Blloku i pallateve buzë lumit Drin ishte ndalesa e radhës e Kryeministrit Rama i cili ditën e sotme ishte në Lezhë ku pa nga afër jo vetëm procesin e rindërtimit por vizitoi edhe sipërmarrje të suksesshme në zonë. Ky bllok përbëhet nga 9 objekte të ndërtuara para viteve ’90, me një gjendje ekzistuese të fasadave mjaft problematike.
Kryebashkiaku i Lezhës Pjerin Ndreu sëbashku me Kryeministrin Rama panë nga afër punimet që janë drejt përfundimit në këtë zonë. “Komplet fasadat që kanë qenë të degraduara tani i bëmë me çati, me veshje të re, me të gjitha komplet. Me pallatin tjetër që është për rindërtimin, merr formë”, – u shpreh Ndreu.
Ky rehabilitim i ka dhënë një imazh të ri objekteve por edhe vet portës hyrëse të qytetit të Lezhës. Hapësira e brendshme e bllokut është rikonceptuar me një organizim të ri, me park, zona të gjelbëruara, stola dhe sheshe lojërash për fëmije.