gjithë bashkinë e Kamzës është shembullore dhe kuptohet shumë mirë.

Ne nuk e bëjmë për vota këtë, se kur na thonë “Hë se për vota e bëni”, zgjedhjet mbaruan dhe mesa më kujtohet mua, u rrahët prapë apo jo? Do rriheni prapë, por ne vazhdojmë punën, e para. E dyta, ne nuk kemi asnjë problem që këtu ju të bëni atë fitoren e vogël, në humbjen e madhe, nuk ka problem. Ne do vazhdojmë të investojmë. Tani të shohim se kujt do t’ia shtojë Zoti inatin më shumë, juve apo neve, por në fund fare, unë e di që ne do puqemi në një pikë dhe pika ku do puqemi ne është që juve përfundimisht nuk do e coni më votën kot, siç e keni çuar 30 vjet.

(Ja e sheh, janë mësuar që të flasin, bëjnë foltore rrugëve dhe thonë “E kam këtu fjalën”. Unë po flas vëlla, më lër të mbaroj unë. Ty të ka vënë Rakipi të lavdërosh Rakipin, ti nuk je i PD. Ty të ka thënë Rakipi “Aman më lavdëro atje” se nuk je i PD ti. Nëse e bën me zemër, aq më keq, je socialist i flaktë, por unë nuk e kam për ty këtë punë. Për ty më vjen keq se je minorancë këtu, por që për demokratët është kjo që them, sic e dini ju socialistët e Kamzës, ne demokratët e Kamzës i kemi merak, i kemi shumë merak shumë.

Ndërkohë, foli pak zëvendëskryeministri edhe për pjesën tjetër, se mirë këto godinat janë pjesë e programit të rindërtimit por ndërkohë, kjo qeveri “e poshtër”, që ju keni kaq kohë që doni ta largoni, vazhdon ju paguan juve dritat dhe ju nuk keni asnjë rritje, asnjë qindarkë të çmimit të dritave, e nuk do të keni. Ndërkohë që diferenca e çmimit që qeveria paguan është në ndonjë rast më e madhe se vetë çmimi që ju paguani. Por kjo bëhet për të gjithë pa dallim. Pa asnjë dallim! Se e përsëris, për ne janë të gjithë bashkë dhe duam që të gjithë të ndihen bashkë, qoftë në kapërcimin e një vështirësie, qoftë dhe në marrjen e një mbështetjeje. E njëjta gjë vlen për të gjithë ata që përdorin autobusin e këtu ka shumë njerëz, sidomos shumë gra, nëna, vajza që përdorin autobusin sepse shkojnë në punë dhe për to nuk do të ndryshojë çmimi i biletës, pavarësisht se është rritur çmimi i naftës sepse edhe aty qeveria do të vazhdojë të paguajë pjesën e diferencës, në mënyrë që edhe autobusët të funksionojnë dhe të mos falimentojnë, edhe transporti publik të garantohet, qoftë brenda për brenda qarkut të Tiranës, qoftë dhe në transportin ndër urban dhe kështu me radhë është e tërë paketa e rezistencës sociale, ku ka një mbështetje të veçantë për të gjithë ata që janë më në nevojë, pensionistë, invalidë, paraplegjikë, tetraplegjikë, familje në ndihmë ekonomike, për të cilat ne kemi vendosur edhe një bonus të veçantë në fund të çdo muaji.

Ashtu sikundër, dua ta theksoj që jemi duke punuar intensivisht për të vënë në jetë edhe ato vendime që tanimë janë shumë të qarta falë këshillimit kombëtar,. Do të shkojmë përpara me legalizimin e kursimeve të emigrantëve, në radhë të parë të emigrantëve por edhe të gjithë shqiptarëve që pavarësisht se kanë qenë dikur në emigracion, tani janë këtu ose anasjelltas kanë punuar në të zezë dhe duhet që ti formalizojnë, t’i legalizojnë paratë e tyre që vijnë nga puna, jo nga aktivitetet kriminale natyrisht. Do të bëjmë një mbështetje të posaçme për nënat me tre fëmijë, sipas kategorive të ndryshme dhe kështu me radhë sipas të gjithë atyre temave të këshillimit kombëtar, të gjitha ato që kanë vendosur shqiptarët do të bëhen realitet.

Janë mbi gjysmë milioni shqiptarë që kanë dhënë opinionet e tyre. Ka dhe demokratë mes tyre sepse ishte konfidenciale e nuk dilte as emri, as mbiemri, as adresa kështu që kanë dhënë dhe shumë demokratë mendimet e tyre që unë i falënderoj të gjithë pa përjashtim, sepse Këshillimi Kombëtar është për Shqipërinë me të gjithë shqiptarët, nuk është për Partinë Socialiste vetëm me socialistët dhe në mbyllje unë dëshiroj shumë që t’ju uroj vërtet shëndet, përtej shakave që janë në këtë rast më shumë se gjysma e të vërtetës, por ju uroj vërtet shëndet të gjithëve dhe uroj që ti gëzoni shtëpitë. Janë tuajat! Janë falas! Janë me hipotekë! Nuk janë si shtëpitë që i mbante peng Shaban Memia, janë me hipotekë, janë me çelësa dhe ju jeni të lirë të bëni çfarë to doni me to. T’i mbani, t’i shisni, t’i jepni me qera, çfarë të doni! Vetëm, me demokratët e kam prap, bëni shumë kujdes se ju ka kapur kjo sëmundja t’i ndërroni bravat njëri – tjetrit. Mos bëni shaka të tilla se nuk ka lezet. Secili ka bravën e vetë, është në punën e vetë dhe partia ka punën e vetë, ju keni punën tuaj, sipas meje. Nëse do shkoni të merreni me punën e partisë do ju ngeli puna juaj pa bërë. Kështu që shihni punën tuaj. Aq më tepër që ju e keni gjetur shërbëtorin e duhur, Partinë Socialiste. Ju jeni tamam si ajo parulla e parë e PD-së. Ju kujtohet kur e nxorët atë parullën, “ne qeverisim, bota na ndihmon”? edhe këtu në Kamëz ju jeni tamam ne rrimë, PS-ja punon për ne. Kjo është logjika dhe jo vetëm kaq, ne protestojmë, PS-ja na ndihmon, kjo është kryesorja. Kështu që faleminderit dhe për të gjitha protestat që keni bërë. Siç e shihni jemi të gjithë shumë mirë me shëndet, jemi në superformë, jemi të motivuar edhe më shumë falë protestave tuaja por bëni kujdes me protestat e tjera, mos shkoni pas Berihait, më dëgjoni mua se ju nuk keni punë me gjykatën e Parisit. Ju shtëpitë i keni tuaja, as nuk vjen njeri t’jua marri, as nuk duhet të shkoni në gjykatë për t’i ndarë. Gëzojini shpite me gjyshet, me gjyshërit, me kalamajtë dhe “rroftë Partia Demokratike”, sepse tani që na la, kemi nostalgji për Partinë Demokratike, nuk kemi çfarë bëjmë.

Faleminderit shumë!

Previous Grupi Parlamentar Socialist starton procesin e identifikimit të kandidaturës për Presidentin apo Presidenten e Republikës

Leave Your Comment