Gjatë vizitës së tij në Lezhë kryeministri u ndal për të parë edhe shtëpitë që marrin sot në dorëzim familjet e komunitetit rom dhe egjiptian të cilat mbetën pa strehë natën e 26 nëntorit. 16 familje sot marrin çelësat e shtëpive të tyre të reja, të ndërtuara me kontributin vullnetar të shqiptarit bujar nga Kosova Halil Kastrati. “Ne kemi ardhur me dëshirën më të madhe. Përveç këtij pallati janë dhe 9 shtëpi të tjera. Këtu janë 16 hyrje dhe sot lidhet energjia me OSHE-në”, – u shpreh Halil Kastrati.
Kryetari i bashkisë së Lezhës Pjerin Nderu, vlerësoi kontributin e donatorit kosovar. “Halili është donatori që është vetëofruar ka ardhur vetë, na është ofruar për ndihmë në ditë të vështira, përveç kësaj dhe me pako ushqimore”.
Objekti është i ndërtuar me të gjitha kushtet teknike dhe në përputhje me kërkesat e Bashkisë Lezhë. “Ti gëzoni! Me shëndet, me fëmijët, me gjyshet. Janë pronë e juaja falë dhe kontributit të Halilit që na u gjet në atë moment. Ndërkohë me Lezhën do vazhdojmë t’i plotësojmë të gjitha nevojat”, – u shpreh Kryeministri Rama.
Puna vijon ndërkohë për ndërtimin e 9 banesave të tjera private në lagjen “Shehër” të Lezhës.