Qeveria Shqiptare i ka akorduar statusin “Fëmijë në Përkujdesje të Republikës” 11 fëmijëve të parë, prindërit e të cilëve dhanë jetën në krye të detyrës.
Ky status parashikon edhe një paketë të plotë mbështetjeje të veçantë për fëmijët në përkujdesje të Republikës, e cila parashikon:
- 100 për qind të pagës së prindit për çdo fëmijë, kur në ngarkim të personit që ka humbur jetën, ka vetëm një fëmijë që gëzon statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”;
- 70 për qind për çdo fëmijë, kur në ngarkim të personit, që ka humbur jetën, ka dy fëmijë të mitur;
- 50 për qind për çdo fëmijë, kur në ngarkim të personit, që ka humbur jetën, ka tre fëmijë;
- 40 për qind për çdo fëmijë, kur në ngarkim të personit, që ka humbur jetën, ka katër fëmijë;
- 30 për qind për çdo fëmijë, kur në ngarkim të personit, që ka humbur jetën, ka më shumë se katër fëmijë që gëzojnë statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”.
“Fëmijët në Përkujdesje të Republikës” do të përfitojnë gjithashtu bursën për ndjekjen e arsimit parauniversitar në institucionet arsimore publike dhe tekste shkollore falas. Po kështu, përfitojnë bursë të plotë nga fondi i mbështetjes studentore dhe janë të përjashtuar nga tarifa vjetore në institucionet publike të arsimit të lartë.
Në vazhdim, komisioni i posaçëm, i drejtuar nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, do të kryejë vlerësimin e aplikantëve të tjerë që përfitojnë nga ky status.